MIRËQENIA E KAFSHËVE DHE RËNDËSIA E SAJ




                                                                           REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Mbarështimi i kafshëve në fermë përbën në vetvete një përgjegjësi etike tuajën si pronar apo si drejtues i fermës me qëllim sigurimin e mirëqenies së tyre në shkallën më të lartë të mundshme.  

Po çfarë nënkupton Mirëqenia e Kafshëve? Referuar përkufizimit të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (OIE), mirëqenia e kafshëve nënkupton “gjendjen fizike dhe mendore të një kafshe nën të cilën ajo jeton dhe përfundon ciklin e jetës së saj”. 

Mirëqenia e kafshëve nënkupton mënyrën sesi kafshët përballen me kushtet që u ofrohen për jetesën e tyre. Kafshët gëzojnë mirëqenie nëse ato kanë një gjendje të mirë shëndetësore, kanë komoditet (rehati), janë të mirë ushqyera, të sigurta, të afta të shprehin sjelljet e tyre natyrale, apo nëse nuk shfaqin shenja të vuajtjes siç mund të jenë dhimbjet, frikërat si dhe shqetësimet

A e dini se cilat janë parimet bazë të cilat drejtojnë Mirëqenien e Kafshëve? 

Parimet bazë të zhvilluara që prej vitit 1965 dhe që drejtojnë mirëqenien e kafshëve quhen “Pesë Liritë”. Këto parime shprehin liritë e kafshëve nën kujdesin e njeriut dhe përfshijnë:

  • lirinë nga uria, kequshqyerja dhe etja;
  • lirinë nga frikërat dhe shqetësimet;
  • lirinë nga stresi i vapës apo mungesa e komoditetit fizik;
  • lirinë nga dhimbjet, plagosjet, sëmundjet; dhe
  • lirinë për të shprehur sjellje normale karakteristike të kafshës.

Të sigurosh mirëqenien e një kafshe do të thotë të sigurosh nevojat e saj fizike dhe mendore. Sigurimi i mirëqenies së kafshëve është një përgjegjësi e juaja si menaxher i tufës që përfshin të gjitha aspektet e mirëqenies së kafshëve, si strehimin e duhur, menaxhimin, ushqimin, parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve, kujdesin e përgjegjshëm, trajtimin dhe përkujdesin njerëzor dhe, kur është e nevojshme edhe eutanazinë (fundi i jetës). Elementët e mirëqenies së kafshëve janë përcaktuar në Ligjin Nr. 71/2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 10465, datë 29.9.2011 “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.

Për të siguruar mirëqenien e kafshëve, ju duhet t'i mbarështoni ato dhe t'i përdorni në përputhje me qëllimin e mbajtjes së tyre në fermë, në përputhje me nevojat e tyre fiziologjike si dhe veçoritë e llojit të tyre. Ju duhet t'i siguroni atyre lirinë e nevojshme të lëvizjes, në varësi të llojit të tyre, duke u kujdesuar që lëvizjet të mos kufizohen në një mënyrë të atillë që të shkaktojnë vuajtje ose dëmtime të panevojshme. 

Krahas trajtimit të kujdesshëm të kafshëve, përse është e nevojshme mirëqenia e tyre?

Mirëqenia e kafshëve në fermë ndikon në përmirësimin e prodhimit të tyre dhe sigurinë ushqimore, duke sjellë si rezultat rritjen e përfitimeve në fermë. Nëse ju përmbushni kushtet për të siguruar mirëqenien e kafshëve, keni mundësuar një ndikim të jashtëzakonshëm mbi prodhimin dhe cilësinë e tij. Mirëqenia është pasqyrë e shëndetit fizik dhe mendor të një kafshe, ndaj nëse ju do të menaxhoni një kafshë në kushte të papërshtatëshme stresi, dhimbjeje, etj., kjo mund të sjellë pasoja në kufizimin e rritjes, prodhimit dhe riprodhimit. 

Mirëqenia e kafshëve garanton siguri ushqimore dhe vlera ushqyese për njerëzit. Një përkujdesje më e mirë në shumë raste sjell përmirësime të prodhimit, cilësisë së tij, përballime të mungesave në lëndë ushqyese si dhe garantim të sigurisë ushqimore.  Kështu nëse ju përdorni transport të papërshtatshëm kjo mund të sjellë plagosje, thyerje të kockave, etj., e për pasojë uljen e cilësisë së karkasës dhe cilësisë së mishit. 

Mbani parasysh se mishi i goditur ka një nivel më të lartë aciditeti dhe bëhet i papërshtatshëm për konsum nga njerëzit. Kafshët e stresuara para therjes ulin nivelin e glikogjenit në muskuj shoqëruar kjo me nivele të larta aciditeti dhe një ngjyrë e errët mishi duke e kthyer atë në objekt për zhvillimin e ngarkesave mikrobike.  

Nga ana tjetër, kujdesi që ju tregoni për mirëqenien e kafshëve sjell rritje të mundësive për tregtimin e produkteve të tyre, pasi tregu sot kërkon gjithnjë e më tepër respektim të standardeve të mirëqenies. 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Rrisqet që Shkaktojnë Ulje të Mirëqenies

Data e publikimit: 15/02/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

DOMOSDOSHMËRIA E PREMIKSEVE

Çfarë përfitimesh do të shihni konkretisht në fermën tuaj duke përdorur premikset?

Lexo më shumë

VLERAT E ELEMENTËVE TË VEÇANTË

Cilët janë disa nga elementët e vecantë dhe domosdoshmëria e tyre në shëndetin e lopës?

Lexo më shumë

PËRDORIMI I PREMIKSEVE

Rekomandimi i përgjithshëm orientues për t’ju mundësuar lehtësinë në përllogaritjen e peshës në gramë, është:

Lexo më shumë

FILLESA E NJË FERME BLEGTORALE

Çfarë duhet të keni parasysh përpara se të filloni biznesin me gjedhin e qumështit?

Lexo më shumë