REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.
Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Në lidhje me strukturën varietore në Shqipëri, ka shumë ekoitipe, të cilat përdoren për prodhim qepësh të thata dhe të njoma.
Më të përmendurat për prodhimin e qepës së thatë janë: Qepa e Mirasit; Qepa e Kuqe e Dishnicës; Qepa e Benjës; Qepa e Rehovës; Qepa e Linit; Qepa e Peshkopisë; Qepa e Drishtit; si dhe hibridet e huaja të cilat duhen testuar. Më të përmendurat për prodhimin e qepës së njomë, janë: Pjata e Majit, Sukthi, etj. Edhe për këtë destinacion kanë hyrë kultivarë të huaj.
REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË QEPË, DUHET TË KETË PARASYSH:
Prodhimi i qepës nëpërmjet qepujkave
Kjo është mënyra kryesore e prodhimit të qepës në disa vende. Për një prodhim të suksesshëm të qepës të kultivuara me qepujka, është cilësia e qepujkave të cilat prodhohen në vitin e parë.
Prodhimi i qepujkave
Për prodhimin e qepujkave duhet të zgjidhen toka të lehta ranore me veti të mira fizike dhe të pastra nga barërat e këqija. Parabimët më të mira për qepujkat janë lakrat, spinaqi, kungulloret etj. Përgatitja e tokës për prodhimin e qepujkave duhet të jetë sa më cilësore.
Në tokat mesatarisht të pasura me elementë ushqyes, vlerat orientuese të plehrave minerale mund të jenë: 60 – 80 kg N, 50 – 60 kg P2O5 dhe 80 – 100 kg K2O/ha. Është me rëndësi që gjatë plehërimit të favorizohet formimi i qepujkave relativisht të vogla dhe me përmbajtje sa më të lartë të lëndës së thatë.
Mbjellja e farës duhet bërë sa më herët që të jetë e mundur në pranverë (duke filluar nga fillimi i marsit). Mbjellja e farës bëhet në rreshta, në distancë 10 – 15 cm. Pas çdo 5 – 10 rreshtave lihet një distancë e zbrazët rreth 50 cm, me qëllim që bimëve t’u shërbehet më lehtë. Gjatë mbjelljes në mënyrë të mekanizuar nevojiten rreth 80 – 100 kg farë/ha.
Në tokat e rënda është e preferueshme që fara të mbillet 1 – 1,5 cm, ndërsa në tokat e lehta deri në 2 cm.
Kultivimi i qepës
Përgatitja e tokës fillon në vjeshtë me punimin bazë të tokës. Në pranverë, sa më herët që të jetë e mundur fillon përgatitja e tokës për mbjellje. Përgatitja cilësore e tokës është mjaft e rëndësishme për arritjen e bulbave të madhësisë uniforme dhe të padeformuara.
Qarkullimi bujqësor
Qepa në qarkullimin bujqësor shkon mirë pas kulturave që plehërohen me pleh organik, siç është: domatja, speci, lakra etj.
Nga ana tjetër, qepa është parabimë mjaft e përshtatshme për shumë kultura të tjera perimore.
Për shkak të vetive fitoncide (baktericide) ajo ndikon mjaft mirë në dezinfektimin e tokës. Në të njëjtën sipërfaqe toke nuk duhet të mbillet, së paku, 3 – 4 vite radhazi.
Mbjellja
Mbjellja e qepujkave bëhet në pranverë sa më herët që të mund të përgatitet toka. Në disa rajone të vendit tonë është e njohur edhe mbjellja vjeshtore e qepujkave e cila bëhet nga mesi i tetorit. Mbjellja vjeshtore është e rëndësishme sidomos për prodhimin e qepëve të reja të gjelbërta të cilat shfrytëzohen herët në pranverë kur prodhimi i perimeve është mjaft i varfër. Për këtë formë të kultivimit përgatitja e tokës fillon menjëherë pas largimit të parabimës.
Pëlqehet që qepujkat të kenë madhësi 1 – 1,5 cm. Distancat e mbjelljes janë 20 – 30 cm ndërmjet rreshtave dhe 8 – 10 cm ndrëmjet bimëve në rresht.
Sasia e qepujkave për mbjelljen e 1 ha është e ndryshme, varësisht nga madhësia e tyre dhe shkon nga 300 – 1000 kg/ha.
Si bëhet përgatitja e qepujkës e gatshme për mbjellje?
Kjo metodë krijon mundësinë e kultivimit të qepës edhe në kushtet e ujitjes së kufizuar ose pa ujë. Qepët e prodhuara në këto kushte janë më të qëndrueshme në ruajtje mbasi prekjet nga vrugu janë më të ulëta.
Para se të fillojë mbjellja e farës fillimisht bëhet ndarja e tokës me vllaja 1.2 m të gjera dhe 4.5 m të gjata sipas sipërfaqes së tokës. Vllajat ndahen me rrugë të thelluara, të cilat shërbejnë dhe për ujitje, me gjerësi 30-40 cm. Në plehërimin bazë përdoret dhe një sasi plehrash kimike, si rreth 30 gr/m² superfosfat dhe rreth 20 gr/m² sulfat potasi.
Para se të fillojë mbjellja e farës, toka nivelohet mirë me qëllim që fara të bjerë në një thellësi të njëjtë dhe mbirja do të jetë e njëhershme dhe e njëjtë.
Fara duhet të shpërndahet në mënyrë të njëjtë baraslarguar nga njëra-tjetra. Për prodhimin e qepujkës, fara duhet të mbillet në periudhën 15 shkurt-15 mars për zonën e ngrohtë, ndërsa për zonën e ftohtë, rreth mesit të marsit deri në mesin e prillit. Në këto afate, qepujka bëhet e gatshme në muajt korrik dhe gusht. Në vitin e ardhshëm, qepujka duhet të mbillet në periudhën 15 shkurt – 15 mars dhe qepa e thatë merret në muajt korrik dhe gusht.
Përdoret 8-10 gr/m² farë. Mbas hedhjes së farës, ajo mbulohet me një shtresë dherishte të situr mirë me përqindje të lartë plehu organik të kalbur mirë dhe të imët, në trashësinë rreth 1-1.5 cm. Më i miri në këtë rast është plehu i bagëtive të imëta. Mbas mbulimit me shtresën e plehut, bëhet ngjeshja e lehtë dhe ujitja në formë shiu. Mbas mbjelljes dhe para mbirjes mund të bëjmë spërkatjen e vllajave me preparat kimik për të luftuar barërat e këqija. Gjatë periudhës bimore, në varësi të kushteve të motit, kryhen disa ujitje. Bëhen gjithashtu dhe 3-4 plehërime me nitrat amoni. Plehërimi i parë bëhet dy javë pas mbirjes, ndërsa të tjerët në çdo 15 ditë. Nga fundi i korrikut dhe fillimi i gushtit kërcelli zbutet, gjethet fillojnë të thahen dhe bulbi i qepës ka marrë formën dhe ngjyrën karakteristike të llojit. Në këtë kohë qepujkat shkulen menjëherë, vendosen në gjatësinë e vllajës ku lihen për tu tharë , rreth një javë duke i mbuluar bulbat me gjethet. Mbasi janë tharë mirë, çohen në magazinë ku bëhet përzgjedhja dhe kalibrimi i tyre, sipas madhësisë dhe vendosen në mjedis për ruajtje.
Temperatura më e përshtatshme për ruajtje është nga -1ºC deri në 1ºC ose mbi 15ºC.
Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?
Mbjellja e qepujkës në fushë bëhet në rreshta 15-20 cm ndërmjet tyre, ndërsa në mes bimëve në rreshta duhet të jetë 10-12 cm. Nëpërmjet këtyre distancave duhet të sigurohen rreth 50 mijë bimë për dynym.
Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për qepën pas mbjelljes në fushë?
Kur bima ka arritur lartësinë rreth 10 cm, bëhet prashitja e parë e qepës së mbjellë me qepujkë.
Prashitje, qepës i kryhen 3-4 të shoqëruara me plehërim plotësues me nitrat amoni. Këto të fundit, duhet të ndërpriten deri 3-4 javë para vjeljes së qepës.
CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E QEPËS NË FUSHË TË HAPUR?
Bimët e qepës preken nga disa sëmundje e dëmtues si ndryshku, fuzarioza, vrugu, mozaiku, miza e qepës, tenja, nematoda etj, mbrojtja e të cilave kërkon mendimin e kualifikuar të specialistit të fushës. Më të përhapurat për kulturën e qepës janë ndryshku dhe nematoda.
Pse përbëjnë problem sëmundjet?
Ndryshku
Sëmundja shfaqet në pranverë. Fillimisht shfaqet në gjethe, me njolla, me ngjyrë ndryshku të verdhë. Gjethet e prekura rëndë zverdhen dhe thahen. Këtë sëmundje e favorizojnë reshjet, plehërimi i njëanshëm azotik dhe mungesa e kaliumit.
REKOMANDIM! Të zbatohet me korrektësi qarkullimi bujqësor. Kontrolli; trajtime me 1% lëng bordolez.
Nematoda
Prek kryesisht kërcellin, i cili merr ngjyrë të zbehtë dhe trashet. Gjethet përdridhen dhe trashen, baza e kërcellit deformohet, trashet e çahet, zbutet dhe kalbet. Bimët e prekura ndalojnë zhvillimin dhe mbeten të vogla.
Masat:
Kontrolli: Të përdoret në rast infeksionesh ACTILIC 0,15 - 0.2% me lëndë active pirimiphos –methyl. Kjo bën të mundur të luftojë dhe mizën.
VJELJA DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË QEPËS
Për qepën e mbjellë me qepujkë, vjelja e qepës së thatë bëhet në muajin korrik-gusht. Shenjat për vjelje janë: zverdhja e gjetheve dhe fillimi i tharjes, ndërsa cipa e jashtme e qepës ka marrë ngjyrën karakteristike të kultivarit.
Qepa e vjelur lihet të thahet mirë dhe pastaj ambalazhohet e futet në ruajtje. Qepa mund të ruhet dhe të tregtohet;
Vjelja e qepës së njomë dhe gjysëm të thatë bëhet pothuajse gjithëvjetore duke bërë pastrimin dhe ambalazhimin e saj, para se të dalë në treg.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Përse kërpudhat meritojnë të përhapen më shumë në vendin tonë?
Lexo më shumëCilët janë produktet me bazë bakri dhe përdorimi i tyre?
Lexo më shumëKur duhet të bëhet mbjellja e fidanëve të kungullit të dimrit në fushë të hapur?
Lexo më shumëPse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit?
Lexo më shumë