KULTIVARËT, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I PANXHARIT TË KUQ NË FUSHË TË HAPUR




Cila është struktura varietore e rekomanduar për panxharin e kuq?
Në praktikë për të grupuar kultivarët e ndryshëm, merret për bazë kriteri i gjatësisë së ciklit bimor, prandaj dhe bëhet ky klasifikim:

  • Kultivarë të hershëm, me cikël vegjetativ 60-70 ditë nga dita e mbirjes. Kultivari është “Pjata e Egjiptit”, me pulpë ngjyrë të kuqe si verë, gjethe të zgjatura të gjëra me bishta dhe nervatura ngjyrë violet.
  • Kultivarë mesatarisht të hershëm, me periudhë bimore 70-80 ditë si “Balbo”, “Crosby” dhe “Egjiptian”, të cilët kanë frutrrënjor të rrumbullakët dhe ngjyrë të kuqe të errët.
  • Kultivarë mesatarisht të vonshëm, me cikël 80-90 ditë si “Red Pack” dhe “Nera di Milano”, të cilët kanë frutrrënjor të rrumbullakët, të rregullt, ngjyrë të kuqe intensive që ruhen mirë pas vjeljes.

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Panxharit të kuq?
Mbjellja bëhet drejtpërdrejt me farë. Mbas një përgatitje të mirë të tokës dhe sistemimit sipërfaqësor të saj, bëhet mbjellja me makinë mbjellëse. Sot përdoren makina mbjellëse pneumatike me saktësi të lartë duke siguruar numrin e duhur të bimëve për njësi të sipërfaqes dhe harxhojnë sasi të pakët fare (0.25-0.3 kg/dy) duke mënjanuar kështu dhe nevojën e rrallimit të bimëve.

Në cilat afate bëhet mbjellja e panxharit të kuq?
Panxhari i kuq mund të mbillet në mënyrë të shkallëzuar, duke filluar nga muaji mars deri në Tetor.

Cilat distanca mbjelljeje zbatohen për panxharin e kuq në fushë?

  • Mbjellja e panxharit të kuq me makinë pneumatike bëhet me rreshta 30-40 cm x 10cm bima nga bima brenda rreshtit.
  • Dendësia maksimale arrin 40-60 bimë/m², por mund dhe të ulet deri 15-20 bimë/m², në varësi të kushteve të kultivimit dhe në rast se duam të marrim frutrrënjorë me dimensione më të mëdha.
  • Mbjellja e farës së panxharit të kuq bëhet në 1-2 cm thellësi. Për mbirjen, rritjen dhe zhvillimin e bimëve, përdoren vetëm ujitje në formë shiu.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për panxharin e kuq?
Shërbimet agroteknike më të rëndësishme, në fazat e para të rritjes, konsistojnë në rrallimin kur bimët të kenë arritur një lartësi 5-7 cm, ujitjen dhe luftimin e barërave të këqija.

Prashitja me mjete mekanike është shërbim shumë i rëndësishëm për panxharin e kuq pasi përveç shkrifërimit të tokës, bën dhe luftimin e barërave të këqija. Koha e një prashitjeje nga një tjetër duhet të jetë në rreth 15 ditë.

Ujitjet duhet të sigurojnë pandërprerje lagështirën e nevojshme në tokë. Si bimë lagështi dashëse, tokës i duhet të sigurohet një lagështi normale dhe kjo më shumë kujdes duhet në fazën e mbirjes, që duhet të bëhet 6 - 7 herë në çdo 2 - 3 ditë, deri në atë moment sa të duken gjethet e para dikotiledone. Ndërsa fazat e tjera të cilat kërkesatjanë me maksimale për ujë janë ajo e rritjes vegjetative dhe ajo e rritjes së fruterrënjorit. Kur sasia e lagështirës zbret nën 60 - 80 % të aftësise ujëmbajtëse të tokës, lind nevoja e ujitjeve. Ujitja me pika është ideale,po ashtu edhe ajo në formë shiu.

Kujtesë dhe vëmendje!

Ndërmjet dëmtimeve më të rënda me natyrë joparazitare për panxharin e kuq, janë ato ato që provokohen nga streset ujore në tokë (sidomos nga alternimi i lagështirës me thatësirën) e që shoqërohen më pas me deformime të frutrrënjorëve. 

Teprica e lagështirës në fazën përfundimtare të kulturës, shkakton plasaritje të frutrrënjorëve të panxharit të kuq.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Sëmundjet dhe dëmtuesit e panxharit të kuq, parandalimin dhe luftimin e tyre. 

Data e publikimit: 01/01/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

PËRGATITJA E TOKËS PËR MBJELLJEN E PANXHARIT TË KUQ

Toka duhet punuar në thellësinë 35-40cm.

Lexo më shumë

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E PJEPRIT NË FUSHË TË HAPUR

Pse përbëjnë problem sëmundjet?

Lexo më shumë