VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I LËPJETËS




Cila është struktura varietore e rekomanduar?
Midis formave të lëpjetës, tek ne dhe në vendet e pellgut të Mesdheut, më të përhapur janë:

  • Lëpjeta e kopshtit (Rumex patientia L.). Takohet në gjendje natyrale dhe e kultivuar në zonat e ulëta e me lagështi.
    Gjethet e saj vilen duar-duar, kur kanë arritur madhësinë dhe pjekurinë karakteristike. Me gjethet e saj gatuhen gjellë të shijshme si japrak etj. Kjo është forma më e përshtatshme për kultivim në fushë të hapur.
  • Lëpjeta e bukur (Rumex pulcher L.), që formon gjethe të gjera, me ngjyrë të gjelbër të errët, tepër të shjshme në ngrënie. Vilet me këputje të herëpasherëshme të gjetheve të bimës. Gjethet përdoren për ushqim si spinaqi.

REKOMANDIM! FERMERI QË VENDOS TË MBJELLË LËPJETË, DUHET TË KETË PARASYSH KËTA VEÇORI TË SAJ:

  • Preferohen ngastra me kundrejtim nga dielli e ndriçim sa më të mirë, pasi prodhimi i vjelë në këto vende është më cilësor.
  • Kërkesat ujore janë të larta, prandaj dhe është e nevojshme të sigurohen kushte të mira lagështije gjatë gjithë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimëve.
  • Mungesa e lagështisë në tokë krijon strese të pariparueshme e të dëmshme për prodhimin, gjethet e bimëve mbeten të vogla, të pazhvilluara, të ashpra dhe me prirje për të rënë në lulëzim të parakohshëm, kurse teprica e lagështisë dëmton bimët.

Cila është Teknologjia e Kultivimit të Lëpjetës?
Lëpjeta mund të mbillet:                                                                                                                   

  • Drejpërdrejt me farë,
  • Me fidanë,
  • Me pjesë të rrënjës (rizoma)

Cilët afate mbjelljeje rekomandohen në fushë?
Lëpjeta mund të mbillet:

  • Në pranverë,
  • Në fillim të vjeshtës.

Më të përshtatshme janë këto të dytat, sepse nga mbjelljet e pranverës merret prodhim në muajt e verës, kur kërkesat për lëpjetën janë të pakta dhe shpesh prodhimi është pa cilësi.

  • Kur mbjellja e lëpjetës bëhet me farë, këshillohet të mbillet herët në pranverë, sapo të lejojnë kushtet.
  • Kur mbjelljet bëhen me fidanë, farishtet mbillen në shtretër të ngrohtë ose në serë herët në pranverë dhe fidanët në fushë, në varësi të kushteve klimatike të zonës së kultivimit, në periudhën 10 prill-10 maj. Mbjelljet e mëvonshme janë pa sukses, sepse japin bimë me më pak gjethe dhe bien shpejt në farë.
  • Kur mbjelljet bëhen me rizoma, më të përshtatshme janë mbjelljet e vjeshtës, për zonën e ngrohtë dhe në pranverë, për zonën e ftohtë.

Sa duhet të jenë distancat e mbjelljes?
Mbjellja në fushë, bëhet në rreshta me largësi 40-45 cm dhe midis bimëve 25-30 cm, me dendësi 7-10 bimë/m². Kur mbjellja bëhet me farë, 8-10 ditë, pas mbirjes bëhet rrallimi i tyre. Farërat e lëpjetës mbijnë pas 7-12 ditë, duke marrë masa që vendi i mbjellë të mbahet i butë e i freskët, deri në mbirje të plotë. Thellësia e mbjelljes 3-5 cm. Sasia e farës së nevojshme  është 1-1.5 gr/m².

Çfarë shërbimesh agroteknike kryhen për lëpjetën në fushë?
Shërbimet agroteknike më të rëndësishme për lëpjetën janë: 

  • Plehërimi plotësues i bimëve.
  • Ujitjet. 
  • Luftimi i barërave të këqija, 

Luftimi i barërave të këqija mund të kryhet me shkulje me dorë (në sipërfaqe të vogla) ose me prashitje duke filluar dy tre javë pas mbirjes së farës. Ngastra mund të shfrytëzohet për 3-5 vjet, prandaj ka rëndësi kryerja në kohë e cilësi e shërbimeve në veçanti e ujitjeve, plehërimeve dhe e prerjes së kërcejve lulorë.

 

CILAT JANË SËMUNDJET DHE DËMTUESIT E LËPJETËS NË FUSHË TË HAPUR?
Bimët e lëpjetës ashtu si dhe spinaqi preken nga disa sëmundje e dëmtues si Pythium ultimum, Rhizoctonia solani dhe Peronospora farinosa. Midis dëmtuesve, përveç afideve mund të përmendim fluturat e natës, kërmijtë, si dhe mizën (Pegomya hyoscyami).

Pse përbëjnë problem sëmundjet dhe dëmtuesit ?

  • Shkaktojnë ulje të ndjeshme të prodhimit.
  • Ulet vlera tregtare.
  • Ulen të ardhurat për njësi prodhimi.

Pythium Ultimum
Sëmundja zhvillohet në temperatura 12-20°C dhe shkakton kalbëzim të kërcellit dhe të gjetheve.
REKOMANDIM! Të zbatohet me korrektësi qarkullimi bujqësor.

Luftimi; trajtime me Aliete Flash(Fosetyl aluminium), Captan, Tiram, Iprodione etj 

 

Rhizoctonia Solani
Sëmundja zhvillohet në temperatura më të larta se 20°C Prek kryesisht qafën e kërcellit dhe rrënjët duke shkaktuar tharjen e plotë të bimëve.
Masat agroteknike janë: Qarkullimi bujqësor, kullimi i përsosur i tokës dhe eleminimi i mbeturinave nga sipërfaqja e tokës., 
Lufta kimike: Trajtimi me Tiofanat-metil, Signum(Boscalid+Pyraclostrobin) shoqëruar me Mevaxil(Metalaxyl).

 

Peronospora 

Sëmundja mund të shkaktojë dëme në kushtet e lagështisë së lartë dhe temperaturë 8-18°C. 

Masat agroteknike janë: Qarkullimi bujqësor, kullimi i përsosur i tokës dhe eleminimi i mbeturinave nga sipërfaqja e tokës., 

Lufta kimike: Trajtimi me preparate me bazë bakri ose me Ridomil(Metaloksil), Captan, Dakonil etj.

 

Afidet
Janë dëmtues që mund të shkaktojë dëme të mëdha në prodhimin e lëpjetës.

Masat agroteknike janë: Luftimi i barërave të këqija pasi bëhen bartës të afideve.

Lufta kimike: Trajtimi me imidacloprid, fluvalinate, deltometrina, piretrina natyrale ej.

Biologjikisht luftohen nga larvat e koçinelideve (Skymnus spp) dhe larvat e krizopes e sirfideve.

 

Miza(Pegomya hyoscyami)

Është dëmtues që shkakton dëmtime të tipit galeri mbi gjethet e spinaqit.

Lufta kimike: Trajtimi me Deçis (Deltametrina), Cypermetrina etj.

 

 

 

 

 

 

VJELJA, DHE RUAJTJA E PRODHIMIT TË LËPJETËS


Vjelja e Lëpjetës kryhet në një hark kohor mjaft të gjerë, në varësi të karakteristiave të kultivarëve, periudhës dhe mjedisit të kultivimit. Vjelja e gjetheve fillon rreth 50-60 ditë pas mbjelljes. Ajo bëhet duar-duar, çdo 15-20 ditë, duke i këputur me dorë gjethet, kur ato kanë arritur pjekurinë. Një bimë lëpjete mund të formojë 20-30 gjethe në varësi të pjellorisë së tokës, periudhës së kultivimit dhe gjendjes së bimëve. Gjatë periudhës bimore mund të kryhen 4-6 duar vjelje.

Pas vjeljes gjethet lidhen në tufa me 10-15 copë dhe dërgohen në treg. Lëpjeta e vjelë mund të ruhet për 3-5 ditë në mjedise me temperaturë 3-5 °C dhe lagështi ajrore 90%. Prodhimi, në varësi të kultivarëve të përdorur dhe periudhës së kultivimit, mund të shkojë 12-15 kv/dyn në vitin e parë dhe 20-35 kv/dyn në vitet e tjera.

Data e publikimit: 25/04/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë