Para se të filloni kultivimin e jonxhës, ju rekomandojmë të mbani parasysh se:
Jonxha shërben si një parabimë shumë e mirë për të gjithë kulturat bujqësore, ndërkohë që parabimët më të mira për jonxhën janë ato prashitëse që eleminojnë barërat e këqija;
Para mbjelljes ju rekomandojmë të bëni analizat e tokës, së pari duke vlerësuar aciditetin e saj, pasi jonxha nuk kultivohet në mënyrë të suksesshme në toka me pH acid (pH më të vogël se 5.5). Plehërimi i tokës me plehra kimike, përdorimi i gëlqeres bën dhe rregullimin e pH (aciditetit) të saj duke e sjellë në pH e përshtatshëm 6.5 – 7.5.
Mbani parasysh se tokat e përshtatëshme për mbjellje janë ato argjiloro – ranore ose ranoro-argjilore. Prodhimi i suksesshëm i jonxhës kërkon toka të thella, të lehta dhe pjellore dhe rregjimin e duhur ndërmjet ujit dhe ajrit.
Bëni kujdes, tokat me nivele të larta të ujrave nëntoksore (më pak se 1.5m) si dhe tokat shumë të rënda nuk janë të përshtatëshme për mbjellje.
Gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje, ju rekomandojmë:
Punimin e thellë të tokës, i cili krijon një shtresë të shkrifët që siguron mbledhjen dhe mbajtjen e ujit, zhvillimin e mirë të rrënjës, si dhe siguron mbështetje për aktivitetin e baktereve azot-fiksuese.
Përdorni pleh organik të kalbur mirë rreth 200-300 kv/ha për të përmirësuar strukturën dhe pjellorinë e tokës sikurse dhe për të ulur kështu mundësinë e infektimeve nga barërat e këija.
Hedhjen e plehut organik shoqërojeni me plugim rreth 30-35 cm thellësi, me sistemim dhe nivelim të tokës.
Përdorni plehrat kimike shoqëruar me diskim për të mundësuar futjen e tyre në thellësi të tokës.
Kujdes, përdorimi i plehrave të fosforit dhe kaliumit duhet të bëhet mbi bazën e analizave të tokës si dhe duke mbajtur parasysh se jonxha do të qëndrojë për 4-5 vite në të njëjtën sipërfaqe toke.
Përzgjidhni për mbjellje kohën më të përshtatëshme, përgjithësisht fundi i muajit Mars fillimi i muajit Prill. Temperatura dhe lagështija e tokës janë dy faktorë të rëndësishëm për mbirjen e farës. Mbani parasysh se mbirja dhe zhvillimi i duhur i jonxhës mund të frenohen nga ngricat që mund të ndodhin në mesin e muajit Mars, ose nga thatësirat që mund të fillojnë në gjysmën e parë të Prillit.
Ndaj, ju rekomandojmë të ndiqni me kujdes parashikimin e motit për zonën tuaj.
Gjatë dhe pas mbjelljes ju rekomandojmë:
Të përdorni rreth 25-30 kg/ha farë cilësorenë thellësi jo më shumë se 3 cm. Sa më e lehtë të jetë toka, aq më e madhe duhet të jetë thellësia e mbjelljes. Kështu në toka të lehta thellësia duhet të jetë 2-3 cm, në toka mesatare duhet të jetë 1-2 cm dhe në toka të rënda 0.5 – 1 cm.
Ngjeshja e tokës pas mbjelljes bëhet përmes cilindrave të lehtë gjë që ju siguron një mbirje të lehtë e uniforme.
Tregoni kujdes për kullimin. Duke qënë se jonxha është e ndjeshme ndaj lagështisë së tepërt, duhet siguruar kullimi i tokës përmes mbajtjes aktive të kanaleve kulluse.
Kujdes, 30 ditët e para të mbirjes së farës janë shumë të rëndësishme. Ky është momenti kur duhet ti kushtoni vëmendje kontrollit të barërave të këqija.
Kuskuta është një nga armiqtë kryesorë të jonxhës., Garantoni përdorimin e një fare të pastër nga burime të çertifikuara. Gjithashtu, mbani parasysh se në rast të shfaqjes së saj në parcelë ju duhet të bëni kositjen e vatrave duke e groposur barin e prekur së bashku me kuskutën. Ndërsa vatra e prekur nga kuskuta duhet trajtuar me herbicidin përkatës sipas udhëzimit të agronomit të zonës;
Kushtojini kujdes të veçantë ujitjes duke synuar të merrni kështu rendimente të larta nga çdo kositje. Ujitja është e domosdoshme në zonat e nxehta dhe të thata ku temperaturat janë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të vegjetacionit që kombinuar me ujitjen në këto zona mundëson marrjen e 6 deri në 7 kosa në vit.
Mos ujisni jonxhishtet kur ato janë në fazën për kositje, por ujitini ato jo më vonë se 5 ditë nga momenti i kositjes.
Sëmundjet dhe dëmtuesit e jonxhës
Disa nga sëmundjet dhe dëmtuesit më tipikë të jonxhës janë:
Hiri i foragjereve, shfaqet në formën e një pushi të bardhë që prek si gjethet ashtu edhe kërcellin duke sjellë edhe tharjen e bimës për pasojë humbje ekonomike. Hiri i prek bimët nga fundi i pranverës si dhe në periudhën fund i verës – fillim i vjeshtës.
Ndryshku i foragjereve, shfaqet në formën e disa fryrjeve të vogla në ngjyrë kafe në të kuqërremtë në formë të rrumbullakët, që më tej sjell tharjen dhe rënien e gjethes. Dëmtimet ndodhin kryesisht në periudhën e ngrohtë nga pranvera e deri në vjeshtë.
Kalbëzimi i Jonxhës, shfaqet në rrënjë si dhe në bazën e kërcellit të bimëve të prekura në formën e njollave kafe të errëta deri në të zezë. Rrënjët e prekura humbin aftësinë e thithjes së ujit dhe lëndëve ushqyese duke sjellë si pasojë edhe zverdhjen e bimës e deri dhe tharjen e plotë të saj.
Njollosja kafe e foragjereve, ndodh kur shfaqen njolla kafe të errëta në formë vezake në gjethe, ndërsa në rastet kur prek kërcellin shkakton nxirjen e tij. Veçanërisht kushtet e motit me lagështi janë favorizuese për këtë sëmundje e cila përhapet kryesisht në periudhën e verës dhe të vjeshtës.
Disa nga dëmtuesit që mund të prekin Jonxhën përfshijnë: Çimka e Jonxhës, insekt me ngjyrë jeshile të errët dhe gjatësi rreth 7-9 mm. Shkakton dëme si kur është në fazën e larvës ashtu edhe të insektit të rritur duke dëmtuar si gjethet ashtu edhe kërcellin.
Morri, insekt me madhësi rreth 1mm dhe ngjyrë të gjelbër ose të bardhë që me anë të thithjes shkakton tharjen e gjetheve që prek duke i zverdhur ato. Në raste të infeksioneve të rënda ndodh edhe frenimi i rritjes së Jonxhës.
Hundëgjati i Jonxhës, insekt me ngjyrë gri të errët që e dëmton Jonxhën si kur është në fazën e larvës ashtu edhe të insektit të rritur.
Për kontrollin e këtyre sëmundjeve dhe dëmtuesve ju rekomandojmë zbatimin e të gjithë masave agroteknike me përpikmëri duke përfshirë këtu:
Përdorimin e farërave të kontrolluara e çertifikuara, rezistente ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve;
Punimin dhe Plehërimin e Tokës sipas udhëzimeve që ju përshkruam;
Respektimin e qarkullimit bujqësor;
Mbjelljen e duhur të farës (afatet, thellësia, distanca);
Luftimin e dëmtuesve të jonxhës që shkaktojnë plagë dhe premisa për depërtimin e sëmundjeve;
Pastrimin e paisjeve të kositjes si dhe makinerive në kalimin nga një parcel në tjetrën me qëllim mos përhapje të infeksioneve.
Kujdes, përdorimi i herbicideve dhe pesticideve për luftimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve në raste të shfaqjes së tyre të rëndë, duhet bërë në konsultim të ngushtë me specialistë të fushës së agronomisë, pasi përdorimi i tyre mund të sjellë dëme për kafshët që konsumojnë barin e jonxhishteve të trajtuara.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Kositjen dhe Manipulimin e Jonxhës
Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato