TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË SHEREBELËS




                                                                               REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Sherebela, (Salvia officinalis) është një bimë shumëvjeçare, shkurre me gjelbërim të përhershëm, me kërcell drunor, me gjethe gri dhe lule blu në vjollcë. Origjina e saj është Mesdheu, megjithëse është aklimatizuar në shumë vende të botës. Sherebela ka një histori të gjatë të përdorimit në mjekësi, në artin e kuzhinës dhe si bimë dekorative.

Përbërësi kryesor mjekësor i gjetheve të sherbelës është vaji eterik aromatik i paqëndrueshëm, përmbajtja e të cilit është nga 1.5 deri në 2.5%.

Sherebela përdoret për shërimin e shumë sëmundjeve si: sëmundjeve mendore (alzheimerit dhe sklerozës), kundër simptomave të diabetit, ul nivelin e kolesterolit të keq, kundër mbipeshës, kundër diarresë dhe si antibiotik me spektër të gjerë veprimi.

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të sherebelës në vendin tonë? 

  • Kërkesa e tregut për këtë bimë dhe çmimet favorizuese bëjnë që nga kjo bimë të sigurohen të ardhura të larta për njësi të sipërfaqes;
  • Prania e tokave të përafërta (për nga cilësitë) me ato të habitateve natyrore ku ajo rritet në gjendje të egër;
  • Rënia e rezervave natyrore si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të tyre;
  • Për kultivimin e saj shfrytëzohen toka të varfëra dhe që për bimë të tjera bujqësore janë të papërshtatshme;
  • Mbështetje me subvencione, kryesisht, në mbulimin e shpenzimeve të mëdha gjatë vitit të parë të kultivimit;

Cilat janë kërkesat e sherebelës ndaj faktorëve të mjedisit?

Kërkesat për temperaturën

Sherebela është e njohur si bimë ngrohtësi–dashëse, që toleron kushtet klimatike të thata dhe periudha thatësire. Parapëlqen vende të mbrojtura nga era. Ka ndjeshmëri mesatare ndaj ngricave dhe mund të rezistojë deri në -10°C, por temperatura -15°C për 5 – 6 ditë mund të shkatërrojnë gjithë prodhimin. Temperatura optimale e rritjes është 20 – 25°C.

Kërkesa për dritën

Sherebela vlerësohet si bimë dritëdashëse prandaj, tokat për kultivim të sherebelës duhet t’i zgjedhim në zona të diellëzuara. Kërkesat për dritë janë gjatë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimës (nga fillimi i vegjetacionit deri në përfundim të tij). 

Kërkesa për ujë dhe lagështi 

Kërkesat për lagështi janë të ndryshme në faza të ndryshme të rritjes dhe zhvillimit të bimës së sherebelës. Sherebela është shumë e ndjeshme nga lagështia e tepërt e tokës ku sistemi rrënjor shpejt mund t’i ekspozohet kalbëzimit dhe bimët mund të dështojnë në tërësi. Kërkesat më të larta për ujë të sherebelës janë në fazën e mbirjes së farave apo gjatë rrënjëzimit të copave vegjetative. Mungesa e ujit në këto faza ndikon drejtpërdrejt në rritje dhe zhvillim si dhe në cilësinë e fidanit të prodhuar.

Kërkesa për tokën

Bima e sherebelës parapëlqen toka me pehash (pH) neutrale ose lehtësisht gëlqerore e ranore, të përshkueshme që të favorizojë një drenazhim (kullim) të mirë e një qarkullim të ajrit në tokë. Pra, për kultivimin e sherebelës, duhet të evitohen terrenet acide e tokat e rënda. 

Mbani parasysh!

Sherebela është bimë shumëvjeçare, kultivohet 5-6 vite në të njëjtin terren, prandaj është e nevojshme të eliminohen gabimet në zgjedhjen e tokës pasi investimet në vitin e parë janë shumë të larta

Çfarë kërkesash ka sherebela për parabimën? 

Sherebela, edhe pse një bimë mjaft e fuqishme, nuk e duron monokulturën. Sherebela mund të kthehet në të njëjtën parcelë të paktën pas 3 viteve gjatë të cilave janë mbjellë kultura të tjera. Në përgjithësi, parabimë më të mira janë drithërat dimërore, leguminozet për kokërr, perimet e ndryshme, bimët zhardhokore dhe bimët foragjere (jonxha, barërat e përzier etj.), të cilat lirojnë tokën shpejt dhe japin mundësi për përgatitjen në kohë të tokës dhe për mbjellje në afat të farës ose fidanit. 

Cila është teknologjia e kultivimit të sherebelës?

Praktikat e kultivimit të sherebelës njohin mënyra të ndryshëm të mbjelljes dhe aplikimit të teknologjive të ndryshme gjatë mbjelljes.

Shumimi mund të bëhet:

- me farë me mbjellje të drejtpërdrejtë; 

- me prodhimin e fidanëve nga fara; 

- me copa të rrënjëzuara. 

Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë e sherebelës

Mbjellja e drejtpërdrejtë me farë është metodë mjaft e vjetër e kultivimit të sherebelës. Fara duhet të jetë e cilësisë së mirë me fuqi e energji mbirëse të larta. Në këto raste, toka për mbjellje duhet të jetë e përgatitur shumë mirë me qëllim që thellësia e mbjelljes së farës të jetë e njëjtë. Duhet theksuar se mbjella me farë nuk është e garantuar. Afatet e mbjelljes janë vjeshta ose pranvera. Norma e farës, kur mbjellja realizohet me makina të zakonshme është 10 kg/ha, ndërsa kur përdoren makina mbjellëse me precizion, norma e farës është 4-6 kg/ha. Thellësia e mbjelljes është 1–1,5 cm. Mbirja fillon në temperaturën 12–15°C afërsisht 3–4 javë pas mbjelljes. Kjo mënyrë e mbjelljes zbatohet në rast se ekziston fuqi punëtore e mjaftueshme sepse në këto raste kryhet procesi i herrjes (rrallimit), pasi bima e sherebelës zhvillohet shumë ngadalë në fazat fillestare. Mbillet kryhet më shpesh në vjeshtë dhe më rrallë në pranverë, sepse në fazat fillestare të zhvillimit sherebela kërkon më shumë lagështi.

Mbjellja me fidanë nga fara

Shumëzimi me farë me fidanë realizohet në dy faza

  • Faza e parë është prodhimi i fidanëve në farishtore dhe 
  • Faza e dytë mbjellja e fidanëve në fushë.

Kjo mënyrë shumëzimi është me efikase, pasi sigurohet një zënie e mirë dhe jetëgjatësi më e madhe e sherebelës. 

Metoda e shumëzimit me farë (në farishte) aplikohet gjerësisht në kultivimin e sherebelës dhe ka disa epërsi si: 

  • shpenzohet shumë më pak farë; 
  • ul koston e mbjelljes;
  • përballon mbjelljet në sipërfaqe të mëdha.

Mbështetur në mundësitë reale të fermerit, fidanishtet mund të organizohen me sipërfaqe të vogla për nevoja vetjake ose në sipërfaqe më të mëdha për të prodhuar fidanë për treg (për fermerë të tjerë). 

Me kosto më të lartë por, më të sigurtë janë prodhimi i fidanëve nga fara duke shfrytëzuar bikerina ashtu si dhe për fidanët e perimeve. 

Mbani parasysh!

Fidanët e prodhuar nga fara karakterizohen nga zënia e lartë në mbjellje si dhe jetëgjatësi të sherebelës së kultivuar 5-7 vjet. 

Cila është teknologjia e prodhimit të fidanit të sherebelës nga fara?

Zgjedhja e farës dhe përgatitja e saj për mbjellje

Puna për prodhimin e fidanëve të sherebelës fillon me zgjedhjen dhe sigurimin e farës. Në përgjithësi, farat e sherebelës kanë një periudhë “gjumi“ të gjatë dhe mbirja e tyre është e vështirë dhe vazhdon për një periudhe kohe të gjatë, duke “kompromentuar” prodhimin e fidanëve në shumë raste. 

Sasia e farës e futur në tregun tonë për disa varietete sherebelë nga Sllovenia, Hollanda, Gjermania, kanë shfaqur aftësi mbirëse të lartë, mbi 80%. Megjithatë, këto varietete  paraqesin probleme me përshtatshmërinë ndaj kushteve të mjedisit si dhe janë me tregues të principeve aktive më të dobëta se popullatat apo ekotipet autoktone. 

Në vendin tonë, fara e sherebelës identifikohet në nivel popullate, me fuqi mbirëse të ulët të cilat kërkojnë ndërhyrje agronomike si trajtimet me të ftohtë, hormone, etj., për të rritur aftësinë mbirëse. Pra, ky trajtim bën zgjimin e farës dhe sigurohet një mbirje më e mirë e tyre.

Përgatitja e fidanit të sherebelës është një aktivitet që zgjat rreth 3 muaj. Ajo fillon me përgatitjen e tokës për mbjellje, hedhjen e farës e mbulimin e saj, ujitjen, mbrojtjen e bimëve nga barërat e këqija, sëmundjet e dëmtuesit, etj.

Si bëhet përgatitja e tokës për mbjelljen e farës ose përgatitja e farishtes? 

Parcela e zgjedhur për farishte, duhet të jetë e kulluar mirë. Plugimi për farishten e sherebelës kryhet me kujdes në thellësinë  25-30 cm. Plugimi mund të kryhet në vjeshtë ose para mbjelljes.

Përgatitja e shtratit të farës

Para ndërtimit të vllajave, parcela diskohet ose frezohet. Duhet të kemi kujdes dhe të sigurojmë një nivelim sa më të mirë tokës. Pas frezimit apo diskimit të tokës, kalohet në ndërtimin e vllajave. Gjerësia e tyre duhet të jetë 1.3-1.5 m të cilat ndahen nga njëra tjetra me brazda me thellësi 20-30 cm. Për të krijuar një shtrat sa më të përshtatshëm të farës, vllajave i bëhet një rulim me mjete të thjeshta për të ngjeshur shtresën e sipërme të tokës.

Si realizohet mbjellja? 

Pas ngjeshjes dhe nivelimit  të vllajës, mbi këtë strukturë të ngjeshur shpërndahet  fara me një normë 10-12 gram për m2. Me këtë normë fare sigurohen rreth 600-700 fidanë/m2. Vëmendje e veçantë i kushtohet thellësisë së mbjelljes e cila është 0,5 – 1 cm. Mbi farën e shpërndarë, hidhet një shtresë dheu rreth 0.5 cm në rastet e ujitjes me pika dhe deri 1 cm trashësi në rastet e ujitjes me lagëse dore. Pas hedhjes së dherishtes, për mbulimin e farës, kryhet edhe një ngjeshje e dytë me rul apo dërrasë e sheshtë për të evituar “hapësirat ajrore“ rreth farës.  Në rastin e mbjelljeve me bikerina aplikohet hedhja e 2 farave për çdo fole.

Cila është koha e mbjelljes së farishtes?

Koha e mbjelljes së farishtes është në varësi të periudhës që zgjedhim për mbjelljen e fidanëve në fushë, në vjeshtë apo në pranverë. Përgatitja dhe mbjellja e farishtoreve duhet t’i paraprijë në kohë këtyre afateve. 

  • Për sezonin e vjeshtës, farishtoret mbillen në gjysmën e dytë të Korrikut dhe gjatë Gushtit. Fidanët janë të gatshëm për mbjelljet e vjeshtës që në fillim të muajit Tetor.
  • Për mbjelljet e pranverës, përgatitja e farishtoreve dhe mbjellja e farës realizohen gjatë muajve Janar-Shkurt. Në këtë rast, kohëzgjatja e mbirjeve dhe përgatitja e fidanit është më e gjatë. Zakonisht ato janë të gatshëm për mbjellje në gjysmën e dytë të muajit Prill deri në mesin e muajit Maj.

Cilat janë shërbimet kryese në farishte?

Ujitja për mbirjen e farës 

Menjëherë pas përfundimit të mbjelljes, farat, në kushtet e lagështirës fillojnë proçeset e mbirjes. Në këtë fazë, i kushtohet vëmendje ujitjes së farishtores, pasi mungesa e ujit bën që fara të dështojë duke rrezikuar prodhimin e fidanit. 

KUJDES!  Lagështira e tepërt është e dëmshme për farat dhe bimëzat e reja, sepse ajo mund të shkaktojë kalbëzimin e sistemit rrënjor. Kjo është faza më delikate. 

Në kushtet e mira të lagështirës dhe të temperaturës, koha e mbirjes së farës së sherebelës zgjat nga 2 deri 4 javë, kjo në varësi të temperaturave. Temperaturat më të mira për mbirje janë 15-20°C. Temperaturat më të larta e shpejtojnë por, mund të ndeshim probleme me uniformitetin e mbirjeve dhe të zhvillimit të fidanëve.

Ujitja pas mbirjes 

Me mbirjen e pjesës më të madhe të farave, bimëzat e vogla vazhdojnë të ujiten me të njëjtin intensitet si më parë gjatë mbirjes, derisa ato të kenë zhvilluar të paktën dy gjethëza të vogla, ato të vërtetat (ato që vijnë pas kotiledoneve). Më pas, proçesi ujitjes orientohet në favor të shpejtimit apo ngadalësimit të proçesit të rritjes. Bimët e reja nuk mund të lëvizen derisa të jenë forcuar mjaftueshëm. Në përgjithësi, fidani i sherebelës është i gatshëm të transferohet, trapiantohet, në fushë të hapur kur gjatësia e bimës arrin 10-12 cm si dhe kur disponon 4-6 gjethe të vërteta. 

Mbani parasysh! Fidan i pjekur dhe i gatshëm për mbjellje është atëherë kur ngjyra e gjetheve është e gjelbër në gri dhe qafa e rrënjës fillon të drunjëzohet.

Pastrimi nga barërat e këqija 

Gjatë zhvillimit të bimëve në farishte është e nevojshme që të eliminohen barërat e këqija si dhe të bëhet rrallimi i disa bimëza sherebele që nuk duken të zhvilluara mirë. Ky proçes i krijon një hapësirë më të madhe bimëve për një zhvillim të shëndetshëm. Zakonisht, harrja e barërave të këqija realizohet me dorë. Kur kemi infeksion të lartë nga bimët monokotiledone mund të përdoren herbicide selektiv të tipit Fokus ultra.  

Shkulja e fidanit nga farishtja 

Fidanët shkulen për t’u mbjellë në fushë kur ato janë “pjekur” duke bërë shumë kujdes që të mos dëmtohet ndonjë pjesë e bimëzës. Detyrimisht, para shkuljes realizohet ujitja për të lehtësuar nxjerrjen e fidanit me sa më shumë rrënjë (primare e sekondare). Në këtë rast preferohet që të përdoret bel i cili ngulet në tokë deri poshtë rrënjëve dhe tërheq të gjithë grup bimëzat së bashku me dheun dhe pasi i shkund, baltosen dhe vendosen në arka, apo në ambalazh të rastit, për t’u transportuar brenda ditës në parcelën e përgatitur për mbjelljen e tyre.

Shumëzimi me copa, përgatitja e fidanëve

Si bëhet marrja e copave për rrënjëzim?

Copat merren në majat vegjetative në gjatësi 8-10 cm, në bimët 2-3 vjeçare të zgjedhura si tipike. Copat vendosen në shtretër për rrënjëzim, me dendësi shumë të madhe, 400-500 copa për m2. Për të evituar dëmtimet e fidanit rekomandohet prerja me brisk ose thikë të mprehtë e tyre. 

Vëmendje!

Duhet të keni kujdes që mjeti që përdoret për prerje të jetë i pastër dhe i dezinfektuar. 

Pasi të jenë eliminuar gjethet e vendosura në pjesën e poshtme të copës, pjesa e prerë zhytet në hormonin e përgatitur për të favorizuar rrënjëzimin. Në shtretër, për një periudhë 2-3 mujore, kryhen të njëjtat shërbime ashtu si dhe fidanëve që përftojmë nga fara. Kjo praktikë është e përshtatshme për mbjelljet e pranverës. Shtretërit për rrënjëzim janë një masë komposto e përbërë nga dy pjesë. Një pjesë është dherishte pjellore e një, rërë e trashë. Bëhen “kanale” të shpeshta me thellësi sa gjatësia e  copave të prera. Pas vendosjes së këtyre copave në kanalet e hapura bëhet ngjeshja me butësi e dherishtes. Fidanët e përgatitur në këtë mënyrë, ruajnë tipicitetin e varietetit dhe kanë aftësi zënëse shumë të mirë. 

Në praktikën e kultivimit të sherebelës, mund të përdoren edhe copa direkt të parrënjëzuara (pa i shtratifikuar apo trajtuar). Edhe në këtë rast, copat merren në habitate natyrore apo nga parcela të kultivuara 2-3 vjeçare. Në këto raste, copat merren sa më afër rrënjës, mundësisht të “shqyhet” një pjesë e saj së bashku me copën. Përpara mbjelljes ato banjëzohen. Përqindja e zënies së këtij materiali mbjellës është më i ulët kundrejt fidanëve të përgatitura nga fara apo copa të shtratifikuara.

Mbjellja e fidanëve në fushë

Përgatitja e tokës për mbjelljen e fidanëve në fushë 

Përgatitja e tokës për mbjellje konsiston në punimin e saj në thellësi 40-50 cm. Rekomandojmë që ky proçes të realizohet gjatë verës, sepse bëhet e mundur ulja e shkallës së infeksionit nga barërat e këqija në vitet pasardhëse. 

Para mbjelljes së fidanëve të sherebelës, toka frezohet apo diskohet derisa të përgatitet një shtrat i mirë për mbjelljen e fidanit. Gjithmonë duhet synuar që gjatë ndërhyrjes në tokë të mos krijojmë disnivele të sipërfaqes së saj, pra të sigurojmë një sipërfaqe sa më të niveluar.

Në toka me përmbajtje inertesh të mëdha, zakonisht toka ku kjo bimë kultivohet, është mirë që ato të largohen nga parcela para mbjelljes. 

Plehërimi para mbjelljes ose plehërimi bazë

Meqenëse sherebela është bimë shumëvjecare, pra do të qëndrojë për shumë vite në një parcelë, është e nevojshme që toka të plehërohet, aq më tepër kur parcelat e destinuara për sherebelën janë në përgjithësi toka të varfra dhe shpesh inproduktive.  Me anë të plehërimit, duhet të sigurohen nevojat për elementët ushqyese të sherebelës të cilat janë: 70 – 80 kg/ha N, 50 – 80 kg/ha P2O5 dhe 80 – 120 kg/ha K2O. Tejkalimi i këtyre sasive çon në rritje të bujshme vegjetative në dëm të përmbajtjes dhe cilësisë së sherebelës së prodhuar.

Në plehërimin bazë përdoren plehra organike dhe ato kimike ku plehërimi organik rezulton të jetë më i miri. 

KUJDES!

Ato duhet të jenë të mirë-dekompozuara, të mos kenë rezerva farore të barërave të këqija!

Dozat e plehut organik, variojnë nga 300-400 kv/Ha. Kur përdorim plehra organike të shpendëve kjo dozë përgjysmohet. 

Plehrat kimike që përdoren në plehërimin bazë janë kryesisht potasike dhe fosforike në doza 120-150 kg lëndë aktive Potas dhe 80-90 kg lëndë aktive Fosfor.

Kur kryhet mbjellja e fidanit në fushë?

Mbjellja e fidanëve në fushë realizohet në dy sezone, atë të vjeshtës dhe të pranverës. Rezultate më të mira të zënies së fidanit realizohen në mbjelljet e vjeshtës sepse shfrytëzohen dhe shirat e stinës të cilat ndikojnë pozitivisht në zënien e fidanit.

Gjithashtu, epërsia e mbjelljeve të vjeshtës qëndron edhe në futjen në prodhim më të shpejtë të bimës. 

Cila është mënyra e mbjelljes dhe cilat janë distancat e mbjelljes tek sherebela?

Mbjellja realizohet me rreshta. Gjerësia mes rreshtave duhet të jetë  60-70 cm dhe largësi ndërmjet bimëve në rresht 25-30 cm për të siguruar jo më pak se 55-60 000 bimë për Ha. 

Mbjellja realizohet me kunj të posaçëm duke futur sistemin rrënjor të fidanit apo pjesën e drunjëzuar të copës në thellësinë 7-10 cm, duke ngjeshur dheun në afërsi të fidanit. Menjëherë pas mbjelljes, në mungesë të reshjeve, duhet realizuar ujitja për çdo fidan për të siguruar zënien e plotë të tij. 

Kostoja e materialit mbjellës është relativisht e lartë si në fidanët e prodhuara nga fara ashtu edhe nga fidanët e marrë nga copat vegjetative. Më i lirë është përdorimi direkt i copave në mbjellje por, ekziston rreziku i zënies së ulët të tyre.

Çfarë shërbimesh agroteknike i kryhen sherebelës gjatë vegjetacionit?

Shërbimet intensive fillojnë që në vitin e parë të mbjelljes së saj. Proçeset më të rëndësishme janë kultivimi dhe pastrimi nga barërat e këqija. Është shumë e rëndësishme që ngastra e mbjellë me sherebelë të jetë e pastër nga barërat e këqija pasi ato janë jo vetëm konkurrente në të ushqyerit e bimës por, edhe krijojnë hijëzime që janë shumë të dëmshme në mirë rritjen e sherebelës. Pastrimi nga barërat e këqija realizohet nëpërmjet kultivimeve, prashitjeve, heqjes me dorë ose me trajtime me herbicide selektive për bimën e sherebelës. 

Për të ruajtur cilësinë e produktit, nuk është mirë të përdoren herbicide, por edhe në rast se përdoren, rekomandojmë që trajtimet të realizohen me herbicide organike.

Plehërimi plotësues

Plehërimi plotësues, realizohet gjatë vegjetacionit. Rekomandojmë të përdoren plehërat e kombinuar dhe dozat e azotit të jenë të ulëta, sepse azoti ka efekte pozitive në rritjen e masës gjethore por, ul cilësinë e sherebelës pasi rrit përmbajtjen e nitriteve të cilat janë të papranueshme në standartet e tregut. 

Në vitet në vazhdim, shërbimet fokusohen kryesisht në mbajtjen pastër të ngastrës nga barërat e këqija si dhe në përdorimin e dozave të ulëta të plehrave kimike të kombinuara.

Ujitja e sherebelës gjatë vegjetacionit

Në kushtet kur sigurohet ujitja, është mirë që ajo të realizohet të paktën një herë pas vjeljes së parë të sherebelës. Në këtë mënyrë, sigurojmë daljen më të shpejtë të sythave vegjetative pas vjeljes dhe sigurojmë një aktivitet fiziologjik të bimës gjatë periudhës së nxehtë e të thatë të verës. 

Kujdes! 

Ujitjet e shpeshta dëmtojnë cilësinë e sherebelës, sepse ndikojnë në rritjen e masës vegjetative ku përqindja e kërcejve (material që nuk grumbullohet dhe nuk eksportohet) është më e lartë se ajo e gjetheve. Gjithashtu, ujitjet e shpeshta ulin përqindjen e vajrave esenciale në masën gjethore.

Cilët janë dëmtuesit dhe sëmundjet e sherebelës?

Sherebela është bimë e cila në gjendje të kultivuar mund të bëhet objekt për dëmtues dhe patogjenë të ndryshëm. 

Myku gri

 Myku gri (hiri) është një sëmundje e shkaktuar nga kërpudha Erysiphe sp. e cila prek gjethen. Kur bima preket nga kjo sëmundje, gjethet e bimës mund të mbulohen nga myku gri në formë pluhuri. Hiri favorizohet nga klima e ngrohtë, lagështia mesatare deri e lartë dhe kushtet e ndricimit të ulët (hijëzimi). Hiri mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme për shkak të nxjerrjes së lëndëve ushqyese, reduktimit të fotosintezës, rritjes së frymëmarrjes dhe transpirimit, estetikës së dëmtuar dhe ritmeve të përgjithshme më të ngadalta të rritjes së sherebelës. Luftimi i sëmundjes bëhet me metoda kulturale dhe kimike. Në rastin e parë, mënjanimi i sëmundjes bëhet vetëm me heqjen e gjetheve me dorë, prandaj duhet vepruar sa më shpejt të jetë e mundur.

Lufta kimike konsiston në përdorimin e preparatave kimike me bazë squfuri.

Peronospora sp

Është një sëmundje kërpudhore e cila mund të shkaktojë dëme serioze tek sherebela. Në rastin e prekjes nga kjo sëmundje, mbi gjethe shfaqen njolla të zeza, me dimensione të vogla të cilat me kalimin e kohës bashkohen ndërmjet tyre.  Gjethet e prekura thahen, rrudhosen dhe pastaj bien. Luftimi i kësaj sëmundje është i vështirë. Sëmundja mund të frenohet duke përdorur fungicide me bazë bakri. 

 Kalbëzimi i rrënjëve

ka si shkak kryesor lagështinë e madhe ose dendësinë e lartë të bimëve të mbjella. Shkaktari i sëmundjes është Pythium sp. e Rhizoctonia sp. Për eliminimin e kësaj sëmundje ka rëndësi të veçantë marrja e masave parandaluese. Prandaj, rëndësi i kushtohet kullimit dhe eliminimit të lagështirës së tepërt në tokë. Kjo sëmundje, më shpesh prek farishtoret dhe shtretërit e prodhimit të fidanëve.   

Merimanga e kuqe 

Simptomat kryesore të këtij dëmtuesi janë zverdhja e gjetheve në formë njollash e shoqëruar me përdredhjen e tyre dhe krijimin e një rrjeti merimange në pjesën e poshtme të gjethes. Theksojmë se ky dëmtues nuk është aq i rrezikshëm dhe nuk sjell pasoja të mëdha në prodhimin e sherebelës. 

 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e sherebelës.

Data e publikimit: 16/03/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

VJELJA E LULEVE TË CIANIT

Vjelja e cianit, në varësi të kushteve klimatike, fillon nga fillimi i qershorit dhe vazhdon deri në rënien e ngricave të para vjeshtore.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

KORRJA E LAVANDËS

Kur dhe si të korrni lavandën?

Lexo më shumë