PASURIMI I TOKËS ME ELEMENTË USHQYES (PLEHËRIMI I HARDHISË)




Gjatë ciklit të saj vegjetativ hardhia largon nga toka një sasi të konsiderueshme të elementeve ushqyes si nga prodhimi ashtu edhe pjesët e prera gjatë krasitjes.  Është llogaritur se një vresht me zhvillim dhe rendiment mestar, merr nga toka çdo vit mesatarisht:

  • 80 – 120 kg/ha azot   
  • 30 – 50 kg/ha fosfor
  • 90 – 150 kg/ha potas

Prandaj, për të rritur dhe prodhuar rrush të cilësisë së mirë çdo vit ne duhet të plehërojmë vreshtin me sasinë e nevojshme të elementeve ushqyes. 

Sasia, koha dhe mënyra e hedhjes së plehrave
Si përcaktohet sasia e plehrave që ne do të përdorim në plehërimin e hardhisë? Sasia e plehrave minerale që do të përdoret varet:

  • Nga gjendja dhe përmbajtja e tyre në tokë (pjelloria e tokës)
  • Nga masa e plehut organik të përdorur
  • Nga tipi i tokës
  • Niveli i agroteknikës
  • Nga fuqia e vreshtit
  • Nga ngarkesa me prodhim (prodhimi i planifikuar)

Normat orientuese të përdorimit të plehrave mineralë, për një prodhim mesatarë e tokë me pjellori natyrore mesatare janë:

  • Azot: 60 – 100 kg/ha lëndë aktive ose 2 – 3 kv/ha nitrat amoni ose 1,5 – 2 kv/ha ure (përdoret në fillim e gjatë vegjetacionit).
  • Fosfor: 50 – 90 kg/ha lëndë aktive ose 3 – 5 kv/ha superfosfat i thjeshtë i granuluar.
  • Potas: 80 – 100 kg/ha lëndë aktive ose 1.5 – 2 kv/ha sulfat potasi.
  • Plehra komplekse (NPK: 14 – 7 – 17) me dozën 4.5 – 6 kv/ha.

Në plehërimin bazë një vend të rëndësishëm zë edhe plehu organik. Plehu organik në tokë ndihmon në:

  • Krijimin e  kushteve  shumë të favorshme për proceset mikrobiologjike të tokës;
  • Rritjen e shkallës së tretshmërisë së kripërave minerale të tokës;
  • Rritjen e  qarkullimin e ajrit;
  • Rritjen e  kapacitetin thithës të tokës;
  • Në fiksimin e elementeve ushqyes që hidhen me plehrat kimike (shfrytëzim më i mirë i plehrave kimike).
  • Prandaj rekomandohet të përdoret me të gjitha format (pleh stalle, komposto, dherishte dhe plehërime të gjelbra).

Koha më e përshtatshme për hedhjen e këtyre plehrave është pranvera e hershme. Plehrat potasike dhe fosfatike hidhen së bashku me plehun organik. Në mbjelljet e shpeshta mënyra e shpërndarjes nuk ka rëndësi, në mbjelljet e largëta (distanca mes rreshtave 2.5 – 3 m) plehrat mineralë nuk duhet të hidhen më larg se 1 m nga trungu i hardhisë. Plehrat fosforike dhe potasike duhet të hidhen në thellësinë 25 – 30 cm. Për këtë qëllim, përveç hedhjes me kanale mund të përdoren edhe makina të posaçme plehërimi, të cilat e hedhin plehun deri në thellësinë e duhur.

Plehu mineral azotik duhet të hidhet në prag dhe fillim të vegjetacionit (fundi i muajit mars dhe gjysma e parë e muajit prill) në thellësinë 15 – 20 cm, me qëllim që ky të bjerë në kontakt me lagështirën.
Në plehërimet minerale duhet të bëjë pjesë edhe përdorimi i gëlqeres në tokat acide, për të përmirësuar pH. Doza e gëlqeres përcaktohet në bazë të pH aktual dhe zakonisht përdoret 60 – 100 kv/ha gëlqere.

Dozat orientuese të plehut organik janë: 

  • Plehu i shpendëve dhe i lepurit përdoret në masën 2.2 – 4.5 kg/rrënjë.
  • Plehrat tjerë organik dhe ai i lopës përdoret në masën 2.2 – 9 kg/rrënjë.

Këshillë: Në përcaktimin e sasisë së plehrave vëmendje duhet t'i kushtohet faktorëve specifik siç janë lloji i tokës, mosha e hardhisë, prodhimi (rendimenti), kultivari, destinacioni i përdorimit të rrushit (verë ose rrush tryeze) dhe sistemet e  plehërimit që përdoren (të thjeshta,  me ujitjen, me spërkatje ose plehërimi gjethor).

Punimi i tokës 
Pse merr rëndësi punimi i tokës në vreshta? 
Punimi i tokës së vreshtit është një masë e rëndësishme agroteknike, i cili mund të kryhet në forma e mjete të ndryshme, në varësi të kohës, qëllimit dhe kushteve të ambientit. Me anë të punimit sigurohet:

  • Zhdukja e barërave të këqija;
  • Grumbullimi dhe ruajtja e lagështisë në tokë;
  • Qarkullimi i ajrit dhe këmbimi i gazit karbonik;
  • Zhdukja e sëmundjeve dhe dëmtuesve;
  • Mbulimi i plehrave organike e kimike;
  • Mbjellja dhe përmbysja e bimëve të caktuar për plehërim të gjelbër.

Nga koha kur e kryejmë punimin ndahet në punimin e vjeshtës dhe atë të pranverës. Punimi i vjeshtë kryhet pas vjelljes së prodhimit në thellësinë 22-25 cm. Punimi i vjeshtës kryhet në rastet kur: a) mbjellim bimë leguminoze për plehërim të gjelbër; dhe b) kur toka, për arsye të ndryshme, pëson ngjeshje të fortë.

Nuk duhet të kryhet punimi i tokës në vjeshtë në dy raste:

  • E para, kur toka e vreshtit është e pjerrët dhe e pa sistemuar, sepse shirat e vjeshtës dhe dimrit shkaktojnë gërryerje dhe shpëlarje të elementeve ushqyes te tokës duke e varfëruar atë
  • E dyta, në toka fushore dhe të rënda, sepse punimi bëhet shkak i grumbullimit të tepërt të lagështisë duke çuar në dëmtimin e bimëve të hardhisë.
  • Punimi pranveror, pavarësisht se quhet punimi i pranverës, në zonat me klimë të butë, koha më e mirë e kryerjes së tij është muaj janar dhe shkurt. Koha e kryerjes së punimit shpesh përcaktohet nga kushtet e motit, e kryesisht lagështia e tokës. 

Punimi i pranverës është punimi më i zakonshëm dhe i përvitshëm tek hardhia. Ky punim kryhet në thellësinë 20-22 cm, herët në pranverë, menjëherë pas përfundimit të krasitjes dhe punimeve të tjera (riparimit të sistemit mbështetës, lidhjeve të thata, trajtimeve dimërore etj.).

Punimi i tokës duhet të përfundoi përpara fillimit të fryrjes së sythave, me qëllim që të mos sjellë çrregullime në të ushqyerit e hardhisë. Punimi i pranverës, në rastet kur janë mbjellë bimë bishtajore për plehërim të gjelbër, bëhet pak më vonë, në fazën e lulëzimit të plotë të bimëve të mbjella për plehërim. Rekomandohet të kryhet pas krasitjes, me qëllim që toka e punuar të mos shkelet. Punimi mund të  kryhet me krah ose mjete mekanike, sipas mundësive dhe terrenit.

Data e publikimit: 11/03/2023


Lini një koment


Komente të mëparshme
Cili pleh organik eshte me I mire?

-Xheni


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë