Rregullat e ngritjes dhe funksionimit të tregjeve të kafshëve të gjalla




Strukturat veterinare në njësitë e qeverisjes vendore duhet të përcaktojnë vendndodhjen dhe të administrojnë tregjet e kafshëve të gjalla. Mospërputhja e kushteve, kontrolli i gjësë së gjallë që tregëtohet, dhe moskontrolli i lëvizshmërisë së kafshëve rrezikon edhe sigurinë e konsumatorit. Mos-rrespektimi i njërës prej hallkave, siç janë: çertifikata që përmban historikun e vaksinimit, sëmundshmërinë e kafshës, lëvizjen e saj, nëse shitet diku tjetër, etj. e kthen në informal procesin e tregtimit të kafshëve. 

Ligji 10 465, datë 29/09.2011, “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, neni 54, pika b përcakton qartë përgjegjësinë e pushtetit vendor në organizimin e tregjeve të kafshëve të gjalla. 

Nga kontrollet e ushtruara në pjesën më të madhe të njësive vendore rezulton se tregtimi i kafshëve kryhet jashtë kushteve hidro-sanitare, në vende të papërshtatshme, dhe pa mbikqyrje, çka mund të dëmtojë proçesin e gjurmueshmërisë së kafshëve, duke qenë se kjo mënyrë tregtimi mund të lërë hapsira për abuzime. Kafshët që tregtohen mund të mos jenë të shoqëruara me çertifikatën mjekësore; po kështu mund të mungojë historiku i lëvizjes së kafshës nga njëri vend në tjetrin, çka mund të sjellë boshllëqe në sistemin e regjistrimit. 

Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 230, datë 20.03.2013 “për përcaktimin e funksioneve, detyrave specifike dhe standarteve të shërbimit veterinar të qeverisjes vendore” në pikën 3 të tij sqaron se si bëhet përcaktimi i vendndodhjes dhe administrimi i tregjeve të kafshëve të gjalla. “Njësitë e qeverisjes vendore përcaktojnë dhe bëjnë publike zonat e përshtatshme për ngritjen dhe funksionimin e tregjeve të kafshëve të gjalla në territorin që ata mbulojnë. 

Gjatë këtij përcaktimi duhet të ruhet distanca e përshtatshme e vendndodhjes së tregjeve nga qendrat e banuara në një largësi minimale prej 5 km nga vija e verdhë e këtyre qendrave, si dhe lidhja e përshtatshme e tyre me rrugët nacionale, me qëllim mënjanimin e pengesave në qarkullimin rrugor”. 

Njësitë e qeverisjes vendore, nëpërmjet strukturave të tyre veterinare, verifikojnë dhe mbikqyrin që këto tregje të plotësojnë kushtet e mëposhtme: 

  • të jenë nën kontrollin e përhershëm të një mjeku veterinar të strukturave veterinare të njësisë së qeverisjes vendore;
  • të jenë të pajisura me ambientet e përshtatshme për të garantuar kryerjen e rregullt të funksioneve të tij nga ana e mjekut veterinar të njësisë së qeverisjes vendore, i pranishëm në treg;
  • ambientet e tregut të pastrohen dhe të dezinfektohen periodikisht përpara funksionimit të tyre, sipas udhëzimeve të mjekut veterinar të njësisë së qeverisjes vendore të pranishëm;
  • ambientet e tregut të jenë të përshtatshme për kapacitetin e kafshëve që do të tregtohen;
  • tregu të jetë i pajisur me mjetet e nevojshme për ngarkimin, shkarkimin dhe mbajtjen e kafshëve brenda kushteve të mirëqenies, në lidhje me ushqimin, ujin, si dhe për çdo trajtim tjetër. Pajisjet dhe ambientet duhet të jenë të lehta për t’u pastruar dhe dezinfektuar;
  • ambientet të jenë të pajisura me mjete dhe hapsira të përshtatshme për kontrollin shëndetësor veterinar;
  • ambientet të kenë hapsira të përshtatshme izolimi për kafshët;
  • tregu të jetë i pajisur me mjete të përshtatshme për pastrimin dhe dezinfektimin e hapsirave për izolimin e kafshëve dhe të kamionëve;
  • tregu të ketë ambientet përkatëse dhe të përshtatshme për magazinimin e ushqimit, të mbeturinave dhe të plehut;
  • tregu të jetë i pajisur me një sistem të përshtatshëm për mbledhjen e ujërave të shkarkimit;
  • asnjë ambient i vendit të grumbullimit të mos përdoret për therje;
  • në treg të tregtohen vetëm kafshë që janë të shoqëruara me certifikatë veterinare;
  • të gjitha kafshët që tregtohen në treg të jenë të identifikuara të paktën në nivel ferme.

Po kështu udhëzimi përcakton se duhet të ketë një subjekt që administron tregun e kafshëve të gjalla, ndërkohë që një pjesë e mirë e tregjeve nuk funksionojnë në këtë mënyrë, çka rrit mundësinë për evazion fiskal (në rastet e shitjes së kafshës, prerja e një kuptoni tatimor) të ardhurat do të shkonin në arkën e shtetit. 

“Subjekti, i cili ka në administrim tregun e kafshëve të gjalla, dorëzon tek mjeku veterinar i njësisë së qeverisjes vendore, të pranishëm në treg, dokumentacionin e shoqërimit të kafshëve, numrat e identifikimit apo matrikujt e tyre”- thotë VKM.  

 

Mjeku veterinar, bazuar në dokumentet e dorëzuara sipas pikës 4 të kreut III të këtij vendimi, regjistron në regjistër apo në bazën elektronike të të dhënave, të miratuar nga autoriteti kompetent dhe e mban për një periudhë jo më të gjatë se 3 vjet, të paktën informacionin e mëposhtëm: 

 

  • emrin e pronarit, origjinën, datën e hyrjes dhe të daljes, numrin e identifikimit të kafshës, numrin e regjistrimit të fermës së origjinës, apo të tufës së origjinës; 
  • numrin e regjistrimit të transportuesit dhe numrin e licencës së mjetit të transportit të përdorur për kafshët. Kafshët që largohen nga tregu duhet të shoqërohen me një certifikatë lëvizjeje, të lëshuar nga mjeku veterinar i njësisë së qeverisjes vendore, i pranishëm në treg, sipas autorizimit të lëshuar për këtë rast nga autoriteti kompetent”.

Ky informacion është përgatitur në kuadrin e projetit “Digjitalizimi i sektorit të blegtorisë” me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës -  ILO dhe KASH. Informacioni u përgatit nga Prof. Assoc. Anila Kopali, PhD.

Data e publikimit: 22/12/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ABORTET NË TË IMTA

Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato

Lexo më shumë

CILËT JANË DISA SHKAKTARË TË TJERË TË ABORTEVE NË TË IMTA?

Ndër patogjenët (shkaktarët) kryesorë që bëhen shkak për një barrsmëri të pasuksesshme tek të imtat mund të përmendim:

Lexo më shumë

RËNDËSIA E BUJQËSISË URBANE DHE SIGURIMI I USHQIMIT PËR ZHVILLIMIN E QYTETEVE TË SHËNDETSHME DHE TË QËNDRUESHME

Fermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin

Lexo më shumë

RËNDËSIA E PLEHUT ORGANIK

Sa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?

Lexo më shumë