Kroma e mollës dhe luftimi i saj




Kroma e mollës është një sëmundje kërpudhore e shkaktuar nga patogjeni Venturia inaequalis, e cila shfaqet në shumicën e vendeve të botës ku kultivohen mollët. Përveç mollës së kultivuar ajo prek edhe mollën e egër, murrizin, vodhën etj.

Kroma vazhdon të mbetet një sëmundje serioze dhe nëse nuk kontrollohet shkakton humbje të mëdha të prodhimit (deri 70%) dhe të cilësisë duke rritur koston e prodhimit dhe si përfundim uljen e të ardhurave. Kroma është e përhapur më shumë në zonat e ngrohta dhe të lagëta që karakterizohen me reshje të shpeshta, kurse në zonat gjysmë të thata ajo është më pak e përhapur. 

Simptomat e sëmundjes 
Patogjeni prek  të gjitha organet e gjelbra të pemës së mollës. Kjo kërpudhë mund të infektojë dhe kolonizojë gjethet, bishtin e gjethes, lulet, bishtin e luleve, frutat, bishtin e frutave, madje edhe lastarët e rinj. Por, zakonisht simptomat hasen në gjethe e fruta.

Në gjethe: Infeksioni fillimisht shfaqet si njolla jeshile ngjyrë ulliri me kufij të paqartë në të dy anët e gjetheve të infektuara. Ndërsa sëmundja përparon, njollat zhvillojnë një kufi më të qartë dhe bëhen të zeza në ngjyrë kadife. Gjethet në fund do të zverdhen dhe do të bien para kohe.

Në lule: Lulet mund të infektohen menjëherë me daljen e tyre nga sythet dhe vetëm atëherë kur kushtet e mjedisit janë të favorshme për sëmundjen. Tek lulet e prekura si në kupë ashtu edhe në bisht formojnë njolla të vogla të ngjashme me njollat fillestare që formohen mbi gjethe. Si rregull, lulet e infektuara në këtë fazë të zhvillimit të tyre thahen dhe rrëzohen.

Në fruta: Simptomat e infeksionit të frutave janë të ngjashme me ato të gjetheve. Njollat në fruta bëhen kafe e errët në të zezë. Ndërsa frutat zhvillohen, lezionet do të kenë një pamje "zgjebeje" ose “koreje” dhe do të plasariten. Infeksionet e rënda, kur fryti është i vogël, mund të shkaktojnë deformim të tyre nga rritja e pabarabartë.

Në degë: Degët e mollës mund te preken vetëm në kushte të veçanta, kur ka lagështi dhe temperaturë të lartë, duke formuar mbi to njolla që kanë ngjashmëri me ato të gjetheve. Tek degët që janë më të zhvilluara njollat kanë trajtën e postulave me formën e rrumbullaket të cilat po të hapen (çahen) nxjerrin një mase si pluhur që është e përbërë nga organet e riprodhimit jo seksual (agamik) te parazitit. 

Biologjia e sëmundjes
Cikli i zhvillimit biologjik i patogjenit realizohet në dy forma:

  • Forma seksuale që fillon në fund të vjeshtës, vazhdon në dimër dhe përfundon në pranverën e vitit të ardhshëm duke prodhuar sporet seksuale apo askosporet njihet si cikli primar ose infeksioni primar;
  • Forma aseksuale ose infeksioni sekondar që fillon në pranverë me prodhimin e konidieve dhe vazhdon gjatë sezonit të kultivimit njihet si cikli i dytë. 

Infeksioni primar
Cikli i infeksionit primar i askosporeve zhvillohet vetëm një herë brenda sezonit. Kërpudhat dimërojnë në gjethet e infektuara të rëna në tokë. 

Në rajone të caktuara gjeografike e sidomos në ato me dimër të butë dhe kultivarë të caktuar, kërpudha e kromës mund të mbijetojë edhe me konide në plagët e krijuara në lastarë dhe degë gjatë dimrit. Në këto raste edhe konidet e dimëruara mund të shërbejnë si burim primar infeksioni.

Në pranverë gjatë sezonit të shirave, sporet e kërpudhave lëshohen nga gjethet e infektuara që mbeten nga viti i kaluar dhe barten nga era në gjethet dhe frytet e sapo shfaqura në pemë të shëndetshme. Pra kushtet kryesore për infeksionin janë lagështia dhe temperatura. Në temperaturë mesatare prej 14.4oC, infeksioni primar do të fillojë 10 orë pas fillimit të reshjeve. Pas 22 orëve të lagështisë, shkalla e përhapjes së infeksionit do jetë shumë e madhe.

Fermerët mund të përcaktojnë se kur do të fillojë infeksioni, duke shënuar kohën e fillimit të reshjeve, duke matur kohën e tharjes së gjetheve dhe duke llogaritur temperaturën mesatare gjatë kohës që gjethja qëndron e lagur. 

Njollat e sëmundjes dallohen të paktën 9 ditë pasi kroma të ketë infektuar gjethen apo frytin. Varësisht nga temperatura mesatare pas penetrimit të promicelit, nevojiten nga 9 deri në 17 ditë që të shfaqet ndryshimi në ngjyrën e gjethes, nga ngjyrë ulliri në njolla me ngjyrë kadife.

Infeksioni sekondar
Sapo të ndodhë infeksioni primar, formohen spore sekondare (konide), duke lejuar që një pemë të ri-infektojë veten ose pemët fqinje për sa kohë që kushtet mjedisore janë të favorshme. Sëmundja përparon me shpejtësi dhe shkakton infeksione të rënda nëse bimët mbeten të lagura për një kohë relativisht të gjatë, kjo për të paktën një periudhë prej gjashtë orësh dhe me temperatura rreth 18-24°C. Sa më e lartë të jetë temperatura aq më pak kohë duhet që gjethja të mbetet e lagur vazhdimisht që të ndodhë infeksioni.

Monitorimi i kromës

  • Shikoni për simptomat fillestare të gjetheve gjatë periudhës para lulëzimit;
  • Kontrolloni sipërfaqet e sipërme dhe të poshtme të gjetheve, veçanërisht venat e gjetheve, pasi kjo zonë do të mbajë lagështi më gjatë, duke përmbushur kërkesat e lagështisë për mbirjen e sporeve më shpejt se zonat e tjera të gjethes.
  • Sigurohuni që të shënoni kohëzgjatjet e periudhave me lagështirë (reshje) dhe temperaturat mesatare në pranverën e hershme për të parashikuar periudhat e infeksionit.

Menaxhimi i sëmundjes

Masat agroteknike
Masat agroteknike ndihmojnë parandalimin e përhapjes së mundjes. Disa nga masat agroteknike janë: 

  • Përdorimi, sa të jetë e mundur, i kultivarëve rezistentë ndaj sëmundjes;
  • Grumbullimi, groposja ose djegia e gjetheve dhe frutave të rëna në vjeshtë për tokë, për të eliminuar potencialin infektues të sëmundjes;
  • Punimi i tokës, i cili ndihmon në përmbysjen dhe dekompozimin e shpejtë të mbeturinave bimore (gjethe e fruta të rëna për tokë);
  • Krasitja është gjithashtu një masë tjetër parandaluese. Me krasitje mundësohet, qarkullimi i mirë i ajrit në kurorën e pemës dhe mundësohet zvogëlimi i kohëzgjatjes së lagështisë në gjethe, duke zvogëluar kështu potencialin infektues. Gjithashtu, krasitja mundëson depërtimin më të mirë të fungicideve në brendësi të kurorës, duke arritur një mbulim më të mirë të gjetheve me preparatet e trajtimit. Nëpërmjet krasitjes verore, përveç ajrimit, ndihmon në reduktimin e sasisë së indeve që kanë prekshmëri të lartë nga sëmundja.
  • Plehërimi i ekuilibruar, pasi plehërimet e tepruara me azot rrisin ndjeshmërinë e mollës ndaj sëmundjes.
  • Përhapja e kromës mund të reduktohet duke spërkatur me solucion ure 5% në gjethe në vjeshtë për të përshpejtuar dekompozimin e tyre. Aplikimi duhet bërë pak para rënies së gjetheve për të parandaluar stimulimin e rritjes së pemës (vegjetacion të ri) dhe për të mos i predispozuar pemët ndaj problemeve të stinës së dimrit.

Kontrolli kimik i sëmundjes
Kroma e mollës kontrollohet kryesisht me trajtime me fungicide. Sot në treg gjenden lloje të ndryshme fungicidesh. Koha e përdorimit të tyre varet nga lënda aktive që ato përmbajnë. Zakonisht trajtimet parandaluese, mbrojtëse, bëhen me preparate të kontaktit. Për luftimin e kromës duhet të kemi parasysh faktorët që favorizojnë kromën dhe mënyrën e luftimit të saj.

Mbani parasysh:

  • Në temperatura mbi 10°C kemi zhvillimin e kromës;
  • Reshjet dhe vesa e mëngjesit ndihmojnë zhvillimin e kromës;
  • Faza më kritike, te molla, është deri te faza kur frytet e formuara të kenë madhësinë e arrës;
  • Në rastin kur kemi kalim të shpejtë të fenofazave, ka periudha të pa mbuluara me spërkatje, prandaj shkurtohet afati ndërmjet spërkatjeve;
  • Si rregull, kroma trajtohet në çdo shtatë ditë;
  • Pas çdo shiu mbi 15-25 mm spërkatja përsëritet;
  • Të alternohen preparatet e kontaktit me ato të sistemit (për të ulur rezistencën e sëmundjes ndaj preparateve kimike);
  • Efikasiteti i preparateve kimike varet nga koha, mënyra e përdorimit dhe temperatura.

Trajtimi i parë kundër kromës fillon në fazën e fryrjes së sythave. Trajtimet duhet të jenë sistematike dhe si rregull ato përsëriten çdo 7 ditë, sidomos kur kemi mbi 25 mm shi dhe temperaturat favorizojnë sëmundjen. Sipas zonave dhe kushteve klimatike numri i spërkatjeve mund të shkojë nga 8-10, por edhe në 12-15 spërkatje në sezon. 

Trajtimet kryhen me preparate të kontaktit dhe të sistemit. Në rastin e infeksioneve të rënda bëhet trajtimi me preparate të kombinuara të kontaktit me ato të sistemit si: captan, mancozebe, thirame, odene, methyleuparane etj. si dhe të sistemit strobilurine, chorus, stopin etj.

Data e publikimit: 01/01/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

CILA ËSHTË BIOLOGJIA DHE MASAT E KONTROLLIT TË RRËNJËNGRËNËSIT TË MISRIT?

Cila është biologjia dhe masat e kontrollit të rrënjëngrënësit të misrit?

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë