SHËRBIMET AGROTEKNIKE DHE VJELJA E PRODHIMIT TEK BAJAMJA




Nga niveli i shërbimeve agroteknike varet koha e hyrjes në prodhim, jetëgjatësia e pemishtes, koha e shfrytëzimit, prodhueshmëria e pemishtes së bajameve si dhe kostoja e prodhimit.

Disa nga shërbimet kryesore që kryhen tek bajamja janë: punimi i tokës, plehërimi, ujitja, krasitja dhe mbrojtja nga sëmundjet e dëmtuesit.

Punimi i tokës
Ka për qëllim kryesor: 

  • zhdukjen e barërave të këqija;
  • të ndihmojë ajrimin e tokës;
  • mbulimin e plehrave kimike e organike.

Punimi i tokës realizohet gjatë periudhës vjeshtë - dimër. Gjatë vegjetacionit toka mbahet e shkrifët me prashitje e frezime sipas nevojës.

Plehërimi
Bajamja, sikurse edhe drufrutorët e tjerë, ka më shumë nevojë për azot dhe fosfor në periudhën e lulëzimit, lidhjes së frutave, si dhe të diferencimit të sythave vegjetativë në frutorë. Kjo periudhë, në vendin tonë, fillon në mes të muajit mars dhe mbaron në mes të muajit shtator. Prandaj gjatë gjithë kësaj periudhe bajamja duhet të ketë në dispozicion të saj elementët e nevojshëm në sasinë e duhur, në përputhje me  nevojat biologjike të saj dhe prodhimit të pritshëm. Përcaktimi i  sasisë së plehrave që do të përdoren bazohet në  analizat agrokimike të tokës (pjellorinë e saj). Kërkesat më të mëdha për elementë ushqyes janë në periudhën mars – prill.

Normat e plehrave varen nga:

  • mosha e pemës,
  • forma e krasitjes,
  • lloji i tokës dhe
  • kultivari.

Me anë të plehërimit kimik synohet të ruhet balanca ushqimore tokësore, duke orientuar zëvendësimin e të gjithë elementeve ushqyes që bima ka larguar nëpërmjet vegjetacionit dhe prodhimit të saj. Mbi këtë mënyrë përdoren të gjithë elementet ushqyes bazë të nevojshëm për zhvillim normal të proceseve jetësore. 

Plehu kryesor që përdoret tek bajamja është azoti. Doza orientuese është 30 – 35 kg për dynym sulfat amoni. Koha e hedhjes varet nga kushtet e motit

  • Në kushtet e një klime të thatë kjo sasi hidhet në një dorë para lulëzimit;
  • kushte të ujitshme ajo ndahet në dy duar, ku 2/3 hidhen para lulëzimit dhe 1/3 në fillim të qershorit.

Për plehërimin e bajames përdoren edhe plehrat organike dhe plehërimi i gjelbër. Plehërimi me pleh stalle e plehra të tjerë organik bëhet në vjeshte. Plehrat organike shpërndahen përreth kurorës dhe larg trungut afërsisht 1 m duke i përmbysur me anë të punimit të tokës. Sasia e rekomanduar është 30 – 40 kg për çdo rrënjë në çdo dy vjet.

Ujitja e bajames
Ujitja e bajameve këshillohet të bëhet kur kemi mungesë të sasisë së ujit në tokë. Mungesa e ujit e dëmton bajamen duke frenuar rritjen vegjetative dhe zverdhjen e shpejtë të gjetheve. Gjithashtu, në kushtet e mungesës së ujit vihet re formimi i thelpinjve dyshe. Tek bajamja këshillohen 3 – 4 ujitje në vit duke filluar nga muaji qershor e deri në fund të muajit gusht. Sasia e ujit, të përdorur në vit, është 400 – 500 mm. Bajamet me moshë të re kërkojnë pothuaj të njëjtën sasi uji si ato me moshë të madhe, sepse ritmi i thithjes së ujit nga rrënjët është i njejtë si në bimët e vjetra ashtu edhe ato të reja. Periudha më kritike për ujë është kur fillon të formohet endokarpi (thelbi) dhe vazhdon deri sa perikarpi (sharku) fillon të çahet. 

Krasitja 
Tek bajamja ashtu si në të gjitha pemët frutore kemi krasitjen formuese, prodhuese dhe ripërtëritëse. Krasitja formuese aplikohet 2 – 3 vitet e pra dhe format kryesore të kurorës janë:

  • Forma kupore
  • Forma piramidale

Krasitja prodhuese fillon vitin e tretë të jetës e më pas.
Bajamja nuk pranon krasitje të rënda sepse ajo ka nevojë për degë të shumta frutore. Rëndësi ka njohja dhe dallimi i degëve frutore të cilat janë degët bukëtore dhe ato të holla, të cilat gjatë krasitjes duhet të ruhen e të mos hiqen.

Mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit
Edhe tek kjo pemë, si të gjithë pemët e tjera, disa dëmtues e sëmundje janë shqetësuese të cilat ndikojnë në uljen e prodhimit dhe cilësisë së frutave, prandaj parandalimi dhe luftimi i tyre merr rëndësi.

Sëmundjet kryesore

Gjethe biruesja ose Shpuesi i gjetheve (Coryneum beijerinckii Oudem.) 

Gjethe biruesja prek gjethet, frytet dhe lulet e bajames. 
Simptomat: Në gjethet e prekura krijohen njolla, të cilat fillimisht janë me ngjyrë të kuqërreme në gështenjë dhe më vonë me vazhdimin e infeksionit këto njolla bëhen vrima që ngjajnë me ato të shkaktuara nga saçma. Pra gjethja bëhet vrima vrima. Edhe në fryte bëhen njolla por nuk kemi shpimin e tyre tej e tej si në gjethe. Në vendet e prekura shfaqet gomozë.

Në lastarë, gjithashtu, krijohen të fryra me gomozë. Sëmundja shumëzohet gjatë gjithë vitit me përjashtim të dimrit. Sëmundja stimulohet nga lagështia e tepërt (shirat e shpeshtë) gjatë periudhës së vegjetacionit. 

Masat e parandalimit dhe kontrollit: Trajtimi me preparate me bazë bakri:

  • Në vjeshtë kur bien gjethet (lëng bordolez 2%);
  • Në pranverë kur fillon fryrja e sythave (lëng bordolez 1%);
  • Kur frutat e arrijnë madhësinë e një lajthie (lëng bordolez 1% ose oksid bakri 0,4%.

Gjethe përdredhësja (Tafrina deformans)

Kjo sëmundje prek gjethet, lulet dhe degëzat. Pjesët e prekura vuajnë nga hipertrofia (rritja e vëllimit të qelizës, rritje e vëllimit të oraganit) dhe ato fryhen. 

Gjethet e reja kanë gunga në anët e sipërme, deformohen dhe  janë më të mëdha në dimensione sesa gjethet e shëndetshme. Gjethet e prekura kanë një ngjyrë të kuqe dhe ndërsa sëmundja evolon, kjo ngjyrë kalon në të verdhë. Kur pema është prekur rëndë, gjethet bien. Degët dhe lastërët e prekur ngadalësojnë ritmet e rritjes dhe janë të ndjeshëm ndaj ngricave të dimrit. 

Dimëron në gjethet e rëna për tokë ose në pjesët e prekura të bimës. Temperatura më e përshtatshme  për zhvillimin e kërpudhës është nga 7 – 28°C. Infeksioni fillon në pranverë në kohën e çeljes së sythave.

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

Zakonisht kryhen tre trajtime kimike:

  • Trajtimi i parë kimik ka qëllim parandalimin e infeksionit dhe kryhet para rrënjës së gjetheve me preparate me bazë (lëng bordolez 2 – 3%).
  • Trajtimi i dytë kimik bëhet gjatë qetësisë dimërore me tiram 2%.
  • Trajtimi i tretë bëhet në fazën e fryrjes së sythave me preparate me bazë bakri ose tiram 2%.

Hiri (Sphaerotheca pannosa var. Persicae)

Sulmi mund të shihet së pari në gjethet e lastarët e rinj, si njolla të bardha. Këto njolla më vonë shtrihen dhe mbulojnë të gjithë sipërfaqen e gjetheve. Ndërsa sëmundja evoluon, miceli i kërpudhës bëhet gri dhe pluhuroset. Indet e prekura rrudhen dhe thahen. Kërpudhat gjithashtu sulmojnë frutat e reja. Këta mbulohen nga një shtresë e bardhë. Frutat plasin dhe kalben.

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

  • Plehërimi  i ekuilibruar;
  • Mbjellja e kultivarëve të qëndrueshëm;
  • Trajtime kimike gjatë vegjetacionit me preparate me bazë squfuri.

Gungë formuesja e kurorës (Agrobacterium tumefaciens)

Gungë formuesja e kurorës shkaktohet nga  një baktere që mbijeton në qelizat e gungave dhe në tokë. Ajo hyn në drurin e pemës nëpërmjet plagëve apo rrënjëve të dëmtuara. Gungat fillimisht janë të buta e sfungjerore dhe më vonë ato forcohen dhe plasariten. Shkatërrimi fillon nga qendra e gungëzave të vjetra. Pemët e reja fillojnë e vyshken ndërsa ato të vjetra shpesh zhvillojnë degë të dyta të kalbura. Gungë formuesja e kurorës dëmton më shumë pemët e reja dhe ajo mund të shfaqet edhe në fidanishtet dhe sipërfaqet e reja të mbjella me bajame. Nënshartesa hibrite pjeshkë – bajame janë më të ndjeshme ndaj bakteriozës gungë formuese të kurorës se ato të bajameve që përdorin nënshartesën e pjeshkës “Nemaguard”. 

Për të mënjanuar këtë bakteriozë, fidanët duhet të jenë të prodhuar në fidanishte dhe të transportohen me kujdes për të mënjanuar dëmtimet e tyre deri në mbjelljen në fushë. Një trajtim kimik para mbjelljes, me preparate me bazë bakri,  mund të përdoret për të minimizuar infeksionin nga bakterioza gungë formuese e kurorës.

Monilia/Kalbëzimi (Monilinia cinerea ose Sclerotinia laxa)

Kërpudha shfaqet në shumë forma dhe kjo në varësi të organit bimor që prek. Shumëzohet me anë të sporeve. Kur lulet e bajames janë të çelura, një spore i kërpudhës po të bierë mbi stigmën fillon e vegjeton. Miceli futet nëpërmjet stilit në vezore dhe në këtë mënyrë fillon parazitizmi. Lulja menjëherë vyshket dhe thahet. Infeksioni përhapet nga vezorja e lules në gjethe, degëzat e frutat e njoma. 

Monilinia laxa shumohet më shumë në mot të ngrohtë dhe të lagësht. Temperatura ideale për infeksionin e M. laxa është midis 15-25°C. Sporet e prodhuara nga ky patogjen mund të shpërndahen nga era dhe shiu.

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

  • Mbledhja dhe shkatërrimi i frutave të prekur;
  • Prerja dhe djegia e degëve të prekura;
  • Prerja e degëve të prekura deri në zonat e shëndetshme, aplikimi i trajtimeve duke përdorur lëng bordolez 4-5% Zeama dhe mbulimi i plagëve me mastiçe riparuese;
  • Trajtimet kimike gjatë periudhës së qetësisë dimërore, duke përdorur produkte me bazë bakri dhe gjatë periudhës së vegjetacionit duke përdorur Switch, Topsin.

Luftimi i dëmtuesve që shkaktojnë plagë në pemë është gjithashtu një masë parandaluese.

Dëmtuesit kryesorë

Afidet (Myzus persicae)

Janë insekte të vogla që kanë ngjyrë të gjelbër në të verdhë. Këta dëmtues thithin lëndët ushqyes në pjesët e reja vegjetative të bajames. Thithja e limfës nga këto pjesë shkakton probleme dhe çrregullime duke u shoqëruar shpesh herë edhe me deformime morfologjike të tyre. Përveç dëmit direkt ato transmetojnë edhe infeksione të ndryshme me anë të shpimeve që ato kryejnë. Pjesët e prekura nga afidet mbështillen nga lëndë sheqerore që nxjerrin vetë afidet. Rrezikshmëria e tyre shtohet për faktin se ato në kushte të përshtatshme kanë aftësi të shtohen shumë dhe të japin disa brezni në vit. Afidet dimërojnë zakonisht me anë të vezëve.

Luftimi i tyre është relativisht i thjeshtë si me masa agroteknike me prerje e largim të degëve të prera ashtu dhe me rrugë kimike duke spërkatur me preparate të sistemit.

Breshkëza (Quadraspidiotus perniciosus)

Ky është një dëmtues polifag që sulmon mbi 200 specie bimore. Breshkëzat japin deri në 3 brezni në vit dhe dimëron si një larvë në lëvoren e specieve të prekura. Femrat dhe larvat përhapen në të gjitha organet e bimëve, përfshirë edhe frutat, duke u ushqyer me lëngun qelizor të bimëve. Infeksioni në pemët e pa trajtuara mund të prishë prodhimin për një periudhë 1 – 3 vjeçare. Nëse prekja është e rëndë, mburojat e insekteve mbivendosen, pemët do të ngecin (frenohen) në rritje dhe pas 2-3 vitesh ato do të thahen. 

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

  • Zbatimi i trajtimeve specifike, me insekticid vajra, gjatë periudhës së qetësisë relative (dimërore);
  • Pastrimi i degëve me një furçë pastrimi;
  • Trajtime kimike, duke përdorur insekticide të sistemit.

Turigjati (Sciaphobus squalidus)

Ky është një specie e rrezikshme që prek lastarët (filizat) dhe sythat e luleve. Jep një brezni një herë në 2 vjet dhe dimëron si insekt i rritur brenda shtresës sipërfaqësore të tokës. Insektet e rritur dalin gjatë pranverës, ngjiten në pemë dhe ushqehen me filizat dhe sythat e luleve. Larvat nuk janë të dëmshme për pemët pasi ushqehen me rrënjët e bimëve barishtore spontane.

Masat e parandalimit dhe kontrollit:

  • Punimi i tokës gjatë vjeshtës
  • Trajtime kimike duke përdorur Mavrik, Reldan, Pyrinex 25 CS, Actara 25 WG, Calypso 480 SC;

Larva e tenjës perëndimore (Malacosoma californicum)

Ky dëmtues dimëron në stadin e vezës të cilat çelin në pranverë dhe fillim të verës. Larvat janë të pajisura me push dhe shirita të verdhë në kafe apo me njolla blu dhe portokalli në pjesën e sipërme të trupit të tyre. 

Karakteristikë është se vemjet  janë të ngathta në lëvizje. Çdo vit kemi nga një gjeneratë vemjesh. Vemjet e tenjës mund të shkaktojnë dëme serioze në pemë të vetmuara dhe në bimët anësore të blloqeve me bajame. Bimët e reja janë më të prekshmet nga këto vemje. Ato nuk hanë damarët e gjetheve  dhe gjethet e dëmtuar duken si gjethe skeletike. Larvat krijojnë një rrjetë të mëndafshtë në të cilën mblidhen bashkë me dhjetëra larva në formë lëmshi. 

Për të luftuar vemjet e tenjës perëndimore rekomandojmë prerjen, largimin dhe shkatërrimin, mundësisht djegien e degëve të prekura. Trajtimet kimike kundër insekteve të tjera dëmtuese mund të ndikojnë në uljen e infeksionit edhe tek ky dëmtues. Zakonisht trajtimet e lokalizuara në pemët e infektuara është një masë e mjaftueshme për luftimin e këtij dëmtuesi.

Mola e frutave ose krimbi i frutave (Cydia funebrana)

Kjo specie sulmon pemët frutore bërthamore. Ka 2 breza në vit dhe dimëron si një fshikëz nën lëvoren e pemëve ose në vende të ndryshme të mbrojtura. Larvat hapin rrugët e tyre brenda frutave ku ushqehen me tul dhe fara. Frutat e prekura ndalojnë së rrituri dhe bien në tokë. Larvat do të vazhdojnë të hanë frutat (të ushqehen) edhe pasi ato kanë rënë në tokë. Pas ushqimit, larvat dalin nga frutat dhe kërkojnë një vend të përshtatshëm dimërimi.

Për luftimin e këtij dëmtuesi rekomandojmë trajtimet kimike me: Laser 240 SC, Karate Zeon 50 CS, Faster 10 CE, Affirm, Coragen

Vjelja e prodhimit tek bajamja     
Grumbullimi i bajames bëhet duke shkundur pemën me tundës hidraulikë. Para fillimit të shkundjes toka pastrohet nga gurët apo mbeturina të tjera ose shtrohen rrjeta plastike për grumbullimin sa më të mirë dhe të shpejtë të frutave. Frutat i lemë në diell për 2 – 3 ditë duke i përzier vazhdimisht dhe më pas i zhveshim nga sharku. Frutat thahen gradualisht në vende me hije derisa lagështia në frut të arrijë në kufijtë e 14%. Prodhimi futet në thasë dhe magazinohet. Vendosja në magazinë bëhet pasi ti kemi futur në thasë.

Në rast se bajamet gjatë vjeljes i zënë shirat ose për arsye nga më të ndryshmet frutat e tyre marrin ngjyrë të errët atëherë bëjmë zbardhjen e tyre duke i lagur paraprakisht me ujë dhe pastaj në ambientin e mbyllur ku djegim squfur, pasi avujt e tij i zbardhin frutat.

Në depot e ruajtjes, për ti mbrojtur nga infeksionet kërpudhore apo dëmtues të ndryshëm, përdoret për dezinfektim metil bromit, i cili ka veti të depërtojë në thellësi të thelpinjve. Në temperaturën 15°C përdoret 50 gr/m³ depo për 24 orë. Në temperaturë të ajrit 2 - 3°C dhe me një lagështi të ajrit 75% bajamet ruhen për dy vjet.

Data e publikimit: 30/11/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

Teknologjia e kultivimit tek bajamja

Frutat e bajames janë të pasura me magnez, kalium, fibër dhe proteinë

Lexo më shumë