HIRI I HARDHISË (Uncinula necator)




Hiri, i shkaktuar nga një kërpudhe ascomicete që bën pjesë në familjen erisifacee, është një nga problemet kryesore për mbrojtjen e hardhisë nga kërpudhat parazitare. Gjen kushte të përshtatshme për zhvillim në gjithë zonat e kultivimit të hardhisë në vendin tonë. Është sëmundje kërpudhore shumë e rrezikshme. Nëse nuk merren masa mbrojtëse dëmton rreth 50-80% të prodhimit. Prek të gjithë organet e gjelbra të hardhisë përfshirë këtu gjethet, lulet, frutat, lastarët duke mbuluar sipërfaqet e tyre (pa hyre brenda qelizave) me një shtresë të bardhë miceli.

Cikli biologjik i hirit
Ashtu si dhe tek vrugu, shumëzimi i kësaj sëmundjeje bazohet në dy cikle zhvillimit, që janë:  

  • Cikli i gjatë, cikli seksual i zhvillimit, ku formohen edhe organet e dimërimit;
  • Cikli i shkurtër, jo seksual (aseksual) ose gjatë vegjetacionit.

Miceli (forma aseksuale) 
Miceli i formuar nga prekjet gjatë vitit paraardhës qëndron brenda sythave ose në lastarë në gjendje latente deri në pranverën pasardhëse dhe me fillimin e  vegjetacionit, prek indet e reja e prodhon konide (oide) të shumta. Konidet, duke u transportuar nga era, shpërndahen në bimë të afërta duke shkaktuar infeksionet sekondare që vazhdojnë  gjatë gjithë sezonit.

Trupat frutore ose kleistotecet (forma seksuale) 
Formohen duke filluar nga vjeshta mbi indet e infektuara të pa drunjëzuara. Kanë formë sferike dhe ngjyrë fillimisht të qartë dhe më vonë kafe të errët. Ruhen dhe maturohen në indet e prekura ose në gjethet e rëna në tokë duke u kapur me zgjatimet karakteristike të përkulura. Në pranverë, pas shirave edhe shumë të lehtë, asket që gjenden në kleistitece çlirojnë askosporet  dhe shpërndajnë sëmundjen njëlloj si konidet. 

Mënyra e dyfishtë e dimërimit dhe sidomos ajo me anë të micelit, e bëjnë mbrojtjen e hardhisë nga hiri shumë komplekse. Hardhitë e prekura rëndë, vitin pasardhës, preken herët dhe me intensitet të lartë edhe në temperatura të ulëta.

Në ndryshim nga vrugu, konidet e hirit janë në gjendje të mbijnë edhe në mungesë të ujit dhe cikli biologjik influencohet para së gjithash nga temperatura. Zhvillohet në temperaturat 5-6°C deri 30-35°C; në temperatura më të larta, rreth 40°C, kufizohet zhvillimi. Temperatura optimale është 20 - 25°C, në këtë temperaturë cikli biologjik plotësohet në një javë. Zhvillimi i sëmundjes  favorizohet nga lagështia e lartë ajrore kurse  shirat e kufizojnë zhvillimin e saj

Hiri prek të gjitha pjesët e gjelbra të bimës. Dëmi më i madh shkaktohet në kokërr. Kërpudha thith lëngjet e bimës duke shkaktuar deformim në gjethe e lastar kurse në kokrra shkakton çarje. Çarja e kokrrës shkaktohet sepse pjesët e prekura nekrotizohen dhe indet e humbasin elasticitetin, ndërsa pjesa e pa prekur vazhdon rritjen. Në kufirin e prekur me atë të pa prekur kokrra çahet. Vite të rrezikshme, janë ato që vijnë pas një viti me infeksion të lartë në vresht, dhe që pasojnë me dimër të butë. Vitet me dimër të fortë, jo vetëm që kufizojnë hirin, por në këto raste hiri shfaqet më me vonesë.

Simptomat e sëmundjes 
Mbi gjethe formohen njollat karakteristike të bardha në formë hiri.

Veshulët janë të ndjeshëm nga faza e lulëzimit deri në fillim të pjekjes. Në kokrra vërehet një shtresë e bardhë si pluhur. Epiderma humbet elasticitetin, rritja e kokrrave pengohet dhe ato plasariten duke lehtësuar kështu futjen në kokërr të patogjeneve të tjerë si p.sh. shkaktarëve të kalbëzimi.

Lastarët preken kur janë ende të gjelbër, mbulohen me një shtresë të bardhë si pluhur, dhe më vonë një shtresë (kore) me ngjyrë kafe. Aspekti me problematik për mbrojtjen nga hiri është ndjeshmëria e lartë e veshulit. Hiri mund të shfaqet papritur dhe të shkaktojë prekje të rënda në veshul.

Strategjia e mbrojtjes nga hiri
Karakteristikë e veçantë biologjike e patogjenit është varësia e ulët nga kushtet klimaterike. Kjo e bën të vështirë vendosjen e kritereve për ndërhyrjen me trajtime, ndryshe  nga sa ndodh me vrugun. Trajtimet janë kryesisht preventive dhe strategjia e mbrojtjes bazohet në: 

  • Trajtime të hershme (me çeljen e sythave) për të evituar rrënjosjen e sëmundjes në  hardhitë më të ndjeshme dhe të ekspozuara ndaj rrezikut të prekjes;
  • Vlerësimi i nivelit të rrezikut për zonën, bazuar në eksperiencën disavjeçare dhe karakteristikat tokësore e klimaterike.

Kështu zonat mund të përcaktohen si më poshtë: 

Zona me rrezik të lartë 
Janë zonat ku hiri përbën një problem me rëndësi të veçantë. Në këto zona hiri shfaqet në formë epidemike pothuaj çdo vit. Është shumë e rëndësishme që vatrat e para të mos lihen jashtë vëmendjes sepse krijojnë kushtet për prekje të rënda dhe vështirësojnë kontrollin e patogjenit. Është e rëndësishme të bëhen trajtime preventive duke filluar nga çelja e sythave deri në fillim të pjekjes, për të mbrojtur kështu vreshtin gjatë gjithë periudhës. 

Zona me rrezik mesatar ose të ulët 
Janë zonat ku hiri përbën zakonisht një problem të dorës së dytë ose kontrollohet lehtë (zona më të freskëta dhe nivele të larta lagështie) në të cilat vetëm në kushte të caktuara klimaterike veçanërisht të favorshme (temperatura të larta dhe mungesë shiu) sëmundja mund të marrë karakter epidemik. Mbrojtja adaptohet në vartësi të kushteve dhe rrezikut të zhvillimit të sëmundjes, por, në çdo rast, është më e përshtatshme një mbrojtje sistematike nga faza para lulëzimit deri në fillimin e pjekjes.

Kujtesë për mbrojtjen nga hiri 

  • Kontrolloni vreshtin për vatrat e para të infeksionit që mund të shkaktojnë përhapje epidemike të hirit duke tëharrur filizat e prekura nga miceli dimërues;
  • Mbrojtja duhet të fillojë shpejt, menjëherë pas çeljes së sythave për të ulur bazën infektuese dhe parandaluar prekjen;
  • Kurdoherë bëni trajtime parambrojtëse për të patur rezultate më të mira në kontrollin e sëmundjes;
  • Trajtimet për hirin duhen bërë edhe kur nuk është e nevojshme të bëhen trajtime kundër vrugut (fillimi dhe fundi i sezonit);
  • Në rastet e infeksionit të lartë të sëmundjes, në varietetet më të ndjeshme, në fazat fenologjike më delikate (lulëzim - lidhja e kokrrave - fillimi I pjekjes), përdorni dozën e plotë të produkteve të sistemit dhe  shkurtoni afatin midis trajtimeve;
  • Për një strategji korrekte është e rëndësishme të bëhet alternimi i produkteve me mekanizëm të ndryshëm veprimi. Në rastet e alternimit midis produkteve të sistemit dhe kontaktit, redukto intervalin midis trajtimeve;
  • Realizoni një lagie të plotë dhe uniforme të vegjetacionit dhe veçanërisht të veshulëve (tëharrja është shumë e rëndësishme dhe duhet bërë para trajtimit);
  • Përdorni volumin e duhur të tretësirës spërkatëse për hektar;
  • Përdorni mjete spërkatëse të kalibruara.

Mbrojtja nga hiri
Lufta kundër hirit bazohet në luftën kimike. Ndërhyrjet kimike realizohen pas evidentimit të shenjave të para. Rekomandohen trajtime të hershme si faktor i rëndësishëm në reduktimin e potencialeve primare infektuese. Preparatet më të suksesshme, që përdoren në luftimin e hirit, janë ato me bazë squfuri. Miceli i kërpudhës dëmtohet nga avujt e squfurit. Rekomandojmë që ato të përdoren në kombinim me preparatet që përdoren për luftimin e vrugut.

Vëmendje! Moti i favorshëm për zhvillimin e hirit

Kushtet mjedisore të favorshme për zhvillimin e sëmundjes ndodhin nga fillimi i prillit deri në mes të shtatorit por janë më të shpeshta nga mesi i qershorit deri në fund të gushtit. Diapazoni i temperaturës për zhvillimin e sëmundjes është 6°C deri në 32°C, por rreziku është më i lartë midis 20°C dhe 28°C. Moti me re, gjithashtu, rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjes.

Data e publikimit: 30/11/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë