Nga niveli i shërbimeve agroteknike varet koha e hyrjes në prodhim, jetëgjatësia e pemishtes (mollëve), koha e shfrytëzimit, prodhueshmëria e pemishtes së mollëve, cilësia e prodhimit si dhe kostoja e prodhimit.
Si të mirëmbani sipërfaqen e tokës së pemëtores tuaj?
Ka disa mënyra por më kryesoret janë:
Punimi sipërfaqësor - bëhet punimi i tokës gjatë stinës së vjeshtës dhe lënia e saj pa e mbjellë me bimë të tjera. Kjo mënyrë ka efekt më të mirë në zonat kodrinore dhe të pa ujitshme. Gjithashtu kjo mënyrë kufizon humbjet e lagështirës së tokës në masën 10-15%. Punimi i tokës konsiston në një plugim të cekët në mes të rreshtave në jo më shumë se 15-18 cm thellësi dhe rreth 1 m larg trungut të bimëve.
Kulturat bashkëshoqëruese - bimët bashkëshoqëruese mbillen midis rreshtash rreth 1 metër larg rreshtit të pemëve. Vegjetacioni i tyre duhet të mos përkoj me vegjetacionin e pemëve frutore. Nëse vegjetacioni i tyre përkon me vegjetacionin e pemëve, ato duhet të jenë me rritje të shkurtër.
Me prashitje përgjatë rreshtit dhe pjesa tjetër e midis rreshtave lihet livadh, bëhet punimi në dy anët e rreshtit në formën e një rripi 1,2 - 1,4 m gjerësi (pra punohet në secilën anë të rreshtit në gjerësi 60 – 70 cm) dhe pjesa tjetër e midis rreshtit lihet livadh dhe bari hiqet me kositje të herëpashershme. Është metoda më mirë e mbajtjes së tokës në pemëtoret intensive sepse nuk dëmton shëndetin e bimëve, ul koston e prodhimit dhe lejon hyrjen e mekanikës në çdo kohë.
Me herbicide, bëhet trajtimi i midis rreshtave me herbicide me veprim total. Herbicidet mund të jenë tharës të barit ose që pengojnë mbirjen e barërave të këqija.
Kujdes! Në pemëtoret me moshë më të vogël se 4 vjeçare mos përdor herbicidet me bazë Glyphosate sepse ato dëmtojnë shëndetin e pemëve të reja.
Ujitja dhe plehërimi tek molla
Ujitja ndikon në rritjen e prodhimit (rritjen e peshës mesatare të frutave) si dhe rritjen e cilësisë e shijes. Mungesa e ujit e bën bimën më të prekshme nga hiri dhe një serë sëmundjesh të tjera të cilat ndikojnë në uljen e sasisë së prodhimit dhe të prishjen e cilësisë së frutave. Faza më kritike është faza e lidhjes së frutave. Kërkesa për ujë te molla është 1140 mm. Ujitja bëhet e domosdoshme kur molla është e shartuar ne nënshartesa vegjetative (sepse sistemi rrënjor i tyre zhvillohet afër sipërfaqes së tokës).
Sistemi më i mirë i ujitjes është ai me pika sepse: kursen ujin (eliminohen në maksimum humbjet e ujit), realizim i ujitjes sipas fazave të rritjes, i përshtatshëm për të gjitha llojet e tokave, shpërndarja e lëndëve ushqyese direkt në rrënjët e bimës si pasojë infeksion më i vogël nga barërat e këqija, ul shkallën e infeksionit nga sëmundjet kërpudhore sepse ruan nivele të ulëta të lagështirës në kurorë si dhe mbron tokën nga erozioni.
Si përfundim ul koston e prodhimit deri në 30%.
Plehërimi: Bima e mollës rritet, zhvillohet e prodhon rregullisht kur ajo plehërohet me sasitë e duhura të Azotit, Fosforit, Potasit dhe një sërë mikroelementesh.
Është llogaritur se për të marrë 400 kv molle për një ha, nevojiten 80-125 kg/ha lëndë aktive Azot, 20-25 kg/ha Fosfor, 180-240 kg/ha Potas, 50-70 kg/ha plehra magneziale, etj. Normat janë orientuese dhe për plehërimin e pemëtores tuaj ju duhet të mbështeteni në pjellorinë e tokës (analiza agrokimike e tokës), zhvillimin e bimëve si dhe prodhimin e planifikuar.
Kur bëhet plehërimi i mollëve?
Në vjeshtë kryhet plehërimi bazë me plehra organike, fosforike, potasike dhe ato magneziale. Koha më e përshtatshme është muaji Tetor. Plehrat shpërndahen para punimit të tokës dhe përmbysen gjatë kryerjes së këtij procesi.
Në pranverë bëhet plehërimi suplementare më plehra azotike. Plehërimi i parë azotik bëhet gjatë lulëzimit të bimëve me gjysmën e sasisë së planifikuar.
Mbaj parasysh! Kur pemët kanë lulëzim të vogël plehërimi azotik rekomandohet të bëhet 10-15 ditë para lulëzimit për arsye se gjatë lulëzimit pemët kanë shumë nevojë për këtë elementin. Ndërsa kur pemët kanë lulëzim të bollshëm, atëherë plehërimi azotike rekomandohet të bëhet 10-15 ditë pas lulëzimit për arsye se gjatë kësaj periudhë shfaqet rrëzimi në masë i frutave të porsa lidhura dhe prania e elementit azot ndikon në frenimin e këtij fenomeni. Në tokat me përmbajtje të lartë gëlqereje të rritet norma/doza e plehrave fosforikë deri në 20%.
Plehërimi gjethor. Përdoret për të plotësuar nevojat e bimës për mikroelemente dhe për të përmirësuar cilësinë e frutave. Është masë e domosdoshme ku destinacioni i prodhimit është për konsum të freskët.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Mbrojtjen nga sëmundjet dhe dëmtuesit
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Prodhimi dhe tregtimi i mollëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE)
Lexo më shumëCilat janë operacionet e gjelbra që kryhen tek molla?
Lexo më shumëFrutat duhet të jene në pjekjen për konsum, d.m.th. frutat të kenë marre pjekurinë, ngjyrën dhe shijen e duhur.
Lexo më shumëSëmundjet e dëmtuesit tek molla ulin ndjeshëm prodhimin dhe cilësinë e frutave, prandaj parandalimi i tyre është i rëndësishëm.
Lexo më shumë