Duke njohur sëmundjet më të zakonshme që prekin delet, shenjat tipike të tyre si dhe masat për parandalimin e këtyre sëmudjeve, ju mundësoni një tufë të shëndetshme dhe një ekonomi më të mirë e të qëndrueshme të fermës suaj. Pa dyshim parandalimi i sëmundjeve është masa më efikase dhe efiçente për kontrollin dhe luftimin e tyre, kontroll që duhet ta kryeni në bashkëpunim të ngushtë me veterinerin e zonës.
Cilat janë disa nga sëmundjet më tipike që prekin delet?
Fascioloza, ose Flutura e Mëlçisë apo Gëlbaza
Çfarë është? Është një sëmundje e shkaktuar nga parazitët që strehohen në dy bujtës – në trupin e dhenve dhe tek kërmijtë dhe prek jo vetëm dhentë por edhe njerëzit. Zhvillohet në zonat me lagështi dhe temperatura mbi 10°C. Shkakton dëme ekonomike nga rënia e prodhimit, mundësia për prekje nga sëmundje të tjera, kosto veterinare, e deri edhe zhdukje të tufës.
Cilat janë shenjat? Shenjat kryesore janë rënia në peshë, rënia e kondicionit trupor, shfaqje e vezëve në jashtëqitjen e kafshëve të prekura. Tek njerëzit e prekur shënjat përfshijnë diarre, rritje të numërit të ruazave të bardha të gjakut, temperaturë të lartë, përzjerje, dhimbje stomaku e të vjella.
Përse shkaktohet? Ndotja apo infektimi i kullotave sjell qarkullimin e vezëve, larvave dhe fluturave ndërmjet bujtësve dhe kullotës. Sëmundja favorizohet nga mjediset lehtësisht acide, nga ujrat e ndenjur, parcelat e përmbytura dhe me avullim të ngadaltë, si dhe temperaturë mesatare të ajrit mbi 10°C.
Si parandalohet?
Drenazhoni parcelat sa më mirë;
Eliminoni përdorimin e kullotave, të cilat mbartin ujë apo lagështi.
Kontaktoni me veterinerin e zonës për trajtimin e sëmundjes.
Ndryshoni rregullisht medikamentin që do të përdorni për të shmangur imunitetin e flutrës. Në fillim të vjeshtës mund të përdorni medikamentet me bazë albendazol ndjekur në Janar nga trajtimi me bazë closantel, ndërsa trajtimi i fluturës së rritur bëhet në pranverë.
Agalaxia ose Zbekthi i Dhenve
Çfarë është? Zbekthi është maisja e plagëve që prekin: gjëndrat e gjirit dhe janë burim i zhvillimit të mastitit; sytë duke çuar deri në verbëri të kafshës; nyjet duke shkaktuar artrit; si dhe lëkurën duke shkaktuar plagë.
Cilat janë shenjat?Gjiri fillon të ngrohet, fryhet dhe dhemb; qumështi ka pamje jo normale si dhe shenja gjaku, e më tej gjiri atrofizohet. Nyjet e gjymtyrëve squllen, dhëmbin dhe kafshët shfaqin çalime. Sytë krijojnë një perde opake, si dhe rrjedhje. Në rastet akute (të menjëherëshme) kafsha shfaq rritje të menjëherëshme të temperaturës, ligështohet, humbet oreksin, si dhe shfaq dështime në fund të barrsmërisë.
Përse shkaktohet? Agalaksia është një sëmundje kryesisht bakteriale që përhapet përmes kafshëve të prekura. Në një tufë të prekur, qengjat infektohen përmes pirjes, delet infektohen përmes duarve të mjelësve, makinave mjelëse të ndotura, shtratit, ushqimit apo edhe ujit të ndotur (kontaminuar).
Si parandalohet?
Mbani vazhdimisht nën vëzhgim gjinjtë e deleve, dizinfektojini ato pas çdo mjelje, dizinfektoni duart pas çdo mjelje, karantinoni kafshët e reja që futen në tufë duke vëzhguar rregullisht gjendrrat e qumështit, sytë, nyjet, dhe lëkurën e tyre. Dizinfektoni ambjentet, mjetet, dhe veglat e prekura të cilat nuk duhen përdorur për të paktën 1 muaj.
Konsultohuni me veterinerin e zonës suaj për kurimin e specializuar të sëmundjes që bëhet kryesisht përmes antibiotikëve si tetraciklina.
Ndërkohë ju rekomandojmë vaksinimin para ndërzimit, 4-6 javë pas ndërzimit dhe 2 javë para shkëputjes si dhe skartimin e kafshëve të prekura për të kontrolluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Antraksi ose Plasja
Çfarë është? Infeksion bakterial shumë ngjitës që prek jo vetëm kafshët por edhe njerëzit.
Cilat janë shenjat? Në rastet e menjëherëshme apo akute temperatura e kafshëve arrin në 41- 420; prodhimi i qumështit pëson rënie totale; delet shfaqin shenja të etjes për ujë; mukozat marrin ngjyrë manushaqe si dhe rrjedhjet e gjakut nga hunda e goja janë me një ngjyrë të errët. Në këto raste kafsha ngordh menjëherë brënda disa minutave deri në 36 orë pas prekjes. Edhe në rastet jo akute kafsha shfaq po të njëjtat shenja, por ngordhja ndodh pas 7- 8 ditësh.
Përse shkaktohet? Burimi i përhapjes janë kafshët e sëmura, zonat ku kanë kullotur këto kafshë, kufomat e kafshëve të ngordhura të pa groposura, mikrobet e përhapura në mjedis e që rezistojnë në tokë për disa dhjetra vjeçarë, duke krijuar vatra të plasjes; stallat dhe mjetet e infektuara.
Si parandalohet?
Bëni kujdes që karkasat e kafshëve të ngordhura ti testoni menjëherë për antraks për të ulur më tej efektin e përhapjes.
Nëse kafsha rezulton e prekur, ju duhet të bëni menjëherë groposjen e saj në thellësi 2 metra ose djegjen e kufomës.
Lajmëroni në kohë specialistët e zonës në rastin më të parë të dyshuar, për të mbrojtur pjesën tjetër të tufës dhe shëndetin e njerëzve.
Në bashkëpunim me vetrinerin siguroni vaksinimin dhe mjekimin sipas rastit duke evidentuar më parë zonat e prekura.
Në zonat pa probleme vaksinimi bëhet në pranverë një herë në vit, ndërsa në ato problematike vaksinimi i pranverës ndiqet nga një vaksinim i dytë në vjeshtë.
Çala
Çfarë është? Çala është një sëmundje bakteriale e cila shkakton dëme të konsiderueshme në fermë, rënie të prodhimit dhe kondicionit të kafshës, që në mënyrë të dukshme shfaq çalimin.
Cilat janë shenjat? Squlltim dhe ngjyrë e kuqe ndërmjet gishtërinjve; infeksioni depërton drejt qendrës së thundrës; përhapet një erë e rëndë karakteristike, kafsha e prekur çalon, vërehet rënie e shtesës së peshës, rënie e prodhimit të qumështit; ulje e fertilitetit tek deshtë dhe ulje e numërit të pasardhësve;
Përse shkaktohet? Çala shkaktohet nga bakterietanaerobike, pra që jetojnë pa oksigjen, ndaj pastrimi i thundrave dhe ekspozimi ndaj oksigjenit sjell eliminimin e bakterieve. Bakteriet mund të jetojnë në thundrën e infektuar të një kafshe vetëm 10-14 ditë, ndaj menaxhimi i kujdesshëm e mban nën kontroll përhapjen e sëmundjes në tufë si dhe eliminon atë në një tufë të prekur. Çala përhapet përmes kontaktit me tokën, plehun, shtrojen e dyshemesë; nga blerjet e kafshëve të infektuara; nga mjetet në kontakt me kafshë të prekura; mos pastrimi i thundrave në mënyrë të rregullt; ngjeshja e tufës në stallë; dyshemeja e lagësht, etj.
Kujdes, nëse 5-10% e deleve në tufën tuaj janë të infektuara, ato mund të bëhen bartëse të përherëshme të bakteries.
Si parandalohet?Pesë janë elementët kryesorë të menaxhimit për kontrollin e çalës:
Mos blini dele me thundra të prekura dhe nga tufa të prekura
Shmangni blerjet në tregje dhe në parcela që mund të jenë përdorur nga delet e prekura
Shmangni mjetet e përdorura nga delet e prekura 2 javët e fundit
Mjetet e transportit të jenë të pastruara dhe disinfektuara siç duhet.
Pastroni thundrat dhe trajtojini ato sapo të fusni një dele apo një tufë në fermën tuaj, bëni rikontrolle në mënyrë periodike sidomos gjatë 30 ditëve të karantinimit.
Mastiti
Çfarë është? Një nga sëmundjet më të hasura në tufat e deleve duke sjellë ndikim të ndjeshëm në ekonominë e fermës, shoqëruar me rënie të prodhimit, vështirësi në mëmëzimin e qengjave, kosto të larta kurimi apo edhe therje të parakohshme.
Cilat janë shenjat? Gjiri pëson ndryshime fizike, fryhet, ngrohet, dhëmb gjatë prekjes; delet e prekura kanë temperaturë të lartë, mungesë oreksi, gjendje depresive; gjymtyrët e pasme i mbajnë lart sikur të jenë të çala; refuzojnë qingjat të pijnë qumësht.
Përse shkaktohet? Shkaqet e shfaqjes së mastiteve mund të jenë si fizike, pra çarje apo gërvishje të gjirit, mund të jenë nga stresi, por burimi kryesor i sëmundjes janë bakteriet që penetrojnë në gjëndrën e gjirit duke e infektuar e majisur atë.
Si parandalohet?
Tregoni kujdes me pastërtinë e kafshës, mjedisit dhe tuajën;
Delet e prekura ndajini nga tufa;
Qengjat e deleve të prekura ushqejini me shishe/bebiron;
Analizoni qumështin e deleve të prekura për të përcaktuar bakterien shkaktar dhe medikamentin e duhur;
Kontrolloni gjirin e deleve pas shkëputjes dhe para ndërzimit duke skartuar delet me gji të fortë e të pa zakontë.
Bëni trajtimin me antibiotikënën këshillën e veterinerit.
Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato
Vetem vazhdoni me publikime e shkrime veterinare
-Besim