Teknologjia e kultivimit të luleshtrydhes




Luleshtrydhja (Fragaria vesca) është bimë shumëvjeçare, barishtore-frutore me rritje të pakët që jeton rreth 5-8 vjet. Luleshtrydhja e ka origjinën në Amerikën Veriore dhe vendet më të rëndësishme të prodhimit të luleshtrydhes janë USA, Holanda, Anglia, Belgjika, Franca, Italia etj. Vitet e fundit është rritur interesi i prodhuesve të luleshtrydhes edhe në vendin tonë.

Luleshtrydhja dallohet për pjekje të hershme, aromë dhe shije të këndshme, vlera të larta ushqyese, mjekësore dhe ekonomike.

  • Vlerat ushqyese. Luleshtrydhja përmban 8 – 15% sheqer, acide organike, vitamina (C, E, B1, B6, K, PP), kripëra minerale të Ca, K, P, Mg, Fe, S etj. Sheqernat, kripërat minerale dhe vitaminat e luleshtrydhes asimilohen lehtësisht nga organizmi i njeriut.
  • Vlera mjekësore bazohet në vetitë e saj dietike e profilaktike. Luleshtrydhja ndikon në shërimin e reumatizmës, anemisë, anoreksisë, etj.
  • Vlera ekonomike, luleshtrydhja ka një përdorim të gjerë dhe konsumohet si frut i freskët apo i përpunuar (lëng, reçel, marmaladë etj.).

Luleshtrydhja piqet herët dhe është mjaft e kërkuar në treg. Jep rendiment të lartë dhe kërkon një numër mjaft të madh të fuqisë punëtore. Ndikon në zhvillimin e industrisë agro-ushqimore dhe drejtpërdrejt në ngritjen e përmirësimin e standardit të jetesës së familjeve fermere. Gjithashtu, luleshtrydhja në krahasim me drufrutorët e tjerë ka disa përparësi. Duke qenë bimë e vogël barishtore, kultivimi bëhet më i lehtë, zë sipërfaqe të vogël, shumohet me lehtësi, nis prodhimin që në vitin e parë pas mbjelljes, piqet herët dhe mund të prodhojë disa herë gjatë vitit (tek kultivarët shumë herësh prodhimi fillon nga pranvere e deri në vjeshtë), jep rendiment të lartë e të qëndrueshëm, kërkohet shumë nga tregu dhe shpërblen më mirë se çdo bimë tjetër punën dhe shpenzimet e kryera.

Kërkesat për klimën tokën dhe parabimën
Një mikroklimë e favorshme për luleshtrydhet është një zonë me diell të plotë të paktën gjashtë orë në ditë, temperaturë uniforme, kullim i mirë i tokës dhe mbrojtje e mirë nga era. Nëse vendit ku vendosni të kultivoni luleshtrydhe, i mungon një mikroklimë e mirë, ju duhet ta përmirësoni atë, ose të zgjidhni një vend tjetër. Një parcelë me tokë pak të pjerrët me pamje nga jugu siguron ekspozim të mirë ndaj dritës, kullim të mirë të ujit si dhe qarkullim të mirë të ajrit.

Kërkesat për dritën
Për sa i përket reagimit ndaj dritës luleshtrydhet ndahen në:

  • të ditës së shkurtër: futen të gjithë kultivarët që prodhojnë kur gjatësia e ditës është më e shkurtër se 12 orë (vilen vetëm një herë);
  • neutrale ose fakultative: futen grupi i kultivarëve që nuk ka rëndësi gjatësia e ditë për frutifikimnin e tyre (vjelja vazhdon për disa muaj gjatë vitit).

Prandaj është e nevojshme për të mbjellë kultivarin e duhur në sezonin e duhur. Për kultivimin në ambiente të mbrojtura dhe për prodhim sa më të gjatë në një sezon kanë gjet përhapje kultivarët e grupit neutral.

Cilat janë kërkesat e luleshtrydhes për temperaturën?

  • Luleshtrydhet neutrale për gjatësinë e ditës do të lulëzojnë dhe do të frutifikojnë sa herë që temperatura është në intervalin nga 20°C deri në 29°C.
  • Temperatura 29°C konsiderohet kufiri i sipërm në të cilin, luleshtrydhet neutrale për ditën, do të prodhojnë lule.
  • Kur temperaturat ulen gradualisht, bima mund të tolerojë edhe temperatura deri në -6°C, por do të dëmtohet plotësisht kur temperaturat bien në -12°C.
  • Kur lulet zhvillohen në temperatura nën optimale, ato do të zhvillohen në mënyrë të parregullt, me një numër shumë më të vogël të thekëve, dhe thekët do të prodhojnë dukshëm më pak polen.
  • temperatura nën +10°C, poleni nuk mbin, kështu që produktiviteti i këtyre bimëve do të shkatërrohet.

Lagështia relative (RH)
Lagështia relative e lartë deri e moderuar, e shoqëruar me temperatura nga 15°C deri 27°C, favorizon zhvillimin dhe përhapjen e hirit, si dhe sëmundjeve bakteriale. Lagështia relative e lartë gjithashtu ka një efekt të dëmshëm në hapjen e qeseve të polenit. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të mundësohet ajrimi i mirë i bimëve që rriten në struktura të mbrojtura gjatë sezonit të lulëzimit.

Si të menaxhoni lagështirën në ambientet e mbrojtura?
Bimët e luleshtrydheve janë të ndjeshme ndaj lagështirës. Në mjedise të thata, lagështia e ulët mund të bëhet problem dhe të shkaktojë djegien e majës. Djegia e majës është një mungesë kalciumi në gjethe dhe shkaktohet kur bimët transpirojnë (avullojnë) shumë, dhe kalciumi shkon kryesisht te gjethet dhe jo te majat/lastarët në zhvillim.

Kërkimet shkencore sugjerojnë se zbatimi i një minimumi prej 3 orësh lagështi të lartë gjatë natës, rreth 90-95%, është i nevojshëm për të shmangur djegien e majës. Kjo ndihmon në ngadalësimin e shkallës së transpirimit dhe lejon kalciumin të arrijë majat e rritjes. Pas kësaj periudhe me lagështi të lartë, lagështia duhet të ulet për të tharë bimët dhe për të ndihmuar në parandalimin e sëmundjeve të gjetheve. Nivelet e lagështisë gjatë ditës duhet të jenë ndërmjet 40-60%.

Kërkesat për tokën

  • Toka më e mirë për prodhimin e luleshtrydheve është një tokë ranore e thellë, dhe drenazhuar mirë dhe me përmbajtje të lartë humusit (mbi 2% lëndë organike).
  • Tokat e rënda argjilore me kullim të dobët nxisin zhvillimin e sëmundjeve dhe pengojnë operacionet e ndryshme agroteknike në kohën e duhur.
  • Tokat me përmbajtje të lartë të kalciumit (gëlqeres) nuk janë të përshtatshme për kultivimin e luleshtrydhes.
  • Luleshtrydhet preferojnë toka pak acide me një pH midis 5.5 dhe 6.5. Nëse vlerat e pH-it janë më të ulëta, ai duhet të korrigjohet me anë të gëlqerimit. Zhvillim i mirë i bimëve është marrë edhe në tokat me pH pak më të lartë se ai neutral (7.5).
  • Nivelet e pH të tokës mbi 8, mundndikojnë negativisht në thithjen e disa lëndëve ushqyese, veçanërisht në nivelet e hekurit në kultivarë të caktuar. Kur pH i tokës është i lartë vihet re dhe është e zakonshme zverdhja e luleshtrydheve. Përdorimi i plehut të gjelbër dhe i plehrave acidifikuese mund të ulin pH-në e tokës.

Kripësia dhe alkaliniteti i tokës

  • Bimët e luleshtrydheve janë shumë të ndjeshme ndaj kripësisë, veçanërisht në fazën e mbjelljes. Vlera optimale EC është 1.5.
  • Tokat shumë alkaline mund të shkaktojë zverdhje ose klorozë të bimëve, një gjendje që mund të çojë në humbje të konsiderueshme të rendimentit ose në zbehje të plotë të bimëve.

Vëmendje! Për tu siguruar që toka është e përshtatshme, paraprakisht kryej analizat kimike të tokës në mënyrë që të njihni gjendjen e elementeve ushqyese në tokë.

Cilësia e ujit për ujitje
Ujitja është thelbësore për prodhimin e luleshtrydheve me rendiment të lartë. Meqenëse bimët e luleshtrydheve kanë rrënjë të cekëta, lagështia e përhershme është e nevojshme për të maksimizuar prodhimin. Gjatë sezonit të rritjes kërkohet një  mesatare prej 300 mm deri në 450 mm ujë ujitës. Cilësia e ujit duhet të respektohet, pavarësisht nga qëllimi i aplikimit të ujit. Uji i ujitjes me përmbajtje të konsiderueshme kripërash, i kombinuar me strukturën e dobët të tokës, gjithashtu mund të ndikojë që në tokë të shfaqen nivele të papranueshme kripësie.

Kërkesat për parabimën
Luleshtrydhet nuk duhet të mbillen, të paktën për katër vite, në toka ku ka qenë mbjelle luleshtrydhe, mjedër, jonxhë, patate, domate, speca, patëllxhanë, fasule, karrota dhe bamje, përveç rasteve kur toka trajtohet kundër sëmundjeve kërpudhore (fumigantë). Mbjellja pas vetes dhe këtyre bimëve, pa bërë trajtime kimike, mund të bëhet shkak për infeksionin nga sëmundje dhe dëmtues që mund të dëmtojnë bimët e luleshtrydhes. 

Vëmendje! Në rastet kur nuk është mundësia e realizimit të një qarkullimi bujqësor, detyrimisht duhet të bëhet dezinfektimi i tokës me fungicide e insekticide.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Përgatitja e tokës dhe mbjellja e fidanëve të luleshtrydhes

Data e publikimit: 30/03/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

DOMOSDOSHMËRIA E PREMIKSEVE

Çfarë përfitimesh do të shihni konkretisht në fermën tuaj duke përdorur premikset?

Lexo më shumë

VJELJA E LULEVE TË CIANIT

Vjelja e cianit, në varësi të kushteve klimatike, fillon nga fillimi i qershorit dhe vazhdon deri në rënien e ngricave të para vjeshtore.

Lexo më shumë

RRËNJËNGRËNËSI I MISRIT DHE DËMET QË SHKAKTON

Ekzistojnë specie të ndryshme që përbëjnë kompleksin e diabrotikës në misër, ndër të cilët veçohen:

Lexo më shumë

SI EVIDENTOHET RRËNJËNGRËNËSI I MISRIT?

Si evidentohet rrënjëngrënësi i misrit?

Lexo më shumë