TENJA E RRUSHIT DHE LUFTIMI I SAJ




Tenja e rrushit (Lobesia botrana ose Polychrosis botrana), e njohur si tenja evropiane e rrushit, paraqitet si dëmtues tradicional në mbarë Evropën. Tenja është ndër shkaqet kryesore për dëmin ekonomik tek rrushi. Dëmton që nga lulëzimi e deri në pjekje të rrushit. Në vite, kur nuk luftohet, dëmi mund të arrijë deri në 40% të prodhimit. Dëmi në kokrrat në rritje është i dyfishtë, nga dëmtimi direkt i tenjës dhe dëmtimi indirekt sepse kokrrat e prekura nga tenja janë mjedisi më i mirë për zhvillimin e kërpudhës së kalbëzimit (Botritis cinerea), si dhe sëmundje tjera kërpudhore. Në këto raste dëmi mund të arrijë deri në 70%. 

Hardhia është bima e preferuar, por si dëmtues raportohet edhe tek manaferrat, kulumbria, stafidhja e zezë dhe e kuqe, ulliri, kivi, shega dhe bimë të tjerë të egër. 

Përshkrimi i dëmtuesit
Insekti i rritur

Insekti i rritur është një flutur me madhësi të trupit (gjatësi) 6 – 8 mm dhe me krah të hapura arrin madhësinë 10 – 13 mm.

Krahët (fletët) e përparme kanë ngjyrë të hapur, të bardhë si krem ose me pak pigment me lara me ngjyrë të zezë, kafe ose të përhimët. Fletët e pasme kanë ngjyrë të përhimët. Hapja e krahëve është 10-13 mm. Femrat janë kryesisht më të mëdha se meshkujt. 

Pupa
Pupat kanë ngjyrë kafe të mbyllur dhe zakonisht kanë gjatësi prej 6 mm

Larva
Larvat janë rreth 1 mm kur dalin nga veza dhe mund të rriten deri në 15 mm. Larvat e sapo çelura kanë ngjyrë të zbehtë të verdhë në të bardhë dhe me rritjen zakonisht marrin ngjyrë të gjelbër të çelur deri në kafe të çelur, si dhe janë shumë të lëvizshme. 
Vezët depozitohen kryesisht vetëm në bimën pranuese dhe kanë formë rrethore të sheshtë. 

Simptomat dhe dëmtimi 
Breznia e parë në të gjithë zonën e ulët bregdetare e fillon aktivitetin në fund të muajit prill e vazhdon deri me 20 maj. Kjo brezni dëmton në gonxhe dhe lule. Në lule, dëmi dallohet duke qenë se secila larvë, me rritjen e saj, grupon disa sytha lulesh me fije mëndafshi, në formë topash të vogla, ku në brendësi është larva e tenjës. 

Breznia e dytë e larvave e filon aktivitetin në mes të qershorit e deri më 15 korrik. Larvat ushqehen me kokrra të gjelbra

Larvat e reja depërtojnë kokrrat dhe i zbrazin ato, duke i lënë vetëm lëkurën dhe farat. Larvat sigurojnë kokrrat e shpuara me kokrrat që i rrethojnë përmes fijeve të mëndafshta që ua bën të mundur të mos rrëzohen. Mund të shfaqet edhe tallash (jashtëqitje). Secila larvë mund të dëmtojë nga 2 deri në 10 kokrra, dhe nëpër vreshtat e prekura rëndë mund të paraqiten deri ne 20-30 larva për veshul. 

Breznia e tretë e fillon aktivitetin në fillim të gushtit dhe vazhdon gjatë gjithë muajit. Larvat e kësaj breznie e shkaktojnë dëmin më të madh përmes rrjetëzimit dhe të ushqyerit brenda kokrrave dhe brenda veshulëve, që kontaminohen nga jashtëqitja. 

Gjithashtu, dëmi nga të ushqyerit tek kokrrat pas fillimit të pjekjes i ekspozon ato ndaj sëmundjeve kërpudhore si Botrytis (kalbëzimi) dhe kërpudha të tjera sekondare si Aspergillus, Alternaria, Rhizopus, Cladosporium dhe Penicillium. 

Veç kësaj, dëmi i shkaktuar varet edhe nga varieteti. Dëmi është më i madh, kryesisht tek varietetet e hardhisë me veshul të dendur, për shkak se kjo shkakton rritje si të vendosjes së larvave, ashtu edhe të zhvillimit të kalbjes. 

Biologjia e dëmtuesit
Në varësi nga temperatura e mjedisit, tenja evropiane e rrushit mund të ketë katër brezni gjatë ciklit jetësor. Pupat dimërojnë në diapauzë (gjendje pushimi) brenda fshikëzave të mëndafshit, nën lëvore ose në pjesën e poshtme të degëzave dhe krahëve, nëpër çarje të tokës, ose nëpër vende të fshehura tek telat për lidhje. 

Në kushtet klimatike të zonës së ulët bregdetare, të vendit tonë, tenjat e rritura të breznisë së parë shfaqen që nga fundi i prillit dhe fluturojnë deri në fund të majit. Një femër mund të depozitojë rreth 100 vezë. Vezët çelin pas dhjetë ditëve. Zhvillimi i larvave përfundon për 20 deri në 30 ditë, në varësi të temperaturës. Pupimi zhvillohet brenda membranës, në rrjetën që ndodhet tek lulëria, ndërsa tenjat e rritura shfaqen 6 deri në 14 ditë pas pupimit. 

Vezët e breznisë së dytë depozitohen individualisht nëpër kokrra të gjelbra të cilat janë në zhvillim e sipër dhe që nuk preken nga rrezet e diellit. Pupat e breznisë së dytë formohen në fazën e fillimit të pjekjes së kokrrave. 

Fluturimi i tenjave të rritura të breznisë së tretë bëhet në fund të korrikut ose në fillim të gushtit dhe mund të zgjasë deri në fillim të tetorit. 
Vezët e breznisë së tretë depozitohen në kokrra të vetme rreth fazës së fillimit të pjekjes së kokrrave. Në veshulët e infektuar vihet re rrjeta e mëndafshtë dhe jashtëqitja e larvave. Larva mund ta gërryejë plotësisht kokrrën duke i lënë vetëm farat dhe lëkurën plot me jashtëqitje, të lidhur shumë lirshëm me boshtin e veshulit. 

Monitorimi i dëmtuesit
Për të pasur kontroll të suksesshëm të tenjës së rrushit është i nevojshëm monitorim konstant i vreshtave. 

Monitorimi bëhet nëpërmjet: 

Kontrollit vizual 
Kontrolli vizual duhet realizuar për secilën brezni veçmas ku shënohen:

  • depozitimi i vezëve;
  • çelja e vezëve dhe dalja e larvave;
  • infektimi i veshulëve me rrjetëzim e mëndafshtë,
  • dëmtimi i kokrrave etj.

Kurthit me feromone 
Vendosen një deri dy kurthe për hektar. Kurthet duhet vendosur në lartësi të njëjtë me frytet, nëpër bimë ose nëpër mbështetës të caktuar. Feromonet tërheqin meshkujt dhe përdoren për të monitoruar fluturimin tek seksi mashkull. 

Cili është sekreti i suksesit të tyre? 
Pajisja është një tub plastik me ngjyrë kafe të cilat varen në hardhitë e rrushit çdo disa metra. Pajisjet lëshojnë feromone femërore, të krijuara në mënyrë sintetike në ajër, duke krijuar një re arome mbi vreshtin.

Feromonet seksuale janë një faktor i rëndësishëm në çiftëzimin e tenjave. Sapo femra të lëshojë hormone, ajo shkakton kërkimin e partnerit dhe fluturat mashkull fillojnë të lëvizin kundër erës drejt partnerit të tyre të mundshëm. Por pajisjet që lëshojnë të gjitha feromonet femërore, mashtrojnë meshkujt në një kërkim të pafrytshëm për seksin femër, që përfundimisht rezulton me ngordhje.

  • Vendosni kurthe me feromone para çeljes së sythave lulorë (një deri dy kurthe për hektarë).
  • Kontrolloni kurthet çdo javë, duke regjistruar numrin e insekteve të kapur (duke hequr insektet e kapura nga pjesa e poshtme ngjitëse).
  • Regjistroni kapjet javore për të përcaktuar fillimin dhe kulmin e fluturimit tek seksi mashkull për secilën brezni.

Vazhdoni monitorimin me kurthe deri në kulmin e fluturimit të breznisë së tretë.

Kur duhet të fillojnë trajtimet tek hardhia për mbrojtjen nga tenja?
Për fillimin e trajtimit bazohemi te kufiri kritik i cili, sipas breznive, është:

  • Për brezninë e parë, 10 – 15 larva për 100 veshulë;
  • Për brezninë e dytë, 7 larva në 100 veshulë;
  • Për brezninë e tretë, 4 larva për 100 veshulë.

Menaxhimi i dëmtuesit
Menaxhimi i integruar i dëmtuesve është metoda më e mirë për të luftuar tenjën e rrushit. 

Në menaxhimin ose luftën e integruar bëjnë pjesë:
Strategjitë me bazë tek feromonet e seksit që ndalojnë shumimin. Kjo metodë konsiderohet si qasja menaxhuese më e padëmshme për mjedisin jetësor. 

Teknika për ndalimin e shumimit (mating disruption - MD) është metodë bioteknike që ka për qëllim të parandalojë mashkullin në gjetjen e femrave të pa çiftëzuara duke shpërndarë feromon artificial të species përmes përdorimit të shisheve spërkatëse të mbushura me feromon seksual. Pra, kjo metodë lë femrën të pa fekonduar dhe bën të pamundur depozitimin e  vezëve që japin larva. Një numër i madh studimesh tregojnë që përdorimi i feromoneve seksuale (teknika për ndalim të shumimit) mund të sigurojnë mbrojtje të plotë tek varietetet me pjekje të hershme. Metoda e feromonit funksionon shumë mirë për të mbajtur dëmtuesit larg rrushit. 

Përdorimi i insekticideve 
Insekticidet duhet të aplikohen dhjetë ditë pas kulmit të fluturimit për secilën brezni dhe për secilën brezni mund të bëhen një deri në dy trajtime.

Për breznisë e parë rekomandojmë të jeni më tolerantë në luftimin e këtij dëmtuesi, pra pranohet një shkallë dëmi pa kryer trajtime me insekticide për luftimin e këtij dëmtuesi. Kjo tolerancë rekomandohet për kultivarë rezistentë si dhe ato me veshulë të ngjeshur, sepse rrallimi i lulërisë në këtë rast nuk sjell dëm ekonomik dhe ndikon në rritjen e cilësisë.

Në vendin tonë ka një numër të madh të insekticidëve të regjistruar me lëndë aktive të ndryshme si: deltametrin, spinosad, chlorantraniliprole, chlorpyriphos-methyl, emamectin benzoate, indoksakarb, lufenuron, tebufenozide, fenoxicarb, flufenoxuron, chlorpyriphos.

Përdorimi i bioinsekticideve 
Bioinskticidet janë  preparate biologjike për luftimin e dëmtuesve në kulturat bujqësore. Në dallim nga insekticidet sintetikë, nuk lënë mbetje dhe nuk janë të dëmshëm për mjedisin. Bioinsekticidi që përdoret për kontrollin e tenjës është me bazë të Bacillus thuringiensis ssp.

Data e publikimit: 26/01/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË CIANIT

Lule ciani ka përdorime të shumta. Lulet e kësaj bime mund të konsumohen të gjalla ose të gatuara. Petalet e lules përdoren në sallata për t’i dhënë një ngjyrë tërheqëse, por edhe në ëmbëlsira. Lulekina përdoret edhe në formën e çajit.

Lexo më shumë

TEKNOLOGJIA E KULTIVIMIT TË LAVANDËS

Cilat janë disa nga arsyet kryesore të kultivimit të lavandës në vendin tonë?

Lexo më shumë

KORRJA E LAVANDËS

Kur dhe si të korrni lavandën?

Lexo më shumë

HIRI NË KASTRAVECIN E SERRËS

Hiri është një sëmundje shumë e rrezikshme që prek perimet e serës në përgjithësi

Lexo më shumë