DEZINFEKTIMI NË FERMAT E GJEDHIT




Përse është i nevojshëm dezinfektimi në ambjentet e mbarështimit të kafshëve të fermës?

Veçanërisht në kushtet e rritjes së temperaturave, si dhe të shtimit të aktivitetit në fermat blegtorale, proceset e pastrimit dhe dezinfektimit të ambienteve të mbarështimit të kafshëve të fermës bëhen gjithnjë e më shumë të domosdoshëm. 

 

Procese të tilla përfshijnë pastrimin dhe dezinfektimin e stallave, të bokseve të viçave, të martenitetit, paisjeve që përdoren në fermë, si dhe mjeteve të ndryshme. Krahas tyre, vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe higjienës së vetë kafshëve si dhe punonjësve të fermës. 

 

Pastrimi dhe dezinfektimi janë procese të rëndësishme që sigurojnë mirëqenien e kafshëve të fermës suaj, ndikojnë në rritjen e prodhimit, sigurojnë shëndetin e tyre, si dhe minimizojnë infeksionet. Higjiena e mire redukton nevojën e përdorimit të medikamenteve duke ulur edhe kostot e shpenzimeve veterinare. Procesi i pastrimit dhe ai i dezinfektimit të fermës, është kompleks dhe varet nga lloji i mikrobeve që shfaqen në fermë, lloji i sipërfaqeve dhe materiali i tyre, si dhe mënyra e pastrimit dhe dezinfektimit.

 

Para se të dezinfektoni ambientet e fermës,mbani parasysh se ulja e pranisë së baktereve në mjediset e fermës ul mundësinë që ato të fitojnë terren mbi kafshët dhe të shkaktojë sëmundje. Prandaj, para se të filloni proceset e pastrimit dhe dezinfektimit në stalla, ju këshillojmë të largoni nga stalla të gjitha mbetjet e jashtëqitjeve të kafshëve si dhe paisjet e lëvizshme

 

Përdorimi i solucioneve pastruese dhe dezinfektantëve duhet të bëhet në mënyrë korrekte dhe profesionale, gjë që mundëson uljen e mbetjeve të tyre në ambient dhe në produkte. Për këtë qëllim mbani parasysh:

  • Ju nuk mund të dezinfektoni papastërtitë! Higjiena në vetvete përbën 98% larje, pastrim, dhe 2% dezinfektim! Mbajtja e pastërtisë së duhur në fermë është gjithnjë një praktikë më e mirë se sa dezinfektimi i papërshtatshëm, pra çdo përpjekje që bëhet për dezinfektim është jo efektive nëse ju nuk i keni pastruar më parë ambjentet apo paisjet.
  • Lloji i sipërfaqeve ndikon në efiçencën e pastrimit dhe dezinfektimit, pasi sipërfaqet poroze janë më të vështira për tu pastruar dhe dezinfektuar krahasuar kjo me sipërfaqet e lëmuara. Ndaj, dezinfektantët në rastin e sipërfaqeve poroze duhet të jenë me spektër të gjerë dhe me aftësi depërtuese.
  • Pas pastrimit nga jashtëqitjet për dezinfektimin e stallës mund të përdorni solucione jodi, tretësirë sode, gëlqere të shuar, gëlqere të pashuar, tretësirë fenoli.

 

Gjatë pastrimit dhe dezinfektimit të përgjithshëm të stallës, ju këshillojmë:

  • Nëse përdorni shirita apo spango kurth për insektet, zëvendësojini ato sa herë të jetë e nevojshme.
  • Kontrolloni dhe riparoni vendet e fshehjes dhe gërmimit nga brejtësit. Vendosni kurthe në përputhje me rrethanat. Pra, vëzhgoni dhe riparoni vrimat në ndërtesa për të parandaluar jetesën e brejtësve në hapsira të tilla.
  • Largoni grumbullimet e dërrasave, të drurëve, ose mbeturinave të tjera.
  • Kontrolloni stallën nëse ka dëmtime nga shiu apo stuhitë.
  • Kontrolloni, identifikoni dhe korrigjoni problemet e shkaktuara nga rrjedhjet e plehut organik.
  • Largoni nga ambientet në stallë apo përreth saj ujin e ndenjur, i cili mund të jetë një terren i përshtatshëm për rritjen e mushkonjave.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Higjienën dhe dezinfektimin në zona të veçanta.

Data e publikimit: 12/02/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

DOMOSDOSHMËRIA E PREMIKSEVE

Çfarë përfitimesh do të shihni konkretisht në fermën tuaj duke përdorur premikset?

Lexo më shumë

VLERAT E ELEMENTËVE TË VEÇANTË

Cilët janë disa nga elementët e vecantë dhe domosdoshmëria e tyre në shëndetin e lopës?

Lexo më shumë

PËRDORIMI I PREMIKSEVE

Rekomandimi i përgjithshëm orientues për t’ju mundësuar lehtësinë në përllogaritjen e peshës në gramë, është:

Lexo më shumë

FILLESA E NJË FERME BLEGTORALE

Çfarë duhet të keni parasysh përpara se të filloni biznesin me gjedhin e qumështit?

Lexo më shumë