SËMUNDJET MË TË ZAKONSHME TË DHIVE




Ju nuk mund të ndërrmerni rolin e një veterineri të tufës suaj, por ju mund të fitoni njohuri të mjaftueshme për të kuptuar se cilat janë disa nga sëmundjet më tipike të dhive, shenjat e tyre dhe më e rëndësishmja si mund ti parandaloni ato dhe ti luftoni në bashkëpunim me veterinerin e zonës. 

Koksidioza e Dhive

  • Çfarë është? Koksidioza është një nga sëmundjet më të zakonshme që haset kryesisht tek kecat deri në moshën 5 muajshe duke sjellë humbje të konsiderueshme në ekonominë e fermës suaj. 
  • Cilat janë shenjat? Shenjat e veçanta janë diarrea ose jashtëqitja e squllët; plogështia e përgjithëshme; dinamika e ulët në rritje; dhe humbja e kondicionit trupor.

Kujdes! Në disa raste shkaktohen ngordhje të menjëherëshme të kecave edhe pa patur shenja të qarta paralajmëruese.

  • Përse shkaktohet? Shkaktari i koksidiozës është parazit i quajtur koksidia nga sëmundja ka marrë emrin e saj. Paraziti qëndron në zorrët e dhive të rritura dhe përmes jashtëqitjes ekspozohet në mjedis duke infektuar vendqëndrimin e kafshëve, dhe duke i bërë kecat prehë e këtij infeksioni parazitar.
  • Si parandalohet? Praktikat e mira të mbarështimit janë masat më efektive të parandalimit të sëmundjes, ndaj ju rekomandojmë të pastroni në mënyrë të vazhdueshme jashtëqitjet dhe ushqimet e pa konsumuara nga stalla; siguroni një sistem të ushqyeri dhe pirje uji që nuk mundëson ndotjen e tyre nga jashtëqitjet e kontaminuara; siguroni ujë të pastër; pastroni rregullisht enët e ujit dhe grazhdet e ushqimit; si dhe siguroni ndriçim të mirë të stallës me dritë natyrale, pra depërtim të rrezeve diellore. Mbani gjithnjë një shtrat të pastër dhe të thatë. Ju rekomandojmë të eliminoni stresin e kecave, grupojini ato sipas grup moshave në bokse të mirë ventiluar. Këshillohuni me veterinerin e zonës lidhur me trajtimin e sëmundjes, duke mbajtur parasysh se kontrolli mund të realizohet përmes antibiotikëve intramuskular dhe ofrimit të elektroliteve nga goja me përmbajtje dekstrozë, glicinë, kripë, sodë, potas, dhe vitamina si ato A, D3, E, B12.

Enterotoksemia ose zorrëza tek dhitë

  • Çfarë është? Njihet ndryshe edhe si sëmundja e mbi ngrënies ose e veshkave të squllura dhe është një nga sëmundjet më të përhapura tek dhitë.
  • Cilat janë shenjat? Shenjat që shfaqen janë një diarre e ujshme, humbje e menjëherëshme e oreksit, fryrje, rënie e menjëherëshme e sasisë së qumështit, kriza, të dridhura, mungesë ekuilibri, deprersion dhe një temperaturë mbi 40°C. Me avancimin e sëmundjes kafshët nuk janë në gjendje të qëndrojnë mbi gjymtyrë dhe shtrihen anash duke kryer lëvizje të pa kontrolluara. Në rastet akute, sëmundja sjell ngordhjen e menjëherëshme të kafshëve brenda 24 apo 48 orëve nga shfaqja e saj.
  • Përse shkaktohet? Zakonisht sëmundja krijohet nga ndryshime në sasinë dhe cilësinë e ushqimit. Përgjithësisht bakteria shkaktare e sëmundjes gjendet në tokë si dhe është pjesë e mikroflorës normale në traktin tretës të kafshës, por nën kushte specifike kjo bakterie riprodhohet në sasi të mëdha në zorrë duke sjellë dhe helmimin. Veçanërisht kecat janë më të ndjeshëm, ndërsa kafshët e rritura kanë një sistem imunitar më të zhvilluar.

Si parandalohet? 
Një mënyrë e mirë për të siguruar imunitetin e kecave është ajo përmes vaksinimit. Nëse vëreni probleme në tufë, shfaqjen e shenjave të lart përmendura, kontaktoni menjëherë veterinerin e zonës suaj. Tek kecat ju rekomandojmë të përdoren vaksina në moshë 2 muajshe duke i përsëritur pas një muaji. Gjithashtu, pirja e kulloshtrës cilësore në mënyrë të mjaftueshme është një formë e mirë për të rritur imunitetin e tyre. Tek dhitë barrëse vaksinimi duhet të bëhet deri në 1 apo 2 muaj para pjelljes. 

Agalaksia ose Zbekthi i Dhive

  • Çfarë është? Agalaksia është një sëmundje infektive, e cila shkakton humbje të konsiderueshme ekonomike të fermës për shkak të aborteve  të shkaktuara, uljes së prodhimit dhe mungesës së dinamikës së rritjes së kafshëvem, të cilat mbeten përgjithësisht të dobëta.
  • Cilat janë shenjat?Shenjat më tipike të sëmundjes janë abortet, prania e artritit, ngordhjet pas lindjes, mastitet, si dhe rënia e prodhimit të qumështit.
  • Përse shkaktohet? Agalaksia shkaktohet nga mikroorganizma dhe transmetohet përmes futjes në ferma të kafshëve të infektuara, përdorimit të materialeve të kontaminuara, apo aktivitetit seksual të kafshëve të kontaminuara.

Si parandalohet? Kujdes kur fusni kafshë të reja në tufë pa ditur më parë situatën me vaksinimin e tyre. Ju rekomandojmë të mos përdorini kullota, burime ujore që më parë mund të jenë përdorur nga tufat e prekura. Gjithashtu, ju rekomandojmë të kontaktoni me veterinerin e zonës për të konstatuar praninë e sëmundjes. Por, është e rëndësishme të realizoni vaksinimin parandalues dhe të vazhdueshëm të tufës në pranverë dhe në vjeshtë. 

Pneumonia tek dhitë

  • Çfarë është? Pneumonia është një nga problemet e lidhur me sistemin respirator (të frymëmarrjes), që shfaqet zakonisht tek të vegjlit, por mund të prekë edhe kategoritë e tjera të të dhirtave dhe karakterizohet nga pezmimi i mushkërive.
  • Cilat janë shenjat? Shenjat më tipike janë temperatura e lartë dhe kollitja, plogështija, rrjedhja e hundëve, vështirësitë në frymëmarrje  si dhe frymëmarrja e shpeshtuar.
  • Përse shkaktohet? Pneumonia shkaktohet nga viruset, bakteriet, parazitët, sikurse dhe faktorë të tjerë mjedisorë si numëri i lartë i kafshëve në një sipërfaqe të caktuar, ventilimi i pa përshtatshëm, korrentet ajrore, pluhuri, si dhe ndryshimet e menjëherëshme klimatike.

Si parandalohet? Ju keni në dorë administrimin e parandalimit të pneumonisë duke marrë disa masa si:

  • Veçoni nga tufa dhitë e sëmura.
  • Ndikoni në uljen e stresit duke ofruar stalla të thata dhe mirë ventiluara, si dhe hapsirën e mjaftueshme për kafshët.
  • Siguroni ushqyerje të mirë, luftën ndaj parazitëve si dhe eleminimin e ndikimeve që kanë ndryshimet mjedisore.
  • Diskutoni me veterinerin e zonës lidhur me kontrollin e pneumonisë që realizihet përmes vaksinimeve si Pasteurella dhe injeksioneve të antibiotikëve.

Maisja e Gojës tek Dhitë

  • Çfarë është? Një nga sëmundjet më të zakonshme të dhive që shkaktohet nga një virus i familjes së lisë. Si rëzultat i majisjes së gojës, sëmundja shkakton vështirësi në ngrënie, si dhe përhapje të plagëve në gjirin e dhive.
  • Cilat janë shenjat? Shfaqje e plagëve në buzë dhe në gojë. Fillimisht plagët janë në formën e flluskave që transformohen në kore. Plagët mund të shfaqen edhe në gjymtyrë e gji kur dhitë mëmëzojnë kecat e tyre të infektuar.
  • Përse shkaktohet? Virusi i ndodhur në plagët e kafshëve të infektuar bëhet shkak i përhapjes së mëtejshme të infeksionit. Virusi transmetohet në rastet e lëkurës së çarë. Gjiri i dhisë mund të infektohet nga pirja e kecave. Çdo kontakt i drejtpërdrejtë i kafshëve me njëra tjetrën në pjesët e infektuara mund të rezultojë në transmetimin e virusit ndërmjet kafshëve.

Si parandalohet?  Disa masa parandaluese që ju mund të merrni përfshijë:

  • Përkujdesuni për kullotat duke i kontrolluar ato dhe duke i pastruar nga objekte që mund të shkaktojnë prerje apo gërvishtje tek kafshët.
  • Bëni kujdes të dizinfektoni mjediset e fermës, grazhdet e ushqimit vendpirjet e ujit, mjetet si dhe paisjet.
  • Izoloni kafshët e prekura
  • Bëni kujdes të pastroni dhe lani duart pasi keni prekur një kafshë të sëmurë;

Ju rekomandojmë këshillimin me veterinerin e zonës në rastin e shfaqjes së sëmundjes në një shkallë serioze, duke mundësuar vaksinimin e tufës. Mbani parasysh se delet barrëse duhen vaksinuar dy muaj para pjelljes. Vaksinimi në periudhën e tharjes është më I preferuar se sa ai në barrsmërinë e vonë. Të porsalindurit mund të vaksinohen nëse ka një rrezik të lartë të sëmundjes.

Ketoza tek Dhitë

  • Çfarë është? Ketoza njihen ndryshe edhe si sëmundja e metabolizimit të shpejtë të yndyrës. Ajo shfaqet në fund të periudhës së barrsmërisë ose gjatë fazës së parë të laktacionit.
  • Cilat janë shenjat? Shenjat e ketozës përfshijnë mungesën e oreksit, rënien e sasisë së qumështit nëse dhitë janë në laktacion, si dhe një gjendje të përgjithëshme depresioni. Shenja të tjera përfshijnë erë të frymëmarrjes, kërcëllitje të dhëmbëve, sy të topitur deri në verbëri, dridhje, gjendje koma si dhe ngordhje. Në këto raste ju mund të bëni testin e urinës së kafshës së dyshuar për zbulimin e ketozës dhe të siguroheni nëse ajo ekziston ose jo.
  • Përse shkaktohet? Ketozat shkaktohen si rezultat i pa aftësisë së kafshëve për tju përgjigjur kërkesës në rritje për energji. Dhija nuk është në gjendje të përftojë sasi të mjaftueshme energjie, ndaj gjatë procesit të metabolizimit të yndyrave toksinat grumbullohen në gjak.  Ndodh zakonisht në periudhën e ushqimit me nivele të larta energjie, ku si rezultat kemi mobilizim të yndyrës nga rezervat e trupit me qëllim ruajtjen e nivelit normal të glukozës në gjak.

Si parandalohet?
Bëni kujdes, mos i dhjamosni dhitë barrëse. Ruani kondicionin e duhur trupor të dhive. Rrisni sasinë e energjisë në racionet ushqimore në mënyrë graduale gjatë 6 javëvë të fundit të barrsmërisë. Shmangni humbjen e peshës gjatë barrsmërisë dhe përmirësoni kondicionin e dhive të dobëta. Gjithashtu, edhe masa të tilla si higjena, ventilimi, dhe lëvizja e kafshëve ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes. Por, vëzhgimi i kujdeshëm i tufës dhe zbulimi sa më herët i shenjave të para është çelësi për një ndërhyrje të suksesshme. 

Klikoni këtu në se dëshironi të dini më shumë se si mund ti mbani dhitë në gjendje të mirë shëndetësore. 

Data e publikimit: 14/04/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VLERAT E ELEMENTËVE TË VEÇANTË

Cilët janë disa nga elementët e vecantë dhe domosdoshmëria e tyre në shëndetin e lopës?

Lexo më shumë

PËRDORIMI I PREMIKSEVE

Rekomandimi i përgjithshëm orientues për t’ju mundësuar lehtësinë në përllogaritjen e peshës në gramë, është:

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

VJELJA E LULEVE TË CIANIT

Vjelja e cianit, në varësi të kushteve klimatike, fillon nga fillimi i qershorit dhe vazhdon deri në rënien e ngricave të para vjeshtore.

Lexo më shumë