Teknologjia e kultivimit të mollës




Përse ka përhapje kaq të gjerë molla?
Frutat e mollës zënë vendin kryesor në strukturën e konsumit të frutave  sepse:

  • Janë të pasura me lëndë sheqerore, acide organike, lëndë azotike, lëndë minerale si dhe me vitamina. 
  • Numri i madh i varieteteve si dhe aftësia për tu ruajtur për një kohë të gjatë bën të mundur përdorimin në pjesën më të madhe të vitit.
  • Frutat gjejnë përdorim të gjerë edhe në industrinë përpunuese (reçelra, marinada, lëngje, prevede), fruta të thatë dhe pije alkoolike.

KËRKESAT PËR KLIMËN DHE TOKËN
Cilat janë kërkesat për klimën dhe tokën?
Molla është përshtatur për vendet me klimë të freskët. Temperaturat mbi 30o C e stresojnë bimën e mollës dhe ajo fillon të vuaj.
Temperaturat minimale të dimrit që  ajo duron, janë:

  • deri në -20°C, mund të dëmtohen pothuajse të gjithë sythet;
  • deri në -9°C mund të dëmtohen ato sythet që sapo kanë filluar fyerjen. Zakonisht këto sythe janë ato që japin lulet (sythat frutore);
  • deri në -5° C mund të dëmtohen ato sythet që janë fryre plotësisht (kanë formuar plotësisht formën e tyre të rrumbullakët);
  • deri në -2,8°C dëmtohen gonxhet e luleve të sapoformuara;
  • deri në -2,2°C dëmtohen gonxhet e luleve në prag të çeljes. Në këtë fazë ato sapo kanë filluar marrjen e ngjyrës rozë në të kuqe;
  • deri në -1.8°C dëmtohen lulet e çelura si dhe ato sapo kanë filluar rënien e petaleve.

Kërkesat për tokën
Molla nuk pëlqen toka të ngjeshura, argjilore të rënda dhe të papërshkueshme nga uji. Kjo bimë e jep potencialin e saj prodhues vetëm në toka të thella, të ajrosura dhe të kulluara mirë (të drenazhuara). Në lidhje me përmbajtjen e kalciumit në tokë, molla duron deri në 12-15%, por edhe në këto raste toka duhet të jetë e drenazhuar mirë.
Fazat kryesore të zhvillimit të mollës:

  • Qetësia dimërore
  • Fryrja e sythit
  • Faza e zbardhjes së sythave
  • Skuqja e gonxheve lulore
  • Fillimi i çeljes së lules
  • Lulëzimi Rënia e petaleve
  • Lidhja e frutave
  • Fillimi i rritjes së frutave
  • Rritja intensive e frutave
  • Fillimi i pjekjes

Për secilën fazë bima ka kërkesa të veçanta për sa i përket kushteve klimatike si dhe specifika në nivelin e kryerjes së shërbimeve agroteknike. 

Varietetet kryesore që kultivohen në vendin tonë
Në botë numërohen rreth 10000 kultivarë molle, por  shumë pak prej tyre kultivohen në vendin tonë. Sipas kohës së pjekjes së frutave mollët ndahen në 3 grupe:

Kultivarë verore, që piqen nga muaji Korrik deri në Shtator: Astrakan të bardhë dhe të kuq, Red xhun, Rubra, etj.
Kultivarë vjeshtore, që piqen nga muaji shtator deri në tetor: Grand Aleksandër, Gravenshteijn, Xhonatan, Starking Delicious, Starcrimson, Golden Delicious, etj.
Kultivarë dimërore, që piqen nga Nëntori deri në mesin e dhjetorit, madje mund të vazhdojnë deri në Maj: Granny Smith, Kalvil, Tetovka, Reneta ananas, Roza mentanova, Fuji, Pink Lady, etj.

Përshkrimi i disa kultivarëve të mollës
Kultivari  Starking

Pema është me rritje të dobët dhe shumë prodhuese. Fruti është shumë i madh, në formë trung koni i zgjatur, lehtësisht i brinjëzuar në gjatësi të frutit, cipëtrashë me pak dyllë. Ngjyra e frutit është e kuqe e errët uniformë. Tuli është i bardhë në krem, i ëmbël, i shkrifët aromatik. Pjekja. Fruti piqet nga fillimi i tetorit.

Kultivari Golden Delicious

Kultivarë që ka përhapje të gjerë në të gjithë kontinentet. Pema është mesatarisht e fuqishme, me kurorë të hapur dhe shumë prodhuese. Fruti ka madhësi mesatare, me formë vezake konike i zgjatur, cipëtrashë me dyll. Ngjyra e frutit është e verdhë me pikëzime. Tuli është i bardhe në krem, i ëmbël, i shkrifët, aromatik. Pjekja. Fruti piqet në fillim të tetorit dhe ruhet mirë për 4 – 6 muaj. Këshillohet të kultivohet në distanca 4 x 3 m ose 834 bimë/ha ( rreth 85 bimë për dy).

Kultivari Granny Smith

Pema është e fuqishme  dhe mjaft prodhuese. Fruti është me ngjyrë të gjelbër e acid. Periudha e frutifikimt deri në pjekje është 200 ditë, prandaj nuk rekomandohet për zonat malore.
Pjekja. Fruti piqet në tetor fillimi i nëntorit. Në frigorifer ruhet rreth 180 ditë. Është pllenues i mirë për të gjithë kultivarët.

Kultivari Fuji

Është varietet i adaptuar (përshtatur) si për vendet malore ashtu dhe për zonën mesdhetare me verë të nxehtë. Fruti është mesatarisht i madh, me ngjyrë të kuqe, me përmbajtje të lartë të sheqerit. Tuli është kërcitës, i lëngshëm dhe shumë i shijshëm. Pjekja. Është kultivar me pjekje shumë të vonë.

Kultivari Pink Lady

Pema ka zhvillim të ngadaltë vitet e para, por me zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen. Lulëzon shumë shpejt (herët) dhe ka periudhë të gjatë lulëzimi. Futet shpejt  në prodhim, është me prodhim të rregullt dhe jo periodik. Fruti ka formë të zgjatur me ngjyrë të veçantë të kuqe në rozë. Pjekja. Është kultivar me pjekje të vonë. Vjelja fillon në fund të muajt tetor fillimi i nëntorit. Ruhet 5 – 8 muaj.

Pjalmimi  i  mollës

Edhe pse lulja e mollës është hermafrodite (të dy organet, femërore dhe mashkullore, ndodhen në një lule), shumica e varieteteve të saj kanë nevojë për pjalmues që të lidhin e të japin fruta, pra kanë nevojë për pjalmim të kryqëzuar. Edhe varietet vetë pjalmuese rrisin sasinë dhe cilësinë e prodhimit kur në to realizohet pjalmim i kryqëzuar. Pjalmimi i kryqëzuar realizohet nga bletët, insekte tjera ose me anë të erës.

Si mund të zgjidhni problemin e pjalmimit te molla?

Pjalmimi është një faktor i rëndësishëm që duhet të zgjidhet që në strukturën e mbjelljes me anë të mbjelljes së varieteteve pjalmues. Në skemën e mbjelljes pjalmuesit duhet të vendosen sipas kësaj strukture: varieteti mbizotërues 90 – 95% dhe varietetit pjalmues 5 – 10%, e cila realizohet nëpërmjet mbjelljes së bimëve brenda rreshtit në raporti 10:1 ose me alternim rreshtash 3:1,2 ose 4–5:1,2. Varieteti pjalmues duhet patjetër të zgjidhet një varietet një varietet që lulëzon në të njëjtën kohë me varietetin mbizotërues.

Bleta është insekti kryesor që kryen pjalmimin te molla. Në pemëtore, gjatë kohës së lulëzimit, duhet të vendosen 4–12 koshere blete për ha.
Frutat e pjalmuar mirë janë me formë të rregullt, të pa deformuara dhe cilësorë dhe e kundërta ndodh me frutat pa pjalmim të rregullt. Nga një pjalmim i mirë prodhimi rritet deri në 15% si dhe prodhimi është i përvitshëm.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Teknologjinë e ngritjes së pemëtores së mollës

Data e publikimit: 16/01/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

MASAT ZBUTËSE PËR ULJEN E EFEKTIT TË NDRYSHIMIT TË KLIMËS

Efekti i ndryshimeve klimatike, si po rrezikohet Shqipëria?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË SHEREBELËS

Sherebela përdoret për shërimin e shumë sëmundjeve. Cilat janë kërkesat e sherebelës ndaj faktorëve të mjedisit?

Lexo më shumë