FORMAT E KULTIVIMIT TEK KAJSIA




Në përputhje me veçoritë e nënshartesës, format më të përshtatshme të kultivimit (forma e mbajtjes së kurorës) janë: 

  • Mbajtja e kurorës në formë kupore
  • Mbajtja e kurorës në formë palmete

zonat fushore rekomandohen të dyja format e kultivimit. Ndërsa në zonat kodrinore preferohet ajo e formës kupore.

Forma Kupore. Fidani i mbjellë pritet në lartësinë  50 - 80 cm. Gjatë vegjetacionit, nga lastarët e shpërthyer,  përzgjidhen 3 – 4, të cilët do të shërbejnë për të formuar degët skeletore kryesore. Mundësisht këto degë të jenë të baraslarguara nga njëra tjetra (të formojnë një kënd me njëra tjetrën 90°-120°). Udhëheqësi qendror eliminohet plotësisht. Në vitin e dytë (gjatë krasitjes dimërore) këto degë priten në 15 – 20 cm gjatësi dhe në secilën lihen të zhvillohen nga 3 lastarë, të cilat do të shërbejnë si degë dytësore. Në vitin e tretë  vazhdon e njëjta procedurë. 

Disa parime bazë të kësaj krasitje formuese:

  • Përzgjedhja  e 3-4 degëve skeletore të rendit të parë te lidhura fort me aksin qendrorë (trungun e ardhshëm të pemës).
  • Hiqen lastarët që dalin  jashtë këndit 45 – 60° me aksin kryesor. Kur mungojnë lastarë të tjerë atëherë apliko metodën e hapjes apo mbylljes për të formuar këndin 45 – 60°.

Forma Palmetë. Kjo formë kurorë që të realizohet kërkon një periudhë kohore 4-6 vjet. Fillohet menjëherë pasi fidani mbillet në vendin e përhershëm, duke e prerë fidanin e mbjellë në lartësinë 50 - 55 cm nga toka.

  • Gjatë vegjetacionit, në pranverë, lihen për rritje 4 – 5 lastarë (1 -2 lastarë rezervë) dhe hiqen gjithë të tjerët.
  • Për formimin e katit të parë të palmetës, gjatë periudhës së qetësisë dimërore, zgjidhen e lihen 3 lastarët më të mire. Dy lastarët që janë në drejtimin e telave do të formojnë katin e parë të formës palmetë. Lastari i sipërm (i mesit) lihet si udhëheqës për formimin e katit të dytë (ky duhet të jetë më i fuqishëm se dy lastarët tjerë). Degëzat e tjera hiqen plotësisht.

Këshillë:  Distanca e daljes së degës së parë dhe të dytë, të cilat do të shërbejnë për formimin e katit të parë, të mos kenë dalë nga një pikë por me një diference rreth 6 - 10 cm nga njëra tjetra me qëllim që ato të lidhen fort me lastarin si udhëheqës kryesore.

  • Dy lastarët të cilët do të shërbejnë për formimin e katit të parë të palmetës, shkurtohen në 50-55 cm dhe  lidhen në telin e parë. E rëndësishme është që këndi ndërmjet degës skeletore dhe udhëheqësit kryesor të jetë rreth 60°. Kjo rregullohet nëpërmjet lidhjeve ose duke aplikuar edhe sistemin e bigave.

E njëjta procedure aplikohet për formimin e katit të dytë, të tretë e me radhë, deri sa bima të marri formën e duhur të palmetës, të shtrirë në 4 tela. 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë për Krasitjen prodhuese tek kajsia

Data e publikimit: 21/01/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

FORMAT E KULTIVIMIT TEK MOLLA

Lastarët e tjerë, në këtë lartësi, nuk këshillohen të hiqen, por të pincohen me qëllim që të mos ulet sipërfaqja foto sintetike, e cila do të ndihmojë në fuqizimin e sistemit rrënjor dhe të bimës në përgjithësi.

Lexo më shumë