VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I KOLËRABIT




                                                                           REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Kultivarët dhe hibridet e kolërabit më të përshtatshëm për kultivim tek ne janë:

  • Kultivarë shumë të hershëm, të gatshëm për tu vjelë, 60-70 ditë, pas mbjelljes së fidanit në vendin e përhershëm
    Më të përhapura janë: “Korist F1”, “Knaufs Frühweiss F1”, “Knaufs Ideal F1”, etj
  • Kultivarë të hershëm, të gatshëm për tu vjelë pas 75-90 ditë, nga mbjellja e fidanit në vendin e përhershëm.
    Më të përhapura janë: “Kolibri F1”, “Trero F1”, “Kastor F1”, etj
  • Kultivarë të mesëm, të gatshëm për tu vjelë, pas 100-120 ditë, nga mbjellja e fidanit në vendin e përhershëm.
    Më të përhapura janë “White Vienna F1”, “Lanro F1”, “Pollux F1”,
  • Kultivarë të vonë, të gatshëm për tu vjelë, pas 130 ditë, nga mbjellja e fidanit në vendin e përhershëm.
    Më të përhapura janë: “Speck F1”, “Gigant F1” etj.

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË KOLËRAB, DUHET TË KETË PARASYSH KËTA VEÇORI TË SAJ:

  • Kolërabi është bimë që pëlqen ndriçimin e plotë dhe lagështinë e lartë ajrore. Në mjedise me lagështi ajrore të ulët, fruti “rrepë” bëhet më i vogël dhe me më shumë celulozë, për rrjedhojë me më pak vlera tregtare dhe ushqimore.
  • Nevojat më të larta për ujë i ka gjatë mbjelljes në fushë dhe në fazën e formimit të frutit “rrepë”, veçanërisht kur kjo fazë përkon me periudhën pa reshje.
  • Teprica e plehërimit me azot ka ndikim negativ në prodhimin e kolërabit, sepse ul qëndrueshmërinë ndaj sëmundjeve, ngre sasinë e acideve në tul dhe rrit përqindjen e kokave “rrepë” me plasaritje.
  • Në kushtet e vendit tonë, duhet që të mënjanohet kalendari i prodhimit në muajt e nxehtë të vitit (korrik-gusht), sepse prodhimi i marrë në këtë periudhë mund të jetë me cilësi të dobët.

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Kolërabit?

Kolërabi mund të mbillet drejtpërsëdrejti me farë ose me fidanë të parapërgatitur.

Në sipërfaqe të vogla, më shpesh përdoret mbjellja drejtpërdrejtë me farë.

Mbjellja e kolërabit në sipërfaqe të mëdha bëhet me fidanë në mënyrë të mekanizuar.

Fidanët mund të përgatiten në vllaja tradicionale ose në tava polisteroli.

Në vllajat tradicionale, me gjerësi 1-1.2 m dhe gjatësi sipas kushteve, mbjellja bëhet duke përdorur 2.5-3.5 gram farë/m2. Nga çdo m² farishte sigurohen 500-600 fidanë të shëndetshëm.

Për të mbjellë një dynym kolërab, në fushë është e nevojshme përgatitja 15-20 m² farishte dhe nevojiten rreth 40-50 gram farë me fuqi dhe energji të lartë mbirëse.

Koha e nevojshme për përgatitjen e fidanit, në varësi të periudhës së përgatitjes është 30-50 ditë. Fidanët janë të gatshëm për t’u mbjellë në fushë, kur të kenë formuar 4-5 gjethe të vërteta.

Në mbjelljet e drejpërdrejta me farë, e cila kërkon toka të përgatitura mirë dhe që e ruajnë vlagën, përdoren rreth 150-250 gram farë për dynym.

Cilët afate mbjelljeje rekomandohen në fushë?
Mbjellja e kolërabit me fidanë, në zonën me klimë të butë, bëhet në disa duar. Mbjellja bëhet: 

  • Në korrik-gusht, për të marrë prodhim në vjeshtë dhe fillim dimri.
  • Në gusht-shtator, për të marrë prodhim dimëror dhe të hershëm pranveror.
  • Në mars, për të marrë prodhim, nga fundi i pranverës dhe fillimi i verës.

Më cilësor dhe më i kërkuar nga tregu është prodhimi i vjeshtës së vonë, prodhim që vilet para ngricave.

Në zonat e ftohta mund të kultivohet me sukses edhe gjatë periudhës verë-vjeshtë.

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?
Largësitë e mbjelljes në fushë ndryshojnë në varësi të kultivarëve, nga 30-50 cm midis rreshtave dhe 30-40 cm brenda rreshtit (6.5-10 mijë bimë/dynym). Dendësia më e madhe mund të realizohet për kultivarët e hershëm dhe të mesëm, të cilët zhvillojnë masë bimore më të vogël.

Zakonisht, mbjelljet me dendësi shumë të madhe rritin prodhimin e patregtueshëm.

Në praktikë përdoren largësitë 45x30 cm dhe më rrallë 60x30 cm.

Mbjellja bëhet me dorë (në sipërfaqe të vogla) ose me makinë mbjellëse fidanash.

Në varësi të tipit të tokës dhe gjendjes së saj, 1-2 ditë para mbjelljes, bëhet para-ujitja e ngastrës, duke futur ujin në brazda. Një masë e tillë ndikon pozitivisht në koefiçientin e zënies së fidanëve.

Mbjellja e fidanëve bëhet herët në mëngjes ose pasdite vonë, në orët më pak të nxehta të ditës.

Menjëherë pas mbjelljes kryhet përsëri ujitja, për të siguruar zënie sa më të mirë të fidanëve.

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për kolërabin në fushë?

Shërbimet agroteknike për kolërabin konsistojnë në ujitjet, prashitjet dhe plehërimet plotësuese

Ujitjet në vegjetacion bëhen sipas nevojave, zakonisht në çdo 15-20 ditë.

Kujdes! Gjatë ujitjeve duhet që në ngastër të mos krijohen pellgje e vatra ujëmbajtëse, ndërsa gjatë vjeshtës dhe dimrit duhet të mbahet në gadishmëri të plotë sistemi i kullimit.

Kujdes i veçantë i duhet kushtuar shkrifërimit të tokave dhe luftimit të barërave të këqija.

Plehërimet gjatë periudhës bimore kryhen me kujdes, në kohë e pa teprime.

Plehërimet azotike përdoren në 2-3 duar;

  • E para në prashitjen 7-8 ditë mbas mbjelljes së fidanit.
  • E dyta 15-20 ditë pas të parës.
  • E treta një muaj më vonë.

Masë teknike me interes dhe rëndësi është mbathja e bimëve të kolërabit mbas mbjelljes së fidanëve në fushë dhe rrënjëzimit të tyre.

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E KOLËRABIT NË FUSHË TË HAPUR?  
Kolërabi, ashtu si lakra kokë, lulelakra etj, gjatë gjithë periudhës së kultivimit, dëmtohet nga një sërë sëmundjesh e dëmtuesish, mbrojtja e të cilave kërkon mendimin e kualifikuar të specialistit të fushës.

Pse përbëjnë problem sëmundjet?

  • Shkaktojnë ulje të ndjeshme të prodhimit.
  • Ulet vlera tregtare
  • Ulen të ardhurat për njësi prodhimi
Hernia e Lakrës
Është sëmundje shumë e rrezikshme dhe e vështirë për tu luftuar. 
Efekt të mirë jep qarkullimi bujqësor shumëvjeçar, mbjellja e kultivarëve të qëndrueshëm si dhe trajtimi i tokës me avull të nxehtë dhe fumigantë. 
Fuzarioza 
Është një sëmundje që shkakton zverdhjen e gjetheve dhe pengon rritjen e bimëve.
Efekt të mirë jep qarkullimi bujqësor shumëvjeçar, mbjellja e kultivarëve të qëndrueshëm.
Luftohet mirë me fungicid me bazë sulfat bakri cuproxat.
Vrugu 
Gjatë periudhës së vjeshtës, kur temperaturat ulen dhe lagështia e ajrit rritet, bimët e kolërabit mund të preken nga vrugu dhe alternaria, duke dëmtuar kryesisht gjethet. Efekt të mirë jep qarkullimi bujqësor shumëvjeçar, mbjellja e kultivarëve të qëndrueshëm, por pa neglizhuar përdorimin e preparatit me bazë oxiklorur bakri, pasi ka dhe efekt parandalues.
Afidet 
Në fazat e para të zhvillimit por dhe në vegjetacion, lakra mund të preket nga disa dëmtues sikurse janë afidet dhe flutura e natës.
Luftohen me insekticide me veprim kontakti ose sistemik.
Insekticidet biologjike me bazë Bacillus thuringensis, janë shumë të efektshme kundër larvave që dëmtojnë perimet e familjes kryqore. 

VJELJA, DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË KOLËRABIT
Vjelja e kolërabit, bëhet atëherë kur koka “rrepë” e bimës të ketë arritur madhësinë karakteristike të kultivarit. 

Zakonisht vjelja bëhet:
*Për kultivarët e hershëm 75-90 ditë, mbas mbjelljes në fushë.
*Për kultivarët e vonë 120-130 ditë mbas mbjelljes në fushë.

Kujdes!
*Vjelja e parakohëshme, bën që “kokat rrepë” të jenë jo plotësisht të formuara, kur ka kaluar vjeshta, kur bimët kanë arritur përmasat tipike të kultivarit.
*Vjeljet e vonshme, çojnë në marrjen e prodhimeve me cilësi të dobët, për shkak të shtimit të celulozës në to.

  • Nga vjelja e kolërabit merret 40-50 kv/dynym, ndërsa në disa hibride ai arrin edhe 70-80 kv/dynym.
  • Prodhimi i kolërabit ruhet më mirë se lakra kokë. Në mjedise të ftohta mund të ruhet shumë mirë e më gjatë, në qoftë se për këtë qëllim përdoren “koka rrepë” të cilësisë së parë, të pastra nga dherat dhe lagështia. 
  • Temperatura e ruajtjes duhet të jetë 1-3°C dhe lagështia relative e ajrit 90-95%.
  • Kokat e kolërabit, të përgatitura mirë, mund të ruhen deri në dy muaj.

Data e publikimit: 25/04/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë