NDIKIMI I BLEGTORISË MBI NDRYSHIMET KLIMATIKE




Përllogaritjet tregojnë se blegtoria ndikon në një masë të konsiderueshme në efektin serë në nivel global, ndikim i cili arrin deri në rreth 14.5%. Ndikimi qëndron në ndryshimet e mënyrës së përdorimit të tokës, në prodhimin e ushqimit foragjer, prodhimin e qumështit dhe mishit, jashtëqitjet, përpunimin e qumështit dhe mishit dhe transport. Pikërisht prodhimi i ushqimit dhe jashtëqitja shoqërohen ndër të tjera me çlirim të gazit karbonik dhe metanit të cilët janë faktorë kryesorë që ndikojnë në ndryshimet klimatike. Gjithashtu procesi i përpunimit, transporti i produkteve, si dhe ndryshimet në përdorimin e tokës, sjellin rritjen e çlirimit të gazit karbonik.  Ndër të tjera, aktiviteti blegtoral shoqërohet me ndikime negative në mjedis, të tilla si degradimi i tokës, ndotja e ajrit dhe ujit, si dhe probleme me biodiversitetin dhe përkeqësimin e rezervave të burimeve natyrore. Gazrat e prodhuar nga blegtoria, kontribuojnë në efektin serë në atmosferë, më shumë se sa vetë sektori i transportit që konsiderohet si një nga shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale. Ky kontribut shkaktohet në mënyrë direkte ose indirekte duke përfshirë këtu fiziologjinë e kafshëve, stallat, grumbullimin e jashtëqitjeve dhe trajtimin e tyre, përdorimin e tokës si dhe llojin e sasinë e plehrave kimike të përdorura. Ndikimet direkte shkaktohen nga proceset e fermentimit, frymëmarrjes dhe jashtëqitjet, ndërsa ndikimet indirekte shkaktohen nga kulturat bujqësore, përdorimi i plehut organik, operacionet në fermë, përpunimi i produkteve blegtorale, transporti si dhe përdorimi i tokës në shërbim të blegtorisë, që shpesh shoqërohet me shpyllëzime, shkretëzimin e tokës, çlirimin e karbonit nga tokat e kultivuara. 

Në këto kushte, ju rekomandojmë të merrni disa masa adaptuese, për një mbarështimin të suksesshëm të fermave blegtorale me qëllim zbutjen e ndikimit të tyre mbi ndryshimet klimatike. 

  • Së pari ju rekomandojmë të vlerësoni mundësinë e krijimit të sistemeve të modifikuara të prodhimit dhe menaxhimit
    Kjo masë përfshin diversifikimin e kafshëve dhe kulturave bujqësore që mbarështohen në fermë, integrimin e sistemeve blegtorale me pyjet dhe prodhimin bujqësor, si dhe ndryshimet në periudhën e kryerjes së operacioneve në fermë. Diversifikimi i kafshëve dhe varieteteve të bimëve mundëson shpërndarjen e rrezikut, rritjen e tolerancës ndaj thatësirës dhe temperaturave të larta, duke ju mundësuar edhe rritjen e prodhimit bujqësor, kur kafshët janë të ekspozuara ndaj stresit të shkaktuar nga temperaturat e larta dhe reshjet intensive. Gjithashtu, duke diversifikuar kulturat bujqësore dhe kafshët ju mundësoni një luftë që përballon në mënyrë më efektive shpërthimet e sëmundjeve dhe dëmtuesve që lidhen me ndryshimet klimatike. Ndaj, për këtë qëllim ju këshillojmë zbatimin e praktikave agropyjore (mbjellja e drurëve pyjorë përgjatë parcelave të mbjella me kultura bujqësore si dhe në kullota), gjë që përbën një përqasje të menaxhimit të tokës, që ndihmon në ruajtjen e balancës ndërmjet prodhimit bujqësor, mbrojtjes së mjedisit dhe sekuestrimit të karbonit që çlirohet nga aktiviteti prodhues blegtoral. Agropylltaria ndikon në rritjen e prodhimtarisë, përmirësimin e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit, biodiversitetin, kontrollin e sëmundjeve dhe dëmtuesve, sikurse dhe përmirëson qarkullimin e lëndëve ushqyese.
  • Një masë tjetër e rëndësishme, është përdorimi i sistemeve mikse ndërmjet kulturave bujqësore dhe blegtorisë, masë e cila ju mundëson edhe sigurimin e ushqimit. Këto sisteme fermash mikse përmirësojnë efiçencën duke siguruar më shumë ushqim në më pak sipërfaqe toke e duke përdorur më pak burime të rëndësishme natyrore të tilla si uji. Duke miksuar aktivitetet për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, ju ndikoni gjithashtu në zbutjen e fenomenit të erozionit të tokës, si dhe në përmirësimin e ruajtjen e nivelit të lagështisë dhe lëndës ushqyese.
  • Përmirësimi i praktikave të të ushqyerit, është gjithashtu një masë tjetër adaptuese që rrit në mënyrë indirekte efiçencën e prodhimit blegtoral. Si praktika të tilla, ju sygjerojmë ndryshime të përbërjes së ushqimeve, ndryshimin e kohës dhe frekuencës së të ushqyerit, sikurse dhe njohjen e zbatimin e praktikave prodhuese dhe konservuese të ushqimeve që sigurojnë sa më pak çlirime të gazrave në atmosferë. Praktika të tilla ju mundësojnë të zbusni rrezikun nga ndryshimet klimatike, duke mundësuar përthithje më të mirë të ushqimeve, uljen e temperaturave ekstreme me freskimin e mjediseve, krijimin e sigurisë së ushqimeve gjatë sezoneve të thata, si dhe reduktimin e kequshqyerjes dhe vdekshmërisë së kafshëve.
  • Masa të tjera adaptuese që ju rekomandojmë të përdorni janë, ato agroteknike përfshirë qarkullimin bujqësor, mulqerizimin si dhe ndryshimet në periudhat e operacioneve, si për shembull kullotjes, mbjelljes, spërkatjes, vaditjes. Qarkullimi bujqësor është një masë e domosdoshme që siguron ndër të tjera një strukture fizike dhe përbërje kimike të shëndetëshme. Ju rekomandojmë mulqerizimin e tokës, pasi ai ju mundëson ndër të tjera ruajtjen e tokës nga shpërthimet e barërave të këqija, ruajtjen e lagështisë së tokës, ruajtjen e freskisë, si dhe mbrojtjen ndaj ngricave. Nga ana tjetër operacionet në fermë ju rekomandojmë ti adaptoni sipas ndryshimeve në sezonet e rritjes së bimëve, valët e të nxehtit si dhe intensitetit të rënies së reshjeve.
  • Kushtojini vëmendje të veçantë përmirësimit të menaxhimit të kullotave, pasi menaxhimi i duhur i tyre sjell sekuestrimin e karbonit, si përmes mbjelljes së drurëve pyjorë, përmirësimit të specieve bimore, përfshirjes së bimëve leguminoze, plehërimit të kullotave e praktikave të kullotjes me qarkullim. Këto masa do të sigurojnë njëkohësisht edhe rritjen e popullaritetit dhe aktivitetit të mikroroganizmave të tokës të domosdoshme për pasurimin e saj.
  • Mbani parasysh, se procesi i fermentimit shkakton çlirim të gazit metan, i cili mund të reduktohet përmes praktikave të tilla, si përmirësimi i të ushqyerit të kafshëve, si dhe përmirësimi i tyre gjenetik. Ndaj ju rekomandojmë të rrisni përdorimin e foragjereve me cilësi të lartë, përmbajtjen e yndyrave, proteinave dhe suplementeve në racionet ushqimore, të cilat sigurojnë rritje të tretshmërisë. Nga ana tjetër, ju rekomandojmë ti kushtoni vëmendje përmirësimit gjenetik, duke sjellë rritje të prodhimit të qumështit e mishit për krerë, gjë që mundëson prodhimin e të njëjtës sasi qumështi e mishi nga një numër më i pakët krerësh, e për pasojë uljen e çlirimit të gazrave nga aktiviteti blegtoral.

Data e publikimit: 05/04/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ABORTET NË TË IMTA

Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato

Lexo më shumë

CILËT JANË DISA SHKAKTARË TË TJERË TË ABORTEVE NË TË IMTA?

Ndër patogjenët (shkaktarët) kryesorë që bëhen shkak për një barrsmëri të pasuksesshme tek të imtat mund të përmendim:

Lexo më shumë

RËNDËSIA E BUJQËSISË URBANE DHE SIGURIMI I USHQIMIT PËR ZHVILLIMIN E QYTETEVE TË SHËNDETSHME DHE TË QËNDRUESHME

Fermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin

Lexo më shumë

RËNDËSIA E PLEHUT ORGANIK

Sa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?

Lexo më shumë