REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.
Ndër patogjenët (shkaktarët) kryesorë që bëhen shkak për një barrsmëri të pasuksesshme tek të imtat mund të përmendim:
Bruceloza. Është një nga sëmundjet më kritike që transmetohet nga kafshët tek njerëzit. Shkaktari i Brucelozës tek dhentë dhe dhitë në shumicën e rasteve është Brucela melitensis. Bruceloza shkakton një humbje të ndjeshme të prodhimit përmes abortit, uljes së fertilitetit të tufës, lindjeve të ngordhura dhe rënies së prodhimit të qumështit. Efekti klinik kryesor lidhet me problemet e prodhimit në të imta.
Bruceloza mund të transmetohet tek njerëzit përmes konsumit të produkteve të pasterizuara, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, ose ato kafshë që kanë kaluar sëmundjen por, kanë mbetur bartëse të infeksionit. Në këto raste, përhapja ndodh përmes sekrecioneve të organizmit si urina, qumështi, sperma, etj. Infektimi ndodh gjithashtu nëpërmjet kontakteve me ushqimet e kontaminuara, me mjetet e kontaminuara, kontakti me fetuset, lëngjet apo cipat e fetuseve në rastet e aborteve. Gjithashtu, përhapës të Brucelozës janë edhe deshtë e cjeptë e infektuar te cilët e transmetojnë infeksionin tek delet dhe dhitë gjatë kohës së ndërzimit.
Shenjat kryesore të brucelozës tek të imtat janë aborti që shfaqet në periudhën e fundit të mbarrsmërisë, në shumë raste me mbetje të placentës, si dhe lindje e pasardhësve të dobët. Tek deshtë dhe cjeptë shfaqet inflamacion (përskuqje) e organeve riprodhuese (testikuj), shoqëruar me enjtje dhe temperaturë në këto organe. Njëkohësisht, si tek meshkujt edhe tek femrat vihen re shenja të fryrjeve në gjymtyrë në formën e artriteve.
Për rëndësinë që ka kjo sëmundje, ju këshillojmë të ndiqni strategjitë dhe programet e ç'rrënjosjes së saj. Ndërprisni lëvizjen e kafshëve nga zonat e infektuara drejt zonave që konsiderohen të pastra nga Bruceloza. Kafshët e dyshuara duhet t'i testoni dhe ato të cilat dalin pozitiv t'i therni dhe eliminoni në bashkëpunim me autoritetet veterinare zyrtare të zonës. Gjithashtu, në bashkëpunim me veterinerin zyrtar të zonës ndiqni protokollon e vaksinimit të tufës. Izoloni kafshët që kanë abortuar nga ato normalet. Pastroni dhe digjni fetusin e abortuar si dhe placentën, shtratin e kontaminuar, jashtëqitjet. Kontrolloni dhe mbani larg qenve dhe zogjve materialet dhe lëngjet që mbeten si rezultat i abortit. Pastroni dhe dezinfektoni dyshemetë, hangarët e ushqimit, godinat dhe paisjet.
Krahas përkujdesit për tufën, ju jeni përgjegjës edhe për mbrojtjen e shëndetit tuaj dhe të konsumatorëve. Veterinerët, teknikët, fermerët, punonjësit e thertoreve, si dhe personat që kanë kontakt të drejtpërdrejtë me kafshët e prekura dhe produktet e tyre, janë personat më të rrezikuar nga kjo sëmundje. Ata mund të infektohen nga kontakti direkt apo indirekt i lëkurës dhe mukozave me kafshën e prekur apo duke përdorur produkte të papërpunuara nga kafshët e prekura.
Por, cilat janë shenjat e prekjes nga kjo sëmundje tek njerëzit?
Ato shpesh ngjasojnë me gripin duke manifestuar ethe, dhimbje të trupit e veçanërisht të nyjeve, mungesë oreksi dhe humbje në peshë, djersitje të shtuar, dhimbje koke, dhimbje barku, kollitje, etj. Këto shenja shfaqen nga pesë deri në tridhjetë ditë nga momenti i kontaktit me burimin e infeksionit. Ndaj, menjëherë me shfaqjen e këtyre shenjave, ju rekomandojmë të bëni testin si dhe konsultën me mjekun për të filluar trajtimin e duhur.
Toksoplazmoza. Është një sëmundje parazitare që shkakton probleme me riprodhimin dhe humbje të konsiderueshme ekonomike. Si infeksion është i përhapur në specie të kafshëve në shumë vende dhe në kushte të ndryshme klimatike. Mënyra e abortit është e ndryshme në varësi nga shkaku bakterial i abortit. Infeksioni gjatë barrsmërisë së hershme mund të shkaktojë rithithjen e fetusit, ndërsa në fazat e mëvonshme, abortet janë më të zakonshmet.
Njihet që macet dhe qentë janë shpërndarës të infeksionit duke shfrytëzuar zonën e magazinimit të ushqimeve.
Ndaj, ju këshillojmë:
Leptospiroza. Është një sëmundje zoonotike (e transmetueshme nga kafshët tek njerëzit). Transmetimi i leptospirozës ndodh nga kontaminimi i ujit ose tokës, nga urina e kafshëve të infektuara, kontakti direkt me kafshët e infektuara, prania e ujërave të ndenjura në pellgje uji, etj. Forma e menjëherëshme e shfaqjes tek të imtat është rritja e temperaturës së trupit, mungesa e oreksit, depresioni, zverdhja dhe shenjat e anemisë dhe hemoragjisë, sikurse dhe forma kronike të dëmtimit të fertilitetit dhe abortet e të sapo lindurve, rënia e prodhimit të qumështit që sjellin për pasojë një humbje të konsiderueshme ekonomike. Infeksioni i fshehur karakterizohet nga mungesa e fertilitetit, ndërzime të përsëritura, aborte, qengja e keca të dobët dhe lindje të ngordhura. Testimi i pranisë së Leptospirozës mund të bëhet përmes testit të urinës së kafshës që ka abortuar, placentës së abortuar dhe fetusit. Si masë parandaluese, ju këshillojmë vaksinimin i cili luan një rol të rëndësishëm për kontrollin e tufës duke ulur në mënyrë të ndjeshme abortet në tufë.
Por, ndërkohë ju këshillojmë të kontrolloni ujin dhe cilësinë e tij, me qëllim që kafshët e shëndetshme të mos konsumojnë ujë të kontaminuar. Aplikoni izolimin e kafshëve të prekura nga ato të vaksinuara. Një rëndësi të veçantë merr edhe djegia ose groposja e produkteve të abortuara. Përdorni doreza gjatë manipulimit me lëngjet ose materialet e tjera të abortuara.
Ethja Q. Është një sëmundje e transmetueshme nga kafshët tek njerëzit që shkaktohet nga patogjeni Coxiella burnetii, përgjegjës për shenja akute dhe kronike, veçanërisht tek delet dhe dhitë duke shkaktuar aborte, mungesë oreksi dhe plagë. Infeksioni është rezultat i kontaktit me qumështin, urinën, feçen, mukozën e vaginës ose spermën e kafshëve të infektuara. Rriqnat shërbejnë gjithashtu si një rezervuar dhe përhapës të sëmundjeve. Një faktor tjetër, janë personeli që i shërben tufës, mjetet që përdoren, të cilat bëhen bartës të infeksionit nga një kafshë tek tjetra dhe nga një tufë në tjetrën. Në shumë raste, niveli i abortit rritet edhe me praninë e metriteve. Tek të imtat, shenjat dominante janë lindjet e parakohëshme, qengja e keca të dobët, lindje të ngordhura dhe aborte.
Si masa parandaluese ju këshillojmë
Ndërsa për të parandaluar përhapjen e infeksionit tek humanët, ju rekomandojmë pasterizimin e qumështit (ose ngrohjen e qumështit nën pikën e vlimit, 100°C).
Kampilobakterioza. Shkaktari është Campylobacteri i cili shkakton aborte në fazat e vona të barrsmërisë si dhe lindje të ngordhura. Përhapet përmes fetusit të abortuar, indeve si dhe të gjithë mbetjeve apo shkarkimeve të tjera që vijnë si rezultat i abortit. Largoni nga ferma fetusin e infektuar si dhe placentën me qëlllim që të eliminoni kontaminimin e ushqimit dhe ujit që përdoret nga kafshët e paprekura. Siguroni ushqimin nëpërmjet grazhdeve të sigurta të pakontaminuar nga kafshët e prekura, si dhe ujin përmes ujë pirëseve të pastra dhe të pakontaminuara. Largoni nga zona e martenitetit delet që kanë dështuar, fetusin dhe placentën. Nën rekomandimin e mjekut veterinar, përdorimi i antibiotikëve mundëson uljen e humbjeve nga aborti.
Listerioza. Një sëmundje bakteriale e cila shfaqet veçanërisht gjatë periudhës së dimërit si rezultat i rritjes së bakterit në periudha të ftohta. Shoqërohet me aborte, fetus të dekompozuar, si dhe vdekje të qelizave të mushkërive dhe mëlçisë. Aborti ndodh zakonisht në periudhën e vonë të barrsmërisë shkaktuar kryesisht nga prekja e silazhit dhe tokës.
Kujdes! Listerioza mundet të shkaktojë një infeksion të theksuar të mitrës pas abortit. Kafshët e sëmura mund të depozitojnë bakterin në qumësht dhe feçe. Duke qenëse është sëmundje e transmetueshme tek njerëzit, përbën edhe një shqetësim për ata.
Shenja kryesore klinike është ajo e depresionit shkaktuar nga dëmtimi i sistemit nervor si dhe ethet dhe metritet (ose infeksioni i mitrës).
Shpërthimi i listeriozës mund të ndodhë edhe në rastet kur tufat ushqehen në kullota me cilësi të ulët. Ndër kafshët ripërtypëse, delet janë ato më të prekurat. Mbani parasysh se sëmundja mund të parandalohet duke përmirësuar ruajtjen dhe menaxhimin e ushqimeve (veçanërisht silazhit), kullotave si dhe foragjereve të tjera, si përmes përmirësimit të hangarëve, ruajtës të ushqimit, ashtu edhe përmes manipulimit të duhur të tyre gjatë përdorimit.
Një përmbledhje e shkaktarëve të problemeve në riprodhimin e të imtave dhe pasojat e tyre.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato
Lexo më shumëFermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin
Lexo më shumëSa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?
Lexo më shumëJu si fermer nuk jeni përgjegjës vetëm për mbarështimin e kafshëve të fermës, por njëkohësisht duhet të tregoni kujdesin e duhur edhe për mjedisin që ju rrethon.
Lexo më shumë