PRODHIMI I PLEHUT ORGANIK DHE MANIPULIMI I JASHTËQITJEVE




Menaxhimi i jashtëqitjeve të kafshëve të fermës përfshin prodhimin e tyre, grumbullimin, ruajtjen, trajtimin, transportin dhe përdorimin. 

Mbani parasysh se sasia, përmbajtja dhe pamja e jashtëqitjeve të kafshëve varet nga një seri faktorësh që nga tipi i kafshëve, racioni ushqimor i përdorur, mosha dhe gjendja shëndetësore e kafshëve, klima, etj. 

Krahasuar me 30 apo 50 vite më parë, kafshët sot janë me një trup më të madh, racioni ushqimor është më i përplotësuar, i shumëllojshëm, si dhe cilësia e ushqimeve është përmirësuar ndjeshëm, e për pasojë sasia e jashtëqitjeve është më e madhe dhe përmbajtja e tyre është përmirësuar.

Mbani parasysh se gjedhi prodhon sasi të mëdha jashtëqitje, kështu lopët e qumështit prodhojnë rreth 60 kg në ditë, ose rreth 10% të peshës së tyre trupore

Lopët e mishit përllogaritet të prodhojnë rreth 35 kg në ditë, mëshqerrat rreth 24 kg në ditë, viçat rreth 12 kg në ditë. Kategori të ndryshme të derrit prodhojnë sasi shumë më të vogla jashtëqitje në ditë që arrin nga 1 deri në 4 kg. Ndërkohë, pulat prodhojnë sasinë më të vogël që arrin në më pak se 1 kg në ditë.

 

Cilët janë komponentët që marrin pjesë në përbërje të plehut organik?

 Plehu organik përfshin materiale të ndryshme si përzierje të jashtëqitjes në gjendje të ngurtë dhe në gjendje të lëngshme, materialit të shtratit pas përdorimit të tij, ushqimit të pakonsumuar, si dhe substanca të tjera. Grumbullimi dhe ruajtja e këtyre përbërësve realizohet në zona të përshtatshme ku ato ruhen dhe trajtohen deri në momentin e përdorimit të tyre.  

Duke qenë se jashtëqitjet e kafshëve përbëjnë një rrezik potencial për sëmundjet infektive tek njerëzit përmes ujit apo ushqimit të kontaminuar, ju rekomandojmë të tregoni një kujdes të veçantë për manipulimin/trajtimin e tyre. Trajtimi fillon me grumbullimin  dhe largimin e mbetjes së ngurtë dhe asaj të lëngshme nga stalla dhe shpërndarjen e saj në gjendje të lëngët në parcela. 

Mundësia tjetër është stivimi i jashtëqitjes së ngurtë në kavaleta mbi sipërfaqe të niveluara mirë dhe të izoluara mundësisht të mbuluara që të mos jenë nën efektin shpëlarës të reshjeve.

Procesi i dekompozimit është ai që i jep vlerë plehut organik. Para se ti përdorni jashtëqitjet duhet të dekompozohen me qëllim që të shndërrohen në pleh organik të vlefshëm për tokën dhe bimën. Materiali depozitohet në formën e kavaletës që mundëson dekompozimin. Nën kushte të caktuara të pranisë së ujit, ajrit, temperaturës, lëndës ushqyese dhe reaksionit, bëhet e mundur që mikroorganizmat të realizojnë dekompozimin e materialit. 

 

MBANI PARASYSH!

Gjatë proçesit të dekompozimit ngjyra shndërrohet nga e verdhë ose e gjelbër,kafe drejt kafes së errët apo në ngjyrë të zezë. Gjithashtu, struktura e materialit ndryshon dhe shfaqet si një strukturë homogjene që quhet edhe humus. Jashtëqitja e mirë dekompozuar mer një ngjyrë tipike të zezë dhe e shkrifët, duke mos shfaqur asnjë shenjë të lëndës së mëparshme të ngurtë apo të lëngët. 

 

Cilët janë faktorët që kontrollojnë proçesin e dekompozimit? 

Ndër faktorët kryesorë janë ushqimi i mikroorganizmave, raporti ndërmjet karbonit dhe azotit, lagështia dhe temperatura. Në fillim të proçesit të dekompozimit, lagështia optimale konsiderohet ajo në nivelin 60-70%; ndërsa me avancimin e dekompozimit lagështia zbret gradualisht deri sa arrin në 30-40% në momentin kur krijohet produkti final

Nëse lagështia është në përqindje më të lartë, frenohet rritja e temperaturës dhe vonohet proçesi i dekompozimit. Vonesa në proçesin e dekompozimit sjell humbjen e një pjese të lëndëve ushqyesve të tretshme që përmes kullimit largohen nga masa që dekompozohet. Ndërsa në mungesë të lagështisë së duhur, aktiviteti mikrobial ndalon dhe praktikisht merr fund dekompozimi. 

Përdorimi i plehut organik synon në ofrimin e lëndëve ushqyese për rritjen e bimëve dhe përmirësimin e gjendjes fizike të tokës. Natyrisht sasia dhe periudha e përdorimit të plehut organik varion nga kulturat që mbillen dhe periudha e përdorimit të tij. 

Ju rekomandojmë që përdorimin e plehut organik ta mbështesni në përllogaritjen e lëndëve ushqyese. Përllogaritjet marrin në konsideratë mënyrën se si do të balancohen nevojat e bimëve që kultivohen me sasinë e lëndëve ushqyese të ofruara nga plehu organik dhe sasinë e lëndëve ushqyese që ndodhen në tokë. Balancimi bën të mundur shmangien e përdorimit të sasive të tepërta të plehut organik duke ulur kështu ndjeshëm shpëlarjen e tij si dhe ndotjen e burimeve të ujit, e duke ruajtur njëkohësisht tokën në mënyrë të shëndetshme. 

 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Problemet që Shkakton Mungesa e Menaxhimit të Duhur të Jashtëqitjeve.

Data e publikimit: 01/01/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë

RËNDËSIA E BUJQËSISË URBANE DHE SIGURIMI I USHQIMIT PËR ZHVILLIMIN E QYTETEVE TË SHËNDETSHME DHE TË QËNDRUESHME

Fermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin

Lexo më shumë

RËNDËSIA E PLEHUT ORGANIK

Sa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?

Lexo më shumë

ÇFARË PROBLEMESH SHKAKTON MUNGESA E MENAXHIMIT TË DUHUR TË JASHTËQITJEVE

Ju si fermer nuk jeni përgjegjës vetëm për mbarështimin e kafshëve të fermës, por njëkohësisht duhet të tregoni kujdesin e duhur edhe për mjedisin që ju rrethon.

Lexo më shumë