Për të adresuar siç duhet kërkesat mbi Mirëqenien e Kafshëve bazuar në Legjislacionin Shqiptar dhe atë të Bashkimit Europian, ju rekomandojmë ti referoheni artikullit “Mbrojtja e Bimëve dhe Kafshëve të Fermës”.
Ju si pronar dhe menaxhues i tufës duhet së pari të tregoni kujdes për kafshët, duke i mbikqyrur ato në mënyrë të vazhdueshme dhe duke mos i braktisur ato.
- Kontrolloni gjendjen shëndetësore të kafshëve të paktën një herë në ditë;
- Siguroni një trajtim parandalues të sëmundjeve në mënyrë të rregullt;
- Mbani kontakte të rregullta me mjekun veterinar dhe siguroni ndërhyrjen e menjëhershme në rast sëmundje apo dëmtimesh;
- Mbani një regjistër të rregullt të trajtimeve mjeksore të kafshëve për të paktën 3 vjet në fermë;
- Sigurojini secilës kafshë vendin, kushtet dhe një mikroklimë të përshtatshme, në përputhje me nevojat e tyre; një hapsirë të nevojshme shtrirje dhe që garanton lirinë e lëvizjes;
- Stallat apo vend strehimet e tjera duhet të jenë të pastra, të dezinfektueshme lehtësisht, të ajrosura dhe me temperaturë të përshtatshme;
- Siguroni ushqim dhe ujë në sasi të mjaftueshme dhe qasje të lirë në vendet ku kafsha ushqehet dhe pi ujë;
- Siguroni pajisje të përshtatshme për ushqim dhe pirje uji, të vendosura në mënyrë të tillë që shmangin kontaminimin e tyre, dëmtimet dhe streset e kafshëve si dhe ulin në minimum konkurrencën ndërmjet kafshëve;
- Siguroni ekspozimin e kafshëve kundrejt ndriçimit natyror, duke shmangur qëndrimin në errësirë të përhershme ose për një kohë të gjatë në ndriçim artificial;
- Merrni të gjitha masat parandaluese ndaj luftimeve ndërmjet kafshëve;
Therja e kafshëve; një moment që duhet të tërheqë vëmendjen tuaj.
Për ju që jeni pjesë e këtij zinxhiri, mbani parasysh se therja e kafshëve si dhe eliminimi i tyre është një moment që duhet vlerësuar dhe realizuar në përputhje me kërkesat për mirëqenien e kafshëve. Ndaj, mbani parasysh se:
- Therja e kafshëve bujqësore (gjedhë, të imta, derra, lepuj, shpendë) lejohet (i) kur ato mbarështohen për prodhimin e mishit ose lëndëve të papërpunuara; (ii) kur shërimi i tyre është i pashpresë ose jo ekonomik; (iii) në rastet e çrrënjosjes së sëmundjeve ngjitëse; (iv) në rastet e çrrënjosjes së sëmundjeve infektive; (v) në rastet e kontrollit të infeksioneve zoonotike (të transmetueshme tek njerëzit) kur paraqesin rrezik për jetën e njeriut; (vi) kur njerëzit sulmohen nga një kafshë e tërbuar, tepër agresive, e egër dhe në kushtet e vetëmbrojtjes.
- Therja e kafshëve duhet të bëhet në mënyrën më të shpejtë, pas trullosjes, dhe duhet të sigurojë humbjen e plotë të ndjenjave e të ndjeshmërisë gjatë të gjithë kohës së ç’gjakësimit, duke mos shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të panevojshme;
- Ndalohet heqja e gjymtyrëve dhe trajtimi i karkasës derisa kafsha të jetë ç’gjakësuar plotësisht.
Transporti i kafshëve, një procedurë që duhet zhvilluar në përputhje me mirëqenien e tyre.
Gjatë transportit të kafshëve mbani parasysh se mirëqenia e tyre duhet të sigurohet përmes ndjekjes së procedurave dhe përdorimit të mjeteve që sigurojnë mirëqenien e tyre. Ndaj, transporti i tyre:
- duhet bërë në kushte ku garantohen shëndeti, mirëqenia, dhe nevojat e tyre fiziologjike dhe të sjelljes;
- duhet bërë në kushtet dhe me mjetet ku shmangen dëmtimi apo vuajtjet e panevojshme;
- duhet bërë me anë të mjeteve të transportit të pajisura posaçërisht për transportin e tyre dhe të miratuara nga autoriteti kompetent qoftë për largësi të gjata apo të shkurtra;
- kryhet nga transportues të pajisur me licencë transporti dhe të trajnuar për këtë lloj transporti;
- bëhet nga transportues që janë të detyruar të mbajnë gjatë transportimit dokumentacionin shoqërues për transportin e kafshëve.
Bëni kujdes! Gjatë transportit në largësi të mëdha, kafshëve u sigurohet pushim, ujë dhe ushqim në cilësinë dhe sasinë e duhur sipas llojit dhe madhësisë së tyre.