KULLOTAT DHE KULLOTJA NGA TË LESHTAT




Kullotat kanë një rëndësi të veçantë në të ushqyerit e deleve pasi ato plotësojnë rreth 70-80% të nevojave të tyre, duke kaluar rreth 10 orë në kullotë. Delet konsumojnë pothuajse të gjithë llojet e barërave në përbërje të një kullote, por kujdes ato janë delikate ndaj kullotave me përqindje të lartë legumesh, pasi tërfili veçanërisht tërfili i kuq dhe jonxha mund të sjellin vonesa në shfaqjen e afshit, ndaj ju rekomandojmë shfrytëzimin e kullotave të përzjera.

Një tjetër avantazh i ushqimit kryesisht në kullotë është shëndeti i kafshëve, pasi ato janë më shumë të ekspozuara në ajër të pastër dhe nën rrezet e diellit, duke ndikuar gjithashtu edhe në pjellorinë e tyre e prodhimtari. Gjithashtu, kullota përbën ushqimin më ekonomik që ju mund të përdorni për tufën tuaj. 

Cilat janë mënyrat e shfrytëzimit të kullotave?

Kullotja e lirë. Është kullotja kur kafshët qëndrojnë në gjendje të lirë gjatë të gjithë kohës në kullotë pa asnjë kufizim. Në këtë rast ato përqëndrohen në barërat më të mira duke i konsumuar dhe pothuajse zhdukur ato. Kullotja e lirë për pasojë sjell varfërimin e kullotave. 

Kullotja gjysëm e lirë. Në këtë mënyrë kullotje kafshët qarkullojnë nga njëra pjesë e kullotës në tjetrën. Ato mbahen në një pjesë të kullotës pa e shfrytëzuar atë plotësisht dhe lëvizen në pjesën tjetër të saj. Dëmtimi i kullotës është më i pakët se në rastin e kullotjes së lirë, por edhe në këtë rast dëmtohet një pjesë e bimësisë me vlerë.  

Kullotja me rotacion ose qarkullim. Përmes kësaj mënyre planifikohen pjesët e kullotës që do të shfrytëzohen si dhe koha e shfrytëzimit të tyre duke e rritur vlerën ushqyese të kullotës. Kjo mënyrë siguron periudha qetësie dhe rigjenerimi për parcelat, si dhe një shkallë të ulët infeksioni të tyre si nga parazitët ashtu edhe nga bimësia e pa dëshiruar.

Kullotja me Rotacion Intensiv

Planifikimi i kësaj mënyre kullotjeje siguron qarkullimin e tufës në kullota të mira çdo 3-7 ditë në parcela të cilat kanë një prodhimtari të lartë. Kjo mënyrë siguron dhe një kontroll të mirë të barërave të këqija.

Kullotja në rripa

Kjo mënyrë kullotje sigurohet duke i ofruar tufës çdo ditë një rrip të ri për kullotje.

Çfarë duhet të mbani parasysh për përmirësimin e kullotave?

Bashkëpunim. Bashkëpunim. Bashkëpunim. Ky duhet të jetë motivi juaj kryesor që ju sjell mirëmajtjen e kullotës, kullota më të pastra si dhe tufa më të shëndetëshme. 

Bëni kujdes për pastrimin e gurëve. Ju mund ti grumbulloni ato dhe ti përdorni si breza mbrojtës për tokën ndaj erozionit apo si prita për kontrollin e rrjedhave ujore të rrëmbyera. 

Njihni mirë bimësinë e kullotës. Pastrojini kullotat nga bimësia helmuese, barërat e këqia si dhe bimësia jo cilësore, duke i shkulur ato me kujdes dhe duke mos lejuar përhapjen e mëtejshme të farërave të tyre. Kontrolli i tyre mund të bëhet edhe përmes herbicideve pas përdorimit të të cilave duhet të bëni kujdes që të mos lëshoni tufën në kullotë për aq kohë sa përcaktohet në udhëzimet e përdorimit të herbicidit. 

Përmirësimi i bimësisë së kullotave përmes mbjelljes së farërave të bimësisë së preferuar nga dhentë në kullota. Ju mund të pasuroni kullotat duke mbjellë farëra bimësh e shkurresh cilësore dhe duke i ruajtur parcelat nga kullotja deri në rigjenerimin e plotë të tyre. 

Ndërtimi apo riparimi i lerave që mundëson pirjen e ujit aq të domosdoshëm për jetën e deleve dhe prodhimtarinë e qumështit. Lerat i japin gjallëri kullotave të pa shfrytëzuara për mungesë të ujit duke rritur potencialin kullosor dhe ruajtur energjinë e kafshëve përftuar nga kullotja. 

Data e publikimit: 11/12/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ABORTET NË TË IMTA

Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato

Lexo më shumë

CILËT JANË DISA SHKAKTARË TË TJERË TË ABORTEVE NË TË IMTA?

Ndër patogjenët (shkaktarët) kryesorë që bëhen shkak për një barrsmëri të pasuksesshme tek të imtat mund të përmendim:

Lexo më shumë

RËNDËSIA E BUJQËSISË URBANE DHE SIGURIMI I USHQIMIT PËR ZHVILLIMIN E QYTETEVE TË SHËNDETSHME DHE TË QËNDRUESHME

Fermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin

Lexo më shumë

RËNDËSIA E PLEHUT ORGANIK

Sa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?

Lexo më shumë