REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës
Tërfili aleksandrin i njohur edhe me emrin tërfili gushtak, është një bimë e rëndësishme foragjere njëvjeçare. Është futur në vendin tonë në vitin 1960 dhe vazhdon të jetë përbërës i rëndësishëm i strukturës foragjere për zonën e ngrohtë të vendit dhe dallohet për:
Ruajtja e tërfilit në strukturën e foragjereve njëvjeçare varet nga sigurimi dhe prodhimi i farës së tij. Tërfili ofron lehtësi dhe rendiment të lartë në prodhimin e farës.
Cilat janë kërkesat e tërfilit aleksandrin për klimën?
Tërfili aleksandrin është bimë e vendeve të ngrohta. Ka qëndresë të dobët ndaj temperaturave të ulëta dhe thatësirës së verës, pra kërkon klimë të nxehtë dhe dimër të butë.
Cilat janë kërkesat ndaj tokës e parabimës?
Shkon mirë në të gjitha tokat, megjithatë tokat shumë të rënda, tokat acide e veçanërisht tokat e pa kulluara dhe me ujëra nëntokësore të larta nuk janë të mira për tërfilin aleksandrin, sepse është bimë që vegjeton gjatë vjeshtës, dimrit e pranverës. Shkon edhe në toka lehtësisht të kripura. Parabimët më të mira janë të lashtat dhe bimët prashitëse. Pas vetes nuk duhet të mbillet të paktën për tre-katër vjet. Cilësohet si një parabimë shumë e mirë për të gjitha bimët bujqësore sepse e lë tokën të pastër nga barërat e këqija dhe e pasuron atë me azot e lëndë organike.
Cilat janë veçoritë e kultivimit të tërfilit aleksandrin për farë?
Në ndryshim nga kultivimi për njomishte, teknologjia e prodhimit të farës, ka disa veçori dhe kërkesa që nuk duhen nënvlerësuar dhe duhet të zbatohen me përpikmëri si: punimi dhe përgatitja e tokës për mbjellje, plehërimi bazë fosforik, mbjellja me parametrat e saj, afati i lënies për farë, numri i kositjeve para lënies për farë si dhe korrja e shirja e prodhimit.
Punimi dhe përgatitja e tokës: Rekomandohet punimi i thellë 26 – 30cm dhe mundësisht plugimi të realizohet deri tre javë para mbjelljes. Përgatitja e tokës për mbjellje bëhet me diskime ose frezime, duke i kushtuar kujdes sistemimit sipërfaqësor. Synohet në përgatitjen e një shtrati mbjellje sa më të mirë dhe të shkrifët sepse fara e tërfilit është shumë e vogël (e imët).
Plehërimi bazë fosforik: Është faktori më i rëndësishëm i prodhimit të farës. Për të realizuar rendiment të lartë duhet të përdoren rreth 150 kg P2O5/ha (7—8 kv/ha superfosfat) i cili shpërndahet para plugimit dhe përgatitjes së tokës për mbjellje. Në mbjelljet e vjeshtës rekomandojmë që superfosfati të shpërndahet në dy shtresa. Për këtë qëllim, para plugimit përdoret 2/3 e sasisë së superfosfatit të planifikuar dhe 1/3 e sasisë në përgatitjen e tokës, para diskimit apo frezimit, ose në bashkëshoqërim me farën gjatë mbjelljes.
Mbjellja: Fara për mbjellje duhet të jetë cilësore, me aftësi mbirëse mbi 80% dhe e pastër nga barërat e këqija dhe kuskuta.
VËMENDJE! BLINI FARË TË ÇERTIFIKUAR. KJO GARANTON CILËSINË E SAJ DHE PASTËRTINË NGA KUSKUTA.
Cilat janë afatet e mbjelljes së tërfilit aleksandrin kur ai kultivohet për prodhimin e farës?
Tërfili aleksandrin duke qenë bimë njëvjeçare lulëzon brenda vitit. Pra përveç mbjelljes së tij në vjeshtë ai mund të mbillet edhe herët në pranverë. Kjo veçori biologjike mund të shfrytëzohet për të prodhuar farë si nga mbjelljet e vjeshtës, ashtu edhe të pranverës. Afati më i mirë për mbjelljet e vjeshtës është periudha 15 – 30 tetor. Mbjelljet e pranverës rekomandohet të bëhen brenda periudhës 10-20 shkurt.
Mbjellja e pranverës merr përparësi në vite të veçanta kur dështojnë mbjelljet e vjeshtës. Rendimenti i farës i realizuar në mbjelljet e 15 shkurtit nuk qëndron shumë më poshtë se rendimenti i farës së realizuar në mbjelljet vjeshtës (25 tetor).
Sa duhet të jetë norma e farës në mbjellje dhe cila është distanca mes rreshtave?
Mbjellja bëhet me makinat e të lashtave në distanca mes rreshtash 30cm. Norma e farës është 30 – 35 kg/ha. Norma më e lartë e farës përdoret kur kushtet e mbjelljes dhe lagështia e tokës nuk janë në parametra shumë të mirë dhe afate mbjellje të vona. Thellësia e mbjelljes është 1 – 2cm.
Kujdes! Asnjëherë nuk duhet të tejkalohet kjo thellësi mbjelljeje, sepse fara e tërfilit është shumë e imët dhe si e tillë, në mbjellje të thella kemi dështim të mbirjeve. Si rregull, menjëherë pas mbjelljes bëhet rulimi, i cili ndihmon për lidhjen më të mirë të farës me tokën duke siguruar mbirje të shpejtë dhe uniforme.
Afati i lënies (kositjes) për farë: është momenti më i rëndësishëm sepse optimizon treguesit kryesor të prodhimit si:
Rendimentet më të larta të farës realizohen, kur për çdo m² sigurohen 262-340 kërcej prodhues. Këto tregues realizohen kur tërfili lihet për farë gjatë periudhës 20-25 maj. Kositja brenda kësaj periudhe dhe lënia për farë realizon rendimentin më të lartë dhe farë me cilësi të lartë. Lartësia e kositjes nuk duhet të jetë më e ulët se 5 – 8cm nga toka.
Sa duhet të jetë numri i kositjeve para lënies për farë?
Numri i kositjeve para lënies për farë varet nga afati i mbjelljes dhe kushtet klimatike gjatë rritjes e zhvillimit.
Kujdes! Edhe në rastin e dy kositjeve, në kosën e dytë mos tejkaloni afatin 20 – 25 maj. Në rastet kur mbjellja e tërfilit për farë, për arsye të ndryshme bëhet herët në pranverë, realizohet vetëm një kositje brenda 20 – 25 majit.
Vëmendje! Në kositjen e lënies për farë (20 – 25 maj), lartësia e kositjes nga toka duhet të jetë 5–8 cm. Kjo masë duhet të respektohet detyrimisht, sepse prerjet e ulëta dëmtojnë lastarët e dalë në bazë (qafën e rrënjës), të cilët shërbejnë për rigjenerimin e bimës dhe dhënien e lastarëve të farës.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini si të luftoni kuskutën në parcelat e farës së tërfilit aleksandrin.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Cilat janë kërkesat e burxhakut për klimën (temperaturë dhe lagështirë)?
Lexo më shumëKërkesat e koçkullës për klimën dhe tokën
Lexo më shumëKërkesat e elbit për klimën dhe tokën
Lexo më shumëPër një kultivim të suksesshëm të panxharit foragjer ju rekomandojmë të mbani parasysh:
Lexo më shumë