Shartimi i domates është një teknikë, me origjinë nga vendet e lindjes së largët. Në ditët e sotme, kjo teknikë përdoret masivisht në Europë, Azi dhe Amerikë, ku sipërfaqja e mbjellë me këto bimë është më e lartë se me bimët e pashartuara. Në vitet e fundit, edhe fermerët shqiptarë kanë filluar ta përdorin këtë teknikë.
Arsyet kryesore përse buhet bërë shartimi i domates janë:
Bimë më rezistente ndaj infeksioneve të tokës dhe sëmundjeve të tjera; Duke pasur parasysh që tokat nga viti-në-vit, sa vijnë dhe infektohen më shumë, sidomos nga sëmundje si Fuzarioza dhe Nematoda, është vërtetuar që luftimi i tyre me preparate kimik është i pamundur, alternativa e vetme ngelet përdorimi i nënshartesës. Nënshartesa, duke patur një sistem rrënjor shumë të fuqishëm, arrin ti mbijetojë dëmtuesve si nematodat dhe fuzariozat. Gjithashtu, duke qënë se bima është më e fuqishme, ajo i reziston më mirë edhe infeksioneve të tjera si baktereve, kërpudhave dhe viruseve të ndryshme.
Prodhimtari dhe cilësisi më e lartë e frutit; Nënshartesa arrin ta ushqejë në mënyrë efikase bimën duke sjellë një bimë të balancuar dhe të shëndetshme. Në këtë mënyrë arrihet një rendiment më i lartë dhe cilësi më e mirë e frutit.
Bimë më e fuqishme e cila mundëson zgjatjen e ciklit prodhues; Nënshartesa, me karakteristikat e lartpërmendura, i jep mundësinë fermerit të zgjasë ciklin prodhues të një bime. Në vendin tonë një bimë kultivohet mesatarisht 5-6 kate, por me nënshartesë mund të shkojë deri në 15-20 kate.
Rezistencë ndaj streseve që shkakton temperatura dhe lagështia esktreme; Duke qënë se fermeret synojnë ta mbjellin fidanin në muajt dhjetor-janar, të cilët karakterizohen nga temperature shumë të ulta, nënshartesa siguron tolerancë më të lartë se fidani standart ndaj këtyre faktorëve. Nënshartesa po ashtu i sjell bimës një tolerancë më të lartë ndaj thatësirës dhe lagështirës së tepërt.
Mundësi kultivimi me EC të lartë duke bërë të mundur përmisimin e shijes. Kërkesat e tregut sa vijnë dhe po rriten, ku përvec uniformitetit dhe ngjyrës së domates, një kriter shumë i rëndësishëm është edhe shija e saj. Nënshartesa i jep mundësinë fermerit që të kultivojë duke përdorur kripëzim më të lartë në ujë, gjë e cila rrit shijen e domates.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi teknikat e shartimit të domates.