Krasitja e gjelbër realizohet vetëm në vegjetacionin e bimës dhe përmbledh të gjitha organet e saj. Mund të bëhet njëherë ose disa herë, kjo varet nga organi që preket ose synohet të përmirësojë aktivitetin e tij.
Përveç operacioneve të krasitjes së thatë mbi bimën në fazën e rinisë por dhe të frutifikimit/prodhimtarisë, për çdo vit vegjetativ bëhen një seri operacionesh në të gjelbër të cilët marrin rëndësi vendimtare në fenofaza specifike.
Efektet pozitive të krasitjes së gjelbër (verore)
Efektet e krasitjes së gjelbër mbi bimën janë të larmishme dhe varen kryesisht nga koha e ndërhyrjes, kultivari, agroteknika e përdorur, mosha e pemës etj. Si ndërhyrje ngjall mjaft interes për efektet që sjell mbi bimën e krasitur sa i takon formimit të degëve skeletore, përmasave të kurorës, nxitjes së formimit të sythave lulore etj.
Ndër efektet kryesore pozitive që sjellin operacionet e gjelbra përmendim:
Cilat janë operacionet e gjelbra që kryhen tek molla?
Eliminimi i këmbëzave
Është operacion tipik i krasitjes në të gjelbër që mundëson eliminimin e lastarëve në pjesët e qafës, rrënjës e trungut të bimës. Thirren me emërtimin e lastarit mbi të cilin ndërhyjmë. Këmbëza ose këlyshë rrënjorë quhen lastarët që dalin nga rrënjët ose baza e trungut. Dalin nga sytha adventivë të cilët aktivizohen si rezultat i dëmtimeve të rrënjëve kryesore, mbulimit gjatë punimeve të gungëzave rrënjore me dhe’, ripërtëritjeve të forta, etj. Në rastin e pemëtoreve të zakonshme të prodhimit, normalisht këmbëzat pastrohen përpara linjifikimit (drunjëzimit). Në rastin e blloqeve të reja frutore, është domosdoshmëri eliminimi i këmbëzave me anë të prerjes ose trajtimeve kimike sidomos në vitet e para të jetës në pemëtore.
Eliminimi i thithakëve
Thithakët janë rritje vegjetative që rezultojnë nga sytha fjetës ose adventivë të cilët aktivizohen nga prerjet e rënda ose përkuljet e forta dimërore. Thithakët kanë veçorinë të ecin vertikalisht lart ose në rastet kur kemi prezent udhëheqësin e bimës, paralelisht me të, pra dalin me kënd të ngushtë dhe zhvillohen vertikalisht.
Në bimë, sjellin çrregullime të fuqishme sepse janë konsumatorë të lëndëve ushqimore të përpunuara duke konkurruar degët prodhuese. Si rezultat i efekteve të tyre, bima jep prodhime të dobëta sasiore e cilësore frutash. Pikërisht ky fakt bën masë të domosdoshme eliminimin dhe largimin e tyre në krasitjet e gjelbra (përjashto rastet kur modifikohen dhe përdoren për arsye të domosdoshme).
Periudha më e përshtatshme e heqjes së tyre është kur lastari është drunjëzuar në 1/3 e pjesës së poshtme të tij. Kjo përkon me fillimin e muajit qershor deri në fillimin e muajit korrik, në varësi nga zona klimatike e kultivimit. Në zonën e ulët bregdetare fillon 10 ditë më herët se në zonën malore.
Prerja bëhet në bazë të lastarit tek e ashtuquajtura unazë, me qëllim të eliminohet shpërthimi i një vegjetacionit të ri. Ajo realizohet me gërshërët e krasitjes.
Eliminimi i konkurrentëve të majave rritëse
Lastarët konkurrentë të majave rritëse të boshtit kryesor dhe degëve skeletore të nivelit të parë e të dytë, shpeshherë bëhen problematikë duke përfituar më shumë ushqim prej pozicionit të privilegjuar ku ndodhen. Për të shmangur këtë fenomen, bëhet i detyrueshëm eliminimi i tyre përmes prerjes nga baza e tyre e nisjes. Heqja e lastarëve konkurrentë bëhet në vegjetacion ose në krasitjet dimërore.
Prerja e majave të lastarëve vegjetativë
Është ndërhyrje që bëhet në vegjetacion dhe që praktikisht parashikon eliminimin e pjesës së majës së lastarit, për të eliminuar dominancën apikale dhe nxitur veshjen e lastarit me degëza. Kur bëhet në fazën e prodhimit, ndërhyrja rregullon balancën mes masës vegjetative dhe prodhimit, gjithmonë në interes të këtij të fundit.
Kujtesë!
Rrallimi i frutave tek molla
Ky operacion është i domosdoshëm, kur destinacioni i prodhimit është për konsum të freskët, sepse ndikon direkt në përmirësimin e cilësisë së frutave. Është procesi i heqjes/rrallimit të disa frutave duke lënë një ose, rrallë herë, dy fruta për lulesë.
Cilat janë përfitimet nga rrallimi i frutave tek molla?
Rrallimi i frutave mund të duket joproduktiv, por këtu janë disa arsye pse rrallimi i frutave ju sjell dobi juve, pemëve tuaja dhe prodhimit tuaj të frutave.
Koha dhe mënyra për rrallimin e mollëve është vendimtare për rezultatin përfundimtar i cili është prodhimi i frutave me pamje të mirë, me aromë dhe të mëdha.
Metodat e rrallimit janë:
Rrallimi me dorë i frutave është metoda më e përhapur në ditët tona dhe shoqërohet me disa anë pozitive dhe negative të saj.
Anët pozitive
Anët negative
Për shkak të kostos së lartë, rrallimi me dorë është shumë efikas për pemëtoret e reja, me lulëzim jo shumë të madh dhe si rrallim plotësues në rastet kur është aplikuar rrallimi mekanik ose kimik, të cilët shpesh janë të pamjaftueshëm.
Kur është koha e rrallimit me dorë?
Rrallimi i një peme molle mund të bëhet gjatë gjithë verës, por, idealisht, ju duhet të rralloni në fund të pranverës. Pema, natyrshëm, do të vetë rrallohet, e quajtur "rënia e qershorit". Megjithatë, kjo nuk ndodh gjithmonë në qershor. Kjo varet nga rajoni juaj dhe kultivari, por kjo ndodh disa javë pas lidhjes së frutave. Zakonisht rrallimi bëhet kur madhësia e frutit ka arritur madhësinë e kokrrës së arrës.
Kur synimi kryesor është eliminimi i prodhimit periodik atëherë rrallimi duhet të kryhet në një fazë të mëhershme, duke filluar që nga lulëzimi. Në rastet e rrallimit të hershëm duhet të mbahen në konsideratë edhe rreziqet që mund të vijnë nga faktorët klimatikë si dhe rrëzimi natyral i frutave.
Çfarë ngarkese me fruta i duhet lënë pemës?
Ngarkesa që lihet për çdo pemë, për të marrë prodhimin e dëshiruar, është në varësi të densitetit të mbjelljes. Gjatë rrallimit me dorë numërohen frutat që lihen për pemë duke mbajtur parasysh që, nëse ulet numri i pemëve për njësi të sipërfaqes atëherë duhet të rritet numri i frutave që lihen për të arritur rendimentin e planifikuar. Distanca në mes të kokrrave duhet të jetë 10 – 15 cm, ose praktikisht duhet të futet grushti i dorës. Gjatë rrallimit me dorë lihet kokrra e lules kryesore dhe zakonisht lihet një kokërr për buqetë të lules. Kokrra këputet pa bisht për të mos dëmtuar rozetën e lules për vitin e ardhshëm.
Për të hequr frutat nga pema, mund t’i këputni me dorë ose të përdorni gërshërë të krasitjes apo gërshërë të zakonshme të mprehta e të sterilizuara. Për të sterilizuar gërshërë, thjesht fshijini ato me alkool. Kjo do të parandalojë përhapjen e sëmundjeve në pemëtore.
Për një pemëtore intensive me rreth 2500 bimë/ha dhe prodhim të planifikuar 500 – 600 kv/ha, prodhimi për rrënjë duhet të jetë 20 – 25 kg/rrënjë ose e konvertuar në kokrra (pesha e një kokrre 150 – 160 gr) një pemë duhet lënë 120 – 150 kokrra.
Rrallimi mekanik është një metodë alternative e cila nuk është futur akoma në vendin tonë dhe realizohet nëpërmjet makinerive të posaçme, të montuara në traktor. Kjo teknikë realizon një rrallim të mirë dhe uniform në pemë me forma të vogla të kurorës dhe pemë me rritje të pakët të degëzave.
Anët pozitive të kësaj teknike janë rrallimi i hershëm si një mjet efikas për luftimin e prodhimit periodik si dhe ndikimi në përmirësimin e cilësisë.
Anët negative të kësaj teknike janë se mund të përdoret vetëm për disa forma të kurorës dhe nuk mban parasysh dëmtimet ose rreziqet që mund të vijnë nga kushtet e motit pasi kryhet shumë herët (gjatë lulëzimit).
Rrallimi kimik i mollës është një mjet efektiv për zgjidhjen e problemit pasi mund të kryhet në faza shumë të hershme dhe me kosto më të ulët se rrallimi me dorë. Për ketë qëllim përdoren preparate të shumta, zgjedhja e të cilave bëhet sipas ndjeshmërisë së kultivarëve dhe madhësisë së frutave në qendër të luleve në momentin e ndërhyrjes.
Substancat, përqendrimi dhe koha e rrallimit kimik të mollës.
Substanca | Përqendrimi | Koha e trajtimit |
Acid alfa – naftalenaacetik (NAA) | 10 ppm | Kur diametri mesatar i frutave arrin 10- 14 mm |
Amid e acidit alfa- naftalenacatik (NAD) | 70-100 ppm | Fillimi i rrëzimit të petlave derisa diametri mesatare e frutit 6 – 7 mm |
Acidi cloroetilfosfonik (ethophan) | 25- 30 ppm | Janë hapur 10% e luleve |
Benziladenina (Ba) | 100- 200 ppm | Diametri i frutave qendrorë 10-12 mm |
NAA+Ba | 10+ 100 ppm | Diametri mesatar i frutave 10-14 mm. |
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.
Lexo më shumëCila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?
Lexo më shumëCilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?
Lexo më shumëHiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi
Lexo më shumë