Mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit tek qershia




Sëmundjet e dëmtuesit tek qershia, si në të gjithë pemët frutore,  ulin ndjeshëm prodhimin dhe cilësinë e frutave, prandaj parandalimi dhe luftimi i tyre është i rëndësishëm. Edhe kjo bimë preket nga një serë sëmundjesh dhe dëmtuesish.

Sëmundjet kryesore tek qershia

Kalbëzimi i frutave 

Është një ndër sëmundjet më të rrezikshme që prek kumbullën, qershinë, vishnjën, kajsinë dhe më pak pjeshkën dhe bajamen. Shenjat e sëmundjes janë si ato të kalbëzimit të frutave te farorët dhe në infeksione të larta mund të thahet e gjithë bima, si rezultat i prekjes se të gjithë organeve vegjetative.

Masat e luftimit të kësaj sëmundjeje konsistojnë në:

  • Gjatë krasitjeve dimërore së bashku me degët e rëna për tokë, duhet të mblidhen të gjitha frutat e infektuara dhe të digjen para se te filloje vegjetacioni i pemëve.
  • Trajtimi i parë kimik duhet të bëhet gjatë fillimit te fryrjes së sythave me 3-4% lëng bordulez (preparati më efikas kundër kësaj sëmundjeje).
  • Trajtimi i dytë kimik duhet të bëhet para fillimit të lulëzimit me 0.8-1% lëng bordulez, ose me zinep 0.4%, ose Cocide 0.3%, etj.
  • Trajtimi i tretë kimik duhet të bëhet pas lidhjes së frutave po me të njëjtat preparate. Trajtimet mund të  përsëriten edhe 1-2 herë tjera deri edhe para fillimit te pjekjes në varësi të infeksionit.

Gjethe biruesja e bërthamoreve

Infektimi ndodh në pranverë të lagësht. Në gjethet e bimëve të prekura formohen njolla të vogla me ngjyrë kafe të errët. Pas 17-20 ditësh vendi i prekur bie (shkëputet) duke i lënë gjethet të vrimëzua kurse frutat deformohen dhe njollosen.

Masat e luftimit të kësaj sëmundjeje konsistojnë në:

  • Gjatë krasitjeve dimërore së bashku me degët e rëna për tokë, duhet të mblidhen të gjitha mbeturinat dhe të digjen para se te filloje vegjetacioni i pemëve.
  • Plagët e degëve të krasitura dezinfektohen me selinon 2% ose lëng bordulez 3%.
  • Trajtimi i parë kimik është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet  gjatë fillimit te fryrjes së sythave me 1-2% selinon.
  • Trajtimi i dytë kimik duhet të bëhet gjatë vegjetacionit me polisulfur 2-3%. Mund të kryhen 3 – 4 trajtime,  gjithmonë, sipas shkalles së infeksionit.

Gomoza e qershisë

Është një sëmundje që prek pothuajse të gjithë bimët e bërthamoreve dhe karakterizohet nga rrjedha e një lëngu bakterial të trashë me ngjyrë të verdhë në të kuqërremët dhe kur ngurtësohet formohen formacione si qelqi transparente. Prej gomozes mund të thahen një pjesë e degëve veshëse, degëve kryesore madje edhe e gjithë bima.

Masat e luftimit të kësaj sëmundjeje konsistojnë në:

  • Gjatë krasitjeve dimërore të mënjanohen prerjet e degëve te trasha dhe krasitjet e rënda, me qëllim që të mos shkaktohen plagë të mëdha.
  • Gjatë fazës së qetësisë dimërore (pas krasitjeve), duhet të bëhet dezinfektimi me  2% selinon ose 3% lëng bordulez, ose 3-5% sulfat hekuri.
  • Gjatë vegjetacionit duhet të bëhet trajtimi me oksiklorur bakri 0.6-0.8%, disa herë sipas shkalles së infeksionit.

Kanceri i pemëve (Agrobacterium spp)

Simptomat e sëmundjes janë shfaqja e gunga në rrënjë dhe kurorën e pemës të cilat mund të ndryshojnë në madhësi nga shumë  të vogla, që nuk janë të dukshme me sy të lirë, deri në 10 cm  në diametër. 

  • Gungat  fillimisht bëhen të dukshme si ënjtje të bardha, si mish, të cilat rriten me shpejtësi dhe bëhen ngjyrë kafe në të zezë.
  • Gungat zakonisht zhvillohen në vende të plagosuar (dëmtuara) dhe më vonë formohen gunga të rinj ngjitur me ato të vjetrat.
  • Shkaktarë i sëmundjes është bakter (Agrobacterium spp)
  • Shfaqja e sëmundjes favorizohet nga tokat alkaline (me pehash bazik), të kulluara keq dhe dëmtimi i mëparshëm nga nematodat apo faktorë tjerë.

Menaxhimi i sëmundjes

  • Kontrolli kimik i sëmundjes është përgjithësisht i paefektshëm.
  • Metodat e kontrollit agronomik përfshijnë: mbjelljen e materialit të çertifikuar, pa sëmundje, ngritjen e pemëtores në tokë të kulluara mirë, si dhe atje ku krijohet mundësia njohja e historikut të parabimës (nëse ka pasur shfaqje të kësaj sëmundje).

Dëmtuesit kryesorë tek qershia
Afidet (Morri i zi i qershisë)

Morrat prekin pothuajse të gjithë grupin e pemëve frutore duke shkaktuar pickimin dhe thithjen e lëngjeve të të gjitha organeve vegjetative, si pasojë shfaqet përdredhja e gjetheve të reja, vyshkja e tyre dhe e lastarëve të rinj. Frutat mbeten të vogla dhe nuk zhvillohen normalisht. 

Masat e luftimit të këtij dëmtuesi konsistojnë në:

  • Gjatë krasitjeve duhet të eliminohen mbeturinat bimore dhe të bëhet trajtimi dimërore me selinon 2%.
  • Gjatë vegjetacionit duhet të bëhen trajtime me  insecticide si; Confidor 0.2-0.3%, Danitol 0.05%, Lebaucid 0.15%, Omide 0.3%, etj.

Tenja

  • Përfshihen shumë specie dhe insektet e rritura janë flutura që ndryshojnë në madhësi dhe pamje.
  • Larvat janë të bardha rozë me një kokë të kuqe-kafe, të gjatë rreth 10 – 12 mm.
  • Simptomat: Dëmtimi së pari shfaqet në rritjet e reja  vegjetative dhe nëse lihet i patrajtuar përfundimisht do të infektojë frutat. Galeria (tuneli) larvave hyn në frut përmes bishtit të lules  dhe shpesh shkon deri afër bërthamës.
  • Kurthet e feromoneve janë një mundësi për joshjen e fluturave (tenjave). Këto metoda çorientojnë çiftëzimin e insekteve të rritura dhe për pasojë kemi reduktimin e vendosjes së vezëve dhe uljen e shkallës së infeksionit.
  • Trajtimi kimik për mbrojtjen nga dëmtuesit bëhet para lulëzimit, pas rënies së petaleve dhe gjatë rritjes së frutave.
  • Këshillojmë përdorimin e preparateve të sistemit. Për dozën lexoni etiketën e preparatit dhe gjithmonë konsultohuni me specialistin e mbrojtjes së bimëve të zonës.

Miza e qershisë

Ky dëmtues  prek kryesisht qershinë. Dëmi shkaktohet nga larvat të cilat zhvillohen brenda tulit të frutave duke kompromentuar rritjen e tyre, cilësinë dhe tregtimin. Masat e luftimit janë kryesisht ato kimike. Për trajtimin e dëmtuesit përdoren preparate të sistemit si:

  • Pra lulëzimit: Confidor me dozën 50 ml/100 litra ujë.
  • Në fillimin e çelje së vezëve: caLypso me dozën 30 ml/100 litra ujë
  • Nga fillimi i fluturimit të insekteve të rritura e deri në fillim të vendosjes së vezëve: decis 40 – 50 ml/100 litra ujë. 

Këshilla për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve tek qershia
Për mbrojtjen e bimëve përdorni  metodat agroteknike dhe kimike. 

Metoda agronomike

  • Prerja e degëve të sëmura grumbullimi dhe asgjësimi i tyre.
  • Grumbullimi i frutave të thara në degë, atyre të rëna për tokë dhe djegia e tyre.
  • Kryerja në kohë e cilësi e shërbimeve agronomike si: luftimi i barërave të këqija, plehërimi i balancuar dhe ujitja.

Metoda kimike

  • Filloni trajtimin në qetësinë dimërore.
  • Trajtoni në fazën e fyerjes së sythave
  • Vazhdoni trajtimin kimik në lulëzim, rritjen e frutave e deri para pjekjes, sipas nevojës dhe shkallës së infeksionit.

Preparatet kimike për mbrojtjen e bimëve që qarkullojnë dhe mund të gjeni në fito farmaci janë të shumtë, por për një përdorim sa më efikas të tyre konsultohu me specialistin e mbrojtjes së bimëve të zonës dhe lexoni etiketën e përdorimit të preparatit të mbrojtjes së bimëve..

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Vjeljen e prodhimit të qershisë

Data e publikimit: 16/04/2023


Lini një koment


Komente të mëparshme
Sa here duhen perseritur sperkatjet?

-Rita


Shpërndaj në rrjetet sociale:

RRËNJËNGRËNËSI I MISRIT DHE DËMET QË SHKAKTON

Ekzistojnë specie të ndryshme që përbëjnë kompleksin e diabrotikës në misër, ndër të cilët veçohen:

Lexo më shumë

SI EVIDENTOHET RRËNJËNGRËNËSI I MISRIT?

Si evidentohet rrënjëngrënësi i misrit?

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

PËRDORIMI I RREGULLATORËVE TË RRITJES SË INSEKTEVE

Çfarë janë rregullatorët e rritjes së insekteve?

Lexo më shumë