SMR 4. Siguria ushqimore
Garantoni që prodhimi i ushqimit për konsum nga njerëzit dhe prodhimi i ushqimit me të cilat ushqehen kafshët për prodhim ushqimor të jetë i sigurt
Ushqimi i pasigurt është ai ushqim që është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve ose i papërshtatshëm për konsum nga njerëzit. Ushqimi i pasigurt i kafshëve është ai ushqim që konsiderohet se ka ndikim negativ në shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve, i cili e bën ushqimin që vjen nga kafshët për prodhim ushqimor të pasigurt për konsum nga njerëzit.
Kërkesa të përgjithshme (legjislacioni shqiptar dhe i BE-së):
Fermeri nuk duhet:
- të shesë ushqim për njerëzit ose ushqim për kafshët të papërshtatshëm apo të pasigurt;
- t’i ushqejë kafshët me ushqime të pasigurta.
Fermeri duhet të:
- mos përdorë dhe të shkatërrojë ushqimin për njerëzit ose ushqimin e kafshëve nëse ai nuk është i sigurt;
- informojë institucionet e autorizuara dhe konsumatorët për arsyen e tërheqjes;
- informojë autoritetin kompetent nëse ka ushqime që përmbajnë produkte mjekësore veterinare ose aditivë ushqimorë të veçantë në nivele më të larta sesa janë përcaktuar apo autorizuar;
- mbrojë produktet parësore nga kontaminimi nga ajri, toka, uji, ushqimi për kafshët, plehrat kimike, barnat veterinare, produktet për mbrojtjen e bimëve, grumbullimi i mbetjeve, si dhe të kryejë vlerësime për shëndetin.
Gjurmueshmëria (legjislacioni shqiptar dhe i BE-së):
Fermerët duhet të mbajnë të dhëna për llojin dhe origjinën:
- e ushqimit për kafshët;
- e barnave veterinare për trajtimin e kafshëve;
- e rezultateve të analizave të kafshëve apo produkteve të tyre;
- e sëmundjeve të kafshëve në fermë;
- e kampionëve nga të cilat janë nxjerrë rezultatet për produktet parësore ose për produkte të tjera për qëllime diagnostike;
- e sasitë e secilit produkt parësor që përdoret në mjediset e biznesit;
- destinacionin dhe sasitë e ushqimeve që nxirren nga mjediset e biznesit (dërgesat, llojet, sasitë dhe përbërjen e përzierjes ushqimore, llojin dhe sasinë e ushqimit ose foragjereve);
- raportet e inspektimeve të kryera për kafshët.
Ruajtja dhe përdorimi i ushqimit për kafshët
- Ruani dhe administroni ushqimin në vend të sigurt;
- mbetjet dhe substancat e rrezikshme ruajini veçmas nga ushqimet, për të parandaluar kontaminimin dhe gabimet në shpërndarje;
- mbajini zonat e ruajtjes dhe kontejnerët të pastër dhe të thatë, si dhe zbatoni masat e duhura për kontrollin e pesticideve, kur është e nevojshme;
- ruajini si duhet farat e trajtuara që të mos arrihen nga kafshët;
- përdorini si duhet aditivët ushqimorë, produktet mjekësore veterinare dhe biocidet, siç sugjerohet në etiketë ose siç lëshohen me recetë nga veterineri;
- sigurohuni që sistemi i shpërndarjes së ushqimit në fermë të garantojë se ushqimi i duhur dërgohet në destinacionin e duhur;
- gjatë shpërndarjes dhe ushqyerjes, sigurohuni që të mos kontaminohet ushqimi nga zonat e ruajtjes dhe pajisjet e kontaminuara;
- pastroni rregullisht mjetet e transportit të ushqimit në fermë dhe pajisjet e ushqyerjes kur ato përdoren për dorëzimin dhe shpërndarjen e farave mjekësore.
Fermerët shqiptarë duhet të kenë dijeni për (legjislacioni shqiptar):
- ruajtjen e dokumenteve dhe etiketave që përdoren për 2 vite rresht dhe ofrimin e tyre pranë AKU-së dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me kërkesën e tyre;
- mbajtjen e dokumentacionit për zbatimin e vetëkontrollit.
SMR 5. Ndalimi i përdorimit te kafshët bujqësore i disa substancave që kanë veprime hormonale ose tireostatike, dhe të beta-agonistëve
Ndalohet përdorimi i substancave me ndikime hormonale ose tireostatike dhe e beta-agonistëve te kafshët bujqësore, përveç rasteve të veçanta kur ato përdoren për qëllime terapautike dhe/ose zooteknike. Qëllimi është ndalimi i përdorimit të paligjshëm te kafshët bujqësore të substancave që kanë veprime hormonale ose tireostatike, dhe të beta-agonistëve, si dhe të parandalojë kalimin e mbetjeve që lënë këto substanca në mish dhe në produkte të tjera ushqimore në zinxhirin ushqimor të njerëzve dhe kafshëve.
Nëse keni përdorur substanca të kufizuara në përputhje me përjashtimet e lejuara, ka disa rregulla që duhen ndjekur.
Substancat e kufizuara përfshijnë (legjislacioni i BE-së):
- substancat tireostatike;
- stilbenet dhe derivatet stilbene, kripërat dhe esteret e tyre;
- estradiolin 17ß dhe derivatet e tij të esterit, si dhe substancat që kanë efekt estrogjenik, androgjenik dhe gestagjenik;
- beta-agonistët.
Mbetjet e hormoneve në ushqim mund të shkaktojnë:
- fillimin e hershëm të pubertetit;
- shtimin e gjasave për lindje të binjakëve dhe probleme të shëndetit riprodhues;
- kancer të gjirit dhe të qafës së mitrës;
- probleme në zhvillimin e fëmijëve.
Fermerët duhet të jenë të vetëdijshëm për:
(legjislacioni i BE-së dhe në përputhshmëri të pjesshme me legjislacionin shqiptar):
- substanca tireostatike;
- hormone për rritje si stilbene, derivate stilbene, kripërat dhe esteret e tyre;
- estradiol 17ß dhe derivatet e tij të esterit;
- substanca që kanë efekt estrogjenik, androgjenik ose gestagjenik, dhe beta-agonistë;
- fermeri nuk duhet të mbajë në fermë (ose akuakulturë) kafshë që trajtohen me substancat e sipërpërmendura. Nëse kafshët janë në trajtim, ato duhen mbajtur në kontroll zyrtar;
- fermeri nuk duhet nxjerrë në treg kafshë të fermës ose të akuakulturës, dhe produkte të tyre për konsum nga njerëzit, nëse këto kafshë trajtohen me substancat e sipërpërmendura;
- vetëm veterineri përdor (vetëm për qëllime terapeutike) testosteron, progesteron dhe derivatet e tyre, alil-trenbolon dhe beta-agonistë në kafshët e fermws;
- fermeri nuk duhet të mbajë produkte mjekësore veterinare në fermë;
- kuajt e trajtuar me alil-trenbolon ose beta-agonistë si kuaj me vlera të mëdha, në veçanti kuajt e garave, kuajt për konkurse, kuajt për ndërzim, mund të nxirren në treg para përfundimit të periudhës së trajtimit, duke pasur parasysh përmbushjen e kushteve që drejtojnë administrimin dhe shënimin e llojit dhe datës së trajtimit në certifikatën apo pasaportën që i shoqëron këto kafshë;
- mishi dhe produktet e kafshëve që janë trajtuar me efekt estrogjenik, androgjenik ose gestagjenik, apo me beta-agonistë mund të dalin në treg pas përfundimit të periudhës së trajtimit, sipas udhëzimeve të organit të autorizuar zyrtar.
Fermerët shqiptarë duhet të kenë dijeni (legjislacionin shqiptar):
- Ushqimet me origjinë shtazore janë të prodhuara nga kafshët e ushqyera, ose tek të cilat është zbuluar prania e ndotësve dhe mbetjeve të PMV-ve mbi kufijtë maksimalë të përcaktuar.
- Lejohet përdorimi i PMV-ve hormonale, beta-agonistëve dhe agonistëve, të miratuara nga Komisioni Europian, vetëm për qëllime terapeutike, zooteknike dhe për kërkime shkencore, nën kontrollin e mjekut veterinar.
Ky material ështe shkëputur nga manuali “KËRKESAT E DETYRUESHME STANDARDET DHE PRAKTIKAT E MIRA NË PRODHIMIN BUJQËSOR” publikuar nga Projekti “Përmirësimi i performancës dhe cilësisë së shërbimit ekstensiv publik në sektorin blegtoral” - EuropeAid/136437/IH/SER/AL dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Në 5-6 vitet e fundit Shqipëria ka filluar të rrisë eksportin e lakrës pranverore në vendet e Evropës.
Lexo më shumëVitet e fundit Shqipëria është bërë vënd faktor në eksportin e perimeve ne Evropë.
Lexo më shumëProdhimi dhe tregtimi i mollëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE)
Lexo më shumëPërfitimet nga mjalti dhe vlerat e tij ushqyese
Lexo më shumë