Teknologjia e kultivimit të sojës




Soja përdoret në shumë mënyra si ushqim për njeriun. Kokrrat e sojës shquhen për përmbajtje të lartë të proteinave që lëviz nga 33 – 40%, yndyrat 17 – 24% dhe karbohidrate 26 – 28,7%. Vlera e lartë e proteinave tek soja nuk qëndron vetëm tek sasia e tyre, por tek përmbajtja e disa aminoacideve të domosdoshme për organizmin siç janë: arginina, cistina, istidina, lizina, triptofani etj. Kokrrat e sojës përmbajnë gjithashtu edhe kripëra minerale e sidomos kripërat e acidit fosforik që kanë rëndësi të veçantë për organizmin e njeriut dhe të kafshëve. 

Si ushqim i koncentruar për bagëtitë, vlera e kokrrave është më e larta nga pothuaj të gjitha bimët me 140 njësi ushqimore për 100 kg kokërr.  Mielli i sojës është një ushqim i mirë për kafshët sepse ka përmbajtje të lartë proteinike. Në vendin tonë krahas përdorimit si koncentrat merr rrëndësi edhe si bimë foragjere. Si mbjellje në bashkëshoqërim me misrin dhe sorgumin jo vetëm rrit prodhimin për hektarë, por përmirëson edhe bilancin proteinik. Për foragjere mund të përdoret edhe si kulturë më vete. Është parabimë shumë e mirë për të gjitha bimët e tjera të arave.

Kërkesat për klimën tokën dhe parabimën 
Cilat janë kërkesat për temperaturë?

  • Temperatura minimale biologjike është 4-6°C;
  • Temperatura optimale 24-25°C;
  • temperatura e ajrit nën 16°C dhe  mbi 33°C, lulëzimi vështirësohet.
  • Temperaturat më të ulëta vonojnë lulëzimin.

Kërkesat për lagështi
Nga mbirja e deri në lulëzim nuk ka kërkesa të mëdha për ujin, ndërsa nga lulëzimi e deri në formimin e bishtajave është periudha me kërkesa më të mëdha për ujin. Kjo është periudha që bimës duhet t’i sigurojmë patjetër ujë. Mungesa e ujit në këtë kohë shfaqet me rënien e luleve ose bishtajave të porsaformuara. Bimët e sojës janë të ndjeshme ndaj tepricës së lagështirës gjatë mbirjes dhe në kohën e formimit të gungave azotofiksuese. Mbas formimit të bishtajave e deri në pjekje bima ka kërkesa për ujë por jo si në fazën lulëzim – lidhje e bishtajave. Soja ka ndjeshmëri të theksuar ndaj thatësirës ajrore, veçanërisht në fazën e lulëzimit, gjatë lidhjes së bishtajave e mbushjes së kokrrës. Në këto faza lagështia e ajrit duhet të jetë 70-75%. Koha e gjatë me shi dhe e vrenjtur në fazën e lulëzimit është shumë e papërshtatshme për sojën. 

Në cilat toka shkon më mirë soja?
Kërkon toka të thella, të drenazhuara me një shtrat fare e kapacitet ujëmbajtës të mirë. Soja, në përgjithësi krahasuar me misrin, i është përshtatur më mirë tokave të rënda. Ajo ka aftësi të shfrytëzojë ujin në thellësi të tokës, më shumë se çdo kulturë tjetër bujqësore, për shkak të sistemit rrënjor boshtorë  shumë të fuqishëm. Është e përshtatur më mirë se kulturat tjera bujqësore në toka me pehash të ulët, por jo më poshtë se 5,2, pasi pehashi më i ulët dëmton bakteret azotofiksuese duke penguar fiksimin e azotit atmosferik. Tokat kompakte ose shumë të rënda duhet të shmangen pasi soja në mbirje është shumë delikate, kështu që në këtë toka mund të dëmtohen bimët gjatë mbirjes (hipkotili i sojës thyhet lehtë gjatë mbirjes).

Soja nuk duhet të mbillet në këto lloje tokash:

  • në toka acide;
  • në toka kënetore;
  • në toka të kripura.

Parabimët më të mira për sojën janë të lashtat, misri, patatja, bimët foragjere, etj. Nuk rekomandohet të mbillet pas lulediellit sepse mund të infektohet nga sëmundje bakteriale. Soja kërkon toka të pastra nga barërat e këqija. Vetë është parabimë shumë e mirë për të gjitha bimët e tjera.

Vëmendje! Soja është shumë e ndjeshme ndaj tepricës së lagështisë në tokë. Niveli i lartë i ujërave nëntokësore dhe përmbytjet afatshkurtra mund të dobësojnë në masë të madhe sistemin rrënjor dhe të privojnë bimën nga ushqimi, duke ulur prodhimin dhe cilësinë e tij. Ndonjëherë, kur krijohet kore e fortë e sipërfaqes së tokës, mund të dështojë plotësisht mbirja.

Përgatitja e tokës për mbjelljen e sojës
Tokës për mbjelljen e sojës është mirë t’i kryhet plugim i thellë.  Plugimi i thellë është i domosdoshëm në tokat e mesme argjilore edhe nëse ky nuk është kryer për parabimën. Plugimet e thella të vjeshtës dhe dimrit bëhen në thellësinë 36 – 40 cm dhe toka duhet të mbahet e kulluar. Në rastet kur nuk kryhet plugimi i thellë i vjeshtës e dimrit, herët në pranverë kryhet plugimi 26 – 30 cm. E  rëndësishme është që plugimi të kryhet me cilësi për të siguruar një sipërfaqe toke sa më të sistemuar. Shtrati i mbjelljes përgatitet me diskime apo frezime. Numri i diskimeve apo frezimeve varet nga kushtet e tokës dhe synohet përgatitja e një shtrati sa më të mirë të farës.

Koha e mbjelljes, distanca mes rreshtave dhe norma e farës
Soja duhet të mbillet kur temperaturat mesatare ditore kanë arritur 15°C - 18°C. Mbjellja para se të arrijnë dhe të jenë stabilizuar këto temperatura nuk duhet të bëhet. Koha  e mbjelljes për sojën ka një ndikim të rëndësishëm në vegjetacionin e saj. Mbjelljet e hershme stimulojnë rritje të tepërt vegjetative të cilat çojnë në probleme dhe dëmtojnë prodhimin. Nga ana tjetër, mbjelljet e vona mund të çojnë në rritje të pamjaftueshme vegjetative, lartësi e ulët e bimës, më pak bishtaja e për pasojë rendimente të ulëta. Afati më i mirë për zonën bregdetare fushore është dhjetëditori i tretë i marsit - fillimi i prillit, kurse për zonën e ulët dhe atë kodrinore është muaji prill. Soja mund të mbillet edhe si kulturë e dytë, mbjelljet hamullore, por në këtë rast duhet të zgjidhen kultivarë me pjekje të hershme.

Gjerësia e rreshtave luan një rol të rëndësishëm në kontrollin e barërave të këqija, shëndetin dhe qëndrueshmërinë e bimëve. Distanca midis rreshtave rekomandohet të jetë 45 – 60 cm. Mbjellja bëhet me makina mbjellëse të sojës me disqe ose farfallë. 

Thellësia e mbjelljes. Farë duhet të mbillen në një thellësi  nga 2 deri në 5 cm, kjo në varësi të tokës. Në tokat argjilore rekomandohet mbjellje më cekët dhe në ato ranore më thellë. Mbirjet quhen normale kur ato  realizohen brenda pesë deri në shtatë ditë pas mbjelljes. Për një mbirje sa më të shpejtë dhe uniforme duhet të sigurohet një kontakt sa më i mirë i farës me tokën.

Norma e farës rekomandohet 90 – 120 kg/ha. Kjo varet nga tipi i kultivarit, madhësia e kokrrës, kushtet klimatike dhe pjelloria e tokësPër kultivarë me cikël të shkurtër norma e farës është me e madhe se ato me cikël të gjatë vegjetativ. Gjithashtu për kultivarë me kokërr të vogël norma e farës është më e vogël. Në toka të varfra, rekomandohet numër më i vogël bimësh, gjithashtu edhe në kushtet e klimës së thatë numri bimëve e për pasojë edhe norma e farës duhet të jetë me e ulët. Nisur nga këto kushte në duhet të sigurojmë një numër bimësh nga 350 – 450 mijë bimë/ha ose 35 – 40 bimë/m²

Plehërimi
Soja është bimë që konsumon më shumë fosfor, potas, magnez dhe kalcium krahasuar me misrin. Fosfori dhe potasi përdoren në plehërimin bazë. Zakonisht ato hidhen para plugimit të fundit ose para diskimit. Gjithashtu ato mund të përdoren edhe gjatë mbjelljes, pra në bashkëshoqërim me mbjelljen. Në këto raste duhet të vendoset 10 – 15 cm thellë, më poshtë ose anash farës.

Fosfori: Soja reagon shumë mirë ndaj fosforit dhe vazhdon ta thithë (marri) atë deri në fazën kur bishtajat kanë arritur madhësinë e plotë. Kërkesat e sojë për fosfor reduktohen dhe plehrat e kombinuara nuk rekomandohen në rastet kur ajo mbillet pas bimëve të mirë plehëruara. Prodhimi do të jetë i ulët nëse fosfori në dispozicion është më pak se 30 kg/ha lëndë aktiveDoza e superfosfatit rekomandohet 30 – 40 kg/ha l.a ose 1,5 – 2.5 kv/ha superfosfat i thjeshtë i granuluar. Kaliumi (potasi) rekomandohet në ato raste kur përmbajtja e tij në tokë është e ulët, pra kur nivelet e kaliumit në tokë janë mesatare e të larta ky nuk rekomandohet.

Azoti: Kërkesat për  azot bima e sojës i  plotëson nga fiksimi i azotit atmosferik në nodulet e rrënjës. Prandaj, para mbjelljes, duhet të kihet kujdes që fara të trajtohet me shtamet e baktereve azotifiksuese ose siç quhet ndryshe nitraginë. 

Kujdes! Fara e trajtuar me plehun bakterial nitraginë nuk duhet të ekspozohet në diell. Trajtimi bëhet në ambiente të mbyllura dhe në kushtet e gjysmë errësirës, sepse shtamet e plehut bakterial dëmtohen nga rrezet e diellit. Trajtimi duhet të bëhet jo më shumë se 12 orë para mbjelljes.

Në rastet kur nuk është bërë trajtimi me nitraginë dhe kur toka për një periudhë të gjatë kohe nuk është mbjellë me sojë nuk kemi aktivizim të baktereve azotiofiksuse që jetojnë në simbiozë me rrënjët e bimëve. Në këtë rast ndjehet nevoja e bimëve për azot. Këto nevoja plotësohen duke përdorur 1 – 1,5 kv/ha plehra azotik dhe zakonisht hidhet në fazën e 2-3 gjetheve të vërteta me kultivator ushqyes. Përdorimi i dozave të larta të plehut azotik shton masën vegjetative në dëm të prodhimit si dhe frenon aktivitetin e baktereve azotofiksuese

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Përkujdesjet gjatë vegjetacionit dhe korrja e prodhimit tek soja.

Data e publikimit: 02/02/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:

Lexo më shumë