Speci është një ndër bimët kryesore të perimeve e cila për nga sipërfaqja zë vëndin e dytë pas domates. Në Shqipëri sipërfaqja e mbjellë me speca arrin gati arrin në 3.000 ha, ku peshën kryesore e zën sipërfaqja e mbjellë në kushtet e fushës së hapur.
Cilat janë kërkesat ndaj faktorëve të mjedisit?
Ndër elementët me kryesor të klimës dhe ato të mjedisit janë: temperatura e ajrit, temperatura e tokës, lagështira ajrore dhe tokësore, drita, ajrimi, gazi karbonik, era, toka, kundërdrejtimi, etj. Në lidhje me kërkesat ndaj temperaturës, kjo bimë renditet në grupin e bimëve me kërkesa të larta ndaj nxehtësisë.
Farat e specit fillojnë të mbijnë në temperaturën 13°C. Në qoftë se vazhdohet të trajtohet me këtë temperaturë, procesi i mbirjes së farërave zhvillohet me ngadalë dhe përfundon pas 18-20 ditëve. Nëse temperatura rritet në vlerat 18°-25°C, farat mbijnë për 10-15 ditë, në 25°-28°C ato mbijnë për 8-10 ditë. Ndërsa në temperaturën 28°-35°C, mbirja bëhet për 4-6 ditë. Mbi temperaturën 35°C, farat dëmtohen duke humbur fuqinë mbirëse. Temperatura optimale e mbirjes së farërave është 25°-28°C, e cila përfundon për një periudhë kohore në 8-10 ditë.
Nga momenti i mbirjes së farërave e deri në fillimin e formimit të çiftit të parë të gjetheve të vërteta, bimëzat e sapo mbira, vetëushqehen akoma nga lëndarezervë që ndodhet në gjethet kotiledone.
KUJDES! Pas mbirjes, temperatura nuk mbahet 25°–28°C pasi shpenzohet lënda rezervë që ka mbetur në kotiledone gjatë procesit të frymëmarrjes.
REKOMANDIM! Pasi farat të kenë mbirë në 55-65% të sasisë, temperatura e mjedisit duhet medoemos të ulët në nivelet 16°-20°C. Ky regjim duhet të vazhdojë deri sa të shfaqen gjethet e para të vërteta, për 8-12 ditë. Pasi bimët të kenë filluar formimin e dy gjetheve të vërteta, atëhere është e nevojshme që temperatura e ajrit të rritet gradualisht deri në rreth 25°C. Me temperaturën nën 13°C, kjo bimë e ndalon rritjen dhe zhvillimin, ndërkohë që bimët e domates dhe patllixhanit e kanë respektivisht 10°C dhe 12°C.
Shqetësimet fiziologjike, i fillojnë kur temperatura e ajrit zbret nën 12°C. Nën temperaturën 0°C (praktikishtnga – 0.3° deri në – 0.5°C), bimët e specit kalben plotësisht. Temperaturat optimale për rritjen dhe zhvillimin e specit, janë 23° – 28°C. Nëse temperatura e ajrit vazhdon e rritet në mbi 30°C, atëhere ritmi i sintezës së lëndës organike ulët gradualisht dhe në temperaturën 40°C, bëhet ndërprerja e plotë e saj. Mbi 40°C, procesi i frymëmarrjes fillon e bëhet më intensive dhe bimët kalojnë në depresion e shqetësime të rënda fiziologjike.
Në cilat toka shkon më mirë speci ?
Tokat në të cilën do të kultivohet speci, duhen të jenë të thella, të ajrosura mirë, të përshkueshme nga uji, të ngrohta dhe me drejtim nga Jugu (veçanërisht për prodhimin e hershëm), humusore dhe të pasura me elementë ushqimor dhe të asimilueshëm nga bimët. Tokat e ftohta, të lagëta, e të rënda, me taban të cekët, janë të papërshtatshme për rritjen e sistemit rrënjor të kësaj bime. Reaksioni i solucionit tokësor duhet të jetë neutrale në vlerat e ph: 6.5 – 7.5.
Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë ?
Speci kurrë nuk duhet të mbillet pas vetes apo bimë të së njëjtës familje (domate, patate, patëllxhan, etj,). Madje është e domosdoshme që të aplikohet një skemë e qarkullimit bujqësor mbi 5 vjeçare. Parabimët më të mira për bimën e specit janë kulturat e familjes së bishtajoreve (papilonace), një dhe shumvjeçare si: jonxha, tërfilet një-dhe-shumvjeçare, fasulja, bizelja, batha, etj. Parabimë të mira janë gjithashtu kulturat e familjes së frutrrënjore (Umbrelifere), si karrota, panxhari, rrilkat, repkat, etj.
Parabimë të mira gjithashtu, janë edhe drithrat e bukes, si gruri, misri, etj, si dhe bimët industriale si duhani, etj. Veçanërisht misri,i cili kultivohet në kushtet e një plehërimi të bollshëm oganik dhe kimik, është një parabimë e mirë për specin.
Çfarë kërkesash ka speci për lagështirë?
Fillimi i lulëzimit dhe i frutifikimit dhe në fazën e rritjes së frutave, lagështira në tokë duhet të jetë në vlerat 60 – 70% të kapacitetit ujëmbajtës të saj. Nga fillimi i lulëzimit e deri në pjekjen e frutave, kërkesat për ujë janë edhe më të mëdha. Në këtë fazë sasia e lagështirës në tokë duhet të jetë në vlerat 70 – 85% të kapacitetit ujëmbajtës të saj. Krahas nevojave për lagështirën tokësore, speci është kërkues dhe për lagështirë ajrore. Kërkesat për lagështirë ajrore nga speci, janë më të mëdha se sa ajo e domates.
Klikoni këtu në se dëshironi të dini më shumë Si përgatiten fidanat e specit dhe toka per mbjelljen e tyre
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.
Lexo më shumëEfekti i ndryshimeve klimatike, si po rrezikohet Shqipëria?
Lexo më shumëCilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?
Lexo më shumëSherebela përdoret për shërimin e shumë sëmundjeve. Cilat janë kërkesat e sherebelës ndaj faktorëve të mjedisit?
Lexo më shumë