KORRJA, SHIRJA, PASTRIMI DHE RUAJTJA  E PRODHIMIT TË TËRSHËRËS




Tërshëra ka si veçori mos pjekjen e njëkohshme të farave në panikul/melth. Prandaj, përcaktimi i kohës më të përshtatshme për korrjen e saj është më e vështirë në krahasim me të lashtat e tjera. Kur farat e kallëzave të majës arrijnë pjekjen e dyllit, ato që ndodhen në kallëzat e degëzimeve të fundit janë akoma në fazën e pjekjes së qumështit. Po të bëhej korrja dhe vjelja e prodhimit në këtë kohë, ulet vlera ushqimore e prodhimit dhe cilësia e farës. Në rast se pritet deri sa farat e degëzimeve të poshtme të arrijnë pjekjen e plotë, atëherë do të ketë humbje të prodhimit, pasi farat e majës që janë edhe farat më të mëdha dhe me cilësi më të mirë, do të bien. Për të evituar firot që mund të ndodhin si rrjedhojë e vonesës së korrjes dhe për të pasur një prodhim të një cilësie të mirë dhe me ngjyrë uniforme të farës, korrja e tërshërës duhet të fillojë atëherë kur farat e kallëzave të majës ndodhen në fillim të pjekjes së plotë, ndërsa ato të degëzimeve të poshtme kanë hyrë në fazën e pjekjes së dyllit dhe kanë fituar pothuaj plotësisht ngjyrën karakteristike të kultivarit. Në këtë kohë kërcejtë dhe gjethet nuk janë tharë akoma plotësisht, madje mund të konstatohen edhe pjesë të cilat akoma nuk e kanë humbur plotësisht ngjyrën e gjelbër.

Korrja e tërshërës në zonat kodrinore e malore, ku nuk ka mundësi të futet mekanika, bëhet me krah. Në këtë rast korrja fillon pak kohë më parë se fillimi i korrjes me kombajnë. Në rastin kur korrja bëhet me dorë është mirë që ajo të kryhet herët në mëngjes, për të evituar firot, si dhe masa e korrur të mos lidhet menjëherë në duaj. Është e këshillueshme që pas korrjes ato të qëndrojnë disa orë të ekspozuara në diell, sa të thahen, pastaj të lidhen në duaj. Kur shirja vonohet masa e korrur duhet të vendoset kavaletë në mënyrë që masa e korrur të jetë sa më e mbrojtur nga kushtet e dizfavorshme atmosferike. Në këtë rast shirja e tërshërës bëhet stacionare me makina shirëse të të lashtave ose me kombajnë.

Pastrimi, tharja dhe magazinimi i prodhimit
Menjëherë pas shirjes prodhimi i nënshtrohet tharjes dhe pastrimit të saj. Tharja realizohet nëpërmjet hedhjes e ventilimit të farës. Për pastrimin e saj prodhimi kalon në mjete pastruese si triorë ose petkus. Kur fara ka arritur në lagështirë standarde 14%, ambalazhohet në thasë dhe magazinohet në vende të thata e të ajrosura. Prodhimi mund të magazinohet dhe ruhet edhe rifuxho, i pa ambalazhuar në thasë.

Data e publikimit: 01/02/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË BURXHAKUT

Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KUTIVIMIT TË KOÇKULLËS

Kërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË ELBIT

Kërkesat e elbit për klimën dhe tokën

Lexo më shumë

KULTIVIMI I PANXHARIT FORAGJER

Për një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:

Lexo më shumë