Për të evidentuar praninë e dëmtuesit në agrumishte, si dhe për të ndjekur dinamikën e populllatës, elementi më i rëndësishëm i përcaktimit të kohës së ndërhyrjes dhe i vendosjes së grackave për implementimin e metodës së kapjes masive është vendosja e ferromoneve seksuale femërore Trimedlure [t-Butyl 4 chloro - 2 methyl-cyclohexane - 1 carboxylate].
Ky ferromon është një tërheqës i fuqishëm për të evidentuar fluturimet e para të Mizës mesdhetare të frutave dhe garanton një program të suksesshëm monitorimi.
Nëpërmjet monitorimit me ferromone bëhet e mundur:
Evidentimi sezonal i ndryshimit të dinamikës së popullatës së dëmtuesit C. capitata.
Përcaktimi i saktë i kohës së ndërhyrjes (kimike ose me mjete alternative të kontrollit).
Vlerësimi i efektivitetit të masave të adaptuara të kontrollit.
Përcaktimi i species dëmtuese specifike.
Njoftimi i kultivuesve mbi infeksionin nga dëmtuesi, përpara se ato të shëndrrohen në një problematike serioze.
Kurthet e përshtatshme për monitorimin e dëmtuesit:
Kurthet Delta, Jackson dhe Diamond janë të përshtatshëm për t’u përdorur në zona të pastra nga pluhurat, rëra dhe ku popullata e dëmtuesit kryen lëvizje të menjëherëshme dhe të shpejta.
Kurthet Mothercather dhe Funnel, janë të përshtatshëm për t’u përdorur në zona me ngarkesë pluhurash dhe rëre.
Kurthet Mcphail dhe Flycatcher, janë të përshtatshëm për t’u përdorur për mizat e frutave dhe mizat e tjera.
Kurthi Wing Trap e mbuluar me fletë plastike.
Kurthi i modifikuar në formë gypi VARs +.
Në pjesën e poshtme të kurthit Wing Trap ndodhet një tabak ngjitës në të cilin vendoset tërheqësi dhe njëkohësisht kryhet kapja e insekteve.
Kurthi i modifikuar në formë gypi VARs +. Përbëhet nga dy kontenierë (i sipërmi dhe i poshtmi), të cilët lidhen me njëri – tjetrin nga një gyp. Në secilin kontenier ndodhet fleta ngjitëse në formë cilindrike dhe joshësi.
Vendosja e kurtheve: Kurthet tërheqëse për monitorim varen në degë, pothuajse në pikën më të lartë të kurorës së pemës.
Dendësia e kurtheve: Dy kurthe për hektarë në fusha me topografi të parregullt dhe një kurth për dy hektarë në fusha të mëdha me topografi të rregullt.
Koha e vendosjes së kurtheve : Zakonisht fillimi i kurthimit është fillimi i majit.
Manovrimi me joshësit: Joshësit ferromone janë mjete shumë të ndjeshme. Ato mund të shkatërrohen nga nxehtësia e lartë dhe ekspozimi në rrezatim direkt. Kapja direkt me dorë mund të shkaktojë kontaminim, i cili çon në humbje e vlefshmërisë së selektivitetit në kapje.
Ruajtja e joshësit: Joshësit ruhen në vende të thata dhe të freskëta. Jetëgjatësia e joshësit shkon nga 3 - 36 muaj, në varësi të temperaturës së ruajtjes.
Kapja e individëve: Përbërësi aktiv i joshësit tërheq vetëm mashkullin e mizës mesdhetare të frutave. Jetëgjatësia e kurthit në kushtet e fushës: në varësi të ngrohtësisë së motit shkon të paktën 4 - 6 javë. Pas kësaj periudhe sugjerohet zëvendësimi i joshësit me një të freskët. Kurthi i modifikuar në formë gypi VARs + është provuar se është më i miri në mesin e llojeve të kurtheve të testuar. Ky lloj kurthi mund të përdoret si për zbulimin, edhe për monitorimin e ndryshimeve sasiore të popullatës.
Rregjistrimi i të dhënave: Është e nevojshme që kurthet për monitorim të kontrollohen një herë në javë duke filluar nga fillimi i fluturimit deri në përfundim të ciklit të zhvillimit. Vendimet për kryerjen e trajtimeve nuk duhen marrë bazuar vetëm mbi të dhënat e përftuara nga kurthet e monitorimit, por duhen marrë në konsideratë edhe kushtet klimatike dhe biologjike.
Klikoni këtunëse dëshironi të dini më shumë mbi teknika e kapjes masive të mizës mesdhetare