Operacionet e Gjelbra te Hardhia




Për të rregulluar procesin e rritjes së bimës në prodhim, përveç krasitjes dimërore, është e domosdoshme që herë pas herë të ndërhyhet me krasitje verore, të cilat njihen edhe si operacione të gjelbra në hardhi. Quhen kështu sepse këto operacione kryhen gjatë periudhës së vegjetacionit aktiv të bimës.

Mënjanimi i defekteve të krasitjes dimërore dhe drejtimi i organizuar i prodhimit në marrëdhënie me zhvillimin e përgjithshëm të bimës arrihet pikërisht me zbatimin në kompleks të operacioneve të gjelbra. 

Në krasitjen e gjelbër përfshihen një varg operacionesh, qëllimi i të cilave është:

  • Të korrigjojë gabimet e bëra gjatë krasitjes dimërore;
  • Të rregullohet prodhimi për çdo bimë;
  • Të krijohen elementë të rinj të prodhimit për vitin e ardhshëm;
  • Të krijohen kushte për mekanizimin e proceseve të punës dhe lehtësimin e trajtimeve kimike;
  • Të krijohen mundësi për shtimin e prodhimit dhe rritjen e cilësisë së tij, si dhe të shpejtojë pjekjen;
  • Të rregullohet raporti midis rritjes së pjesës nëntokësore (sistemit rrënjor) dhe asaj ajrore;
  • Të ulet infeksioni nga sëmundjet dhe dëmtuesit.

Operacionet e gjelbra që kryhen në  hardhi janë: 

Tëharrja 
Me anë të tëharrjes realizohet heqja e një pjese të lastarëve të panevojshëm që kanë dalë nga cungu i hardhisë, krahët shumëvjeçarë, sharmendat apo çepat e zëvendësimit të hardhisë, kur ato janë më shumë se e lejojnë kushtet konkrete të rritjes dhe zhvillimit të hardhisë. Tëharrja është vazhdimi i krasitjes dimërore dhe zë vendin më të rëndësishëm në vargun e operacioneve të gjelbra.

Lastarë i dalë në vendin e papërshtatshëm dhe që duhet hequr

Qëllimi i tëharrjes është:

  • Vendosja e një raporti të drejtë mes rritjes vegjetative dhe frutifikimit;
  • Vendosja e një raporti të drejtë mes fuqisë së përgjithshme të hardhisë dhe ngarkesës me masë të gjelbër të saj;
  • Vendosja e një raporti të drejtë mes prodhimit dhe cilësisë;
  • Rritja e njëtrajtshme e të gjithë lastarëve të hardhisë;
  • Lehtësim i hyrjes së dritës dhe ajrit, për të mundësuar realizimin normal të proceseve fiziologjike në bimë;
  • Kryerja më lehtë e shërbimeve, sidomos trajtimet kimike.

Cilat janë parimet bazë që duhet të ndiqni kur kryeni këtë operacion në hardhi?

  • Hiqen lastarët më të dobët;
  • Hiqen ata lastarë që kanë dalë në pozicione jo të favorshme;
  • Hiqen lastarët pa prodhim dhe mund të lihet ndonjë për të formuar elementet e prodhimit vitin e ardhshëm (çepat dhe shamendat), nëse mungon.
  • Mund të bëhet rrallim/heqje e lastarëve me prodhim, nëse në pozicione të caktuara ka shumë të tillë.

Kur dhe si duhet të kryeni tëharrjen? 
Nga praktika është vërtetuar se operacioni i tëharrjes duhet të realizohet dy herë:
E para, duhet të realizohet pas fillimit të vegjetacionit, atëherë kur lastarët të kenë arritur gjatësinë 4-5 cm. Në tëharrjen e parë  hiqen vetëm thithakët që kanë dalë nga cungu dhe ndonjë tjetër që mendohet se duhet hequr/rralluar.
E dyta, duhet të realizohet atëherë kur lastarët të kenë diferencuar dhe të duken qartë lulëritë, pra kur dallohen lehtë lastarët frutorë nga ata jo frutorë.
Nëse bëhet me vonë, kemi humbje të madha të lëndëve organike (ushqyese) që duhet t’i shkonte bimës dhe prodhimit.

Sipas vendit ku ndodhen lastarët që duhet hequr tëharrja kryhet:

  • Mbi lastarët e dalë nga nënshartesa. Heqja e tyre duhet të bëhet  sa më shpejt të jetë e mundur, sapo ato të dallohen dhe të hiqen sa më rrafsh.
  • Mbi lastarët e dalë në cung. Lastarët e panevojshëm hiqen kur ato janë 4 – 5 cm. Heqja më vonë shkakton humbje të mëdha të lëndëve ushqyese si dhe plagë tek bima. Lihen vetëm ato lastarë kur mendohet të përdoren për çep zëvendësimi apo ripërtëritjen e krahëve të hardhisë.
  • Mbi lastarët e dalë nga çepat e zëvendësimit dhe nga baza e sharnendës prodhuese. Në çep lihen vetëm dy lastarë, i poshtmi nga jashtë (që do të përdoret për çep vitin e ardhshëm) dhe i sipërmi nga brenda (që do të shërbejë si sharmendë prodhuese).
  • Mbi lastarët e dalë në sharmendat prodhuese. Zakonisht hiqen lastarët jo prodhues, por gjithmonë duhet mbajtur një raport i caktuar ndërmjet lastarëve prodhues dhe jo prodhues. Kur bimët kanë lastarë prodhues më shumë, e sidomos kur janë të dobët, lastarët prodhues mund të hiqen në masën deri 50%

Në hardhitë e reja tëharrja është e domosdoshme për krijimin e formës së projektuar, në hardhitë e prodhimit për ruajtjen e formës dhe të raporteve të drejta mes fuqisë së bimës, prodhimit dhe cilësisë, ndërsa në hardhitë e vjetra, me anë të këtyre operacioneve, manovrohet për ripërtëritjen e pjesëve të dëmtuara ose të krejt cungjeve të mplakur.

Mbani mend! Në të gjitha rastet tëharrja kryhet kur gjatësia e lastarëve është 4 – 5 cm. Vetëm te lastarët që dalin mbi sharmendën prodhuese kryhet pas diferencimit të lulërive.

Prerja e majave
Prerja e majave është një tjetër operacion i gjelbër i cili kryhet në hardhi dhe realizohet në 3 mënyra:  

  • Prerja e lehtë e majave ose “pincimi”;
  • Prerja e zakonshme e majave ose “çekanga”;
  • Prerja e rëndë e majave.

Prerja e lehtë e majave ose pincimi: Ky proces konsiston në këputjen e lehtë të majës rritëse të lastarëve prodhues në sasinë e 2-3 gjethe të majës dhe realizohet për këto arsye: 

  • Kur vërehet se një lastar ka një rritje më të fuqishme dhe lastarët e tjerë kanë mbetur më të vegjël;
  • Kur pas lulëzimit dhe fillimit të rritjes së kokrrave, vërehet rrëzimi në masë i tyre;
  • Kur bima e hardhisë nuk ka vegjetacion të mjaftueshëm.

Prerja e zakonshme e majave (çekanga): Ky proces konsiston në heqjen e një pjesë të lastarit me ose pa prodhim, me qëllim stimulimin e rritjes së organeve vegjetative. Ky rast aplikohet kur bima, në përgjithësi, ka rritje të ngadaltë dhe me pak degë vegjetative. 

Procesi i çekangës bëhet vetëm te lastarët e sharmendave të prodhimit. Te lastarët e çepave nuk këshillohet të bëhet, sepse lastarët e çepit do të shërbejnë si elementë prodhimi zëvendësues për vitin e ardhshëm.

Prerja e zakonshme e majave të lastarëve ka synim:

  • Të ndaloje rritjen e mëtejshme dhe të panevojshme të lastarit në dem të prodhimit;
  • Të ndihmoje në pjekjen e lastarit dhe diferencimin e sythave frutore për vitin e ardhshëm;
  • Të rrisë rezervat ushqimore në lastar dhe përgjithësisht në bimë për vitin e ardhshëm;
  • Të pengoje rritjen e sipërfaqes avulluese, sidomos në tokat kodrinore dhe ato të pa-ujitshme;
  • Të pakësojë hijezimin e bimës, të veshulit dhe rritjen e rrezatimit e nxehtësisë të cilat ndikojnë pozitivisht në pjekjen e prodhimit;
  • Lehtësimin e kalimit në mes të rreshtave dhe kryerjen më lehtë të shërbimeve agroteknike.

Mbani parasysh! Gjatë prerjes së zakonshme të majave mbahet parasysh që për një veshul të sigurohen 12 - 8 gjethe ose për të prodhuar 1 kv rrush nevojiten 240 m2 sipërfaqe gjethore. Prandaj ky operacion nuk duhet të realizohet nën këtë sasi gjethesh. 


Prerjet e rënda të majave të lastarëve: Konsiston në prerjen e lastarit në rreth 1/3 e gjatësisë së tij, duke lënë zakonisht rreth 4-6 gjethe

Pse dhe në ç’rast bëhet ky operacion?

  • Kur bimët janë dëmtuar nga breshëri apo sëmundje të rënda, prerja e rëndë e lastarëve stimulon daljen e masës së re vegjetative;
  • Në rastet kur prodhimi ekzistues është dëmtuar rëndë nga breshëri, prerja e rëndë stimulon prodhimin nga sqetulloret.
  • Te hardhitë e vjetra me qëllim stimulimin e aparatit vegjetativ, etj.

Heqja e sqetullorëve (sqetullimi)
Sqetullorët dalin në bazën e bishtit të gjethes nga të ashtuquajtur sytha sqetullorë. Heqja e tyre quhet sqetullim. Zakonisht kemi shpërthim e zhvillim të shpejtë të tyre, kur lastarit kryesor i është këputur maja dhe kur bima ka zhvillim të bujshëm dhe ngarkesa me prodhim është e ulët. 

Sqetullimi bëhet 2 – 3 herë gjatë vegjetacionit, kur sqetullorja ka formuar 4 – 6 gjethe, por nuk lihet të drunjëzohet (forcohet).

Ato nuk duhet të hiqen tërësisht në lastarët që do të shërbejnë si sharmenda prodhuese për virin e ardhshëm me synimin që:

  • Të mos i krijohet plagë sharmendës;
  • Të mos dëmtohen sythat dimërorë;
  • Të mos nxitet çelja e sythit dimëror.

Sqetullorët në lastarët e prodhimit hiqen 1 deri 2 nyje mbi veshulin e fundit,  ndërsa sqetulloret e tjera këputen (pincohen) duke i lënë me 3 – 4 gjethe, kjo sepse: 

  • Rrit mundësinë e diferencimit të sythave frutorë për vitin e ardhshëm;
  • Rrit sipërfaqen e re fotosintetike duke ushqyer më mirë veshulët e prodhimit;
  • Hijezon veshulët dhe kokrrat e rritura, duke i mbrojtur ato nga djegiet diellore.

Në hardhitë e reja, mos heqja e plotë e tyre  ndikon në formimin e shpejtë të trupit të hardhisë dhe shpejtimin e hyrjes në prodhim.
Në rast fatkeqësish natyrore (erëra të forta, breshër apo sëmundja e vrugut) ndihmojnë ripërtëritjen e aparatit gjethor dhe kryerjen normale të proceseve fiziologjike. Në këto raste duhet të bëhet kujdes në mbrojtjen nga vrugu, sepse gjethet e reja janë shumë të prekshme nga kjo sëmundje.

Heqja e gjetheve
Nënkuptohet heqja e disa prej tyre dhe pikërisht i gjetheve që ndodhen në pjesën e poshtme të lastarëve, në zonën rreth e rrotull veshulit të rrushit. 

Rrallimi ose heqja e pjesshme e gjetheve  synon:

  • Rritjen e shkallës së ndriçimit në bimë;
  • Ajrimin më të mirë të bimës;
  • Uljen e shkallës së infeksionit nga vrugu e hiri;
  • Përmirësimin e cilësisë së trajtimeve kimike.

Çfarë gjethesh duhet hequr?
Si rregull, rrallimi i gjetheve duhet të bëhet kur këto janë të vjetruar dhe mbi lastarë të jetë formuar plotësisht një numër i mjaftueshëm gjethesh aktive të afta për asimilim. 

Kur duhet kryer rrallimi ose heqja e pjesshme e gjetheve?
Rrallimi i gjetheve shumë herët, sikurse praktikohet në disa zona, së bashku me tëharrjen ose gjatë lulëzimit është një praktikë e dëmshme sepse në këtë fazë të vegjetacionit gjethet e poshtme dhe ato të zonës rreth e rrotull veshulëve janë më aktivet dhe më të nevojshme për asimilimin. Koha më e mirë, për rrallimin e gjetheve në zonën rreth e rrotull veshulit, është faza pas fillimit të pjekjes së rrushit.

Kini parasysh!

  • Në zonat e ngrohta, ku rrezatimi diellor është i fortë, heqja e gjetheve mund të rrezikojë cilësinë e rrushit, sidomos të atij për tavolinë, kurse në zonat e larta do të sillte një përmirësim të pamjes dhe vlerave kimike të rrushit;
  • Rrallimi i gjetheve gjen vend kur ka dendësi të madhe të masës vegjetative;
  • Goditje të forta nga vrugu, hiri, me qëllim që të krijohet një ambient më i ndriçuar dhe më i ajrosur. 
  • Në zona ku në vjeshtë bien shira dhe ka lagështirë, këshillohet heqja e gjetheve të bazës së lastarit për të mënjanuar kalbjen e rrushit dhe kjo sidomos në format me cung të ulët. 

Sa gjethe duhet të hiqen?
Nga praktika e deri tanishme heqja e gjetheve bëhet në këto mënyra:

  • Hiqen gjethet poshtë veshulit duke lënë vetëm një gjeth poshtë tij;
  • Hiqen gjethet poshtë veshulit duke lënë vetëm një gjeth paralel me veshulin;
  • Hiqen të gjithë gjethet nën veshulë e deri në një gjeth mbi të.

Kultivuesi duhet të gjykoje vetë për kohën më të përshtatshme në realizimin e këtij operacioni. Operacione të tjera të gjelbra që kryhen në hardhi, por që në praktikën tonë nuk kanë gjetur zbatim janë: unazimi, rrallimi i luleve ose veshulëve, si dhe shkurtimi i majave të lulërive ose veshulëve.

Data e publikimit: 01/01/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

DOMOSDOSHMËRIA E PREMIKSEVE

Çfarë përfitimesh do të shihni konkretisht në fermën tuaj duke përdorur premikset?

Lexo më shumë

VJELJA E LULEVE TË CIANIT

Vjelja e cianit, në varësi të kushteve klimatike, fillon nga fillimi i qershorit dhe vazhdon deri në rënien e ngricave të para vjeshtore.

Lexo më shumë

RRËNJËNGRËNËSI I MISRIT DHE DËMET QË SHKAKTON

Ekzistojnë specie të ndryshme që përbëjnë kompleksin e diabrotikës në misër, ndër të cilët veçohen:

Lexo më shumë

SI EVIDENTOHET RRËNJËNGRËNËSI I MISRIT?

Si evidentohet rrënjëngrënësi i misrit?

Lexo më shumë