Mbjellja e fidanëve të shalqinit dhe përkujdesjet në vegjetacion




Çfarë duhet të keni në vëmendje për përkujdesjet në vegjetacion? 

  • Një ditë përpara mbjelljes së fidanit në fushë, bëhet ujitja e tyre me ujë të bollshëm, për të lehtësuar daljen e shpejtë dhe pa dëmtime të rrënjëve nga kasetat e prodhimit.
  • Trajtohen fidanët përpara mbjelljes në fushë me preparate mbrojtëse me spektër të gjerë veprimi, kundër sëmundjeve këpurdhore, që prekin pjesën mbitokësore të bimëve gjatë qëndrimit në tunele.
  • Në distanca 0,8-1 m shpohet polietileni i zi (me të cilin kemi mbuluar tokën përpara mbjelljes) dhe mbillni fidanët e shartuar.
  • Vendosni fidanin në mënyrë të atillë që sipërfaqja e kubikut të jetë rrafsh me sipërfaqen e tokës dhe ngjisheni me kujdes.

Dendësia e mbjelljes së bimëve është relativisht e vogël 3000 deri në 4000 bimë/ha, në varësi nga fuqia vegjetative e nënshartesës dhe e vetë kultivarit të përzgjedhur.

  • Menjëherë pas mbjelljes aktivizoni sistemin e ujitjes për të siguruar 2-3 litra ujë për çdo bimë të mbjellë. 
  • Mbas mbjelljes shtrini polietilenin transparent mbi harqet e vendosura dhe fiksojeni mirë duke e mbuluar me dhe të freskët në të gjitha anët e tij. Hapni disa dritare të vogla përgjatë tunelit, në anën më të mbrojtur nga erërat, për të kontrolluar zhvillimin e bimëve dhe përmirësuar ajrimin e bimëve në tunel.

Cilët janë përkujdesjet gjatë kohës së qëndrimit të bimëve të shalqinit në tunel ?
Gjatë kohës së qëndrimit të bimëve në tunel tregohet kujdes i veçantë për parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme kërpudhorë në gjethe dhe veçanërisht kujdes duhet treguar në kontrollin e kalbëzimit të qafës duke trajtuar bimët me preparate me bazë bakri. Për këtë qëllim;

  • Sa herë që e lejojnë kushtet e motit, bëhet ajrimi i tuneleve, nëpërmjet hapjes për disa kohë të fundeve të tyre. Ndërkaq, fidanët e shartuar garantojnë mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet kërpudhore që jetojnë në tokë.
  • Përdorni doza të kontrolluara uji të shoqëruara me plehra kimike, në përputhje me sistemin e plehërimit të rekomanduar, për të siguruar rritje të shpejtë të masës vegjetative të bimëve, si garanci për hershmërinë dhe rendiment të lartë.
  • Gradualisht, hapni dritare gjithnjë e më të medha në mbulesën plastike të tunelit, për t’i përgatitur bimët të dalin në mjedis të hapur. Në varësi nga kushtet e motit me fillimin e lulëzimit të bimëve largoni mbulesën prej polietileni transparent dhe i lini bimët të rriten në kushte natyrore. Në këtë kohë bimët kanë marrë pamjen e një kaçubeje të zhvilluar me një numër të madh lastarësh të rendit të parë, të dytë dhe të tretë. Për këtë aresye në kultivimin e shalqinit në tunele nuk është e zakonshme krasitja e bimëve.
  • Largimi i mbulesave korespondon me fillimin e formimit të frutave në bimë.

Cilët janë përkujdesjet ndaj bimëve pas zhvendosjes së plotë të mbulesave të tuneleve ?
Ujitjet. Në përgjithësi shalqini nuk kërkon shumë ujë. Nëpërmjet sistemit të fuqishëm rrënjor të nënshartesës, qëndrueshmeria e bimëve ndaj streseve ujore rritet akoma më shumë. Gjithsesi, për të garantuar rendimente të larta duhet të realizohen ujitje periodike me norma të kontrolluara uji.

Fazat më të ndjeshme ndaj mungesës së ujit është periudha e rritjes intensive të bimës, lulëzimi dhe periudha e rritjes intensive të frutave. Për këtë arësye edhe ujitjet duhet të përqëndrohen në këto periudha për të mos lejuar që përmbajtja e ujit në tokë të zbresë në më pak se 50%  të kapacitetit ujëmbajtës të saj. Ndryshe nga fazat e mësipërme, gjatë pjekjes së frutave, kufizime të lehta të furnizimit me ujë ndikojne pozitivisht në rritjen  e përmbjatjes së sheqerit në fruta, thuajse pa ndikuar në zvogëlimin e prodhimit nga bimët. Megjithatë mungesat e theksuara të ujit edhe gjatë kësaj periudhe mund të shkaktojnë kalbëzimin e majës , çarjen e frutave ose deformimin e tyre. 

Praktikisht, këshillohet ujitja e tokës në doza relativisht të larta uji përpara mbjelljes, për të siguruar sasi të mjaftueshme uji për disa kohë pas mbjelljes. Në  kushte të tilla përjashtuar një ujitje të lehtë menjëherë pas mbjelljes, mund të mos jetë e nevojshme të kryhen ujitje të tjera per 2-3 javë. Gjithsesi, kjo është e kushtëzuar nga struktura e tokës, aftësia ujëmbajtëse e saj dhe kushtet e motit.

Ujitjet gjatë vegjetacionit kryhen një herë në disa ditë, në varësi të tipit të tokës dhe kushteve atmosferike, por gjithmonë me doza të vogla uji ( rreth 350 m3 /ha). Ujitjet nuk duhet të ndërpriten deri në përfundim të vegjetacionit të bimëve, por kërkesat më të mëdha janë pasi frutat kanë arritur madhësinë e nje topi tenisi. Nevojat mesatare të shalqinit përllogarriten në rreth 6L/m2 ne javë (600 m3 /javë) Praktikisht kjo do të thotë që zakonisht dy ujitje në javë janë të mjaftueshme për shalqinin. 

Në mot të nxehtë dhe në periudhën e rritjes intensive të frutave, ato  ujiten në rreth 10 L/m2 në javë (1000m3/ha në javë).

Bëni kujdes! Ujitjet e shpeshta dhe dozat e larta të ujit sidomos në mot me reshje dhe kur ujrat nëntoksore janë afër sipërfaqes së tokës mund të çojnë në krijimin e zonave të mbingopura me ujë, asfiksimin e sistemit rrënjor për shkak të mungesës së oksigjenit nën tokë dhe tharjen e shpejtë të bimëve.

Plehërimi: Çfarë duhet të keni parasysh për plehërimin e balancuar të bostanoreve në tunel?

  • Kryeni në kohë analizat kimike të tokës dhe në varësi të gjendjes së elementëve të ndryshëm ushqyes në tokë, përcaktoni sistemin e plehërimit, llojin e plehrave që do të perdorni, sasinë, kohën dhe mënyrën e shpërndarjes së tyre.
  • E gjithë sasia e nevojshme e plehrave fosforike dhe ½ e plehrave potasike mund të shpërndahen në tokë përpara mbjelljes.
  • Shpërndarja e plehrave nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika është një mënyrë më efektive. N.q.s nuk shpërndahen plehra në plehërimin bazë, plehërimet nëpërmjet sistemit të ujitjes me pika duhet të fillojnë menjëherë pas mbjelljes së bimëve. Në të kundërtën, ato mund të shtyhen në 2-3 javë pas mbjelljes dhe zgjasin për të gjithë sezonin e kultivimit 10-12 javë.
  • Nevojat mesatare të shalqinit për elementë ushqyes llogariten në 80 -110 kg/ha N 25-50kg/ha P2O5dhe 50-90kg/ha K2O. Për t’i transformuar ato në sasitë respektive të plehrave kimike që keni në dispozicion pjestoni sasitë e rekomanduara me përmbajtjen në përqindje të elementëve përkatës në plehun tuaj.

Data e publikimit: 09/03/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë