PËRMIRËSIMI RACOR DHE RACAT E TË LESHTAVE




Përmes përmirësimit racor ju synoni transmetimin e tipareve dhe karakteristikave nga prindërit që marrin pjesë në çiftëzim tek pasardhësit e tyre duke sjellë ndryshime përmirësuese tek pasardhësit. 

Në një program përmirësimi përpara se ju të ndërmerrni hapat fillestarë duhet ti shtroni vetes pyetjet: 

  • Cilat janë delet më të preferuara në tufë?
  • Cilat dele shquhen për prodhimtari më të lartë?
  • Cilat dele kanë pjellorinë më të lartë?
  • Cilat dele japin zakonisht dy apo më shumë pasardhës/qengja?
  • Cilat dele janë më rezistente ndaj sëmundjeve? etj.

Gjithashtu, ju duhet ti paraprini programit të përmirësimit racor duke përcaktuar synimet tuaja përmes riprodhimit: 

  • A synoni ruajtjen e numërit të krerëve në tufë, apo rritjen e numërit të tyre?
  • A synoni më shumë prodhim qumështi, apo mishi?
  • A synoni të merrni sa më shumë pasardhës, pra nga një dele të merrni dy apo më shumë pasardhës/qengja?

NJË PROGRAM ÇIFTËZIMI I SUKSESSHËM
Për të realizuar një program çiftëzimi të suksesshëm, ju duhet të mbani parasysh disa faktorë të rëndësishëm si:

  • Rezultatin që synoni të arrini
  • Përzgjedhjen e kafshëve që do të marrin pjesë në çiftëzim duke synuar arritjen e rezultatit që synoni
  • Periudhën e çiftëzimit
  • Raportin e kafshëve që marrin  pjesë në çiftëzim

Çfarë e bën një dash të jetë i suksesshëm në çiftëzim? 

  • Kontrolloni kondicionin trupor. Ai duhet të jetë 3.5 në fillim të ndërzimit. Deshtë e dobët mund të mos arrijë të ndërzejnë të gjithë delet, deshtë e dhjamosur kanë fertilitet të ulët.
  • Kontrolloni për shenja çalimi, pasi çalimi është shkaku kryesor i problemeve me fertilitetin.
  • Kontrolloni për plagë të mundëshme, pasi dhimbjet dhe infeksionet ndikojnë në cilësinë e spermës.
  • Kontrolloni për gunga ose pjesë të buta në testikuj – ato mund të tregojnë infeksion ose absese. Testikujt duhet të jenë të fortë dhe të tendosur.
  • Kontrolloni dhëmbët për të siguruar që dashi ushqehet mirë dhe ruan kondicionin trupor gjatë ndërzimit.
  • Mbani shënime për vlerësimin e përformancës së deshve – treguesit e mbijetesës së qengjave, vlera të pëlqyeshme të karkasës

Deshtë që marrin pjesë në programin e çiftëzimit duhet:

  • Të jenë të shëndetshëm, potencialë dhe të përshtatshëm për tufën
  • Vlerësoni deshtë që ju nevojiten për çiftëzim në tufën tuaj duke përcaktuar edhe numrin e tyre
  • Përdorni shënjues me ngjyra për secilin prej deshëve që futet në programin e çiftëzimit, kjo ju ndihmon në vlerësimin e përformancës së duhur.
  • Shkallë të lartë rritjeje dhe madhësi të pranueshme në maturim
  • Tregues të mirë të mbijetesës së qengjave
  • Vlera të pëlqyeshme të karkasës
  • Kujdes! Kur në një grup delesh përdorni më shumë se një dash, ata duhet  të jenë nga e njëjta grup moshë dhe madhësi trupore, kjo pasi deshtë e mëdhenj dhe më të maturuar tentojnë të dominojnë mbi deshtë më të vegjël. Kjo sjell shkallë më të ulët barrsmërie dhe përqindje të ulët pjelljesh. Përgjithësisht rekomandohet një raport 1 dash me 25 dele, kur deshtë janë relativisht më të vegjël dhe në moshë të re dhe 1 dash për 35 dele kur ata janë të mëdhenj dhe të maturuar.

Ndryshoni ose qarkulloni deshtë çdo dy javë për të siguruar që delet janë në fazë të suksesshme ndërzimi. Gjatë periudhës së çiftëzimit deshtë humbasin deri në 12-15% të peshës së tyre, ndaj siguronjini një dietë të pasur me drithra, si dhe kripra minerale specifike për deshtë. 

Çfarë e bën një dele të jetë e suksesshme në çiftëzim?
Delet që hyjnë në programin e çiftëzimit duhet të kenë:

  • Një pubertet të hershëm
  • Madhësi mesatare në maturim
  • Parametra të pranueshëm rritjeje
  • Shkallë të lartë fertiliteti
  • Aftësi optimale për mjelje
  • Jetëgjatësi
  • Menaxhim të lehtë

Siguroni përzgjedhjen e duhur brenda tufës duke mbajtur parasysh: 

  • Zgjedhjen e qengjave femra me tiparet dhe karakteristikat më përfaqësuese të rracës që mbarështoni
  • Zgjedhjen e qengjave vitalë, me prejardhje nga nënat më cilësore dhe premisa për të qenë kafshë me prodhimtari të lartë dhe tregues të lartë të riprodhimit
  • Sigurojini prindërve të ardhshëm ushqim të mirë balancuar
  • Respektoni moshën e ndërzimit të parë me qëllim që delet të pjellin si kafshë një vjeçare
  • Respektoni peshën për ndërzimin e parë e cila duhet të jetë sa 65% e peshës së rracës përkatëse. Kështu nëse pesha e një kafshe të rritur është 50 kg, atëherë pesha e rekomanduar për ndërzimin e parë duhet të jetë rreth 32 kg.

RËNDËSIA E AFSHIT DHE SINKRONIZIMIT TË TIJ PËR SUKSESIN E RIPRODHIMIT NË DELE.


Shenjat tipike të afshit përfshijnë:

  • sjellje të shqetësuar të deleve;
  • kërcime tek kafshët e tjera;
  • vulvë të skuqur dhe të fryrë;
  • pozicion qëndrimi i deleve kur dashi tenton kërcimin.

Shenjat e afshit kanë një kohëzgjatje prej 24 deri në 36 orë. Më tej shenjat rishfaqen pas 16 deri 18 orë.
Mbani Parasysh! Ju mund të siguroni kushte të favorshme për sinkronizimin e afshit, të tilla si:

  • Të ushqyerit e plotë të tufës gjatë të gjithë vitit;
  • Trajtimin me ushqime shtesë 2-3 javë para ndërzimit;
  • Eliminimin e majmërisë së kafshëve para fushatës së ndërzimit, pasi kjo sjell mungesë afshi;
  • Përmbushjen e nevojave për kripra minerale e vitaminike;
  • Sigurimin e ujit të pijshëm e të pastër gjatë të gjithë kohës.

Gjatë periudhës së barrsmërisë, mbani paraysh:

  • Periudha e barrsmërisë në varësi të rracave zgjat 4.5 – 5 muaj.
  • Në racat mishatake barrsmëria zgjat 144-148 ditë, në rracat leshatake dhe ato për qumësht barrsmëria zgjat 140-160 ditë

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për racat e të leshtave

Data e publikimit: 29/04/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ABORTET NË TË IMTA

Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato

Lexo më shumë

CILËT JANË DISA SHKAKTARË TË TJERË TË ABORTEVE NË TË IMTA?

Ndër patogjenët (shkaktarët) kryesorë që bëhen shkak për një barrsmëri të pasuksesshme tek të imtat mund të përmendim:

Lexo më shumë

RËNDËSIA E BUJQËSISË URBANE DHE SIGURIMI I USHQIMIT PËR ZHVILLIMIN E QYTETEVE TË SHËNDETSHME DHE TË QËNDRUESHME

Fermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin

Lexo më shumë

RËNDËSIA E PLEHUT ORGANIK

Sa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?

Lexo më shumë