Ftohja në fermat prodhuese dhe pikat e grumbullimit të qumështit
Mënyra më e mirë për të siguruar cilësi të lartë të qumështit si lëndë e parë për përpunim është ftohja e tij e menjëhershme pas mjeljes. Kjo gjë do të pengojë zhvillimin e mikororganizmave të dëmshëm dhe rritjen e ngarkesës bakteriale. Për këtë qëllim, qumështi ruhet në tanke të ftohjes, të cilat janë enë inoksi me këmishë. Në këmishë, si agjent ftohës futet uji i akullt i prodhuar nga grupi frigoriferik i tankut.
Përzierja mekanike e vazhdueshme e qumështit ndihmon ftohjen uniforme të tij brenda tankut. Tanket ftohes kanë kapacitet të tillë që të ftohin qumështin në +4°C brenda 1 ore. Zakonisht qumështi qëndron në tank ftohës deri 48 orë përpara përpunimit; por me raste edhe më gjatë (deri 72 orë).
Qumështi ruhet për 48-72 orë ftohet deri në 2°C. Temperaturat e ruajtjes më të larta se 40C favorizojne zhvillimin e baktereve psikotrofe, te cilat janë tepër të vështira për tu larguar edhe me pasterizimin e mëtejshëm të qumështit.
Nëqoftëse qumështi do të përdoret brenda 24 orëve, temperatura e ftohjes së tij mund të jetë edhe deri 8°C. Fermat me pak krerë, e mbledhin qumështin në bidona inoks dhe duhet ta dërgojnë brenda 2-3 orësh në pikën më të afërt të grumbullimit. Në këtë mënyrë qumështi ruhet nga thartimi (rritja e aciditetit), që është pasojë e rritjes së ngarkesës bakteriale për shkak të qëndrimit të qumështit të mjelë në temperatura ambjenti të larta.
Në pikat e grumbullimit qumështi grumbullohet nga disa prodhues. Në pikën e grumbullimit qumështi matet si sasi, kontrollohet për ngarkesë bakteriale ose aciditet/(Ph) dhe analiza të tjera fiziko kimike (lëndë e thatë, ujë i shtuar dhe përmbajtje yndyre) përpara se të hidhet në tankun ftohës, pasi sasitë e qumështit me cilësi të ulët rrezikojnë të përkeqësojnë cilësinë e qumështit të mirë të hedhur në këto tanke. Zakonisht, pikat e grumbullimit disponojnë dy ose me shumë tanke, në të cilat qumështi hidhet sipas cilësisë me të cilën mbërrin nga ferma prodhuese.
Theksojmë që tanket ftohës, duhen larë e pastruar mirë përpara përdorimit, si brenda edhe jashtë. Pas zbrazjes, larja konsiston në shplarje me ujë të ftohtë të paktën 3 herë, larje me solucion sode kaustike 1.8% ne temperature 85°C dhe më pas (të paktën një herë në javë) larje me solucion 1% acid nitrik në temperature 65°C. Ne fund shplarje intensive me ujë.
Transporti për në fabrikë
Transporti i qumështit për në fabrikë kryhet me cisterna inoksi të vendosura mbi kamiona, pra janë kamiona-cisternë.
Cisternat në krahasim me bidonat e kanë sipërfaqen e kontaktit më të vogël për njësi vëllimi qumështi, prandaj edhe mundësia e kontaminimit është më e ulët se tek bidonat. Shumica e cisternave janë të veshura me shtresë termoizoluese, për të ruajtur temperaturën e qumështit brenda tyre.
Megjithatë, sot gjithmonë e më shumë, po përdoren cisterna me grup ftohjeje që realizon ftohjen e vazhdueshme të qumështit gjatë transportit, në vecanti të përdorshme kur ka transport të qumështit në distanca të largëta.
Cisternat mund të pastrohen dhe sanitizohen shumë mirë. Shumica e cisternave janë të pajisura me pajisje për larje dhe sanitizim. Larja dhe sanitizimi i cisternave zakonisht kryhet pranë fabrikave të përpunimit, pasi shkarkohet qumështi prej tyre.
Monitorimi në mënyrë dixhitale i temperaturës së qumështit në tanket ftohës
Teknologjia dixhitale ndihmon në monitorimin e vazhdueshëm të temperaturës në tanket ftohës apo në cisternat e transportimit të qumështit nga ferma në fabrikë. Kështu, nëpërmjet vendosjes së sensorëve të temperaturës në tanke apo cisterna, jepen në kohe reale të dhëna për temperaturën, të cilat nëpërmjet teknologjive informatike (analizë të dhënash si dhe qendra të ruajtjes së të dhënave të bazuara në teknologjinë Clouds) ruhen dhe paraqiten në formë raporti ditor apo në kohë reale, në aplikacione të shkarkuara në smartphone apo kompjuter.
Në këtë mënyrë, fermeri është në gjendje të identifikojë menjëherë rastet kur temperatura e qumështit gjatë ruajtjes apo transportit rritet mbi nivelin e lejuar dhe merr masa urgjente për të ndaluar rritjen e mëtejshme.
Në ambjent duhet të ketë sistem interneti, sepse nëpërmjet këtij sistemi kalohen të dhënat me Data Logger, nga sensori ne Programin kompjuterik përpunues.
E njëjta metodikë përdoret kur duam të monitorojmë në kohë reale temperaturën brenda një dhome maturimi djathrash apo magazinë frigoriferike për produktet e gatshme. Edhe në këtë rast, Loguesi i të Dhenave, i transferon të dhënat e kapura nga sensori në një program kompjuterik, i cili është në gjendje të përpunojë dhe të nxjerrë në kohë reale këto të dhëna, në aplikacionin në smartphone ose në kompjuter.
Ky informacion është përgatitur në kuadrin e projetit “Dixhitalizimi i sektorit të blegtorisë” me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës - ILO dhe KASH. Informacioni u përgatit nga Prof. Assoc. Anila Kopali, PhD.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato
Lexo më shumëNdër patogjenët (shkaktarët) kryesorë që bëhen shkak për një barrsmëri të pasuksesshme tek të imtat mund të përmendim:
Lexo më shumëFermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin
Lexo më shumëSa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?
Lexo më shumë