Teknologjia e kultivimit të Nenës në fushë të hapur




Nena është bimë perimore me origjinë nga Azia qendrore e perendimore. Është kultivuar fillimisht nga grekët dhe romakët. Në Mesjetë u kultivua në Europën juglindore e qendrore. Edhe në vendin tonë njihet gjerësisht.

Përse nena meriton më shumë përhapje? Kjo sepse: 

  • Kjo bimë ka një përdorim të gjithanshëm në kuzhinë.
  • Konsumohet si gjellë dhe sallatë.
  • Gjethet e nenës mund të përdoren në supëra e gjellë të ndryshme.
  • Nena është e pasur me proteina dhe përmban amino acidin lysine.
  • Gjethet janë shumë ushqyese dhe përmbajnë vitamina e minerale përfshirë vitaminën B, Manganin, Vitaminën C e të tjerë.
  • Nena arrin të luftojë inflamacionin në organizëm dhe parandalon aktivitetin e dëmshëm të radikaleve të lira që shkaktojnë mutacionin e qelizave të shëndetshme në qeliza kancerogjene.
  • Fibra dietike që përmban nena, ndihmon në ekuilibrin e kolesterolit në organizëm duke eliminuar atë të keqin, që dëmton kaq shumë sistemin kardiovaskular.

Cilat janë kërkesat e nenës për klimën, tokën dhe parabimën? 
Nena është bimë e klimës së ngrohtë.

  • Temperatura minimale për rritjen është 4-5°
  • Temperatura e përshtatshme është 18°-24°C
  • Temperaturat e larta e të vazhdueshme, mbi 27°C, shkaktojnë lulëzimin e parakohshëm duke dëmtuar prodhimin.

Kujtesë! Nena preferon ngastra me ndriçim sa më të mirë nga dielli,pasi prodhimi i vjelë në këto vende është më i lartë e më cilësor.

Kërkesat ujore janë të larta, prandaj dhe është e nevojshme të sigurohen kushte të mira lagështie gjatë gjithë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimëve.

Mungesa e lagështisë në tokë shkakton strese të pariparueshme e të dëmshme për prodhimin, kurse teprica e lagështisë dëmton bimët.

Në cilat toka shkon më mirë nena?
Mund të kultivohet në të gjitha tipet e tokave. Pëlqen toka mesatarisht të lehta të thella, e të freskëta, të kulluara mirë dhe të pasura me lëndë organike dhe me pH 6-7. Nena nuk pëlqen tokat e rënda dhe tokat me drenim të keq. Mund të rritet e zhvillohet mirë edhe në toka relativisht të kripura.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë nenës ? 
Parabimë të mira për nenën janë të gjithë bimët që e lënë tokën të pasur me lëndë ushqimore si rezultat i plehërimit të bollshëm me pleh organik.

KUJDES! Duhet të mënjanohet mbjellja e nenës pas vetvehtes. Është mirë që të mos rikthehet në të njëjtën tokë për 2-3 vjet. 

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e nenës ? 
Për përgatitjen e tokës për mbjelljen e nenës duhet të kemi parasysh këto specifika: 

Punimi i tokës
Përgatitja e mirë e tokës është e rëndësishme për të garantuar mbirje të mira, rritje dhe zhvillim normal të bimëve. Punimi i parë bëhet i thellë, rreth 30-40cm. Për një përgatitje të mirë të tokës kryhen dhe punime të tjera si diskime e frezime, deri sa toka të vijë në gjendje të mirë për mbjellje. Punimet e tjera synojnë të krijojnë një shtrat të shkrifët për mbirjen dhe zhvillimin normal të bimëve dhe luftimin e barërave të këqija.

Kanalet kulluese dhe vaditëse
Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse.

Plehërimi i tokës
Në praktikën e plehërimit të nenës këshillohet përdorimi i plehut organik të kalbur mirë në dozën 50-60 kv/dyn, i cili përmbyset gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje. Në të njëjtën kohë, shpërndahen edhe të gjithë llojet e plehërave kimike kryesisht fosforike, potasike. Plehu azotik hidhet gjatë periudhës bimore.

Sasia dhe raporti i plehërimit 
Si përcaktohet sasia e plehërave që duhen përdorur tek nena? 

Kërkesat e nenës ndaj elementëve ushqyes nuk janë shumë të larta. Plehërimi këshillohet të bëhet në përputhje me karakteristikat bimore të kultivarëve, tipin e tokës, mënyrën e kultivimit, dendësinë e mbjelljes etj.

Për çdo 100 kg prodhim të freskët, bimët e nenës tërheqin nga toka rreth 0.475 kg azot– 0.175 fosfor (P2O5) dhe 0.5 kg potas (K2O) me një raport midis tyre 1: 0.4: 1. Për të siguruar një rendiment 20 kv/dyn, duhet të plotësohen nevojat si më poshtë: 9.5 kg N, 3.5 kg P2O5 dhe 10 kg K2O.

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi varietetet, mbjelljen dhe kultivimin e nenës.

Data e publikimit: 30/04/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë