PËRGATITJA E TOKËS DHE MBJELLJA E FIDANËVE TË LULESHTRYDHES




Luleshtrydhja kultivohetambiente të hapura dhe të mbyllura (në fushë të hapur dhe në tunele polietileni e sera). Kultivimi më i zakonshëm i saj është në fushë të hapur, por në vendin tonë ajo kultivohet kryesisht në ambiente të mbrojtura, tunele polietileni dhe sera. Në sera ka filluar edhe kultivimi i saj me kate (mbjellja realizohet në vazo plastike, thasë, arka etj.). 

Metoda e mbjelljes në ambiente të mbrojtura siguron hershmëri të prodhimit dhe prodhim më cilësor.

Përgatitja e tokës dhe plehërimi bazë
Luleshtrydhja, për shkak të veçorive të saj botanike, ka kërkesa të mëdha për parapërgatitjen e tokës dhe është një ndër masat më të rëndësishme agroteknike, e cila ndikon në rritjen e prodhimtarisë dhe cilësisë së frutave. Përgatitja e tokës për mbjellje, si në fushë të hapur edhe ambiente të mbrojtura, është e njëjtë.

Punimi i tokës duhet filluar së paku tre muaj para mbjelljes së fidanëve. Përpara punimit, duhet të shpërndahet plehu organik i kalbur mirë (500-600 kv/ha) dhe plehrat kimike (7:21:14, ose 10:30:20 në sasi 8-10 kv/ha ). Pas shpërndarjes së plehrave bëhet plugimi i tokës në thellësi 30-40 cm. Për luftimin e barërave të këqija mund të aplikohen herbicide totale (Raundap, Glifosat, etj.) pas mbirjes së tyre, por së paku 1 muaj para mbjelljes së fidanëve të luleshtrydhes.

Përgatitja e leheve (vllajave)
Në vendin tonë aplikohet mbjellje me lehe ose vllaja. Përgatitja e leheve fillon pasi të jenë hedhur plehrat e përshkruara më lart dhe është bërë plugimi, frezimi dhe rrafshimi i tokës.
Vëmendje! Shumë e rëndësishme është që pjesa sipërfaqësore e tokës të jetë e shkrifëruar mirë dhe me lagështi mesatare.

Nëse toka është e thatë, para se të përgatiten lehet, duhet ujitur sipërfaqja e tokës 1-2 ditë para ndërtimit të tyre. Pas ndërtimit të leheve bëhet rulimi me anë të një ruli me peshë 200 kg. Rulimi është një masë e domosdoshme sepse mënjanon hapësirat e ajrit që mbeten pas frezimit dhe përgatitjes së leheve. Në të kundërtën nuk do të kemi vendosje të drejtë të fletëve plastike për mulçërim dhe sistemit të ujitjes, shpenzohen sasi të mëdha uji dhe do të kemi vështirësi në zënien dhe rritjen e bimës. Të gjitha këto do të reflektohen edhe në vitet vijuese.

Gjerësia e leheve duhet të jetë 80-90 cm, në varësi edhe të gjerësisë së fletëve plastike që do të përdoren për mulçërim. Lehet ndërtohen 20-25 cm të larta dhe u jepet forma e harkut. Në këtë mënyrë do të kemi ajrim më të mirë, punët gjatë kultivimit dhe vjeljes do të jenë më të lehta, si dhe do të mund të korrigjohen problemet që mund të krijohen nga punimet e cekëta. Distanca e rekomanduar midis kreshtave të leheve (mesit të leheve) është 90-120cm, në mënyrë qe të ketë hapësirë të mjaftueshme për lëvizjen e punëtoreve dhe mbi të gjitha dritësimin e mirë të bimëve gjatë rritjes.

Vendosja e sistemit të ujitjes dhe e fletëve plastike për mulçërim
Pas ndërtimit të leheve bëhet vendosja e tubave të sistemit të ujitjes me pika. Numri i tubave që vendosen për ujitje varet nga numri i rreshtave të bimëve. Distancat midis pikave mund të jenë çdo 10 ose çdo 20 cm dhe nga çdo vrimë do të rrjedhë uji në formë të pikave (2-4 L/h për çdo pikë në varësi nga presioni i ujit në tub). 

Vendosja e fletëve të polietilenit për mulçërim mund të behet me dorë ose e mekanizuar. Plastmasi i zi shmang nevojën e prashitjeve, pakëson avullimin e lagështisë, pengon barërat e këqija, bimët rriten më herët dhe frutat nuk ndoten nga toka. Kërkohet që fleta e polietilenit të jetë e tërhequr sa më shumë dhe pa deformime.

Caktimi i distancave dhe hapja e vrimave (foleve) për mbjelljen e fidanëve të luleshtrydhes
Ndërrimi i fidanëve të luleshtrydhes bëhet zakonisht në leha/vllaja me rreshta. Distanca midis rreshtave në lehë është 30 cm, kurse distanca midis bimëve në rresht 20 - 25 cm. Zakonisht, distanca midis mesit të leheve është 90– 120 cm. Distancat e mbjelljes ndryshojë në varësi nga kultivari, pjelloria e tokës dhe mikroklima. Si rregull, në tokat me pjellori të lartë (të cilat bëjnë që bimët të jenë më të bujshme) distancat e mbjelljes së bimëve janë gjithashtu më të mëdha.

Hapja e vrimave (foleve) për mbjellje mund të bëhet me dorë ose e mekanizuar. Në rastin e hapjes së vrimave me dorë, në varësi të distancave të përcaktuara midis bimëve në rresht, krijohet një shabllon i cili mund të ndërtohet nga karton ose material plastik, në të cilin hapen 8 – 10 vrima, apo më tepër, me diametër 10 cm. Shablloni vendoset mbi fletën e polietilenit dhe hapen vrimat në distancën e përcaktuar. Kjo do të mundësojë që të kemi një hapje të drejtë të vrimave për mbjelljen e bimëve.

Përgatitja e fidanëve për mbjellje
Fidanët e luleshtrydhes duhet të jenë të çertifikuar dhe të pastër nga viruset. Zakonisht fidanët e importuar ruhen në frigoriferë. Për këtë arsye, ata duhet që para mbjelljes të qëndrojnë për të paktën 24 orë në një vend të errët dhe të freskët, që gradualisht të ambientohen me temperaturat e larta. Gjithsesi, nuk duhet lejuar qëndrimi i fidanëve jashtë frigoriferit, pa u mbjellë, për më shume se 3 ditë, sepse shpenzojnë sasi të mëdha energjie dhe do të dobësohen aftësitë e tyre për tu lidhur me tokën.

Fidanët në fjalë vijnë të paketuar pa gjethe, ndërsa rrënjët i kanë të zhvilluara. Pas kalimit të kohës së përshkruar më lart fillohet me përgatitjen e fidanit. Rrënjët e fidanëve priten në gjatësi prej 8-9cm, dhe futen për 30 minuta në një tretësirë që shërben për dezinfektimin e sistemit rrënjor (previcur 15%, ose preparate të tjera të ngjashme). Gjethet e dala priten për të zvogëluar transpirimin.

Fidanët e luleshtrydhes mund të jenë edhe të gjelbër (në vegjetacion të plotë).Këta të fundit zakonisht vijnë me dherishte të vetën (substrat steril) dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje (prerje të rrënjëve e  gjetheve). Mbjellja: Para mbjelljes toka duhet të ketë lagështi të mjaftueshme. Kjo realizohet lehtësisht nëpërmjet aktivizimit të sistemit të ujitjes me pika, një ose dy ditë para mbjelljes.

Si të realizoni mbjelljen?
Bëni vrima (fole) mbjellëse të thella dhe të gjera mjaftueshëm për të akomoduar të gjithë sistemin rrënjor pa e përkulur atë ose të zërë plotësisht bukën e dheut kur mbillen fidanë me substrat dheu (bukë dheu). 

Sidoqoftë, mos mbillni shumë thellë! Rrënjët duhet të mbulohen, por kurora duhet të jetë pikërisht në sipërfaqen e tokës. Është shumë e rëndësishme që të MOS groposni kurorën (sythin e rritjes qendrore) të bimës, për ndryshe ajo mund të kalbet (shih figurën).

Metoda e duhur e mbjelljes A, krahasuar me metodat e papërshtatshme B, C dhe D për mbjelljen e luleshtrydheve. Tek fidanët e gjelbra (me bukë dheu), meqenëse vinë të mbjellë në substrat steril duhet pasur kujdes që të mos dëmtohet forma e këtij substrati sepse sjellë edhe dëmtimin e rrënjëve të porsaformuara. Po ashtu duhet pasur kujdes, që të mos lihet hapësirë ajrore në vendin e mbjelljes. Kjo mund të evitohet më së miri me ujitje të menjëhershme në vendin e mbjelljes.

Këshillë! Gjatë mbjelljes mos e mbuloni kurorën e bimës, ngjisheni tokën rreth bimës dhe kryeni ujitjen menjëherë pas mbjelljes. Gjethet, lulet dhe frutat duhet të ekspozohen ndaj dritës dhe ajrit të pastër.

Kur të mbillni luleshtrydhet?
Luleshtrydhja mund të mbillet gjatë gjithë vitit. Megjithatë, më të këshillueshme për mbjelljet në fushë të hapur janë mbjellja pranverore në muajin Mars, mbjellja verorekorrik-gusht dhe ajo vjeshtore në muajin shtator. Për fidanët e ruajtur në frigoriferëafati më i mirë është mbjellja në muajin korrik, sepse në aspektin fiziologjik bima ka mundësi që të përgatitet më mirë për vitin vijues. Megjithatë nuk përjashtohet nga mbjellja as muaji Gusht. Për fidanët e gjelbra (me bukë dheu) dhe mbjelljet në ambiente të mbrojtura, rekomandohet mbjellja në muajin shtator (vjeshta). 

Cilat janë shërbimet/përkujdesjet pas mbjelljes dhe gjatë vegjetacionit tek luleshtrydhja? 
Nga cilësia dhe intensiteti i shërbimeve menjëherë pas mbjelljes varet shumë suksesi i kultivimit dhe sigurimi i rendimenteve të larta. Pas ndërrimit të fidanëve të luleshtrydhes duhet filluar me përkujdesjen ndaj fidanëve gjatë gjithë vegjetacionit e sidomos në fillim ku për shkak të temperaturave të larta në kohën e mbjelljes dhe gjendjes kritike të fidanëve kërkohet sasi e konsiderueshme e ujit dhe plehërime të shpeshta plotësuese. Po ashtu, gjatë të gjithë jetës së saj luleshtrydhja kërkon kujdes të vazhdueshëm. Shërbimet më të rëndësishme gjatë vegjetacionit janë ujitja, plehërimi plotësues, dhe pjalmimi pasi shërbimet e tjera si kultivimet, shkrifërimi i tokës/prashitjet, luftimi i barërave të këqija, eliminohen për shkak të mulçërimit.

  • Ujitja: ujitjet kryhen në varësi të kushteve të motit. Gjatë vegjetacionit  janë të detyrueshme disa ujitje. Njëra ujitje duhet të kryhet menjëherë pas mbjelljes për të siguruar zënien e fidanëve. Për çdo ujitje duhet të përdoren 20 – 30 litra/m². Pas ujitjes nuk duhet të mbeten pellgje me ujë të ndenjur pasi mund të shkaktojnë kalbjen e rrënjëve.
  • Plehërimet plotësuese: Qëllimi i plehërimit të çdo kulture bujqësore është furnizimi i saj me të gjithë lëndët ushqyese të nevojshme për zhvillimin normal të bimëve. Për këtë, natyrisht, duhet të dihen sasitë e lëndëve ushqyese që i nevojiten bimës për rritjen, zhvillimin dhe frutifikimin normal të saj.

Sasia e plehrave që do të përdoret në plehërim varet nga pjelloria e tokës dhe kërkesat e bimës për të realizuar një prodhim të caktuar. Për 1 ton prodhim luleshtrydhja tërheq nga toka 6 – 10 kg azot (N),2.5 – 4.0 kg fosfor (P2O5),10 – 15 kg potas (K2O), 3.7 - 4.9 kg kalcium (CaO) dhe 1.1 kg magnez (MgO).

Faktorët që duhen marrë parasysh për plehërimin efikas:

  • Sistemi rrënjor i luleshtrydheve është mjaft i cekët (rreth  70% e sistemit rrënjor shtrihet në thellësinë në 7 cm, madje edhe më i cekët).
  • Bima është shumë e ndjeshme ndaj kripëzimit (vuan nga niveli EC më i lartë se 2 dS/m dhe nga uji dhe/ose toka e kripur).
  • Diferencimi i sythave të luleve, të cilat përcaktojnë rendimentin, ndodh herët dhe varet nga rezervat ushqyese të bimës.
  • Thithja e lëndëve ushqyese është maksimale gjatë lulëzimit.

Një skemë plehërimi, me plehra kompleks N-P-K kristalorë, mund të jetë:

  • Nga mbjellja deri para lulëzimit N-P-K 12-48-8,  70 – 100 kg/ha;
  • Para lulëzimit deri lidhja e frutave N-P-K 20-20-20,  70 – 100 kg/ha;
  • Lidhja e frutave deri në pjekje N-P-K 9-18-27,  70 – 100 kg/ha;
  • Lulëzim deri në pjekje N-P-K 18-9-27, 70 – 100 kg/ha;
  • Lulëzim deri në pjekje Nitrogal/Nical 15 kg/1000m2;
  • Lulëzim deri në pjekje NiMag 10 – 20 kg/1000 m2.

Plehërimi gjethor:

  • Nga lidhja e frutave e deri në pjekje CalNit/Plex Ca 0,5 – 1%, kur është e nevojshme:
  • Nga lulëzimi deri në pjekjeFormula20 2 – 3 lit/ha;
  • Nga fillimi i vegjetacionit tëri e deri në pjekje Alga special 2 lit/ha.

Pjalmimi: Luleshtrydhet kryesisht vetë pllenohen dhe, në kushte fushore, vetëpjalmimi plotësohet në mënyrë të kënaqshme me agjentë natyrorë si era, bletët dhe insektet e tjera. Nëse nuk kemi pjalmim të plotë do të krijohen kokrra me formë të çrregullt dhe madhësia e tyre do të jetë më e vogël se  madhësia e kokrrave të pjalmuara mirë. Koha më e mirë e pjalmimit është 1 deri në 4 ditë pasi lulja është hapur.

Në kushte e serës, aktiviteti i agjentëve natyrorë si era, bletët dhe insektet e tjera është shumë i kufizuar nga struktura mbrojtëse. Bletët pjalmuese ofrojnë pllenim të mirë për bimët e luleshtrydheve dhe ato performojnë shumë më mirë se bletët e mjaltit ose pllenimi me dorë. Prandaj, përdorimi i bletëve pjalmuese është absolutisht thelbësor për të siguruar pllenim të mirë. Një koshere bletësh që përmban afërsisht 50 grerëza është e mjaftueshme për pjalmimin e rreth 4000 bimëve të luleshtrydheve (500 m2 sipërfaqe serre).

Mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit

Tek luleshtrydhja janë krijuar varietet jo vetëm të pëlqyeshme nga konsumatori, por edhe varietete që janë gjithnjë e më rezistentë ndaj sëmundjeve, duke reduktuar varësinë ndaj inputeve kimike (fungicide e insekticide). Kështu që përdorimi i varieteteve të tilla, të kontrolluar dhe të çertifikuar, pothuaj shmang plotësisht përdorimin e pesticideve që përdoren në mbrojtjen e bimëve.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjelja e luleshtrydheve

Data e publikimit: 30/03/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë