NDIKIMET E NDËRSJELLTA NDËRMJET NGROHJES GLOBALE DHE BLEGTORISË




Me një popullsi globale gjithnjë në rritje, e cila pritet të arrijë nivelet e mbi 9 miliard banorëve në vitin 2050, kërkesat për plotësimin e nevojave për ushqim janë gjithashtu në rritje. Kjo rritje e vazhdueshme e popullsisë kërkon dyfishim të prodhimit të qumështit dhe mishit në nivel global, e ku padyshim një rol të veçantë luani edhe ju si prodhues, sado qoftë madhësia e fermës suaj. Por, në këto kushte të rritjes së vazhdueshme të kërkesës, prodhimi blegtoral përballet me ndikimet negative që shkaktojnë ndryshimet klimatike, shoqëruar edhe me konkurencën për tokën bujqësore dhe burimet ujore. 

Por, cilat janë ndikimet e ndyshimeve klimatike, e veçanërisht ngrohjes globale mbi blegtorinë dhe cili është ndikimi i blegtorisë mbi këto ndryshime? Ngrohja globale së pari shkaktohet nga efekti serë që rezulton në ngrohje të atmosferës. A e dini se blegtoria kontribuon jo pak, por me rreth 14.5% në efektin serë përmes gazrave që çlirohen nga kafshët dhe aktiviteti në shërbim të blegtorisë? Efektet e ngrohjes globale ndikojnë gjithashtu në degradimin e tokës, ndotjen e ajrit dhe të ujit si dhe në uljen e biodiversitetit.

Vlen të theksohet se ndryshimet klimatike në përgjithësi, e ngrohja globale në veçanti, ndikojnë në prodhimin blegtoral, pasi këto ndryshime përbëjnë faktorin kryesor për rritjen e konkurrencës për burime natyrore, konkurrencës për sasinë dhe cilësinë e ushqimeve blegtorale, për rezistencë ndaj sëmundjeve, për përballimin e stresit nga vapa si dhe humbjeve në biodiversitet. Ndaj, përpara jush shtrohet detyra e ruajtjes së balancës ndërmjet prodhimtarisë, sigurimit të ushqimit, për blegtorinë dhe ruajtjes së mjedisit. Kjo, pasi ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale kanë një ndikim të theksuar mbi blegtorinë dhe nga ana tjetër ju me praktikat e mbarështimit, llojin e kafshëve që mbarështoni, madhësinë e tufës, dhe elementë të tjerë të menaxhimit në fermë, ndikoni ndjeshëm mbi ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale.  

NDIKIMI I NDRYSHIMEVE KLIMATIKE MBI BLEGTORINË
Brenda këtij shekulli ngrohja globale pritet që të ketë një efekt të rritjes së temperaturës që mund të arrijë nga 0.3°C në 4.8°C. Por cili është ndikimi i këtij ndryshimi mbi blegtorinë? Ngrohja globale së pari ndikon në prodhimin dhe në cilësinë e ushqimeve blegtorale, në rezervat ujore, në dinamikën e rritjes së kafshëve, në prodhimin e qumështit, në përhapjen e sëmundjeve, në riprodhimin e kafshëve, si dhe mbi biodiversitetin

Ndaj, si menaxhues të fermave blegtorale, me qëllim zbutjen e ndikimit në mjedis, dhe ruajtjen e burimeve natyrore ju duhet të mbani parasysh:

Mirëpërdorimin e ujit
Bujqësia është konsumatori më i madh i burimeve ujore në mbarë botën. Veçanërisht, aktiviteti blegtoral është konsumuesi i burimeve ujore në një shkallë të gjerë, pasi uji shërben si për përdorim nga kafshët, për përdorim në vaditjen e kulturave foragjere, sikurse edhe për përpunimin e produkteve blegtorale. Mbani parasysh se rritja e mëtejshme e temperaturave nxit ndjeshëm edhe rritjen e konsumit të ujit, që në 50 vitet e ardhshme parashikohet të arrijë në dyfishin e sasive aktuale. Kjo kërkesë gjithnjë në rritje për burime ujore shtron përpara jush nevojën për njohje dhe zbatim të teknologjive për prodhimin e kulturave foragjere dhe mbarështimin e blegtorisë, bazuar mbi sisteme që kërkojnë më pak ujë, ose kultivimin dhe mbarështimin në zona me rezerva të mjaftueshme të ujit.

Siç dihet tashmë, ngrohja globale po sjell gjithnjë e më shumë rritje të nivelit të ujit të detit, e për pasojë rritje të përqëndrimit të kripërave në ujëra, veçanërisht në zonat bregdetare. Në kushtet e një bujqësie intensive po rritet gjithnjë e më shumë edhe niveli i ndotësve kimikë dhe biologjikë, si dhe përqëndrimi i metaleve të rënda që ndodhen në burimet ujore. Si pasojë këto ndryshime sjellin ndikimin e tyre edhe mbi prodhimin blegtoral. Ndaj, është e rëndësishme të merrni në konsideratë praninë e ujit, si dhe të ndiqni strategjitë e duhura për përballimin e situatave të thatësirave, me qëllim që të mundësoni një prodhim të qëndrueshëm blegtoral. Në këto kushte ju rekomandojmë t'i kushtoni vëmendje analizimit të ujit që përdoret në fermën tuaj! Kjo, pasi kripëzimi i ujërave ndër të tjera, ndikon në metabolizmin e kafshëve, fertilitetin e tyre si dhe në tretshmërinë e ushqimeve. Nga ana tjetër duhet ti kushtoni kujdes të veçantë mbrojtjes së ujërave nga ndotësit kimikë dhe metalet e rënda, pasi ato kanë ndikim në sistemin kardiovaskular, sistemet e ekskrecioneve (jashtëqitje, urinim), sistemin skeletor, atë nervor dhe të frymëmarrjes, duke dëmtuar njëkohësisht edhe higjenën e prodhimit

Parandalimin dhe trajtimin në kohë të sëmundjeve
Shëndeti i kafshëve mund të ndikohet direkt ose indirekt nga ndryshimet klimatike, veçanërisht nga ngritja e temperaturës. Temperaturat e larta ndikojnë në plogështinë e kafshëve, e deri në ngordhjen e tyre, në shtimin e aktivitetit të parazitëve, përhapjen e sëmundjeve etj. Ndryshimet klimatike siç shihet gjithnjë e më shumë, kanë ndikime në përhapjen e sëmundjeve sikurse dhe shfaqjen e sëmundjeve të reja që mund të kenë një ndikim të madh mbi kafshët e paekspozuara më parë ndaj këtyre sëmundjeve. Njihet tashmë, që ngrohja globale dhe ndryshimet në rregjimet e rënies së reshjeve, kanë ndikim mbi sasinë dhe përhapjen e insekteve, mushkonjave, rriqnave etj. Në këto kushte masat kritike që mund të ndërmerrni përfshijnë parandalimin e sëmundjeve, izolimin e kafshëve të prekura, trajtimin në kohë dhe me protokollet e duhura të sëmundjeve, sigurimin e higjenës në të gjithë hallkat e menaxhimit, sikurse dhe ajrosjen e ventilimin e stallave. Bëni kujdes! Protokollet e trajtimit të kafshëve duhet të konsultohen gjerësisht me veterinerin e fermës dhe të jenë subjekt ndryshimesh e adoptimesh, në varësi të rezistencës që krijohet ndaj trajtimeve, ku një rol esencial luajnë ndryshimet klimatike. 

Përballimin e stresit nga vapa
Kafshët kanë të gjitha një kufi tolerance ndaj temperaturave të ulta dhe të larta, kufi brenda të cilit kafshët kryejnë funksionet e tyre fiziologjike, prodhuese e riprodhuese. Në kushtet e stresit që shkaktohet nga vapa, kafshët ulin sasinë e marrjes së ushqimeve, ulin aftësinë e konvertimit të foragjereve në prodhim, rrisin sasinë e pirjes së ujit, ndryshojnë parametrat e frymëmarrjes, ulin efiçencën e prodhimit dhe atë të riprodhimit, si dhe performancën në përgjithësi. Kushte të tilla shkaktojnë stres i cili ndikon mbi sjelljen e kafshëve e deri në ngordhjen e tyre.

Pikërisht shkalla e stresit nga vapa varet nga temperatura, lagështia, specia e kafshëve, potenciali gjenetik, faza e jetës, si dhe mënyra e të ushqyerit. Kështu, kafshët në zonat malore e kanë më të vështirë të adoptohen ndaj temperaturave të larta, krahasuar me ato të mbarështruara në zonat e ulta. Gjithashtu kafshët e mbarështuara në stalla të mbyllura e pa ventilime, e kanë më të vështirë përballimin e këtyre temperaturave, krahasuar me ato të mbarështuara nën sisteme kontrolli të adoptueshme ndaj ndryshimeve klimatike dhe që janë më pak të ndikuara nga këto ndryshime. Në këto kushte, për menaxhimin e stresit nga vapa, ju rekomandojmë të siguroni hapësirat e duhura në stalla, ventilim të tyre, ujë të bollshëm e të freskët, hijëzim të mjediseve jashtë stalle (padok), si dhe ofrimin e dehidratuesve.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Ndikimin e Blegtorisë mbi Ndryshimet Klimatike

Data e publikimit: 13/12/2022


Lini një koment


Komente të mëparshme
Po

-gjin


Shpërndaj në rrjetet sociale:

ABORTET NË TË IMTA

Abortet, apo ndërprerja e parakohëshme e barrsmërisë tek të imtat përbën një shqetësim të konsiderueshëm, pasi ato shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike në fermat që i mbarështojnë ato

Lexo më shumë

CILËT JANË DISA SHKAKTARË TË TJERË TË ABORTEVE NË TË IMTA?

Ndër patogjenët (shkaktarët) kryesorë që bëhen shkak për një barrsmëri të pasuksesshme tek të imtat mund të përmendim:

Lexo më shumë

RËNDËSIA E BUJQËSISË URBANE DHE SIGURIMI I USHQIMIT PËR ZHVILLIMIN E QYTETEVE TË SHËNDETSHME DHE TË QËNDRUESHME

Fermat urbane nxisin sipërmarrësit dhe sigurojnë një mundësi për inovacionin

Lexo më shumë

RËNDËSIA E PLEHUT ORGANIK

Sa i rëndësishëm është plehu organik në aktivitetin bujqësor dhe më gjërë?

Lexo më shumë