Punët dimërore në vreshtat në prodhim (nga nëntori deri në shkurt)




Pas vjeljes së prodhimit dhe rënies së gjetheve hardhia përgatitet për dimërim dhe bie në qetësinë dimërore që do të zgjasë deri në pranverë me fillimin e ciklit të ri vegjetativ. Periudha e qetësisë biologjike e hardhisë nuk është aspak periudhë qetësie edhe për vreshtarët. Procese pune të tilla si: krasitjet, plehërimi, kullimi i tokës, lidhja e lastarëve, spërkatja dimërore janë shërbime me vlera të përgjithshme duke përfshirë këtu edhe vlerat fitosanitare. Prodhimtaria e vreshtave dhe cilësia e rrushit varen në një shkallë të konsiderueshme nga kryerja në kohë e me cilësi e këtyre shërbimeve të përvitshme. 

Krasitja prodhuese
Krasitja prodhuese është një ndër praktikat agronomike më të rëndësishme tek hardhia e cila krijon bazën e prodhimit të ardhshëm. Krasitja, e cila mund të duket e thjeshtë, në të vërtetë  është procesi më i vështirë e cila  kërkon praktikë të madhe dhe një eksperiencë mjeshtërore.

Cilat janë synimet kryesore që synohet të arrihen me anë të krasitjes prodhuese?
Me anë të krasitjes së hardhisë synohet të arrihen këto qëllime:

  • rregullimi i fuqisë së rritjes dhe i prodhimtarisë së hardhisë;
  • përmirësimi i cilësisë së prodhimit dhe marrja e prodhimeve të rregullta, të qëndrueshme dhe për një kohë sa më të gjatë;
  • lehtësimi i zbatimit të kompleksit agronomik në përgjithësi dhe i mekanizimit në veçanti.

Cilat janë sistemet e krasitjes dhe format e kultivimit tek hardhia?
Tashmë ju keni përcaktuar sistemin e krasitjes dhe format e kultivimit në vreshtin tuaj. Sipas lënies së elementeve të prodhimit ajo mund të jetë krasitja që ju aplikoni mund të jetë:

Krasitje e shkurtër:

  • Element i  prodhimi lihet çepi me 2-3 sytha.
  • Numri i çepave për hardhi lëviz nga 2-12 në varësi të formës së projektuar, fuqisë së hardhisë, distancave të mbjelljes etj.
  • Zbatohetvarietete me rritje të dobët dhe varietete me prodhimtar të mirë të sythave të poshtëm (bazës). Rekomandohet  në toka të varfra të thata dhe ku është i kufizuar mekanizimi i shërbimeve.
  • Forma më tipike e mbajtës së hardhisë në këto raste është kordoni me çepa, i cili mund të jetë i njëanshëm, i dyanshëm, me një kat ose me dy kate.

Krasitje e gjatë: 

  • Elementi  prodhues është sharmenda e cila formohet nga lastari njëvjeçar duke e prerë atë me 10 - 12 sytha.
  • Në varësi nga format e projektuara të mbajtjes së hardhisë, sharmendat e prodhimit mund të jenë vendosur mbi krahë, kordonë ose drejtpërdrejtë mbi cung, me numër e gjatësi të ndryshme.
  • Numri i sharmendave për hardhi lëviz nga 1-4, por ka raste edhe  deri në 8-10, në varësi të fuqisë e zhvillimit, dhe numri i sythave për sharmendë lëviz nga 6-8, por ka raste edhe 16-18 sytha për sharmendë.
  • Zbatohet në  varietete që elementet e prodhimit i formojnë në sythat e mesit të lastarit, mbi sythin e gjashtë.
  • Forma më tipike e mbajtjes është kordoni Sylvoz.

Krasitje e përzier:

  • Elementi i prodhimit mban të dy elementet çepin dhe sharmendën, prandaj quhet e dhe e përzier. Çepi me 2-3 sytha quhet edhe çepi zëvendësues pasi për vitin e ardhshëm do të shërbejë për të vazhduar krasitjen me çep e sharmendë. Sharmenda, ashtu si edhe në krasitjen e gjatë, lihet me 10-12 sytha. Krasitjet e përziera janë më të përhapura sepse gjejnë zbatim në të gjitha varietet e rrushit dhe tipat e tokave ku kultivohet hardhia.
  • Gjatësia e sharmendës është e ndryshme dhe në varësi të numrit të sythave të lëna për çdo sharmendë ajo mund të jetë e shkurtër kur lihen 6 – 8 sytha, e mesme kur lihen 9 – 12 sytha dhe e gjatë kur lihen 13-18 sytha .
  • Forma më tipike e mbajtjes së hardhisë në këto raste është forma “Gyjo”

Kur është koha më e përshtatshme për kryerjen e krasitjes?
Koha e krasitjes varet nga zona e kultivimit të hardhisë. Për zonën e ulët bregdetare ajo këshillohet të bëhet nga muaji dhjetor e deri në fund të muajit shkurt, ndërsa për zonat e larta malore këshillohet të bëhet nga muaj shkurt  e deri në fund të muajt mars.

Praktikisht krasitja mund të bëhet që nga momenti i rënies fiziologjike të gjetheve e deri pak para shpërthimit të sythave. Gjithsesi, mund ta shmangim kryerjen e krasitjes në ekstremet e kësaj periudhe. Një krasitje e hershme nuk do të lejonte pjekjen e plotë të degëzave dhe si pasojë mund të kemi humbje karbohidratesh që nuk kane arritur të zbresin më poshtë në krahët e hardhisë, ndërsa një krasitje shumë e vonshme do t’i jepte mundësi sythave të ekstremeve që duke konsumuar më shumë substanca ushqyese të zhvillohen më shumë se sythat e tjerë dhe të prishin një lloj ekuilibri vegjetativ të hardhisë. Mbas krasitjes së hershme vërehet një vegjetacion dhe maturim  me i hershëm dhe anasjelltas një krasitje e vonshme do te sillte vegjetacion dhe maturim të më vonshëm.  

Prandaj krasitjet e hershme janë më të këshillueshme në varietet e rrushit të tavolinës me pjekje të hershme, sepse mund të arrijnë pjekjen më të shpejtë dhe dalje më herët në treg. Krasitja dimërorë duhet të kryhet gjithmonë në kohë të thatë, të shmanget prerja e panevojshme e degëve të trasha, gërshëra duhet të pastrohet herë pas here kur priten degëza te sëmura. Këshillojmë që në këto raste ato të lihen e krasiten në fund për të shmangur  përhapjen e infeksionit në bimët tjera. Vendet e prerjeve të trasha, mbas krasitjes, të lyhen me preparate (fungicide) me bazë bakri. Teknika e prerjes duhet të jetë e tillë ku degëzat priten 2-3 cm sipër sythit të fundit dhe me seksion të pjerrët në të kundërt të sythit.

Këshillë: 

  • Për kryerjen e krasitje duhet të zgjidhni specialistin më të mirë i cili të jetë i trajnuar dhe të njohë shumë mirë bimën e hardhisë;
  • Krasitja duhet të kryhet nga i njëjti specialist çdo vit, sepse ai e njeh vreshtin tuaj;
  • Përdor mjete të mprehta dhe të dezinfektuara;
  • Para se të filloni krasitjen gjykoni mbi gjendjen e përgjithshme të zhvillimit të vreshtit tuaj dhe gjendjen e bimëve të veçanta për të lënë një ngarkesë sa më optimale në çdo bimë;
  • Në rast se gjatë krasitjes vihen re, hardhi të sëmura, gjithmonë duhet të bëhet dezinfektimi i mjeteve të krasitjes pas përfundimit të saj. Mirë është që këto bimë të krasiten në fund. Gjithmonë dezinfekto mjetet me alkool 96% ose lëng bordolez 2-3 %;
  • Prerja të bëhet  2-3 cm sipër sythit të fundit  dhe me seksion të pjerrët në të kundërt të sythit.
  • Në rast se me sistemin e krasitjes që keni aplikuar në hardhinë tuaj, nuk keni arritur rezultatet e duhura të prodhimit, kalo nga sistemi i shkurtër në atë gjatë dhe e kundërta. Për të qenë të sigurt, në marrjen e prodhimit të planifikuar, përdor krasitjen e përzier.
  • Ndërpriteni krasitjen në ditë me ngrica dhe shi, realizoje atë vetëm në mot të thatë.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Riparimi i sistemit të mbështetjes, lidhja, largimi i pjesëve të prera dhe spërkatja dimërore tek hardhia 

Data e publikimit: 26/03/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

DOMOSDOSHMËRIA E PREMIKSEVE

Çfarë përfitimesh do të shihni konkretisht në fermën tuaj duke përdorur premikset?

Lexo më shumë

PËRDORIMI I PREMIKSEVE

Rekomandimi i përgjithshëm orientues për t’ju mundësuar lehtësinë në përllogaritjen e peshës në gramë, është:

Lexo më shumë

FILLESA E NJË FERME BLEGTORALE

Çfarë duhet të keni parasysh përpara se të filloni biznesin me gjedhin e qumështit?

Lexo më shumë

DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM

Çfarë elementësh duhet të përmbajë Plani i Biznesit?

Lexo më shumë