TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT




Elbi (Hordeum vulgare) është bimë foragjere me vlera të larta ushqimore dhe shkon mirë në të gjitha zonat bujqësore të vendit tonë. Elbi ka një shtrirje të gjerë kultivimi. Përmbajtja e proteinave në kokrrat e elbit luhatet në kufinj të gjerë nga 7-25%, kurse përmbajtja e karbohidrateve, veçanërisht e amidonit, luhatet në kufinjtë 46 – 68%. 

Përdorimi kryesor i tij është ushqim për blegtorinë në formë:

  • Koncentrate
  • Bari të thatë
  • Silazh
  • Kullotë

Gjithashtu, kashta e saj (byku) përdoret si shtresë për blegtorinë. Elbi kokërr (dyrreshtor) përdoret edhe në industrinë e birrës, sepse malto është lëndë e parë për prodhimin e birrës.

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Cilat janë kërkesat e elbit për ngrohtësi (temperaturën)?
Sipas fazave të zhvillimit, temperaturat optimale agronomike janë:

  • Mbjellje - mbirje 10-12°C;
  • Vëllazërim - ngritje 12-16°C;
  • Kallëzim lulëzim dhe pjekjes së kokrrës 16-20°C.

Minimumet biologjike janë:

  • Mbirja në 1-2°C;
  • Formimi i organeve vegjetative në 4-5°C;
  • Formimi i organeve të riprodhimit në 10-12°C;
  • Pjekja në 12-16°C.

Elbi ka qëndrueshmëri më të ulët ndaj temperaturave të ulëta se të gjithë të lashtat e tjera. 

  • Tipat vjeshtorë mund t’i qëndrojnë temperaturave të ulëta deri -12°C. Qëndrueshmëria rritet kur temperatura zbret ngadalë, veçanërisht kur elbi është i mbuluar me borë.
  • Bimët e porsambira durojnë deri - 4°C, kultivarë të veçantë deri në minus 8-9°C, por jo pa dëm të pjesshëm në gjethet.

Cilat janë kërkesat e elbit për lagështirën? 
Krahasuar me tërshërën dhe grurin ka kërkesa më të pakta sa i përket lagështirës. Kërkesat për lagështi janë në varësi të tipit biologjik. Elbi vjeshtor, polistik (shumë rreshtash), e duron më mirë thatësirën e pranverës, sepse shfrytëzon rezervat e dimrit, kurse elbi distik kryesisht i mbjellë në pranverë nuk e ka këtë siguri. Lagështia e tepërt është e dëmshme. Në qoftë se ka reshje të tepërta , në fazën e pjekjes së dyllit kokrra pëson ndryshime biokimike duke prishur cilësinë e kokrrës.

Cilat janë kërkesat e elbit për tokën dhe parabimën? 
Elbi rritet dhe zhvillohet mirë në ato toka ku rritet gruri, por ai prodhon më mirë se gruri në kushtet e tokave të varfra, ranore e me pjellori të ulët. Elbi është nga të lashtat me qëndrueshmëri më të lartë ndaj kripëzimit të tokës , nuk duron aciditetin e saj, pH më i përshtatshëm është rreth neutrales dhe lehtësisht bazik, me vlerë 6.8 - 8. Kërkesat për elementë ushqyes i ka gati të njëjta me grurin, por më me pak kërkesa për azot. Për 100 kg kokërr, elbi tërheq nga toka përkatësisht: N 2,4 – 2,2 kg; P2O5 1,4 – 1,2 kg dhe K2O 2,8 -2,4 kg.               

Elbi konsiderohet si kulturë me kërkesa të pakta ndaj parabimës. Ajo reagon pozitivisht dhe rrit rendimentin kur mbillet pas kulturave që nuk varfërojnë tokën dhe e lënë atë të pastër nga barërat e këqija. Mbjellja e përsëritur e elbit në të njëjtin vend nuk rekomandohet pasi ajo preket nga sëmundje dhe dëmtues duke ulur ndjeshëm rendimentin. Në qarkullimin bujqësor të bimëve të arave, rekomandohet që pas elbit tagji të mbillen kultura bishtajore ose kultura prashitëse të plehëruara mirë.

Agroteknika e kultivimit të elbit

Përgatitja e tokës për mbjellje
Përgatitja e tokës për mbjelljen e elbit konsiston në punimin e thellë 26 – 30 cm dhe punimet përgatitore para mbjelljes (diskime e frezime), të cilat kryhen në varësi të parabimës dhe kohës së mbjelljes.

Cilat janë afatet e mbjelljes së elbit?
Në përcaktimin e afatit të mbjelljes duhet të kemi parasysh destinacionin e kultivimit, zonën dhe kohën e kultivimit.

  • Në rastet kur kultivohet për tagji (kokërr), mbjelljet të cilat kryhen kryesisht në zonën e ulët bregdetare dhe atë para malore (zona të cilat karakterizohen nga një dimër jo shumë i ashpër), mbjelljet rekomandohen të kryhen gjatë muajt tetor deri fillimi i nëntorit.
  • Mbjelljet e pranverës mund të kryhen në zonat malore me kultivarë vjeshtor - pranveror ose pranverorë.

Cilat janë normat e farës së mbjelljes tek elbi?

Norma e farës varet nga qëllimi i kultivimit. Elbi mund të kultivohet për prodhim kokrre dhe për hasëll (forazh). Gjithashtu, për forazh ai mund të mbillet si kulturë e pastër dhe e bashkëshoqëruar, prandaj norma e farës ndryshon sipas qëllimit të kultivimit dhe përzierjes së forazhit.

  • Në mbjelljet për forazh (si kulturë e thjeshtë) përdoret 230 – 270 kg/ha farë.
  • Në mbjelljet për kokërr përdoret, 220 – 260 kg/ha. Kjo ndryshon sipas zonave klimatike dhe afatit të mbjelljes. Në zonat me klimë më të ashpër, në afate të vonuara, norma e farës është më e lartë.
  • Në bashkëshoqërim raportet janë 60% bishtajore dhe 40 % graminore. Norma e farës llogaritet duke u bazuar në normën e farës si kulturë e pastër të cilës i shtohet 10%, nga kjo llogariten përqindjet e mësipërme. Në bashkëshoqërim me burxhakun norma e farës është 200 kg/ha, nga e cila 120 kg/ha elb dhe 80 kg/ha burxhak.

Mbjellja kryhet me rreshta e cila realizohet me makina mbjellëse të të lashtave ose me dorë (me reshta ose me shpërndarje). Në rastin kur mbjellja kryhet me makinë, e cila mund të jetë e tërhequr me traktor ose me kafshë, paraprakisht duhet të bëhet kolaudimi (regjistrimi) i saj me qëllim që të realizojmë një mbjellje sa më cilësore dhe me normën e farës së planifikuar. Në rastet e mbjelljes me dorë (kryesisht terrene të thyera), e cila mund të jetë me rreshta ose me shpërndarje duhet bërë kujdes për një mbulim sa më të mirë të farës. Në rastet e mbjelljes me rreshta, si me makinë ashtu edhe me dorë, distanca në mes të rreshtave është 12 – 15 cm rreshti nga rreshti.

Vëmendje! Mbillni farë të dezinfektuar për mbrojtjen e bimës nga dëmtuesit e tokës dhe sëmundjet që prekin bimën e elbit.      

Plehërimi fosforik (bazë)
Dozat e plehërimit fosforik përcaktohen mbështetur në:

  • Rendimentit të planifikuar (mbi të cilën llogariten nevojat për lëndë ushqyese)
  • Pjellorisë së tokës përmbajtjes së elementit fosfor në tokë.

Në plehërimin e elbit rëndësi ka ruajtja e raporteve të drejta midis plehërimit fosfatik dhe atij azotik (1,5:1). Ruajtja e këtij raporti ndikon shumë në rritjen e qëndrueshmërisë ndaj rrëzimit në këtë kulturë.

Si normë orientuese e fosforit, për një tokë mesatare përsa i përket elementeve ushqyes kryesorë (makro elementëve) dhe rendiment të planifikuar 25 – 30  kv/ha rekomandohet 3 – 4 kv/ha superfosfat i thjeshtë me 17 - 20 % l. a. P2O5. Shpërndarja e superfosfatit duhet të bëhet në dy shtresa ku 1/3 e dozës e shpërndajmë para plugimit dhe 2/3 e shpërndajmë në punimet përgatitore, frezim apo diskim.

Cilat janë shërbimet që kryhen gjatë vegjetacionit tek elbi?
Elbit i kryhen të njëjtat shërbime si dhe të lashtave të tjera. 

Kullimi: Menjëherë pas mbjelljes bëhet hapja e vijave kulluese në mbjelljet fushore dhe atyre antierozive për mbjelljet në terrenet e pjerrëta. Sistemi kullues mbahet në gjendje të pastër gjatë gjithë periudhës vegjetative.   

Plehërimi plotësues: Elbi tagji reagon shumë mirë ndaj plehërimit azotik, prandaj nuk duhet abuzuar me dozat e azotit. Doza e plehërimit si dhe koha e shpërndarjes janë dy momente kryesore që duhen pasur parasysh në plehërimin azotik.   

Abuzimi me dozën dhe kohën e shpërndarjes së këtyre plehrave sjell shumë pasoja në këtë kulturë. Përdorimi pa kriter i plehut azotik çon në rritjen e shkallës së rrëzimit, ku në vite të veçanta ka çuar deri në komprementimin e plotë të prodhimit kokërr. Në caktimin e dozës së plehërimit azotik ashtu si edhe për plehërimin fosfatik bazohemi në këto tregues:

  • Rendimenti i planifikuar, mbi të cilat llogariten nevojat për azotin;
  • Përmbajtja e këtij elementi në tokë;
  • Parabima. 

Doza e rekomanduar për toka mesatarisht të pasura me azot (orientuese): 90 -120 kg/ha l.a azot (afërsisht 3 – 4 kv/ha nitrat amoni). Në rastin kur parabima është bimë bishtajore (tërfil, jonxhë, fasule etj.), doza e azotit reduktohet me 30% (të dozës së mësipërme).

Shpërndarja e plehut azotik rekomandohet të bëhet në tre duar sipas këtyre fazave të zhvillimit:

  • dora e parë në fazën e 2 – 3 gjetheve, rreth 27 - 30 % të dozës;
  • dora e dytë në vëllazërim të plotë,  30 – 33 % të dozës
  • dora e tretë në fazën e ngritjes intensive, 37 - 40 % të dozës.

Luftimi i barërave të këqija gjethe gjëra: gjatë vegjetacionit në parcelat e mbjella për prodhim kokërr (tagji) kujdesi i kushtohet luftimit të barërave të këqija gjethe gjera. Kur shkalla e infeksionit është e lartë bëhet ndërhyrja me spërkatje me herbicidin 2,4 D (Spric hormid) në dozën 2 litra/ha ose përqendrim 0,5%. Spërkatja bëhet kur bimët janë në fazën e zhvillimit të vëllazërimit e deri në fillim të ngritjes. 

Këshillë! Spërkatja të kryhet gjithmonë në mot të mirë e pa erë dhe kur temperaturat e ajrit janë rreth 15°C. Në rast se brenda 6 orësh, pas spërkatjes, ka reshje shiu ajo duhet të përsëritet. 

Korrja dhe shirja e prodhimit tek elbi
Korrja dhe shirja e elbit është ndër momentet më të rëndësishme i cili kërkon organizim e vëmendje të veçantë me qëllim grumbullimin e prodhimit me sa më pak firo.

Në varësi të terrenit, të sheshtë ose të pjerrët, korrja mund të bëhet:

  • Me dorë (në fazën e pjekjes së dyllit) dhe pas tharjes së plotë bëhet shirja me kombajnë ose makina shirëse;
  • Me kombajnë (në fazën e pjekjes së plotë).

Pas korrjes e shirjes prodhimi i nënshtrohet një sërë proceseve siç janë: tharja, ventilimi, pastrimi, ambalazhimi dhe magazinimi. Në rastin e mbjelljeve për forazh, kryesisht për përgatitjen e silazhit pranveror, të bashkëshoqëruar me bimë bishtajore, prerja realizohet kur elbi është në fazën e kallëzimit dhe bima bishtajore në fazën e lulëzimit.

Data e publikimit: 21/11/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:

Lexo më shumë

SHËRBIMET AGROTEKNIKE TË MISRIT

Cilat janë shërbimet agroteknike tek misri gjatë vegjetacionit?

Lexo më shumë