Ceratitis capitata, e njohur si miza mesdhetare e frutave është dëmtues polifag, i cili prek mbi 260 lloje bimësh dhe shkakton një dëm që llogaritet në 30 – 40% të prodhimit në bimët që prek.
Përse duhet kontrolluar ky dëmtues? Është dëmtuesi kryesor i frutave që çojnë në shkatërrimin masiv të tyre.
Dëmi i parë konsiston në dëmtimin e frutave si rezultat i shpimit që bën femra me qëllim vendosjen e vezëve. Shpimet e shkaktuara nga femra nëpërmjet ovopozitorit, janë premisë dhe porta hyrëse për zhvillimin e infeksioneve të ndryshme kërpudhore, të cilat çojnë drejt prishjes së frutit.
Dëmi i dytë shkaktohet nga larvat, të cilat zhvillohen brenda në frutat e bimëve të lartpërmendura. Frutat e prekur, mbi lëkurë kanë pulla (njolla) në ngjyrë jeshile të errët, të cilat zbuten dhe janë pak të shtypura. Këto më vonë kalben dhe bien, pasi larvat ushqehen me tulin e frutit, të cilin e nxijnë dhe e kthejnë në një masë të qullët.
Është insekt i vendeve të ngrohta.
Pragu më i ulët termik për zhvillimin e saj është 13.5°C.
Në varësi nga kushtet klimatike të zonës, ka 3 - 16 brezni në vit.
Kushtet optimale për zhvillimin e saj janë kur temperatura mesatare ditore e ajrit është 26°C dhe lagështia relative e ajrit 70 %.
Femrat 4 - 10 ditë pas shfaqjes fillojnë të vendosin vezët.
Vezët vendosen nën cipën e lëkurës së frutit.
Në një ditë femra pjell nga 4 - 6 vezë, ndërsa gjatë gjithë jetës së saj, në kushte të favorshme, deri në 800 vezë.
Pas çiftëzimit, femra kërkon për një bujtës të përshtatshëm.
Fruta të tilla si kajsia janë të preferuara për të bujtur, por edhe të tilla si molla dhe dardha.
Kur popullatat e mizës mesdhetare janë të larta, femrat bëhen më pak përzgjedhëse dhe infektojnë bimë bujtëse më pak të preferuara, të tilla si ulliri.
Femra e dëmtuesit infekton bujtës më pak të preferuar në qoftë se bujtësit e preferuar nuk janë në dispozicion, edhe kur popullatat janë të ulëta.
Zhvillimi embrional zgjat në varësi nga temperatura e ajrit nga 2 - 25 ditë.
Larvat e çelura fillojnë të ushqehen me tulin e frutit duke bërë kanale (galeri).
Zhvillimi i larvës sipas kushteve të ambjentit, përfundon brenda 9 - 50 ditëve.
Larvat mbas zhvillimit të plotë braktisin frutin dhe kalojnë në tokë, ku në thellësinë 3 - 5 cm transformohen në pupë.
Larvat krisalidohen edhe në sipërfaqen e tokës ose në vetë frutat.
Stadi i pupës zgjat 12 - 60 ditë.
Mizat e shfaqura ushqehen me lëngjet sheqerore të frutave të ndryshme ose me lule.
Mbas ushqimit plotësues, femra fillon depozitimin e vezëve.
Është për t’u theksuar se në mungesë të frutave, mizat janë në gjendje të zgjasin aftësinë e ruajtjes së vendosjes së vezëve për 4 - 6 muaj.
Miza mesdhetare në të gjithë stadet e zhvillimit është shumë e ndjeshme ndaj temperaturave të ulta.
Temperatura -2°C është vdekjeprurëse për larvat.
Cikli i zhvillimit të mizës mesdhetare të frutave, Ceratitis capitata
Klikoni këtunëse dëshironi të dini më shumë mbi monitorimin e Mizës Mesdhetare të agrumeve