Kultivimi i rrushit në serra është një nismë e re që po zbatohet vitet e fundit në Shqipëri.
Me pak vëmendje për ujitje, ushqim, krasitje dhe shtrirje, është e mundur që në kushtet e serrës, të merret një prodhim i mirë çdo vit.
Cilat janë disa nga përparësitë e kultivimit të rrushit në serra?
Të gjitha këto përparësi justifikojnë shpenzimet e kryera për ngritjen dhe mirëmbajtjen e serrës. Një ndihmesë e madhe për nxitjen e kësaj nisme është se kultivimi i rrushit në serra është përfshirë edhe në skemat mbështetëse të AZHBR me subvencione nga qeveria Shqiptare.
Çfarë duhet të keni parasysh kur ndërtoni një serrë për kultivimin e rrushit të tavolinës?
Përzgjedhja e kultivarit
Për kultivimin e rrushit në serra përzgjidhen kultivarë me pjekje sa më të hershme. Kultivarët më të përdorur janë ”Matilde”, ”Victoria”, ”Cardinal” dhe ”Black Magic”, te të cilët është arritur të përshpejtohet pjekja me 20 – 30 ditë.
Zgjedhja e tokës për ndërtimin e serrave
Para ndërtimit të serave duhet të kryhen analizat e tokës, njëlloj si në rastin e ndërtimit të vreshtave në fushë të hapur. Serrat për prodhimin e rrushit duhet të ndërtohen në toka të sheshta, të kulluara, të mbrojtura nga erërat, të pasura me lëndë ushqyese dhe pa përmbajtje të kripërave të dëmshme.
Toka nuk duhet të ketë mbetje biologjike nga parabima apo mbetje të tjera inerte që sjellin apo shkaktojnë infeksione. Gjithashtu, ajo duhet të jetë e pastër nga gurët dhe mbetjet e tjera, së paku deri në thellësinë e punimit, 60-80 cm. Pas pastrimit dhe sistemimit të sipërfaqes bëhet punimi i thellë 60 – 100 cm i shoqëruar me punime të tjera shkrifëruese.
Vlerësimi i klimës së përshtatshme për serat e prodhimit të rrushit
Për ndërtimin e serrave për rrush tavoline, duhet të zgjidhen rajone me klimë të ngrohtë dhe me sa më pak reshje gjatë periudhës pranverë-verë. Zonat më të përshtatshme janë zonat bregdetare pasi gjatë dimrit temperatura nuk zbret poshtë 0oC, ndërsa gjatë verës efekti negativ i temperaturave të larta zbutet nga ajri i freskët e me lagështirë ajrore të lartë që vjen nga deti. Në zonat bregdetare lagështira ajrore është e përshtatshme për periudhën e vegjetacionit dhe prodhimtarisë. Erërat e bregdetit janë erëra të ngrohta, me shpejtësi jo të fortë, e për pasojë nuk shkaktojnë dëme në konstruktin e serrave.
Përpara se të ndërtoni një serë për kultivimin e rrushit në një rajon të caktuar duhet të merrni në konsideratë tregues të tillë, si temperatura mesatare mujore, reshjet mesatare mujore dhe ndriçimi mesatar mujor, të cilët janë tregues që do t’ju orientojnë për programimin e disa procese teknologjike si: dritësimi artificial, ujitja, etj. Në vendin tonë kushtet për kultivimin e rrushit në serra plotësohen në të gjithë rajonin jugor e perëndimorë.
Ngritja e vreshtit në serra
Koha më e përshtatshme e mbjelljes është nëntori dhe dhjetori. Distancat e mbjelljes ndryshojnë sipas sistemit që do të mbani hardhinë. Kur vendosni që sistemi i mbajtjes do të jetë vertikal (spalierë) mbjellja realizohet në distanca ndërmjet bimëve më të afërta sesa kur hardhia do të mbahet nga sistemi i tendës. Për kultivimin e rrushit në sera rekomandohet sistemi i mbajtjes në formë tende dhe distancat e rekomanduar janë 2,5 x 2,5 m.
Rreshtat anësorë vendosen 80 cm larg plastmasit dhe pastaj vazhdohet me distancën e planifikuar për mbjellje.
Plehërimi bazë, është plehërimi organo – mineral që kryhet para punimit qilizmë (pra para mbjelljes). Dozat orientuese të plehrave që përdoren: pleh stalle (i dekompozuar ose gjysmë i dekompozuar) 400-600 kv/ha, plehëra fosforike (superfosfat) 8 - 10 kv/ha, plehëra potasike (sulfat potasi) 4 - 6 kv/ha.
Sistemi i mbështetjes. Hardhia, duke qenë se është një bimë kacavjerrëse kërkon një mbështetje të fortë. Sistemi i mbështetjes mund të jetë prej hekuri ose shtylla betoni. Distancat e shtyllave janë ato të rreshtave, ndërsa brenda rreshtit ato vendosen në largësinë 5 - 6 m në rastin e formave gyjo ose kordon, kurse në rastin e tendës ato vendosen çdo bimë në një shtyllë.
Shërbimet teknologjike në serra
Shërbimet në qetësinë relative (dimërore)
Krasitja dimërore: Ashtu si edhe në rrushin e tavolinës në fushë të hapur krasitjen dimërore e kemi formuese dhe prodhuese.
Krasitja formuese aplikohet tre katër vitet e para të jetës së hardhisë dhe ka qëllim krijimin e trungut dhe formës ku do të mbahet hardhia. Lartësia e trungut varet nga forma e mbajtjes së hardhisë. Në format gyjo dhe kordon lartësia e trungut lihet 80 – 90 cm, ndërsa në formën tendë lartësia e trungut lihet 170 – 180 cm. Format e shtrirjes së hardhisë janë të ndryshme. Ato mund të jenë të njëanshme ose dy anshme si dhe me një kat ose dy kate. Në formën e tendës në hardhi formohen 4 krahë.
Në krasitjen prodhuese sistemi i krasitjes mund të jetë i shkurtër, i gjatë ose i përzier. Rekomandojmë të përdoret sistemi i përzier, me çep zëvendësimi dhe sharmendë, sepse është më i përshtatshëm për shumicën e kultivarëve të tavolinës.
Mbulimi i anëve të serrës: bëhet sa më herët të jetë e mundur me qëllim ngrohjen sa më të shpejtë të saj.
Plehërimi bazë: me plehra organik dhe kimik, realizohet pasi është kryer procesi i krasitjes, lidhjes dhe mbulimit të serrës. Plehërimi bazohet në bilancin ushqimor. i cili hartohet në bazë të nevojave të bimës për të realizuar prodhimin e planifikuar dhe pjellorisë së tokës.
Punimi i tokës: Pas shpërndarjes së plehrave, bëhet punimi i tokës në thellësi 20-30 cm për të realizuar përmbysjen e plehrave. Nëse gjatë punimeve ndodhin dëmtime në bimë, ndërhyhet për të dezinfektuar plagët me solucion 1% klorur hekuri.
Për përshpejtimin e pjekjes së rrushit rekomandohet të bëhet spërkatja me solucion cianamid hidrogjeni i cili ndikon duke përshpejtuar zgjimin e sythave, zhvillimin e lastarëve të rinj, si dhe lulëzimin më të hershëm.
Shërbimet gjatë vegjetacionit
Ujitja. Hardhitë e kultivuara në serra kanë nevojë për ujitje të shpeshta. Ujitja duhet të kryhet çdo shtatë deri në 10 ditë.
Cilët faktorë ndikojnë në shpeshtësinë e ujitjes?
Madhësia, lloji dhe faza e rritjes së bimës - sa më të mëdha dhe më shumë gjethe të ketë një bimë, aq më shumë do të ketë kërkesa për ujë. Pra, me avancimin e fazave të zhvillimit edhe kërkesat për ujin shtohen.
Struktura, ngjeshja e tokës dhe përmbajtja e lëndës organike të saj. Këto faktorë përcaktojnë kapacitetin ujëmbajtës të tokës. Tokat e rënda kërkojnë sasi më të mëdha uji, por më rrallë, ndërsa tokat e lehta kërkojnë sasi më të vogla uji, por më të shpeshta. Për të përmirësuar kapacitetin ujëmbajtës të tokës tuaj shtoni lëndën organike në tokë.
Sezoni dhe moti. Kërkesat për ujë shtohen në mot të nxehtë, me diell dhe me erë. Në kushte të tillë ujitja do të jetë më e shpeshtë.
Si të ujitni?
Sistemi më i mirë ujitjes është ai me pika.
Ujitja me sprucim (formë shiu) nuk rekomandohet sepse nxisin zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore tek hardhia. Ajo që ka rëndësi është që mos të vonohet ujitja, pra duhet të mbajmë nivelin e duhur të lagështirës në tokë. Nga ana tjetër nuk duhet tepruar me sasinë e ujit, sepse uji i tepërt në tokë ndikon keq në ajrimin e sistemit rrënjor.
Në çdo rast ujitja duhet të jetë e plotë, sepse ujitjet shumë të lehta do të nxisin zhvillimin e rrënjëve sipërfaqësore duke e bërë bimën më të ndjeshme ndaj thatësirës. Gjithashtu në serrën tuaj duhet të mbani një sistem kullimi të përsosur, sepse atje ku kullimi është i keq, efektiviteti i ujitjes është i ulët.
Plehërimi plotësues. Në pranverë, kur fillon rritja, plehërimi duhet të kryhet çdo tre javë me një pleh, me plehra kompleks.
Kur hardhia të jetë në vegjetacion të plotë, plehërimi kryhet në interval një javorë. Kur rrushi të fillojë të piqet dhe të ngjyroset plehërimi ndërpritet, pasi ushqimi shtesë në këtë kohë mund të prishë aromën e rrushit.
Skemë plehërimi (për 1 dynym = 1000 m²)
Faza e zhvillimit | Plehu që përdoret (N:P:K) | Doza kg/dy | Nr i ndërhyrjeve |
Fillimi i vegjetacionit deri në lidhjen e kokrrave | 29-10-10 +3MgO+TE | 4 | 4 |
Nga lidhja e kokrrave e deri 20 ditë pas saj | 15-10-30 +3MgO+TE | 4 | 2 |
Në fillim të shkëlqimit të kokrrave | Nitrat kaliumi (13-0-46) | 4 | 2 |
Masat që duhen marrë për rritjen e rendimentit
Ndihma në pllenim. Rrushi i serrave mund të kërkojë ndihmë për pllenim gjatë lulëzimit. Procesi realizohet në mesditë në ditë me diell, kur atmosfera është e thatë dhe serra është e ajrosur mirë duke shkundur degët e hardhisë ose goditur lehtë me dorë të mbështjellë mbi çdo veshul. Zakonisht aplikohet për llojet “tekanjoze” në pllenim siç është lloji i hershëm Muskat.
Përdorimi i fitorregullatorëve. Fitorregullatori më i përdorur është giberilina. Kryesisht përdoret Agibelinë me përmbajtje GA3 20% (acid giberilik). Tregtohet në formë tabletash. Është rregullator i cili ndikon dukshëm në përmirësimin e mjaft proceseve biokimike e fiziologjike të bimëve si: lulëzim, lidhja e frutave dhe shtimi i peshës së tyre.
Emërtimi | Efekti | Koha dhe Doza e trajtimit |
Rrushi i tavolinës | Për zgjatjen e bishtit të kokrrës | Trajtimi bëhet para lulëzimit, kur lulëria ka arritur gjatësinë 4 -8 cm. Përdoren 2 tableta/100 l ujë |
Për të rralluar kokrrat në veshul | Trajtimi bëhet në fazën kur lulëzimi ka arritur 70 - 80%. Përdoren 2 tableta/100 l ujë. | |
Për të rritur madhësinë e kokrrës | Trajtimi bëhet pas lidhjes së kokrrës, kur ato kanë arritur madhësinë 3 – 4 mm duke përdorur 3 tableta/100 l ujë. |
Rrallimi i kokrrave. Madhësia, ëmbëlsia dhe cilësia e rrushit të tavolinës është kërkesa kryesore. Këto tregues përmirësohen duke rralluar kokrrat, proces i cili realizohet me gërshërë të posaçme. Rrallimi shpejton pjekjen dhe frenon problemet e sëmundjeve kërpudhore. Për të rralluar kokrrat veshuli mbahet me një shkop të vogël si furkë, pasi përdorimi i gishtërinjve prish lulëzimin ose mund të dëmtojë kokrrat. Rekomandohet që rrallimi të bëhet dy herë. Rrallimi i parë bëhet kur korrat janë të vogla, pas lidhjes së tyre dhe rrallimi i dytë në fazën e rritjes intensive të kokrrave.
Heqja e lozeve. Lozet janë struktura të holla, të rrumbullakta, të ngjashme me kërcellin, që rrotullohen rreth mbështetësve dhe ndihmojnë hardhinë të ngjitet (kacavirret, kapet) dhe të mbajë veten. Rekomandojmë heqjen e tyre, pasi ato janë konsumatorë të energjisë si dhe do të prishin shtrirjen e hardhisë sipas regjimit që është vendosur të mbahet hardhia.
Gjatë vegjetacionit, vazhdohet me heqjen e lastarëve joprodhues, sqetullorëve dhe me këputjen e majave.
Mirëmbajtja e kushteve të serës
Hardhia e rrushit pëlqen kushte të ajrosura mirë, të ngrohta dhe të thata. Mbajtja e mbyllur e serrës, për rritjen e nxehtësisë, do të çojë në një grumbullim të lagështisë në ajër që mund të rezultojë në sëmundje kërpudhore dhe uljen e niveleve të pjalmimit. Prandaj ajrosja, veçanërisht gjatë kohës së lulëzimit dhe lidhjes së kokrrave, është një masë e domosdoshme.
Njëkohësisht, bazuar në biologjinë e dëmtuesve dhe sëmundjeve, me synim parandalimin e infeksionit dhe dëmit të shkaktuar prej tyre, kryhen trajtime kimike ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve. Më problematike mbetet sëmundja e vrugut dhe e hirit, trajtimi i të cilave është i njëjtë si edhe tek rrushi në fusha të hapura.
Për më tepër mund të lexoni artikullin e menaxhimit të sëmundjeve të vrugut dhe hirit tek hardhia në ABA Online duke klikuar këtu.
Mbjellja e serrës me kultura të dyta
Pas vjeljes së prodhimit e deri në vegjetacionin e ri të vitit të ardhshëm, toka midis rreshtave mund të shfrytëzohet me kultura perimore si sallatë, lakër etj.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Çfarë përfitimesh do të shihni konkretisht në fermën tuaj duke përdorur premikset?
Lexo më shumëVjelja e cianit, në varësi të kushteve klimatike, fillon nga fillimi i qershorit dhe vazhdon deri në rënien e ngricave të para vjeshtore.
Lexo më shumëEkzistojnë specie të ndryshme që përbëjnë kompleksin e diabrotikës në misër, ndër të cilët veçohen:
Lexo më shumëSi evidentohet rrënjëngrënësi i misrit?
Lexo më shumë
per rrushin e tavolines ne sera diellore kush eshte variteti me hershem qe me rekomandoni ju
-hasani