Higjiena dhe dezinfektimi në zonën e mjeljes
Zona e mjeljes është një zonë me intensitet të lartë aktiviteti, ndaj sipërfaqet e mureve të saj duhet të pastrohen rregullisht për të shmangur shtimin e patogjenëve në këtë zonë të frekuentuar rregullisht nga kafshët që milen. Pas çdo mjelje, lani mirë zonën e mjeljes me ujë të bollshëm.
Makinat mjelëse mund të përbëjnë gjithashtu një burim infeksioni që sjell rritje të shkallës së mastitit klinik dhe atij sub-klinik dhe për pasojë ulje të cilësisë së qumështit. Kjo e bën të domosdoshme ndjekjen e një protokolli të mirë përcaktuar për pastrimin dhe dezinfektimin e makinave mjelëse.
Makinat mjelëse duhet të pastrohen pas çdo mjeljeje me solucion acid ose alkalin i klorinuar (bazik), ose duke përdorur kombinimin e acidit paracetik me peroksid hidrogjeni. Produkti bazik siguron dezinfektimin e sistemit. Pjesë të tilla si gotat e mjeljes dhe tubat përcjellës të qumështit duhet të shpëlahen në fund të çdo mjeljeje si dhe gjatë mjeljes, nëse ato ndoten nga plehu organik. Pikërisht, këto pjesë duhet të lahen mirë me ujë dhe solucion sapuni nëse plehu organik nuk pastrohet lehtësisht prej tyre.
Higjiena dhe dezinfektimi në bokset e viçave dhe martenitet
Siç e dini, sistemi imunitar i viçave të sapo lindur është i brishtë, gjë që sjell pasoja serioze në rastet kur ato ekspozohen ndaj patogjenëve, situatë kjo që shpesh rezulton në pneumoni dhe diarre.
KUJDES! Pneumonia dhe diarrea i kushtojnë fermave blegtorale një kosto të konsiderueshme, kosto të cilat reflektohen që nga ulja e efektshmërisë së ushqimit, dinamika e dobët në rritje, kostoja e trajtimit e deri në humbjen e jetës së viçave.
Në këto kushte, ju rekomandojmë të pastroni enët, me të cilat viçat pijnë kulloshtër menjëherë pas përdorimit të tyre, si dhe herë pas here t’i dezinfektoni ato me qëllim shmangien e krijimit të biofilmave (veshjeve yndyrore). Me rritjen e viçave, merrni në konsideratë pastrimin dhe dezinfektimin e enëve të ushqimit të tyre, si dhe ato të pirjes së ujit të cilat duhet të dezinfektohen dhe shpëlahen mirë.
Humbjet në rastin e viçave ndodhin edhe kur ata mbahen në mjedise me hapsirë të kufizuar, raste këto që sjellin dhe mundësi më të mëdha për transmetimin e agjentëve patogjenë që shkaktojnë pneumoni dhe diarre. Ndaj, ju rikujtojmë të siguroni hapsirat e duhura gjatë mbarështimit të viçave.
Mund të lexoni më shumë për “Përkujdesjen për viçat” duke klikuar këtu.
Dezinfektantët në këtë rast duhet të kenë spektër të gjerë që mundësojnë kontrollin e viruseve si rotavirus dhe coronavirus, e bakterieve si E. Coli, salmonelën, si dhe parazitëve si cryptosporidium. Për kontrollin e bakterieve dhe viruseve mund të përdoren substanca si jodi dhe glutaraldehyde.
Dezinfektimi i bokseve të të porsalindurve është një proces i rëndësishëm që duhet kryer mbas çdo pjellje. Një përkujdesje e tillë ju siguron një fillesë të mbarë për viçat e porsalindur.
Kujdes të veçantë duhet të tregoni edhe në zonën e martenitetit. Gjatë procesit të pjelljes lopët përjetojnë një rënie të imunitetit gërshetuar kjo me një gjendje stresi si pasojë e procesit të pjelljes, gjë që sjell dhe rritje të rrezikut për prekje nga sëmundjet. Përkujdesi për mbajtjen e një marteniteti të pastërt, siguron një lopë të shëndetshme, si dhe një laktacion fitimprurës.
BËNI KUJDES:
KUJDES!
Gjatë pastrimeve/dezinfektimeve mos përzieni solucione me përmbajtje amoniaku me ato me bazë klori, pasi përzierje të tilla shkaktojnë çlirim gazrash të dëmshëm.
Mos përzieni solucione me përmbajtje acide me solucione klori pasi ato shkaktojnë çlirimin e gazrave helmues.
Përgjithësisht, uji i nxehtë ose avulli rekomandohen për çaktivizimin e pjesës më të madhe të patogjenëve, ndërsa për të rritur nivelin e pastërtisë bëni shpëlarje me tretësirë klori.
Si dhe sa herë duhet pastruar e dezinfektuar?
Rregulli i artë që duhet të ndiqni është “Pastroni dhe dezinfektoni para çdo hyrje të kafshëve në një ambient duke e menaxhuar situatën nën moton: të gjitha kafshët njëkohësisht brenda, e të gjitha jashtë”. Ky sistem menaxhimi bën të mundur që të gjitha kafshët të futen në një njësi të caktuar dhe të izoluar të stallës (boks viçash, martenitet), të kalojnë përmes fazës së duhur të ciklit të tyre dhe më pas të gjitha të zhvendosen jashtë në të njëjtën kohë. Njësia (boksi i viçave, marteniteti) më pas pastrohet tërësisht dhe dezinfektohet përpara se të hyjë një grup i ri kafshësh.
Higjiena dhe dezinfektimi në ambientet e ruajtjes së ushqimeve
Sigurimi i higjienës së bazës ushqimore fillon që me respektimin e procedurave të duhura për vjelje/korrje, manipulim dhe magazinim të të gjithë produkteve të përdorura si ushqim për kafshët e fermës suaj. Garantoni që ambientet e ruajtjes së ushqimeve blegtorale të jenë të paprekura nga brejtësit, zogjtë, qentë, macet dhe kafshë të tjera të egra.
Mbani nën kontroll dhe largoni nga magazina pjesë të mykura ose të prishura të ushqimit, si në gropa silazhi, magazinë, silose drithërash , etj.
Ushqimet apo suplementet mineralo-vitaminikë duhet të magazinohen duke përdorur paleta druri për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me dyshemenë.
Pastroni hapsirat ndarëse ndërmjet ushqimeve të ndryshme. Lëvizni sasitë e ushqimeve rezervë në mënyrë të vazhdueshme duke ndryshuar vendodhjen e tyre, me qëllim që të kufizoni praninë e patogjenëve në ushqime. Me hapjen e ambalazhit të ushqimeve, (thasë, kuti, qese, shishe, etj) nëse sasia nuk konsumohet e tëra, siguroni mbylljen e mirë të ambalazhit.
Siguroni që vend depozitimet apo magazinat e ushqimeve nuk preken nga reshjet apo prania e ujit, pra, siguroni që zona e ruajtjes së ushqimeve të jetë gjithnjë e thatë.
Sipërfaqet e magazinimit të ushqimit të jenë të lëmuara me qëllim që zona e ruajtjes së ushqimeve të mos popullohet nga patogjenët.
Largoni ushqimet e pa konsumuara nga grazhdi nëse ato nuk konsumohen brenda 24 orëve.
Mos ofroni mbetjet e ushqimit nga kafshët e rritura tek të vegjëlit. Mbroni të gjithë zonën e ngrënies së kafshëve (grazhdet) si dhe enët e pirjes së ujit nga karkasat e mundëshme si dhe nga jashtëqitjet e kafshëve.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë lidhur me Kafshët e fermës, punonjësit dhe paisjet.
Shpërndaj në rrjetet sociale:
Problemet kryesore me ndikim ekonomik që hasen në fermat blegtorale: mastiti, mungesa e fertilitetit dhe çalimet.
Lexo më shumëKafshët që nuk konsumojnë ujë, nuk prodhojnë qumësht!
Lexo më shumëCilët janë faktorët që mundësojnë tolerancën ndaj temperaturave të ulta?
Lexo më shumëKriteret minimale për ndërtimin e një stalle
Lexo më shumë