Punimi i tokës
- Toka duhet punuar në thellësinë 35-40 cm.
- Numri i punimeve dhe i atyre përgatitore duhet të bëjnë që toka para mbjelljes të jetë e shkrifët e me strukturë. Panxhari kërkon përgatitje cilësore të shtratit të mbjelles.
- Punimet duhet të përfundojnë të paktën 2-3 javë para mbjelljes. Frezimet ose diskimet, duhet të bëhen në 4 - 7 ditë para mbjelljes së farës.
Kanalet kulluese dhe vaditëse
Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse.
Plehërimi i tokës
- Para punimeve të tokës duhet të shpërndahen të gjithë llojet e plehërave kimike kryesisht fosforike, potasike si dhe 1/3 e plehut azotik.
- Është e domosdoshme që plehërimi të bëhet në bazë të analizave kimike të tokës.
- Vetëm atëhere bimët mund të plehërohen me kujdes pa e tepruar dhe rrjedhimisht bimët do të rriten dhe do të zhvillohen të shëndetshme.
Sasia dhe raporti i plehërimit
Si përcaktohet sasia e plehërave që duhen përdorur tek panxhari ?
Për çdo kv prodhim, bima tërheq nga toka: 0,250 kg Azot (N) 0,08 kg Fosfor (P2O5) dhe 0.46 kg Potas (K2O) me një raport midis këtyre elementëve 1: 0.32: 1.84.
- Për të marrë një prodhim prej 40 kv/dy duhen: 10 kg azot, 3.2 kg fosfor dhe 18.4 kg potas.
- Gjatë vegjetacionit, ndërhyhet 1-2 herë me plehra azotike, të cilat këshillohen të përdoren së bashku me ujitjen.
- Përdorimi i plehrave azotike ndërpritet 3-4 javë para vjeljes së prodhimit.
- Panxhari i kuq është një perime e ndjeshme ndaj mungesës së mikro-elementëve dhe në veçanti të borit, magnezit, molibdenit dhe zinkut.
Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Mbjelljen dhe kultivimin e panxharit të kuq