VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I SHALQINIT




Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Në vendin tonë, në qarkullim ekzistojnë shumë hibride dhe varietete të shalqinit, por ato që shkojnë shumë më mirë për kushtet klimateriko-tokësore të vendit tonë rekomandohen:

  • Crisby F1
  • Top gun
  • F1 Krimson
  • Tide F1
  • Madera F1
  • Sumit F1
  • Paradise F1
  • AB-370 F1
  • Crimson sweet F1

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË SHALQI, DUHET TË KETË PARASYSH KËTO VEÇORI TË SHALQINIT:

  • Shalqini është bimë njëvjeçare, barishtore, me lule monoike. Sistemi rrënjor i shalqinit  është mjaft i zhvilluar, por më pak se ai i kungullit. Pjesa më e madhe e rrënjeve të shalqinit shtrihet në thellësinë 40 - 50 cm, ndërsa rrënje të veçanta arrijnë në deri 3 m.
  • Rrënjët e shalqinit zhvillohen deri në fazën e lulëzimit të plotë.
  • Prandaj për kultivuesit del për detyrë që shërbimet agroteknike, krijimi i lagështisë së nevojshme, si dhe bilancin e plehërimit t'ia kushtojnë deri në këtë fazë, pasi më vonë fillojnë fazat e tjera të frutifikimit dhe të rritjes e të pjekjes së frutave.
  • Duke patur një sistem rrënjor të zhvilluar, bima e shalqinit mund të sigurojë lagështirën e nevojshme nga thellësitë e nëntokës dhe ti rezistojë thatësirës së mëvonshmë të verës.
  • Shalqini në fazën e frutifikimit dhe të rritjes së kokrrave ka më shumë nevojë për dritë dhe temperaturë, 
  • Shumica e varieteteve të shalqinit janë me lule monoike të ndara veças, por në të njëjtën bimë.
  • Ka varietete shalqini që kanë lule dyseksore si varieteti Mermeri-17. Bima lulëzon 7-8 javë pas mbirjes. Të parat janë lulet mashkullore dhe më pas dalin ato femërore, që në krahasim me pjeprin, (te dyja lulet) gjënden në degën kryesore.
  • Raporti lule mashkullore me ato femërore tek shalqini, janë 7:1.
  • Lulet mashkullore janë më shumë thekë. Lulet femërore janë 1-1.5 herë më të mëdha se lulet mashkullore dhe më të shëndritëshme me qëllim që të tërheqin insektet për të bërë pjalmimin.

Si bëhet përgatitja e folesë/oxhakut për mbjellje?

  • Pasi bëhet piketimi i foleve, bëhet përgatitja e tyre. Gropat hapen në përmasat 25-30cm të gjëra dhe të thella.
  • Në fole hidhet sasia e plehërave të përcaktuar sipas skemës së plehërimit, si plehërat organike dhe ato kimike, të cilat perzihen në mënyrë homogjene me dheun në të gjithë gropën.
  • Forma e dheut në fole lihet me një majë të lakuar nga sipër, me qëllim që të mos lejojë formimin e “pellgut” të ujit në rastet e shirave apo ujitjejeve. Prania e tepërt e ujit shkakton kalbjen e farërave ose të bimëve të mbjella.

Si bëhet përgatitja e farës (dhe e fidanit) për mbjellje?

  • Fara duhettë jetë e pastër jo vetëm nga ana mekanike por edhe gjenetike.
  • Ato duhet të jenë hibride ose varietete me aftësi të larta prodhuese dhe cilësore.
  • Eshtë mirë që farërat të jenë të moshës njëvjeçare dhe në pamundësi mund të përdoren ato dyvjeçare, për arsye se këto të fundit kanë fuqi mbirëse më të ulët.
  • Për të siguruar një mbirje energjike dhe uniforme, 24 orë para mbjelljes farërat duhet të futen në ujë me temperaturë rreth 25 - 30°C. 
  • Pas nxjerrjes nga uji, farërat duhet të mbahen dhe 24 orë të tjera në një vënd të ngrohtë me qëllim që të bymehen dhe të përshpejtojnë procesin e mbirjes.
  • Farërat e trajtuara në këtë mënyrë duhet të mbillen në tokë ose qese plastike e tava polisteroli me lagështirë dhe temperaturë optimale për të mbirë. Në këto kushte fara duhet të mbijë për 5-9 ditë.
  • Për çdo ha përdoren deri në 3 - 4 kg farë për ha (për rastin e mbjelljes direkt me farë) dhe deri në 2,5 për rastin e mbjelljes direkt në qese plastike.
  • Për çdo qese plastike vendosen 3 - 4 fara në thellësi 2 - 3 cm nga rrafshi i sipërm i qeses.
  • Dherishtja e qeses ku do të mbillet fara e shalqinit, duhet të jetë e pasur me pleh organik dhe të sigurojë shkrifshmërinë në çdo kohë të zhvillimit të bimës.
  • Raportet e përzierjeve të plehut (dherishtes) janë: pleh organik i kalbur : dhe të pasur me elementë ushqyes: rërë, respektivisht 65:30:5%.
  • Mosha e fidanit në qese të jetë rreth 22-25 ditëshe. Përgatitja e fidanit bëhet në vllajatë zakonshme (shtretër) të mbuluara me polietilen ose me xham.

Teknika e përgatitjes së fidanit të shalqinit me anë të shartimit me nënshartesa të kungullit të egër në vendin tonë zbatohet me shumë sukses.
Cilat janë avantazhet e përgatitjes së fidanit të shalqinit të shartuar në nënshartesat në kungull të egër?

  • Rrënjët e nënshartesës së kungullit të egër, zhvillohen më shumë se të shalqinit, kjo i krijon mundësi mbishartesës për të siguruar më të mirë nevojat për ujë dhe lëndë ushqimore;
  • Rrit rezistencën ndaj një sërë sëmundjesh që prekin sistemin rrënjor si fuzariozës, verticiliozës, antraknozës, e shumë të tjera;
  • Rrit tolerancën ndaj përmbajtjes se kriprave, apo të elementëve të tjerë kimikë jo të pranueshëm për bimën e shalqinit;
  • Rrit tolerancen ndaj lëkundjeve të temperaturave të tokës dhe veçanërisht temperaturave të ulëta të tokës, në periudhën e mbjelljeve në fushë në pranverën e hershme;
  • Rrit koefiçientin e përvetësimit të elementëve ushqimor që ndodhen në tokë në dobi të bimës dhe të prodhmit;
  • Rrit sasinë, cilësinë dhe hershmërinë e prodhimit për njësi të sipërfaqes, etj.
  • Rrit rendimentin e  prodhimit  të  shalqinit nga 27-35%, si dhe të ardhurat për njësi të sipërfaqes së mbjellë pa patur asnjë ndikim negativ në cilësinë e frutit.

Cilët afate mbjelljeje rekomandohen?
Kur fidani përgatitet nëpër qese plastike ose tava polisteroli, afatet më të mira të mbjelljes së farës është nga 20 Marsi deri me 5 Prill. Ndërsa mbjellja në fushë e fidanëve duhet të bëhet nga 20 Prill-5 Maj. Për të patur një vargëzim prodhimi sa më të gjatë nga fusha, për kushtet e klimës së Ultësirës Perëndimore, rekomandohet të aplikohen tre afate mbjelljesh (tabela në vijim).

Afatet e mbjelljeve të shalqinit në kushtet e fushës së hapur dhe atë të Ultësirës Perëndimore

MbjelljetAfati i mbjelljesKoha e vjeljes së prodhimit
 Fara në kubikKubiku në fushëKorrikGushtShtatorTetor
Mbjellja e I20/3-5/420/4-5/5xxxxxxxxxxxxxxxxxx 
Mbjellja e II20-30/415-25/5 xxxxxxxxxxxxxxXx
Mbjellja e III20-30/510-20/6  xxxxxxxxxxxxxxxx

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?
Distancat më të rekomanduara janë: 180 - 200 cm midis rreshtave dhe 120 cm midis foleve, duke siguruar 8.300 - 9.250 bime/ha dhe duke llogaritur që në një fole të ketë 2 bimë. Mbjellja bëhet në gropat e parapërgatitura, duke vendosur fidanin e shalqinit të sapo hequr qesen, 2 cm nën nivelin e sipërfaqes së oxhakut
Në rastet kur mbillet direkt me farë, thellësia e vendosjes së farës nuk duhet të jetë më shumë se 1.5 - 2 cm thellësi dhe dheu sipër duhet të jetë pak i ngritur për të evituar hyrjen e  sasive të mëdha të ujit të reshjeve ose të ujitjeve. Pas vendosjes së kubikut hidhet 1 - 2 litra ujë me qëllim që të bëhet lidhja me tokën.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për shalqinin?
Bëhen 2 capitjetë oxhaqeve dhe 2 prashitje në rresht ose2 e 3 frezime apo kultivime në mes rreshtave në varësitë infeksioneve nga barërat e këqia dhe gjëndjes së shkrifshmërisë së tokës. Periudha ndërmjet dy shkrifërimeve deri në momentin e shtrirjes së llastarëve, duhet të jetë afërsisht në 15 ditë.

Si duhet të kryhen krasitjet e gjelbërta (pincimet) në shalqi?

  • Nëse kryhen si duhet këto operacione, atëherë nga shalqini mund të meret një shtesë prodhimi në mbi 20 - 40 %. Tek bimët e varietetit Crimsan, lulet femërore dalin në kërcellin kryesor dhe në gjethen e 8 - 12. Nëqoftëse nuk bëhet prerja e majës rrites mbi gjethen 12, atëhere gonxhet e luleve të porsalidhura do të bien, pasi lëndët ushqyese nuk do të shkojnë më në lulen e sapo dalë apo sapo të pllenuar, por do të drejtohen në rritjen e majës rritëse. Kështu rrëzimi i frutave do të çojë në humbjen e hershmërise së prodhimit. Po qe se ky operacion nuk bëhet në kohën e duhur, atëhere duhet të presim sa të lidhet fruti i dytë, gjë që shkakton një vonësë prej rreth 7 - 10 ditësh. Dhe përsëri nëse maja rritëse nuk pritet, përsëri mund të humbë fruti i dytë e kështu me rradhë, pasojë e së cilës është vonësa e prodhimit.
  • Prerja e majës është më mirë të bëhet 2 gjethe pas lules së parë femërore, me qëllim që 2 gjethet e mëpasme të shërbejnë  si një “pompë’’ thithëse për ushqimin e frutit të lidhur. Prerja e llastarit kryesor, ndikon gjithastu në daljen e llastareve të rendit të parë dhe të rendeve të tjera, që kanë vetinë e një frutifimimi më të lartë. Edhe në llasataret e rendit të dytë apo të tjerë me rradhë, këshillohet që maja rritëse të pritet gjithmonë në dy gjethe mbi lulen femërore.
  • Në disa eksperimente, është vërtetuar se operacione te gjelbërta e rrisin prodhimin në 40 - 60 %, por rëndësi ka koha dhe momenti i ndërhyrjes. Lulet femërore në llastarin kryesore dalin në gjethen e 6-të. Prandaj për të marrë prodhimin e hershëm, është e domosdoshme të bëhet prerja e majës në 2 gjethe pas lules femërore. Kjo ndikon në daljen e llastarëve të rendit të parë dhe të rendeve të tjera me radhë, që kanë aftësinë e çeljes në sasi më të lartë të luleve femërore. Edhe në këto llastarë përsëri majat rritëse duhet të priten në 2 gjethe pas lules femërore.

Si duhet ujitur shalqini?

  • Si bimë e vendeve të nxehta, shalqini është rezistent ndaj thatësirës, por kjo deri në njëfarë mase. Kur lagështira në tokë zbret nën 60-80% të aftësisë ujëmbajtëse të saj, lind nevoja e ujitjeve. Nevojat më kritike janë në fillim të shtrirjes së llastarëve, të lulëzimit dhe të rritjes intensive të frutave.
  • Ujitja e shalqinit duhet të ndërpritet 10-25 ditë parase të fillojë vjelja e frutave, sepse ujitjet e mëtejshme shkaktojnë çarjen e frutave. Ujitja me pika është ideale, ndërsa ujitja në formë shiu nuk këshillohet, pasi bimët preken nga shumë sëmundje.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Sëmundjet e shalqinit, parandalimin dhe luftimin e tyre. 

Data e publikimit: 07/02/2023


Lini një koment


Komente të mëparshme
Eshte ne shebim te fermerve, kjo keshill e juaja flm.

-Roberti


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Kriteret teknike për ngritjen e një pemëtoreje

Ngritja e një pemishte është një investim me vlera të mëdha afatgjatë dhe meriton një planifikim shumë të mirë sepse gabimi më i vogël në fillim është me kosto të lartë dhe i pa korrigjueshëm më vonë.

Lexo më shumë

Teknologjia e kultivimit të rrushit të tavolinës në serra

Cilat janë disa nga përparësitë e kultivimit të rrushit në serra?

Lexo më shumë

Kultivimi i shalqirit në serra

Shalqiri është një kulturë shumë e përhapur në Shqipëri. Ai prodhohet kryesisht në zonat bregdetare, në fushë të hapur dhe në mjedise të mbrojtura.

Lexo më shumë

RËNDËSIA E PRODHIMIT TË FIDANIT NË FIDANISHTE

Fidanishtja është e krijuar enkas me kushtet e përshtatshme, të cilat sigurojnë rritjen e një fidani cilësor dhe të shëndetshëm.

Lexo më shumë