MASAT PËR TË SIGURUAR SHËNDETIN E TUFËS




Për të siguruar shëndetin e tufës së pari përgatisni një Plan Shëndetësimi të Tufës. Së bashku me veterinerin zhvilloni Protokollin për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në tufën tuaj përfshirë strategjinë e vaksinimit. Siguroni që në protokoll të përfshihen të gjithë masat parandaluese. Monitoroni në mënyrë të rregullt shëndetin e kafshëve. Për këtë qëllim mbani shënime të rregullta për të gjithë sëmundjet që ju shfaqen; trajtimin e tyre dhe efektin e trajtimit; identifikoni kafshët që preken dhe nga cila sëmundje preken më shumë. Dalloni çalimet në fazë sa më të hershme. Monitoroni në mënyrë të rregullt kondicionin trupor për të siguruar një gjendje normale të ushqyeri.

Përdorni injeksonet intramuskulare (muskujt e qafës); përdorni shiringa një-përdorimshe; përdorni medikamente me etiketa dhe instruksione të qarta. Blini medikamente nga burime të sigurta dhe me afate skadence të specifikuara qartë. Mbajini vaksinat në temperaturën e rekomanduar. Mbani shënime mbi vaksinimin. Ulni kontaktet ndërmjet grup moshave të ndryshme me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjeve. 

Bëni kujdes! Përzjerja e specieve të ndryshme përbën një rrezik për transmetimin dhe përhapjen e agjentëve viralë ndërmjet tyre. Qentë, macet, minjtë, zogjtë, janë bartës dhe transmetues të agjentëve të sëmundjeve, ndaj duhet të mbroni kafshët prodhuese të fermës, ushqimet blegtorale si dhe ambjentet e fermës ndaj këtyre bartësve.  

Lopët e sëmura duhet të ndahen nga të shëndetëshmet dhe të trajtohen më vete, mundësisht pas lopëve të shëndetëshme. Për të siguruar shëndetin e kafshëve, ulni kontaktet e kafshëve me jashtëqitjet e tyre.

Siguroni që shtrati i lopëve të jetë i mirë, i pastërt dhe pa jashtëqitje duke e ndërruar në mënyrë të vazhdueshme për të parandaluar efektin e patogjenëve. Madhësia e stallës të jetë e mjaftueshme për të siguruar rehatinë e lopëve. Dendësia e kafshëve nuk duhet të kalojë mbi 10% nga kapaciteti i saj. Dendësia të jetë e tillë që të mundësojë pastrimin dhe largimin e jashtëqitjes. Pra, stallat të jenë të rehatshme, me madhësinë e duhur, të pastra dhe me shtratin e duhur. Kafshët duhet të jenë të pastra dhe të thata veçanërisht pjesa e pasme dhe gjiri. 

Cilët janë disa elementë të tjerë që ju sigurojnë shëndetin e tufës?
Ushqimi dhe uji të jenë gjithnjë të pranishëm, të pastër, të plotësojnë nevojat e kafshëve dhe reduktojnë stresin dhe kontaminimin nga ushqimi. 

Ushqimi
Ushqimet e kafshëve duhet të jenë cilësore, të pastra nga ndotësit kimikë dhe ato biologjikë. Siguroni në fermë prodhimin e një ushqimi cilësor për kafshë, pa agjentë sëmundjesh, pa prani të kimikateve si dhe të pa kontaminuar nga jashtëqitjet. 

Siguroni të blini në treg ushqime të përpunuara nga burime të sigurta, ushqime që janë të etiketuara dhe të çertifikuara. Siguroni mjediset e duhura për ruajtjen e ushqimeve, mjedise të cilat ulin rrezikun e kontaminimit nga jashtëqitjet, insektet, zogjtë, kimikatet, etj. Ambjentet duhet të sigurojnë mbajtjen dhe ruajtjen e lëndëve ushqyese si dhe cilësinë e ushqimeve.

Uji
Siguroni ujë të pastër, të freskët, të bollshëm, cilësor dhe pa ndotës kimikë e biologjikë. Ndaloni përdorimin nga kafshët të ujrave sipërfaqsorë të ndotur nga fekalet, kafshët e egra, zogjtë migratorë, etj. Kontrolloni në mënyrë të vazhdueshme sistemin e furnizimit me ujë si dhe enët që shërbejnë për pirjen e tij. Siguroni ofrimin e sasive të nevojshme të ujit cilësor në çdo moment. Kontrolloni për praninë e ndotësve mikrobikë, si dhe mbeturinave të pa tretshme që do të pengonin tretjen dhe konsumin e ujit. 

Jashtëqitjet dhe menaxhimi i tyre
Jashtëqitjet shërbejnë si mjedis për futjen e patogjenëve. Ato shërbejnë si një burim i tepërt i azotit, fosforit, e potasit në mjedis. Mbroni ujin dhe ushqimin nga rrjedhjet e jashtëqitjeve. Përdorni në mënyrë të veçuar pajisjet për ushqimin dhe ato për jashtëqitjet. Siguroni që pjesë të jashtëqitjeve të mos kontaminojnë ushqimet si dhe mjediset ku ruhen ato. Shmangni zhvendosjen e jashtëqitjeve nga zona e kafshëve të rritura tek ajo e kafshëve në moshë të ré. Kafshët, ushqimet, rrobat, paisjet duhet të jenë të pastra dhe pa mbetje të jashtëqitjeve. Bëni kujdes duke siguruar pastrim të vazhdueshëm me qëllim që jashtëqitjet të mos mbarten në mjediset e stallës dhe paisje.  Paisjet e pastrimit të jashtëqitjeve mos i përdorni për mbartje të ushqimeve. 

GRUPIMET BRENDA STALLËS

Praktikat e mira të punës ndiqen edhe në ndarjen dhe organizimin e stallës sipas grup moshave, operacioneve dhe fazave në të cilat ndodhen kafshët. Ato përfshijnë zonën e martenitetit, zonën e viçave, zonën e mëshqerrave, zonën e lopëve në tharje, atë të lopëve në laktacion, të skartimit dhe spitali. Çfarë duhet të mbani parasysh për secilën nga këto zona?

Zona e Maternitetit
Krijoni një zonë të dedikuar për maternitet. Kjo zonë duhet të përdoret vetëm për procesin e pjelljes, dhe në asnjë mënyrë të mos përdoret nga kafshë të sëmura, që çalojnë, ose që janë blerë jashtë fermës. Siguroni lëvizjen ose ndarjen e të sapo lindurit nga lopa sa më shpejt të jetë e mundur. Siguroni që të porsalindurint të mos pijnë qumësht direkt nga thitha e nënës, veçanërisht nëse në fermë keni të pranishme Mykoplazmën, Salmonelën, Leukozën.

Zona e Rritjes së Viçave dhe Menaxhimi i Tyre
Për të ulur rreziqet e kontaktit me agjentët infektues siguroni izolimin duke i lëvizur të porsalindurit drejt një strehimi të përkohshëm për të mundësuar lëvizjen menjëherë në zonën e përherëshme të rritjes. Siguroni që ambjentet e rritjes së viçave të jenë lehtësisht të pastrueshëm, të mirë ventiluar si dhe të distancuar nga lopët dhe jashtëqitjet e tyre. Ndaloni lëvizjen e jashtëqitjeve nga viçat e vjetër tek ata më të rinj. Parandaloni kontaktet hundë më hundë ndërmjet viçave. Për çdo shërbim ofrojeni atë së pari tek viçat më të rinj. Viçat e sëmurë izolojini dhe trajtojini në fund të shërbimit në grupin e viçave. 

Zona e përkujdesit për mëshqerrat
Grupojini mëshqerrat sipas madhësisë/moshës, duke i izoluar ato nga lopët e rritura. Siguroni ventilimin e duhur, kontrolloni lagështinë si dhe mbajini ambjentet sa më të pastra. Mos përdorni tek mëshqerrat ushqimet e lëna nga lopët, pasi ato edhe nën efektin e jashtëqitjeve mund të jenë bartëse të Salmonelës. Ushqimet e ofruara për mëshqerrat duhet të sigurojnë plotësimin e nevojave për rritje dhe mirëmbajtje. Tregoni kujdes me shëndetin e mëshqerrave duke forcuar sistemin e tyre imunitar si dhe duke i mbrojtur ato në momentet më kritike siç është periudha para ndërzimit.

Lopët në Tharje
Grupojini ato duke lëvizur lopët që janë afër fazës së pjelljes me grupin e martenitetit. Shmangni mbingarkesën në numër të lopëve. Siguroni rehatinë e lopëve, mbani parasysh qe lopët barrëse të rënda mund të kërkojnë hapsirë më të madhe. Përmes racioneve ushqimore garantoni shmangien e sëmundjeve metabolike në përgatitjen për periudhën pas pjelljes. Përdorni foragjere me nivel të ulët potasi.  Rrisni nivelin e imunitetit duke përdorur vaksina të përshtatëshme për situatën shëndetësore të tufës.    

Lopët në laktacion
Siguroni që përmes racioneve të mirëpërgatitura ushqimore të plotësoni nevojat, të jenë të balancuar dhe të parandalojnë acidozat duke siguruar njëherazi edhe një gjendje të mirë shëndetësore të grupit të laktacionit. Hapsirat në stallë duhet të sigurojnë rehatinë e lopëve të qumështit, shmangni mbingarkesën. Hapsira të përputhet me numërin e lopëve në fazë laktacioni. Paisjet dhe ambjenti në përgjithësi të mbrojë kafshët nga dëmtimet, si dhe plagët. Gjiri i lopëve të jetë gjithnjë i pastër. 

Grupi i Skartimit
Merrni vendimin e duhur lidhur me skartimin duke u mbështetur në vlerësimin e prodhimit, gjendjen shëndetësore, moshën, etj. 

Spitali, lopët e sëmura ose grupi i trajtuar
Mbani paisjet më vete për kafshët e sëmura. Mos i bashkoni ato me lopët para pjelljes apo ato që sapo kanë pjellë. Ulni rrezikun e përhapjes së sëmundjeve nga dhe brenda lopëve të sëmura ose atyre që janë në trajtim. Dezinfektoni paisjet e përdorura në lopët e sëmura para se ti përdorni ato në lopët e shëndetëshme. Minimizoni lëvizjen e kafshëve, paisjeve dhe personelit nga zona e kafshëve të sëmura në atë të kafshëve të shëndetëshme. Trajtoni siç duhet kafshët e sëmura duke mbajtur parasysh edhe periudhën e mbetjeve. 

Data e publikimit: 11/05/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

DOMOSDOSHMËRIA E PREMIKSEVE

Çfarë përfitimesh do të shihni konkretisht në fermën tuaj duke përdorur premikset?

Lexo më shumë

VLERAT E ELEMENTËVE TË VEÇANTË

Cilët janë disa nga elementët e vecantë dhe domosdoshmëria e tyre në shëndetin e lopës?

Lexo më shumë

PËRDORIMI I PREMIKSEVE

Rekomandimi i përgjithshëm orientues për t’ju mundësuar lehtësinë në përllogaritjen e peshës në gramë, është:

Lexo më shumë

FILLESA E NJË FERME BLEGTORALE

Çfarë duhet të keni parasysh përpara se të filloni biznesin me gjedhin e qumështit?

Lexo më shumë