SMR 10. Nxjerrja në treg e produkteve për mbrojtjen e bimëve
Kjo Direktivë lidhet me autorizimin, nxjerrjen në treg, përdorimin dhe kontrollin brenda Komunitetit të produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe të substancave aktive për treg që përdoren për mbrojtjen e bimëve ose produkteve bimore nga organizmat e dëmshëm.
Produktet për Mbrojtjen e Bimëve ose PMB-të përdoren për mbrojtjen e të mbjellave nga dëmtimi i shkaktuar nga pesticidet, sëmundjet, barërat e këqija, si dhe për rregullimin e rritjes së tyre, dhe përfshijnë herbicidet, insekticidet, fungicidet, rregullatorët e rritjes së bimëve, dezinfektuesit e farave, pesticidet kundër molusqeve dhe fumigantët.
Kërkesa të përgjithshme (legjislacioni shqiptar dhe i BE-së):
- Gjatë përdorimit të PMB-ve, fermerët duhet të zbatojnë masat dhe procedurat në përputhje me udhëzimet, paralajmërimet dhe informacionin në etiketë; - Gjatë përdorimit të PMB-ve, fermerët duhet të zbatojnë parimet e praktikave të mira bujqësore për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit; - Mund të përdoren vetëm ato PMB që regjistrohen në autoritetin e duhur në përputhje me rregulloret e veçanta; ato mund të klasifikohen, ambalazhohen, shënjohen, etiketohen dhe të pajisen të dhënat dhe udhëzimet e parashikuara për përdorim në përputhje me vendimin për autorizim apo lejen e lëshuar.
Gjatë përdorimit të PMB-ve, fermerët duhet të kenë parasysh pikat e mëposhtme (legjislacioni shqiptar dhe i BE-së):
- Përdorimi gjithmonë i pajisjeve të duhura personale mbrojtëse në përputhje me udhëzimet për etiketimin ose me vendimin për regjistrim; - Përdorimi më i mirë i mundshëm i secilës PMB lidhur me substancën e zgjedhur aktive, përzgjedhjen e masës së duhur të përdorimit, numrin, programimin dhe shpeshtësinë e përdorimeve, metodën e përdorimeve, strategjitë për pakësimin e pikave që bien nga spërkatja me pesticide dhe menaxhimin e rezistencës; - PMB-të duhet të mbahen në hapësira të ndara dhe të kyçura, ose në dollapë të veçantë në ambalazhin origjinal, larg ushqimit për njerëzit dhe ushqimit të kafshëve, dhe artikujve të tjerë të përdorimit të përgjithshëm, të paarritshme nga fëmijët, brenda kushteve të duhura dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në etiketë; - Ambalazhet boshe të kontejnerëve PMB me mbetje të pesticideve, pesticidet që kanë skaduar, ruhen të ndara, derisa të bëhet mbledhja e tyre nga një person i autorizuar në përputhje me rregulloret për menaxhimin e mbetjeve; - Në rast të ndonjë incidenti që kërcënon shëndetin e njerëzve, kafshëve apo mjedisin, fermerët duhet të veprojnë në përputhje me udhëzimet në etiketim dhe duhet të njoftojnë menjëherë autoritetet përkatëse; - Pajisjet për përdorimin e PMB-ve duhet të kalibrohen dhe të pastrohen rregullisht në përputhje me udhëzimet në etiketën e pesticideve të caktuara; - Duhen mbajtur të dhëna për përdorimin e pesticideve, të paktën të dhëna për: emrin tregtar të produktit për mbrojtjen e bimës, datën dhe orën e fillimit dhe përfundimit të trajtimit, sasinë e produkteve të përdorura për mbrojtjen e bimëve (doza, përqendrimi), madhësinë dhe sipërfaqen e kulturës apo produktit të bimës së trajtuar, sipërfaqen e trajtuar, arsyen e trajtimit, etj.
Mirëqenia e kafshëve
SMR. 11 Standardet minimale për mbrojtjen e viçave
Kjo Direktivë përcakton standardet minimale për mbrojtjen e viçave, të mbyllur për rritje dhe majmëri.
Kërkesa të përgjithshme (legjislacioni shqiptar dhe i BE-së):
• Viçi duhet të marrë kulloshtrën e lopës sa më shpejt që të jetë e mundur pas lindjes, dhe në ndonjë rast të caktuar brenda gjashtë orëve të para të jetës; • Është e detyrueshme që viçat nën 8 javë të mbahen në grupe, përveç rasteve kur:
fermat kanë më pak se gjashtë viça;
viçat mbahen bashkë me nënat e tyre për t’u ushqyer me qumësht nga këto të fundit.
• Viçat mund të mbahen në bokse të veçanta, dhe vetëm kur përcaktohet nga veterineri bokset duhet të kenë ndarje ku viçat mund të shihen dhe të preken, dhe nuk duhet të kenë mbetje të ngurta; • Gjerësia e bokseve individuale për viça duhet të jetë të paktën e barabartë me lartësinë e viçit në shpatulla, e matur kur ai qëndron drejt, ndërsa gjatësia duhet të jetë e barabartë me të paktën gjatësinë e trupit të viçit, e matur nga maja e hundës deri në skajin e gungës së bishtit (kocka e legenit), e shumëzuar me 1,1; • Fermeri duhet t’i mbajë të gjithë viçat në grup në mënyrë që ata të kenë hapësirën e mjaftueshme për t’u larguar, kthyer, ngritur dhe shtrirë, si dhe duhet të sigurojë sipërfaqen më minimale të dyshemesë së përcaktuar; • Materiali për bokset ose për vathat duhet të ketë ato karakteristika që e bëjnë më të lehtë mbajtjen e higjienës; • Sistemi i izolimit, ngrohjes dhe ajrimit duhet të sigurojnë kushtet mikroklimatike që nuk janë të dëmshme për viçat; • Është e detyrueshme që viçat të mbahen në kushte ku instalimet elektrike janë kryer si duhet, në mënyrë që të parandalohen goditjet elektrike; • Në rast të ndriçimit natyral, hapjet në mure duhet të zënë të paktën 1/20 e sipërfaqes së dyshemesë; • Në rast të ndriçimit artificial, të sigurohet dritë prej të paktën 11W /m² gjatë periudhës së duhur të ndriçimit natyral, nga ora 9.00 deri në 17.00; • Kërkesat për strehimin e viçave janë:
Treguesit
Pesha e gjallë /kg
100
200
300
400
500
Gjatësia e shtratit në metër (m)
1.5
1.7
1.95
2.15
2.4
Gjerësia e shtratit në metër
0.55
0.7
0.85
0.95
1.1
Mosha /muaj
deri 3
3-6
7-12
13-24
24-36
Sipërfaqe m²/ krerë
1.0
2.0
3.0
4.0
5.0
Të gjithë viçat në stallë mbikëqyren të paktën dy herë në ditë. Të gjithë viçat nxirren jashtë stallave, ndërsa viçat e sëmurë apo të lënduar duhet të kontrollohen të paktën një herë në ditë;
Të gjithë viçat mbahen në bokse me sasi të mjaftueshme kashte të thatë dhe të butë
Viçat nuk lidhen, përveçse gjatë ushqyerjes me qumësht ose zëvendësues të qumështit, dhe në këtë rast jo më shumë se një orë;
Bokset, pajisjet dhe takëmet që përdoren për viçat duhet të jenë të pastra, dhe nuk duhet të përmbajnë gjurmë urine, jashtëqitjeje apo ushqimi;
Është e detyrueshme që një viç mbi tetë javësh të marrë sasinë e mjaftueshme të fibrave, sasi që shtohet nga 50 g në 250 g në ditë për viçat nga tetë deri në 20 javë, si dhe të ushqehen të paktën dy herë në ditë, në të njëjtën kohë.
SMR 12. Standardet minimale për mirëqenien e derrave Qëllimi është mbrojtja e derrave në fermë
Kërkesa të përgjithshme (legjislacioni shqiptar dhe i BE-së):
Stallat duhet të ndërtohen me materiale dhe pajisje që nuk janë të dëmshme për derrat, dhe që mund të pastrohen dhe dezinfektohen lehtësisht;
Është e detyrueshme që derrat të mbahen në kushte ku instalimet elektrike janë kryer si duhet, në mënyrë që të parandalohen goditjet elektrike;
Sistemi i izolimit, ngrohjes dhe ajrimit duhet të sigurojnë kushtet mikroklimatike që nuk janë të dëmshme për viçat;
Të gjitha pajisjet e automatizuara dhe mekanike që lidhen me rritjen e derrave në ferma duhet të inspektohen të paktën një herë në ditë; në rast të gjetjes së defekteve, duhen marrë menjëherë masat e duhura për rregullimin e sistemit ose për parandalimin e dëmtimit të shëndetit të kafshëve;
Duhet vendosur sistemi i alarmit për ta paralajmëruar fermerin për mosfunksionimin e sistemeve teknike, veçanërisht për sistemin e ajrimit;
Sistemi i alarmit duhet të testohet rregullisht;
Derrat nuk duhen mbajtur gjithmonë në errësirë, por me ndriçim natyral dhe artificial të përshtatshëm;
Të gjithë derrat e mbajtur në fermë duhet të ekzaminohen të paktën një herë në ditë;
Në rast lëndimi, duhen marrë menjëherë masat e duhura; në raste të tilla, kafshët e lënduara apo të sëmura duhet të izolohen në pjesë të veçanta;
Fermeri duhet të parandalojë sjelljen agresive të derrave dhe të formojë grupe kafshësh që shkojnë mirë me njëra-tjetrën;
Strukturat e strehimit të derrave duhet të ndërtohen në atë mënyrë që i lejon derrat të:
shtrihen, pushojnë dhe të qëndrojnë në këmbë pa vështirësi,
kenë vend të pastër ku të pushojnë,
shohin derrat e tjerë.
Dyshemetë duhet të jenë të përshtatshme për madhësinë dhe peshën e derrave, dhe të formojnë një sipërfaqe të fortë, të sheshtë dhe të qëndrueshme, e cila nuk është e rrëshqitshme;
Sipërfaqja ku ata shtrihen duhet të jetë e rehatshme, e pastër dhe nuk duhet të ketë ndikim negativ te derrat. Kur vihen në dispozicion shtretër, ata duhet të jenë të pastër, të thatë dhe të padëmshëm për derrat;
Fermeri duhet t’i ushqejë kafshët të paktën një herë në ditë në të njëjtën kohë, dhe t’iu japë ujë kur mbahen në grupe me ushqyerje të kufizuar; ushqimi duhet të përgatitet në përputhje me nevojat e veçanta të moshës së kafshës, gjithmonë me ujë të freskët dhe me higjienën e duhur;
Për të parandaluar sjelljen agresive dhe kafshimin e bishtit, fermeri duhet të sigurojë se të gjithë derrat kanë materialet ose pajisjet e përshtatshme për të përmbushur nevojat e tyre etologjike, në varësi të mënyrës së mbajtjes së kafshës.
Ferma duhet të ofrojë sipërfaqen minimale të përcaktuar për secilën kafshë sipas rregulloreve.
Për ambientet/stallat për paradosa, dosa, remont dhe harça
Numri i dosave brenda rrethimit/seksionit jo më shumë se 10 krerë;
Sipërfaqet e lira për paradosat pas fekondimit 1.64 m²;
Sipërfaqet e lira për dosat e mbajtura në grup 2.25 m². Numri i krerëve që vendoset nëpër seksione llogaritet:
Për dosat barrëse merret 50 % e numrit të dosave të prodhimit;
Për dosat e remontit merret 30 % e numrit të dosave të prodhimit.
Për dosa riprodhuese
Koeficienti i ndriçimit 1:14;
Gjerësia e korridorit qendror 1.36 m;
Gjerësia e kanalit të urinës 0.15 - 0.20 m;
Fronti i ushqimit për dosat dhe harçin 50 cm/krerë;
Sipërfaqja e lirë e harçit 6 - 10 m²;
Sipërfaqja e sallës së ndërzimit 12 m² ose (2 krerë x 9m²);
Vëllimi për harç/dosë 8m³;
Sipërfaqja e padokut për harç 5 m² (2 x 2.50 x 1.20).
Boksi Kolektiv (Dosa/pritje/ndërzim)
Hapësira totale 2.43 m²/krerë;
Hapësira e nevojshme për lëvizjen e kafshëve 2.25 m²/krerë;
Hapësira e dyshemesë 1.3 m²/krerë;
Gjerësia maksimale e pjesës së “plotë/të mbushur” të zgarës së dyshemesë jo më pak se 8 cm; dhe gjerësia e pjesës “bosh” në zgarë 2 cm.
Për maternitet
Sipërfaqja për krerë (dosa riprodhuese) 2.45 m²/krerë
Koeficienti i ndriçimit 1:12;
Gjerësia e korridorit qendror 1.36 m;
Gjerësia e kanalit të urinës 0.15 m;
Sipërfaqe padoku vetëm për gicat 6 - 7 m²/çdo boks;
Vëllimi i ndërtimit 7 - 8m³/krerë;
Sipërfaqe padoku vetëm për gicat 6 - 7 m²/çdo boks.
Për derrkucat në qumësht
Dendësia mesatare 0.16 - 0.2 m2/krerë.
0.15 m2 për derrat me peshë 10kg;
0.20 m2 për derrat me peshë 10 - 20kg;
0.30 m2 për derrat 20 - 30kg.
Rekomandohet mbajtja në bokse metalike në formë zgare me dendësinë e mësipërme, por jo më shumë se 10 krerë në boks (faza para fillimit të majmërisë).
Për derrat në majmëri - Sipërfaqja e ndërtimit:
0.20 m2 /krerë për derrat me peshë 10 - 20kg;
0.30 m2/krerë për derrat me peshë 20 - 30kg;
0.40 m2 /krerë për derrat me peshë 30 - 50kg;
0.55 m2 /krerë për derrat me peshë 50 - 85kg;
0.65 m2/krerë për derrat me peshë 85 - 110kg;
1 m2/krerë për derrat me peshë 110kg.
Të dhëna teknike për stallën e derrave në majmëri
Koeficienti i ndriçimit 1:10
Gjerësia e seksioneve 3.13 m;
Gjerësia e korridorit qendror 1.2 m
Gjerësia e kanalit të urinës 0.15 m
Sipërfaqe padoku vetëm për gicat 6-7 m²/çdo boks.
Model stabilimenti për mbarështimin e 50 krerë dosave
Materniteti (Sipërfaqja + sipërfaqen e korridoreve), 8 m² / dosë/harç
Sipërfaqja e gicave dhe derrave në majmëri, 0.85 m² /krerë
Sipërfaqet e padokut
Për dosat barrëse dhe remont 1.1 m²/krerë;
Për derrat në majmëri, 0.9 m² /krerë.
Sipërfaqja e stacionit të ndërzimit 12m²;
Rezervuari i ujit 20m²;
Klinika e stabilimentit 16m ²;
Depo dhe punishte ushqimi 30 m²;
Ambientet për punonjësit 20 m²;
Banjat për dezifektimin e derrave, kanal me përmasat 17.5 m²;
Depo urine dhe plehërishte, 1.5 m² / dosë x 50 krerë = 75 m²;
Sipërfaqe rruge 200 m².
DOSAT DHE DERRKUCAT
Dosat barrëse duhet të trajtohen për parazitë dhe të pastrohen para se të hyjnë në stabilimentet e lindjes;
Dosave duhet t’iu vihen në dispozicion hapësira të pastra, si duhet dhe të rehatshme për t’u shtrirë, dhe nëse është e nevojshme, duhet t'iu vihen në dispozicion materiale të përshtatshme për periudhën e barrës;
Për lehtësi të lindjes natyrale ose të asistuar, duhet që hapësira pas dosës apo derrkucit mos ketë pengesa;
Stabilimentet e lindjes ku dosat mbahen të zgjidhura duhet të kenë disa mjete për mbrojtjen e derrkucave, siç janë parmakët e lindjes.
Gicave duhet t’iu vihet në dispozicion sistemi i duhur ngrohës, hapësira e thatë dhe e ngrohtë në stabilimentin e lindjes, larg nga dosa, në mënyrë që ata të qëndrojnë bashkë. Gjithashtu, gicat duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme që mundëson ushqyerjen e tyre me gji nga nëna pa vështirësi;
Tredhja e derrave meshkuj pas katër javësh duhet të kryhet vetëm nën veprimin e anestezikëve të dhënë nga një veteriner apo një person i kualifikuar në përputhje me legjislacionin kombëtar;
Prerja e bishtit ose heqja e dhëmbëve duhet të kryhet në mënyrë rutinë, por vetëm kur ka nevojë dhe prova të qarta se kjo procedurë do të parandalojë lëndimet e dosave dhe gicave;
Gicat duhet të zvirdhen të paktën kur janë tre javësh, përveç rasteve kur ka arsye të forta mjekësore për ta shkurtuar këtë periudhë;
Pas zvjerdhjes, gicat duhet të vendosennë grupe, nëse është e mundur pa i përzierë më vonë.
SMR 13. Standarde për mirëqenien e kafshëve Qëllimi është mbrojtja e mirëqenien e kafshëve në fermë
Kërkesa të përgjithshme (legjislacioni shqiptar dhe i BE-së): Personeli
Për kafshët në ferma duhet të kujdesen një numër i mjaftueshëm profesionistësh, ndërsa ato duhet të kontrollohen të paktën një herë ose më shumë në ditë, në varësi të sistemit të prodhimit;
Nëse një kafshë është e sëmurë apo e lënduar, ajo duhet ndarë në një hapësirë të veçantë me kushte të përshtatshme, dhe i duhet ofruar kujdes i menjëhershëm; nëse kafsha nuk reagon ndaj kujdesit të menjëhershëm, atëherë duhet njoftuar veterineri;
Fermeri duhet të mbajë një regjistër për trajtimin e kafshëve të fermës në përputhje me rregulloret që drejtojnë përdorimin e barnave për trajtimin e kafshëve, si dhe të regjistrojë rregullisht ngordhjen e kafshëve në fermë;
Fermeri duhet t’iu ofrojë kafshëve lirinë e duhur për të lëvizur, në mënyrë që ato të lëvizin, shtrihen, ngrihen, dhe të rrotullohen, si dhe të ushqehen dhe përmbushin nevojat e tyre fiziologjike.
Strehimi
Stallat duhet të ndërtohen me materiale dhe pajisje që nuk janë të dëmshme për kafshët, dhe që mund të pastrohen dhe dezinfektohen lehtësisht;
Sistemi i izolimit, ngrohjes dhe ajrimit duhet të sigurojnë kushte mikroklimatike që nuk janë të dëmshme për kafshët;
Kafshët nuk duhen mbajtur gjithmonë në errësirë, por me ndriçim natyral dhe artificial të përshtatshëm;
Kur kafshët mbahen jashtë stallës, ato duhet të mbrohen nga kushtet e këqija atmosferike, kafshët grabitqare, dhe rreziqe të tjera për shëndetin e tyre.
Pajisjet e automatizuara ose mekanike
Të gjitha pajisjet e automatizuara ose mekanike që lidhen me rritjen e kafshëve në ferma duhet të inspektohen të paktën një herë në ditë. Në rast të gjetjes së defekteve, duhen marrë menjëherë masat e duhura për rregullimin e sistemit ose për parandalimin e dëmtimit të shëndetit të kafshëve;
Duhet vendosur sistemi i alarmit për ta paralajmëruar fermerin për mosfunksionimin e sistemeve teknike, veçanërisht për sistemin e ajrimit, i cili duhet të ketë një sistem rezervë të përshtatshëm;
Sistemi i alarmit duhet të testohet rregullisht;
Fermeri duhet t’iu ofrojë kafshëve ushqimin e duhur dhe ujin në sasi të mjaftueshme, në varësi të nevojave të tyre fiziologjike, me qëllim ruajtjen e shëndetit dhe gjendjes së tyre fizike;
Të gjitha kafshët duhet të kenë akses në ujë të freskët;
Sistemet për ofrimin e ushqimit dhe ujit duhet të projektohen dhe ndërtohen në mënyrë të tillë që të mundësohet mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i tyre;
Fermeri duhet kujdeset për kafshët në mënyrë që të mos ketë pasoja të gjymtimit të qëllimshëm të kafshëve (prerje e veshit, bishtit, gjymtyrëve apo pjesëve të gjymtyrëve), përveç rasteve kur kafshët kanë lënduar njëra-tjetrën ose kanë përdredhur veshët për shkak të vendosjes së matrikullit në vesh;
Fermeri duhet të sigurojë se nuk ka shenja të dukshme të lëndimeve të kafshëve për shkak të mënyrave të papërshtatshme të mbarështimit apo rritjes;
Asnjë kafshë nuk duhet mbajtur për qëllime blegtorale, përveçse nëse bëhet pa efekte të dëmshme në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Ky material ështe shkëputur nga manuali “KËRKESAT E DETYRUESHME STANDARDET DHE PRAKTIKAT E MIRA NË PRODHIMIN BUJQËSOR” publikuar nga Projekti “Përmirësimi i performancës dhe cilësisë së shërbimit ekstensiv publik në sektorin blegtoral” - EuropeAid/136437/IH/SER/AL dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Paketa e rregullave përcakton se si duhet të veprojnë fermerët për të mundësuar ndryshimin pozitiv ose Ndërpërputhshmërinë në prodhimin bujqësor. Kërkesat Statutore të Menaxhimit , janë standarde bujqësore që përshkruajnë disa veprimtari të menaxhimit të fermave, të cilat mundësojnë prodhimin ushqimor në përputhje me nevojat mjedisore, të njerëzve dhe kafshëve, dhe qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor.